Varrosmëni në Varrio-Epir! Amanet kockat!
Albeu.com
nga Alban Tartari*Legjenda thotë se një prifti, dikur në histori, i vdes papritur e shoqja. Thuhet se Zoti, jua ka shkruar Kaderin-Fatin ose thënë ndryshe Rrjedhën e jetës në ballë gjithë njerzve. Prifti e varros të shoqen mes hidhërimit, por pas njëfarë kohe nga shkarja e dheut eshtrat e saj dalin në sipërfaqe.Prifti i malluar merr kafkën e gruas së parë (ishte martuar për së dyti tashmë) dhe vendos ta ruajë në shtëpi. Por si njeri i fesë që ishte, arrin t`i lexojë Rrjedhën në ballin e saj, në të cilin thuhej: Do vuash para vdekjes, por pas saj do vuash më shumë, do digjesh! Prifti çuditet, gjithsesi e vendos kafkën në një vend në shtëpi. Ndërsa gruaja e dytë pastronte, e gjen kafkën, dhe hamendëson se ajo ishte e paraardhëses së saj si zonjë shtëpie. Përfiton nga mungesa e priftit dhe e flak atë në zjarr, tek digjet e bëhet hi… kështu përfundon legjenda!

Histori e mendime të trishta të vijnë në mendje tek mëson lajme zhvarrimesh masive në jug të Shqipërisë, me neo-gjeneralë të veshur me petkun e nderuar të klerikut. Kënga “Hanko mos shkel mbi varre” duket se këndej e tutje do të këndohet nga plakat e Jugut si “Vasil mos shkul më varre…”. Forca dhe qarqe të errëta po punojnë në jug të Shqipërisë, e kanë bërë këtë prej shekujsh, por pas viteve `90 kanë gjetur terren dhe po punojnë më rehat dhe më shpejt. Punojnë të patrazuar nga askush, për t`ja arritë Idesë së Tyre të Madhe, pasi asgjë nuk është e re, as historia që është thjesht një përsëritje, me qivure meitësh të tretur, qivurë të kthyer në kuaj trojanë…

Lufta Italo Greke përveç se në zonat ku prifti Vasil Thomollari bënte zhvarrime, është zhvilluar edhe në zonën e Lumit të Vlorës. Ime gjyshe, tashmë 89, tregon sesi ishin ndarë territoret e luftimit, dhe se ku ishte kufiri mes Athinës dhe Romës, ndërsa luftën e ngrinin mbi supe shqiptarët e shkretë, që u burgosën dhe u internuan njëlloj nga të dy palët. (Historianët do më konfirmojnë që në Lumin e Vlorës, grekët kishin të zaptuar Kuçin, Kallaratin dhe Bolenën e vazhdonte për në Sarandë, ndërsa Italia niste me Vranishtin, Tërbaçin, Mesaplikun e zbriste deri në Vlorë). Tashmë pas dhjetra vjetësh, sipas “sinorit” që më kë treguar gjyshja, varret e gjyshit dhe stërgjyshit tim që atëherë u internuan nga 2 vjet në Itali nga fashistët(1940-1942), i bie tw jenw “në anën greke”. Ndjeva nevojën t`i telefonoj tim eti (falë operatorit grek të telefonisë celulare) për t`i thënë që të hedhë një sy nga varret, se mos Qerimi dhe Mejdiu janë zhvarrosur apo mos dikush u ngul ndonjë pllakatë me gërma helene te koka me emra Qirjakos apo Medis…

Në shtypin shqiptar prej disa ditësh, u hodhën teza të ndryshme lidhur me zhvarrosjen e turpshme në jug të Shqipërisë. Një pjesë e mirë mbeten të pranueshme. Dikush që është i gatuar më shumë me maja europiane, sesa me sodën tonë të prodhur dikur në Vlorë, ndoshta do thotë që kemi një greko-fobi të madhe. E në të vërtetë nuk është ashtu. Shqiptarët aq sa të rrëmbyer, janë edhe të duruar. Ata kanë duruar shumë në këta 15 vjet, ashtu siç edhe falë punës së tyre dhe mbështetjes së njerzve të ndershëm grekë kanë mundur të mëkëmbin mini-ekonomitë e tyre, dhe të ndikojnë në ringritjen e vendit. Gjithsesi, qarqe të ndryshme ende po punojnë me përkushtim në jug të Shqipërisë. Ato nuk i ndihin politikës së asnjë vendi, ato veç nxijnë marrdhëniet mes vendeve, dhe rritin urrejtjen mes kombeve. Fatkeqsisht ajo që quhet Vorrio-Epir, duket se është konvertuar në fjalën e tmerrshme Varrio-Epir. Politikat e këtyre qarqeve, duket se po fotokopiojnë shëmtuar ato të Millosheviçit barbar, i cili thoshte se Kosova është serbe, pasi aty qënka zhvilluar një luftë në 1389-ën!!! Pra duhet që edhe Turqia të ngrihet të kërkojë Fushë Kosovën, pasi aty prehet Sulltan Murati…(Mund të vidhen edhe disa eshtra të ushtarëve të UÇK-së dhe të konvertohen në turq pas vdekjes…)!

Gjithsesi, është vërtetë koha për tu distancuar, për të mos përjetuar më atë histori që Kadarenë e bëri të famshëm… Është koha t`i dalim për zot historisë, asaj që gjyshërit e gatuan mirë apo keq…por mjaftueshëm për të na ushqyer e mbajtur gjallë! Është koha ta shohim të vërtetën në sy, me gjithë tërësinë e saj, ku futen shkolla asimiluese, bisneze frymëmarrese ekonomikisht, varre të përdhunuar, celularë rrjepës etj etj. Të gjitha janë një, pjesë e idesë së madhe…që nis në Varrio-Epir!

Atje në vendlindjen time dua të më varrosin, ndanë gjyshërve të mi “në anën greke”, në Labërinë e Epirit të Pirros. Dhe pastaj, pasardhësit lanet qofshin nëse nuk m`i ruajnë kockat! Amanet!
Botuar ne Gazeta Start
Shtuar më 02/06/2006, ora 12:39
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori