VMRO-DPMNE dhe partite politike shqiptare
Pëlqej
Albeu.com
nga Jahi JahiuKur në shtator të vitit 2006 u kriju koalicioni qeveritar mes partisë VMRO-DPMNE dhe PDSH-së, anëtarët dhe simpatizantët e BDI-së dolën në protesta duke bllokuar rrugët, në shenjë pakënaqsi rreth këtij koalicioni.Qëndrimi i BDI-së ishte se ata i fituan zgjedhjet tek elektorati shqiptarë dhe për këtë në vend të PDSH-së kjo parti duhej t’i përfaqësonte shqiptarët në qeveri.

Por edhe përkundër këtij insistimi, VMRO-DPMNE e kishte të vështirë të fillonte bashkëqeverisjen me BDI. Në atë kohë në radhët e kësaj partie ekzistonte një rrymë e fort e anëtarësisë të cilët ishin kundër koalicionit me BDI për shkak të konfliktit të vitit 2001. Dhe me bagazhin e konfliktit mbrapa, VMRO-DPMNE filloi qeverisjen me partnerin e tij tradicional PDSH-në.

Krijimi i këtij koalicioni në vazhdimësi ishte i papranueshëm nga ana e BDI-së. Problemi më i madh ishte se shumë ligje të cilët duheshe të votoheshin me parimin e Badenterit, mbetën pa u miratuar, për shkak se nuk mund të sigurohej shumica e votave të bashkësive etnike në Komitetin për marrëdhënie ndëretnike.

Për të zbutur situatën dhe nën trysnin e Bashkësisë ndërkombëtare, në maj të vitit 2007 BDI dhe VMRO-DPMNE nënshkruan të ashtuquajturën Marrëveshjen e majit e cila sipas BDI përfshinte pesë pikë ndërsa sipas VMRO-DPMNE tre pikë.

Sipas kësaj marrëveshje, e cila asnjëherë nuk u realizua, palët e nënshkruara u angazhuan në zgjidhjen e disa kërkesave të cilat lidhen me avancimin e të drejtave të shqiptarëve në Maqedoni si zyrtarizimin e gjuhës shqipe, statusin e ish- veteranëve dhe invalidëve të luftës së 2001- shit e të tjerë.

Në këtë kuadër, PDSH e zemëruar nga partneri i tij qeveritarë, pas një presioni të vazhdueshëm për dalje nga qeveria, arriti që në mars të vitit 2008 të nënshkruaj me VMRO-DPMNE një Marrëveshje të njëjtë me pika pothuajse të njejta dhe me fatin e njëjtë të asaj të Marrëveshjes së majit e cila asnjëherë nuk u realizua..

Në qershor të vitit 2008, me kërkesë të BDI dhe me pëlqimin e VMRO-DPMNE u mbajtën zgjedhjet e përkohshme parlamentare në Maqedoni. Nga partitë shqiptare fituese doli BDI ndërsa nga partitë maqedonase VMRO-DPMNE fitoi 63 deputet nga gjithsej 120 deputet në Kuvendin e Maqedonisë.

Përshkrimi i ngjarjeve më lartë bëhet me qëllim që opinioni i gjerë të kuptoj disa fenomene qe ndodhen dhe po ndodhin në jetën politike këtu në Maqedoni mes palës shqiptare dhe asaj maqedonase. Siç u theksua, tradicionalisht PDSH dhe VMRO-DPMNE kanë qenë në vazhdimësi partnere, në opozitë dhe në pushtet.

Gjatë vitit 2006-2008 kur këta dy parti përsëri ishin në koalicion qeveritarë, VMRO-DPMNE kishte gjithsej 45 deputet dhe kishte shumë nevojë për votën e deputetëve të PDSH-së për të mbetur në pushtet. Por edhe përkundër kësaj nevoje, gjatë këtyre dy vite nuk kishte asnjë lëvizje në drejtim të sjelljes së ligjeve të cilët do të avanconin pozitën e shqiptarëve në Maqedoni.

Nënshkrimi i marrëveshjeve, njëherë me BDI e cila ishte në opozitë dhe pastaj me PDSH të cilën e kishte partner në koalicion, ishte një lojë e organizuar mirë nga VMRO-DPMNE. Duke nënshkruar marrëveshjen me BDI, ajo zbuste pakënaqësinë e kësaj partie për shkak se nuk ishte pjesë e pushtetit, ndërsa kur PDSH kërcënonte me largim nga qeveria, ajo shkruante një marrëveshje të njëjtë edhe me këtë parti. Por edhe njëra edhe tjetra nuk u realizuan asnjëherë.

Kjo lojë e dyfishtë e VMRO-DPMNE thellonte edhe më tepër përçarjet me dy subjekteve politike shqiptare, duke e bërë më të lehtë refuzimin e kërkesave për avancimin e të drejtave të shqiptare në Maqedoni. Ndërsa nga ana tjetër, në opinioni maqedonase, rejtingu i kësaj partie ishte më i lartë se asnjëherë tjetër, falë manipulimit që bënte me shqiptarët.

E sigurt në fitore bindëse, ajo përkrahu kërkesën e BDI-së për zgjedhje të përkohshme dhe në zgjedhjet e qershorit fitoi shumicën e deputeteve në Kuvendin e Maqedonisë.

Duke e pasur mbi 51% të deputeteve, për këtë parti, tani më nuk kishte asnjë problem për ta bërë pjesë të koalicionit BDI e cila përsëri kishte fituar shumicën e deputeteve shqiptarë në parlamentin maqedonase. Për VMRO-DPMNE tani kishte një realitet tjetër politik, votat e deputeteve shqiptarë në asnjë mënyrë nuk mund të rrezikonin stabilitetin e qeverisë.

Në gjithë këto zhvillime, shfaqet qartë naivitet politik i subjekteve politike shqiptare e në veçanti të BDI. Euforizmi i kësaj partie se ata mund të ndikojnë në realizimin e kërkesave të shqiptarëve në Maqedoni në kuadër të këtij koalicioni, është shumë shkurtë pamës.

Nëse VMRO-DPMNE do të ishte e gatshme të bënte diçka për shqiptarët, këtë do e bënte deri sa ishte në koalicion me PDSH. E para, sepse atëherë kjo parti kishte shumë nevojë për votat e deputeteve shqiptarë dhe e dyta avancimi i të drejtave të shqiptarëve padyshim që rritë edhe rejtingun e asaj partie së cilës do t’i atribuohet ky sukses.

Për VMRO-DPMNE do të ishte shumë më e preferueshme që ky rejting i lartë politik të jetë në favor të partnerit të tij tradicionalë PDSH-se se sa BDI-së me të cilën luftuan kundër njëra tjetrës gjatë konfliktit të 2001-shit.
Prandaj në gjithë këtë logjik politike, duhesh të jesh një optimist i madh që së paku deri në mars të vitit 2009 kur janë paraparë mbajtja e zgjedhjeve lokale dhe atyre presidenciale në Maqedoni, do të ketë ndonjë lëvizje në përmirësimin e të drejtave të shqiptareve.

Mbetet që të shikohet së cila do të jete strategjia që do të ndjek BDI pas këtyre zgjedhjeve për të hapur “kutinë” e kërkesave të tyre politike në drejtim të partnerit të tij qeveritar edhe pse nuk duhet të pritet ndonjë çudi e madhe në këtë drejtim. Sepse së fundi ishin vetë partitë politike shqiptare që me politikën e tyre përçarëse i mundësuan VMRO-DPMNE-së një komoditet politik në Kuvendin e Maqedonisë.
Shtuar më 10/11/2008, ora 17:09
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori