Vota shqiptare per Obama-n
Albeu.com
nga Veton SurroiZgjedhjet presidenciale amerikane shtrojnë një dilemë të një natyre të veçantë për komunitetin shqiptaro-amerikan: Për kë të votohet tash, kur edhe republikanët dhe demokratët kanë bërë, në këto vitet e fundit, shumë për shqiptarët? 1.

Zgjedhjet presidenciale amerikane shtrojnë një dilemë të një natyre të veçantë për komunitetin shqiptaro-amerikan: Për kë të votohet tash, kur edhe republikanët dhe demokratët kanë bërë, në këto vitet e fundit, shumë për shqiptarët? Që prej rënies së Murit të Berlinit, njëra pas tjetrës, administratat e ndryshme amerikane kanë lozur një rol, që ka mbërritur fazën ekzistenciale në përcaktimin e fatit të shqiptarëve dhe shteteve të tyre në Ballkan.

Republikani George Walker Bush i dërgoi Kërcënimin e Kërshëndellave liderit të Serbisë, Millosheviqit, me të cilin i tha se ushtrimi i dhunës në Kosovë, sikurse kishte filluar të bënte në Kroaci, e së shpejti edhe në Bosnjë, do të ishte një vijë e kuqe politike dhe ushtarake për Amerikën, gjegjësisht do të sfidonte përgjigjen diplomatike e ushtarake të SHBA-ve. Me një gjest të natyrës tjetër, por me një simbolikë gjithsesi të madhe, në kryeqytetin e harruar nga hartat diplomatike amerikane, në Tiranë, do të zbriste Sekretari i Shtetit i Bushit, James Baker, i cili me sy e vesh të tij do të bindej për një lidhje të veçantë emocionale mes shqiptarëve dhe Amerikës.

Pasuesi demokrat i Bushit, Presidenti Clinton dhe Sekretarja e tij, Albright, do të kenë rolin vendimtar për të nxjerrë Kosovën nga rruga e gjenocidit, ku e pati nisur Millosheviqi e për ta drejtuar kah rruga e pavarësisë. Prej procesit negociator të Rambouillet, bombardimet e NATO-s dhe largimin e sovranitetit të Beogradit nga Kosova, kjo administratë nxori për herë të parë në historinë e vet Kosovën në liri.

Dhe gjatë mandatit të pasuesit republikan të Clinton-it, Presidentit të tanishëm George W. Bush, administrata amerikane, përkundër një pozicioni të izoluar ndërkombëtar, arriti të krijojë përkrahje të mjaftueshme për t‘i prirë shpalljes së Kosovës së pavarur, pa konsensus brenda OKB-së. Po ashtu, kjo administratë i ka prirë anëtarësimit të Shqipërisë në NATO, përkundër vërejtjeve eventuale që do të mund të bëheshin nga ky apo ai shtet anëtar.

Brenda një shekulli, SHBA-të, duke e ndihmuar vendosmërisht ruajtjen e një shteti gjithnjë e më të reduktuar të Shqipërisë në fillim të tij për të lozur rolin vendimtar në rikthimin e Shqipërisë, Kosovës, Maqedonisë e Malit të Zi në gjendje sigurie fizike e në gjirin e Perëndimit, kanë krijuar një lidhje të veçantë, ekzistenciale, me shqiptarët, të paparalelë me shtetet dhe kombet e tjera evropiane.


2.

Për shqiptaro-amerikanët, dy prej kandidatëve në këto zgjedhje janë të njohur. John McCain, kandidati republikan, me vite të tëra ka qenë një zë i vendosur i republikanëve, atëherë kur kishte pak të tillë, gjatë administratës së Clinton-it, që ishte në favor të një vije më të ashpër, ushtarake, ndaj Millosheviqit. Gjatë kësaj periudhe, brenda kampit republikan, zëri më i artikuluar ishte ai i veteranit Robert Dole. Në një darkë, në Washington, organizuar për ngritje fondesh për senatorin McCain, pashë ritualin republikan të dy ushtarëve të vjetër: senatori Dole, ushtari i Luftës së Dytë Botërore, duke dalë në podium, ftoi të gjithë republikanët të angazhoheshin për mbrojtjen e Kosovës, si dhe senatori McCain, veterani i Vietnamit, duke përshëndetur ushtarakisht flamurin amerikan, merrte obligimin solemn para mentorit të vet partiak.

Në listën tjetër, senatori Joe Biden është ndoshta figura e demokratëve, e cila më së shumti është dëgjuar për Ballkanin, prej fillimit të luftës në Bosnjë. Atëherë kur ishte pothuajse i vetmuar në Kongresin Amerikan, Biden angazhohej për një aksion ushtarak amerikan për të ndërprerë gjenocidin në Bosnjë. Këtë pasion pastaj e vazhdoi natyrshëm me Kosovën, me të cilën u lidh po aq emocionalisht, aq sa në të punoi disa vjet edhe i biri i tij. Në momentet e vështira, kur duhej siguruar një shumicë përkrahëse në Kongres për vijën e ashpër të administratës Clinton ndaj Millosheviqit, Biden u shqua si figurë që mund të lidhte me vete edhe figura të njohura të kampit republikan, për të krijuar një konsensus të ri. Në zyrën e tij, gjithnjë i pritur me dyert e hapura, vit pas viti do të kërkonim së bashku shtigje për të krijuar shumicën kritike që do të çlironte Kosovën.


3.

Megjithatë, në zgjedhje do përcaktuar për njërën listë, dhe unë do të këshilloja pjesëtarët e komunitetit shqiptaro-amerikan që të votojnë për listën Obama-Biden, e këshilla bazohet m‘u në natyrën e veçantë të marrëdhënieve që kanë shqiptarët me Amerikën.

Gjatë viteve të administratës Bush, SHBA-të janë ballafaquar me një sfidë të paprecedencë sulmi terrorist dhe të zhvillimit të dy luftërave, në Afganistan e Irak si kundërpërgjigje. Mënyra e përgatitjes dhe udhëheqjes së luftërave, në radhë të parë të asaj të Irakut, pa krijuar një koalicion më të gjerë, e ka lënë Amerikën të izoluar në përmasa që nuk i kishin ndodhur pas Luftës së Dytë Botërore. Brenda vendit, një drejtim i tillë në politikën e jashtme e të sigurisë, po ashtu ka krijuar një polarizim që nuk është përjetuar në Amerikë që nga lufta në Vietnam. Një gjendje e tillë në politikë është reflektuar edhe në politikat ekonomike: Gjatë administratës Bush u shkri suficiti buxhetor i krijuar në administratën Clinton dhe në fund të kësaj administrate, Amerika u bë prijëse e krizës së re financiare globale.

E ndarë nga përkrahja e një pjesë të madhe të botës, dhe e ndarë brenda vetes, Amerika e tillë e ka të vështirë të luajë e rolin e saj të natyrshëm, të superfuqisë botërore që ndërton koalicione paqe e zhvillimi në botë.

Ndërkaq, një botë e re, me më shumë fuqi rajonale, por po ashtu me më shumë probleme rajonale që shndërrohen në globale (Lindja e Mesme, Gjiri Persik, Kaukazi, Azia Qendrore, Pakistani), ka nevojë për rolin ekuilibrues të superfuqisë demokratike, Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Në këtë botë të re të shekullit XXI, shqiptarët, ndonëse të përcaktuar në rrugën e tyre drejt Bashkimit Evropian, ende kanë nevojë për rolin prijës të ShBA-ve. Kjo është e vërtetë për Kosovën, e cila do ta presë Presidentin e ardhshëm amerikan me probleme gati strukturore të funksionimit të shtetit, në një lëmsh administrativ ndërkombëtar dhe me ndarje territoriale faktike. Kjo është e vërtetë për Shqipërinë, ku nevojitet edhe një shtytje e fortë e vendit për t‘u shkundur nga tranzicioni, gjegjësisht për t‘u bërë shtet funksional demokratik i pjekur për integrim në BE. E këtë shkundje, duke fuqizuar institucionet e demokracisë, ka kredibilitetin më të madh ta bëjë Amerika. Dhe, kjo është e vërtetë për Maqedoninë, ku roli amerikan është i pazëvendësueshëm për të zhbllokuar jo vetëm çështjet kontestuese, siç janë emri i shtetit, por edhe kohabitacionin etnik, sipas modelit të Ohrit.

Në fqinjësi të shqiptarëve, me potencial destabilizues, janë ende Serbia, që duhet të marrë vendimin e vet strategjik për të njohur barazinë e Kosovës, dhe Bosnja e Hercegovina që ende jeton në një sistem provizor të krijuar në Dayton. Këto shtete e kanë më të lehtë të marrin vendime të rënda e të mira, kur garantuese për to është Amerika.


4.

Gjatë fushatës presidenciale, të paraprirë nga fushata për nominim të kandidaturës, Barack Obama dhe Joe Biden kanë demonstruar vizion për rifuqizimin e Amerikës. Për ta rifuqizuar brenda, duke krijuar unitet për ndryshime në modelin e qeverisjes. Por, po ashtu, për ta rifuqizuar jashtë, duke forcuar lidhjen transatlantike me Evropën, dhe aleancat e tjera institucionale që u treguan të suksesshme gjatë më shumë se gjysmë shekulli. Natyrisht, edhe duke i rishikuar luftërat që po zhvillon Amerika në Afganistan dhe Irak, duke krijuar më shumë përkrahje regjionale dhe më shumë kreativitet politik se sa përforcim ushtarak.

Për shqiptarët, rifuqizimi i Amerikës, duke e forcuar lidhjen transatlantike, ka peshë më të madhe se për kombet e shtetet e tjera. Kjo lidhje i shpëtoi shqiptarët e Kosovës nga gjenocidi dhe krijoi kushtet për pavarësinë. Kjo lidhje ia rikrijoi Shqipërisë vendin e vet të natyrshëm, në Perëndim. Dhe kjo është më se e nevojshme në periudhën që duhet të sqarojë rrugën e integrimit të Ballkanit Perëndimor në atë Aleancë transatlantike.
Shtuar më 31/10/2008, ora 21:37
Tage: arkiv

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori