Vëllezërit janë vëllezër, por privilegjet s’janë motra
Albeu.com
nga Kim MEHMETIThonë se nuk ka politikanë të këqij, po ka shtete ku çdokush mund të bëhet politikan dhe ka votues që janë të penguar, apo nuk dinë të zgjedhin. Mbase shqiptarët e Maqedonisë kanë disfatën të jetojnë në shtet ku çdokush mund të bëhet politikanë dhe ku thuajse asnjëherë nuk u është lejuar lirshëm të zgjedhin përfaqësuesit e tyre. Andaj edhe kanë Ministër të kulturës që shpall tender për ndërtimin e kishave, por nuk financon shfaqe të mrekullueshme teatrore, si për shembull atë me titull “Daja Vanja”, që i mrekulloi artdashësit shkupjan para disa ditëve. Pra, kanë përfaqësues të cilët janë shumë të sjellshëm ndaj elitave të etnitetit maqedonas, e tepër arrogant ndaj popullit të vet. Që harrojnë se aty ku janë, mbase edhe nuk kanë asnjë vlerë tjetër profesionale, përpos se janë shqiptarë dhe kanë mbështetjen partiake. Me çka, tek shqiptarët e këtushëm, prej moti u ç’vendosën të gjitha standardet vlerësuese profesionale dhe në vend të tyre, u rrënjosën vlerat dhe shijet partiake. Vlera që mund të afirmohen vetëm në mjedise ku nuk është kuptuar se populli me politikanë të paaftë, është si anije pa vela, e elitat politike të dala nga mjediset që nuk dinë të zgjedhin, ndërtojnë udhëkryqe pa semaforë.
Mbase shqiptarët e Maqedonisë edhe gjatë kohë do lundrojnë në anijen politike pa vela dhe vonë do e kuptojnë se konceptet e tyre politike, ekonomike, kulturore, shkencore..., kanë një mangësi që i lë jashtë kohës dhe realitetin në të cilin jetojnë: nuk janë të mbështetura mbi parmin të veprosh lokalisht, e të mendosh globalisht dhe mbarëshqiptarçe. Pra, t’i përkushtohesh shtëpisë së përbashkët që e ndërton me të tjerët që jetojnë në Maqedoni, duke mos harruar se je pjesë e një tërësie kombëtare, e cila ka edhe ambicie dhe kërkesa specifike. Se ke atdhe Kosovën, e mëmëdhe Shqipërinë, kështu që nga pak i ngjajnë fëmijës që përjeton traumat e prindërve të ndarë. Fëmijës të cilit i duhet të gjejë mënyra mbijetuese, duke qenë i kujdesshëm sa ndaj shtëpisë ku jeton, po aq dhe ndaj prindërve që e kanë braktisur. Ashtu siç vepruan, për shembull, ata që vunë në skenë dramën e lartpërmendur, e ku nëpërmjet regjisë së shkëlqyer të një regjisori të etnitetit maqedonas (Sllobodan Unkovskit), shkëlqenin aktorët shqiptarë nga Kosova, Shqipëria e Maqedonia (Bajrush Mjaku, Ndriçim Xhepa, Enver Petrovci, Eftiola Laçka, Musherefe Llozana, Adem Karaga dhe Blerta Syla). E me çka në të vërtetë iu shtua shkëlqimi tetarit shqiptarë dhe u dha një shembull se si duhet mirëmbajtur përroskat “periferike” që derdhen në lumin e kulturës dhe vlerave mbarëkombëtare .
Parë nga ky këndvështrim, dhe duke u nisur nga e drejta legjitime e shqiptarëve të Maqedonisë që të jenë pjesë përbërëse kulturore, shkencore, mediatike, ekonomike ... e shtetit ku jetojnë, por edhe e trungut shqiptarë, ata do duhet edhe politikisht t’i përshtaten realitetit të popullit që ka mëmëdhe Shqipërinë dhe atdhe Kosovën, por jeton i ndarë nga “prindërit”. Pra, do duhet të kontribuojnë në ndërlidhjen dhe sforcimin e brinjëve politik të trekëndëshit Tiranë-Prishtinë- Shkup, nga i cili bashkëveprim do varet edhe bashkëpunimi mbarëshqiptarë në lëmit që e bëjnë një popull të jetë i integruar brenda vetvetes. Do duhet pra të dëshmojnë se e kanë kuptuar se politika është “buldozer” që e hap rrugën për bashkëveprim kombëtar në të gjithë fushat tjera jetësore dhe se partitë politike duhet të jenë projektuesit e asaj rruge. Andaj edhe do duhet të bëjnë çmos që të mos jenë shoqëri ku çdokush do mund të bëhet politikanë, e as mjedis ku kandidati i zgjedh votuesit e vet, e jo votuesit përfaqësuesin e tyre.
Ambienti politikë i shqiptarëve të Maqedonisë, gjithmonë dhe me shumëçka, është varur nga Tirana e Prishtina zyrtare. Në mos më shumë, atëherë shkaku se për shqiptarët e këtushëm gjithmonë ka qenë shumë e rëndësishme se cili nga liderët e tyre partiak, me kënd fotografohet në Shqipëri apo Kosovë. Shqiptarët e këtushëm jo se nuk e kanë ditur se cilët udhëheqës të këtushëm partiak kanë qenë të mikluarit e Tiranës apo Prishtinës, jo se nuk e kanë ditur se cilat miqësi ndërpartiake kanë pasur lidhje biznesi, e cilat ato ideologjike, por kjo edhe nuk u ka penguar gjithaq. Mbase kjo nuk u ka penguar shkaku se kanë besuar, dhe besojnë, se nuk ka asgjë të keqe që Tirana e Prishtina zyrtare të kenë të preferuarit e vetë politikë në Maqedoni. Posaçërisht nëse këto miqësi ndërpartiake nuk u japin legjitimitet partive të këtushme të cilat shkelin mbi votën e shqiptarëve të Maqedonisë. Pra, nëse janë miqësi që do ndihmohen mes veti, por do respektojnë atë që duhet ta respektojë edhe Shkupi zyrtarë – vullnetin politikë të shumicës shqiptare në Maqedoni.
Andaj nuk është e çuditshme pse disa vëzhgues të rrjedhave politike mbarëshqiptare, mbajnë llogari edhe për atë se cili lider partiak nga Prishtina apo Tirana, me këndë drekon kur e viziton Shkupin. Kështu që u ra në sy se kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi e paska lënë pas dore kryesuesin e PDSH-së, dhe u paska dhënë përparësi liderëve të BDI-së, Ali Ahmetit dhe atij të BDSH-së, Bardhyl Mahmutit. Pra sipas tyre, Hashim Thaçi u dashka t’i jep përparësi PDSH-së, partisë së këtushme shqiptare që është pjesë e qeverisë aktuale, e jo partive opozitare. Edhe atë duke harruar paraprakisht të japin shpjegim se vallë Tirana dhe Prishtina zyrtare duhet të respektojnë vullnetin politikë të shumicës shqiptare në Maqedoni, apo gjindshmërisë së partive që bëhen pjesë të qeverisë vetëm pse ashtu duan partitë më të mëdha të etnitetit maqedonas.
Sikur të ishin më të vëmendshëm dhe më objektiv, ata që kritikuan kryeministrin e Kosovës, Hashim Thaçi do vërenin se ai vepron ashtu siç do duhej të silleshin edhe burrështetasit tjerë shqiptarë që e respektojnë vullnetin politikë të shqiptarëve të këtushëm, që e dinë se BDI-ja, e jo PDSH-ja, i fitoi zgjedhjet parlamentare të vitit 2006. Pra, do e shihnin se kryeministri i Kosovës, është i vetëdijshëm se nëse do vepronte ndryshe, ai do u përcillte sinjal negativ partive të këtushme të etnitetit maqedonas, do i çonte ato të mendojnë se Prishtina i jep legjitimitet cilësdo partie shqiptare që do bëhej pjesë e qeverisë së këtushme, pa marrë parasysh se ajo parti ka, apo nuk e ka mbështetjen e popullit që përfaqëson. Pra, sikur të vepronte ndryshe, mbase ai do bënte veprim antikombëtarë, i cili do u ndihmonte qarqeve të këtushme politike të etnitetit maqedonas të realizonin tendencat në kundërshtim me Marrëveshjen e Ohrit, tendenca që kanë për qëllim majorizimin etnik, që duan të shpërfillin votën e shqiptarëve të këtushëm.
Ata që merren me hamendësim më të thellë se pse Hashim Thaçi ka marrëdhënie të ftohta me kryesuesin e PDSH-së, mbase do mund të shtonin edhe arsyetimin se kryeministri i Kosovës është politikanë serioz, i cili i respekton miqtë e vërtetë të shtetit të vetë dhe të shqiptarëve. Kështu që nuk donë të përkrahë politikanë që janë në listën e zezë të administratës shtetërore të SHBA-së, ku është edhe emri i kryetarit të PDSH-së. Pra, do mundë të shtonin se Hashim Thaçi mbanë llogari që të respektojë kriteret dhe vlerësimet e shtetit mik të shqiptarëve edhe atëherë kur ato vlerësime nuk janë aq të këndshme për ne shqiptarët , si për shembull, listat e zeza ku figurojnë edhe emrat e politikanëve tanë. Por, në rastin e relacionit konkret mes Prishtinës dhe Shkupit zyrtarë, nuk nevojiten argumente plotësuese që të dëshmohet se Hashim Thaçi, për dallim nga disa analitik të rrjedhave politike brendashqiptare, e dinë se cila parti e këtushme shqiptare është përfaqësuese legjitime e popullit të vet. Dhe se atë legjitimitet partive të këtushme shqiptare nuk ua përcakton as Prishtina, e as Tirana, e më së paku mandatari i qeverisë së Maqedonisë, por votuesit e këtushëm shqiptarë.
Si do që të jetë, shqiptarët e Maqedonisë edhe më tej do përballen me një realitet politik e kulturorë, ku standardet do i përcaktojnë edhe disa politikanë të cilët dinë me kë të fotografohen në Tiranë e Prishtinë, por ende nuk e kanë kuptuar se sikur të vepronin në Shqipëri apo Kosovë, ata nuk do arrinin më larg se sa të bëhen shitës të mirë të byrekut. Pa dyshim se shqiptarët e këtushëm edhe më tej, dhe gjithnjë e më dukshëm, do përballen edhe me rivalitetin mes politikanëve nga Tirana e Prishtina, që të kenë sa më shumë “miq” në mesin e udhëheqësve partiak shqiptarë në Maqedoni. Nga ndonjëherë, atyre do u pëlqej ajo që tani u shkon për shtati elitave politike të etnitetit maqedonas: Që sa më i paaftë është miku partiak nga Tetova, aq më e fortë të jetë miqësia. Por, edhe kjo fazë do tejkalohet. Pastaj do vijë koha kur organizimi politik i shqiptarëve të Maqedonisë, do dallohet nëpërmjet dy krahëve të fortë partiak: ai me orientim pro mëmëdheut, dhe tjetri me kokë të kthyer nga atdhe Kosova. Do ketë dy krahë politikë, si ato të shqiponjës sonë kombëtare, e cila kur do valëvitet mbi kalanë e Shkupit, njërën kokën do e mbajë kthyer nga Tirana, e tjetrën nga Prishtina. Aty në mes të dy kokave të sajë, si diademë e padukshme, do qëndrojë besimi i shqiptarëve të këtushëm, se tani e tutje, ata do e kenë më lehtë se kurdo qoftë më parë. Në mos për hiç gjë tjetër, atëherë shkaku se tani do mund t’i shfrytëzojnë edhe të mirat që i sjell fatkeqësia të jesh fëmijë i prindërve të ndarë: kur nuk të pëlqen përkëdhelja e mamasë, të shkosh te ati. Dhe kështu do ndodh që edhe në kulturë, arsim, shkencë, biznes..., disa të ndjehen me të afërt me Prishtinën, e të tjerët me Tiranën. E ata të vërtetët, do mbeten aty ku janë edhe tani: edhe të mëmëdhe Shqipërisë edhe të atdhe Kosovës. Më në fund, çdo gjë do varet nga ajo se si do ndërthuren grupet e interesit. Sepse jo më kot është thënë se vëllezërit janë vëllezër, por interesi, privilegjet dhe kuletat, nuk janë as kushërira, e lere më motra. (G. Lajm)
Shtuar më 08/03/2008, ora 18:40
Tage: arkiv

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori