Tre llojet e shqiptarëve të Maqedonisë dhe përqindjet
Albeu.com
nga Arben RatkoceriDerisa për ekonomistët apo drejtuesit e ndonjë kompanie, me shprehjen përqindje kryesisht nënkuptohet shpërblimi për punën e kryer ose, sipas xhiros në të holla...Derisa për ekonomistët apo drejtuesit e ndonjë kompanie, me shprehjen përqindje kryesisht nënkuptohet shpërblimi për punën e kryer ose, sipas xhiros në të holla, apo për gjuhëtarët kjo shprehje sqarohet si pjesa e një tërësie e llogaritur sipas ndarjes së saj në njëqind njësi, për shqiptarët e Maqedonisë fjala përqindje është përcaktuesi kryesor i të drejtave që u lejohet t`i gëzojnë.

Përqindjet, “peshorja” e të drejtave të shqiptarëve
Duke filluar nga Kushtetuta, marrëveshja e Ohrit, ligjet dhe aktet e tjera nënligjore që janë miratuar deri më tani që nga përfundimi i konfliktit të vitit 2001, përqindjet strikte të popullsisë brenda lagjeve, katundeve, qyteteve të Maqedonisë janë përcaktuesit e sasisë dhe cilësisë së të drejtave që u lejohet t`i shfrytëzojnë shqiptarët.
Ky kualitet e kuantitet i të drejtave, krahas shqiptarëve, po sipas përqindjes, është përcaktues edhe për etnitë e tjera, shumë më minore se shqiptarët si vllehët, romët, serbët… ndërsa përqindja nuk vlen vetëm te maqedonasit.
Për shkak të përqindjeve dhe ndarjeve territoriale të komunave, shqiptarët e Shkupit, për shembull, edhe pse jetojnë në të njëjtin qytet, adresat e banimit ndërmjet vete i kanë në një distancë gjeografike minore; njëri prej tjetrit kanë të drejta ekstreme të ndryshme.
Nëse jeton në Komunën Çair, ke të drejtë të përdorësh gjuhën e flamurin, sepse në nivel komune shqiptarët janë rreth 60 për qind; nëse jeton në komunën fqinje Butel, që ka rreth 30 për qind shqiptarë, nuk ke të drejtë të përdorësh flamurin, por ke të drejtë të përdorësh gjuhën e nëse jeton në komunën prapë tjetër fqinje, Gazi Babë, që ka 19 për qind shqiptarë, nuk ke të drejtë të përdorësh as flamurin e as gjuhën. Përveç gjuhës e flamurit, e njëjta vlen edhe për të gjitha të drejtat e tjera kolektive dhe vendimmarrëse.
Megjithatë këta “tre llojet” e shqiptarëve që jetojnë në komunat e lartpërmendura, duket se nuk janë edhe aq të shqetësuar, sepse si element krahasues marrin bashkëkombësit e tyre, që jetojnë jo më larg se në anën tjetër të rrugës apo lumit Vardar, e që janë në kuadër të Komunës Qendër ose Karposh e Kisela Vodë, komuna që kanë më pak se 10 për qind shqiptarë, ku të drejtat e tyre i kanë të përkufizuara vetëm brenda oborreve të shtëpive të tyre.
Të gjitha këto dallime mes shqiptarëve të të njëjtit qytet, por të mëhallëve të ndryshme, janë si pasojë e përqindjes, shprehje që më së shumti ndeshet në Kushtetutën e ligjet e Maqedonisë paskonfliktuoze.
Kur këto dallime që janë të sanksionuara juridikisht dhe që i ndeshim brenda një qyteti, atëherë e tepërt është të peshohen të drejtat e një shqiptari që jeton në Tetovë e Gostivar me ata të Shkupit e Kumanovës, ndërsa për ata të Manastirit, Ohrit apo Prespës, as që mund të flitet për ndonjë të drejtë kolektive juridike që gëzojnë aktualisht. Në bazë të statistikave të fundit, diferenca numerike e shqiptarëve me të drejta gati absolute të Tetovës e Gostivarit nga bashkëkombësit e tyre me gjysmë të drejta të Shkupit, Kumanovës është shumë e vogël, ndërsa diferenca në të drejta është shumë e madhe.

Shqiptarët me dallime plotësuese
Nga kjo, në Maqedoni shqiptarëve, krahas dallimeve që kanë me nacionalitetet tjera, u janë imponuar edhe dallime mes tyre, ku “prin” shqiptari i Tetovës, i cili në rrafshim komunal ka të drejta gati absolute; ai i Shkupit me gjysmë të drejta, ndërsa ky tjetri i Manastirit nuk ka kurrfarë të drejte. Madje edhe nëse ndonjë e drejtë elementare është e imponuar nga administrata qendrore, për hir të integrimeve euroatlantike, që t’u lejojë të paktën shqiptarëve “të kategorisë së tretë”, arsim të mesëm në gjuhën amtare, atëherë e dirigjuar apo spontanisht aktivizohen pengesat e tjera jashtë institucionale, siç është rasti i paraleles shqipe në gjimnazin e Manastirit, ku shteti lejon dhe kolektivi, bashkë me nxënës e prindër maqedonas kundërshtojnë dhe, si përfundim, ngadhnjejnë këta të fundit.
Uverturë e të drejtave, në bazë të përqindjes nëpër komuna për shqiptarët e Maqedonisë, ishin ligjet e decentralizimit, ku ndarja territoriale është bërë e kombinuar nga përqindjet dhe “gërshërët” për kufijtë e komunave dhe tani duket se ideatorët që atëherë, qëllimin final që ka filluar të duket, e kanë pasur që brenda të njëjtit shtet; të kemi minimum tri kategori shqiptarësh që të reflektojë tri apo katër lloj të drejtash.
Pra, deri sa për shqiptarët, por edhe për të tjerët, determinuese për t’i gëzuar të drejtat elementare kolektive përcaktuese është përqindja, për maqedonasit kjo nuk vlen. Mjafton që në një komunë apo fshat të jeton një maqedonas (e jo një për qind), atëherë për këtë bashkëqytetarin tonë nuk ekziston asnjë pengesë juridike që, në mënyrë absolute, t`i gëzojë të gjitha të drejtat kolektive që i takojnë një populli edhe pse është individ.
Megjithatë, përqindja, gjithnjë kur janë në pyetje shqiptarët, ka edhe një anë tjetër edhe më negative, konkretisht te buxheti qendror, ku këtu përqindja “nuk kryen punë”. Përveç Ministrisë së Arsimit, ku për shkak të së drejtës natyrore mësuesit e profesorët shqiptarë, përmes marrjes së pagave nga ky institucion “thithin” aq sa janë, në ministritë e tjera punët janë krejt ndryshe. Duke filluar nga kultura, shkenca, shëndetësia, arsimi (investimet teknike publike), ekonomia, diplomacia, sporti e deri tek ekologjia, në bazë të të dhënave zyrtare, thuajse në asnjërën ministri që drejtojnë sektorët e lartpërmendur, as 10 për qind e mjeteve buxhetore nuk kanë destinacion që të “shijohen” nga shqiptarët. Asnjë normë juridike që rregullon mënyrën e harxhimit vjetor të buxhetit, i cili mbushet nga të gjithë qytetarët e Maqedonisë pa dallim etnie, nuk përmend përqindjen. Pra, as juridikisht apo formalisht nuk precizohen sesa mjete duhet të derdhën për kulturën, shkencën, shëndetësinë apo sportin e shqiptarëve, i cili megjithatë dallon nga i të tjerëve, që edhe këta të paktën të kenë njëfarë baze materiale që të prodhojnë ndonjë farë vlere, për shkak të dallimeve që kanë nga tjerët.
Edhe punësimi i shqiptarëve në administratën shtetërore, i cili në vokabularin e politikanëve, por edhe në norma juridike përmend përqindjen, mirëpo në praktikë zvarritet, aq sa në bazë të të dhënave zyrtare është numri goxha i madh i institucioneve që ose nuk kanë fare shqiptarë të punësuar, ose numri i tyre është simbolik.
Përqindja, së fundi, ka zënë vend në propozim-ligjin për simbole dhe paralajmërimet janë që ky “fat” do ta ndjekë edhe ligjin tjetër të radhës, atë për përdorim të gjuhës shqipe. Edhe këto dy ligje, ashtu si të gjitha ligjet e tjera që kanë dalë, që nga marrëveshja e Ohrit, shqiptarëve u ndajnë të drejta në bazë të përqindjes që janë në një mëhallë, katund apo komunë.
Ky sanksionim i të drejtave kolektive të shqiptarëve në bazë të përqindjes që janë në një rajon ose komunë e që në mënyrë strikte janë e po precizohen përmes normave juridike të vendit, edhe pse akoma në heshtje, ka reflektuar fenomenin e lëvizjes së shqiptarëve nga “mëhalla” përballë në anën tjetër, në mënyrë që të jetë pjesë e komunës fqinje që ka minimum 20 për qind shqiptarë që më pas të gëzojë 20 për qind të drejta, sesa asnjë të drejtë në komunën që është me 19 për qind shqiptarë!
(Autori është redaktor përgjegjës i edicionit të Maqedonisë, të gazetës “Koha Ditore”.)
Marre nga Shekulli
Shtuar më 11/06/2005, ora 19:51
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori