Ushtaraku i hekurt. Kush është njeriu më i fortë i Turqisë
Albeu.com
Po ta shikoje 10 ditë më parë, teksa endej rrugëve të Bodrumit, me një kapelë bejsbolli mbi kokë, një blusë të bardhë dhe pantallona të shkurtra, pak i dhjamosur, nuk ngjasonte aspak me njeriun më të fortë në Turqi...Super-gjenerali Mehmet Jashar Bujukanit, kundërpesha e qeverisë islamike turke


Po ta shikoje 10 ditë më parë, teksa endej rrugëve të Bodrumit, me një kapelë bejsbolli mbi kokë, një blusë të bardhë dhe pantallona të shkurtra, pak i dhjamosur, nuk ngjasonte aspak me njeriun më të fortë në Turqi apo kundërpeshën e qeverisë islamike të Kryeministrit Erdogan, por nëse do t‘i kthenim akrepat e orës prapa deri më 15 shkurt, do të shihnim Mehmet Jashar Bujukanit në Uashington, me gjoksin para dhe qëndrim ushtarak, me katër yjet e shefit të ushtrisë turke mbi spaleta, teksa fliste një anglishte të mirë me zëvendëspresidentin amerikan, Dik Çeni, dhe këshilltarin për sigurinë kombëtare, Stiven Hadlej. Asnjë gjeneral turk nuk ishte pritur kështu: vinin në dukje titujt e gazetave turke filo-islamike për të cilat pritja në Amerikë kishte qenë në të njëjtin nivel me atë të ministrit të Jashtëm, Abdullah Gyl. U tha atëherë se Bujukanit ishte mbështetësi amerikan në Turqi i idesë për ndërtimin e një Lindje të Madhe të Mesme, demokratike, të Presidentit Bush. Sot, kur ushtria turke është e gatshme të hyjë në Irak dhe të godasë guerilët kurdë e kur akuzon Uashingtonin se po furnizon me armë Partinë e Punëtorëve Kurdë, ai përcaktim, nuk funksionon më. Ka lindur më 1 shtator 1940 në Stamboll. Bujukanit, erdhi në botë me një emër që është një histori më vete. Jashar, do të thotë "jetoftë": ishte urimi i prindërve për atë fëmijë që e shihte dritën e diellit në një periudhë mortaliteti të tmerrshëm foshnjor. E nëse shikohet tani gjenerali, mund të thuhet, se urimi ka funksionuar. I riu, që me të vërtetë jetoi, e kishte ushtrinë në gjak dhe në moshën 21 vjeç del nga Akademia Ushtarake si oficer i këmbësorisë. Tip sportiv, i veshur civil, takon një vajzë në një nga anijet me avull në Stamboll. Sytë ndeshen për një çast të gjatë dhe menjëherë më pas, një rrufe në qiell të hapur; Filiz, do të jetë gruaja e tij e ardhshme. Ajo adhuron të kujtojë se si nuk i mbushej mendja se ai ishte një ushtarak: "Më trego teserën", i kishte thënë. Sërish tani, për të zhdramatizuar situatën në rastet kur ata debatojnë, i kërkon teserën. U bë gjeneral në vitet ‘80, pasi kishte ndjekur Kolegjin e Mbrojtjes së NATO-s. Në vitin 1988, banon në Napoli: ishte atje shefi i zbulimit të degës jugore të NATO-s. Arrin pikën më të lartë të karrierës së tij ushtarake më 30 gusht të vitit të shkuar kur edhe bëhet komandanti i ushtrisë turke. Është kjo edhe hyrja e tij në politikë, sepse merr vendin e gjeneralit Ozkok, që konsiderohej tepër i butë me islamikët e veç të tjerash edhe mik i Erdoganit. Me emërimin e tij në postin më të lartë ushtarak, kthehen akujt mes qeverisë dhe ushtarakëve. Në faqet islamike të internetit apo në ato të afërta me të ashtuquajturit Ujqit gri, fillon një fushatë denigruese. Kujdes, thuhet, Bujukanit nuk është një turk i vërtetë. Paraardhësit e tij paskan qenë hebrenj nga sekti i Zabbatai Zevit, që mbronte teorinë e konvertimit të rremë të islamit. Ironikisht, është e njëjta akuzë që romancisti Ergyn Pojraz, nacionalist i thekur, fanatik i Qemal Ataturkut, bën për Erdoganin dhe gruan e tij në romanin shumë të shitur në Stamboll, "Bijtë e Moisiut: Tayyip dhe Emine". Akoma më tej, Bujukanit, akuzohet se ka quajtur "ushtar të mirë" një ushtarak të përfshirë në atentatin kundër të vetmes librari hebraike në lindje të vendit. Një hetim nga Ministria e Drejtësisë nuk gjeti asnjë "kleçkë" ku të kapej për të nisur një proces kundër tij. Bujukanit konsiderohet një autoritar me shpirt të butë: adhuron muzikën klasike dhe qentë. Në funeralin e ushtarëve të tij, të vrarë nga kurdët, shumë herë është parë me lot në sy. Përtej ushtrisë, ka edhe një pasion të vetëm, të madh: futbollin. Kur shkon me pushime në Bordum, në barkën e tij, përkrah flamurit turk, është gjithnjë edhe ai i Fenerbaçes, skuadra e tij e zemrës nga pjesa aziatike e Stambollit. Përpiqet të mos humbasë as edhe një ndeshje të vetme, duke tymosur në lozhë ose para ekranit një cigare pas tjetrës, e kjo është edhe dobësia e tij ndoshta e vetme nga e cila nuk ka ndërmend të heqë dorë. E kështu, Erdogan, fitues i këtyre zgjedhjeve të fundit, duhet edhe një herë tjetër të bëjë llogaritë me këtë gjeneral të hekurt, që adhuron Clausewitz-in dhe Beethoven-in. Gazeta Shqip
Shtuar më 24/07/2007, ora 18:39
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori