Topi President, nderon edhe Rama
Albeu.com
Bamir Topi është betuar dje zyrtarisht para Kuvendit si Presidenti i ri i Republikës. Ceremonia e marrjes së detyrës së Presidentit të ri të Republikës ka nisur në Kuvendin e Shqipërisë sipas orareve të përcaktuara më parë nga protokolli i shtetit.Të parët që kanë mbërritur në sallën e Kuvendit kanë qenë deputetët e saj. Rreth orës 17:50 minuta, pranë dyerve të Kuvendit është paraqitur familja e re presidenciale, bashkëshortja me dy vajzat. Më pas, në orën 18:10 minuta, Kryetarja e Kuvendit, Topalli, në hyrje të godinës, e cila ishte shtruar me tapet të kuq, ka pritur Presidentin e ri, Bamir Topi, të cilin e ka shoqëruar brenda në sallën e Kuvendit. Këtë herë, Topi ka hyrë në sallën e Kuvendit si President dhe jo si deputet. Salla e Kuvendit, e mbushur si rrallëherë plot e përplot, ka ndryshuar edhe lukun e saj larg atyre seancave të zymta e të bezdisshme. Kudo kishte atmosferë festive, të zbukuruar me flamuj kuq e zi, ndërsa në qendër të saj ka qenë i vendosur flamuri i BE-së. Topi është ulur në krah të kryetares Topalli, në karrigen presidenciale, duke përshëndetur deputetët e pranishëm në sallë, ku nuk kanë munguar dhe ata të opozitës, ish-kryetari i PS-së, Fatos Nano, dhe deputetë të tjerë. Gjithashtu, në sallë ka qenë i pranishëm në lozhën qendrore ish-presidenti i Republikës, Alfred Moisiu, i cili ka shfaqur një padurueshmëri, pasi dy herë radhazi ka parë orën se kur niste ceremonia e betimit, e cila ndryshe nga protokolli ka vonuar 10 minuta. Në sallë kanë qenë përfaqësues të trupit diplomatik në vendin tonë, drejtues të institucioneve të pavarura dhe shtetërore, familja e Presidentit të ri, ndërsa në lozhën e madhe kanë qenë zëvendësministra, këshilltarë, artistë, dekanë, përfaqësues të komuniteteve fetare, gazetarë e mjaft të ftuar të tjerë. Ceremoninë e hapjes, sipas Kushtetutës, e ka bërë Kryetarja e Kuvendit, Topalli, e cila e ka uruar Presidentin e ri për detyrën, duke i ofruar bashkëpunimin me institucionin që ajo drejton. Vetë Presidenti i ri, Bamir Topi, është betuar mbi Kushtetutë se do të respektojë vetëm ligjin dhe Kushtetutën, duke u shkëputur jo vetëm fizikisht, por edhe shpirtërisht nga partia e cila e bëri President, pasi një gjë të tillë ia kërkon vetë Kushtetuta. Gjatë kohës së betimit të Presidentit të ri, jashtë ambienteve të Kuvendit janë hedhur fishekzjarrë të shumtë, duke krijuar një atmosferë krejtësisht festive.

Topi në Presidencë

I pari që është larguar nga salla e Kuvendit ka qenë ish-presidenti Alfred Moisiu, jo se ishte i mërzitur nga ceremonia, por ai duhet të shkonte i pari në ish-zyrën e tij të punës, në Presidencë, për të pritur pak minuta më vonë Presidentin e ri, Bamir Topi, të cilit ish-presidenti Moisiu i ka dorëzuar zyrën dhe dosjet e tij të punës, duke i uruar suksese në misionin e lartë që ai ka ndërmarrë.

Pritja në Pallatin e Brigadave

Gjatë kohës që ish-presidenti Moisiu dhe Presidenti i ri, Topi, këmbenin zyrën dhe dosjet kryesore të punës, në Pallatin e Brigadave kishin nisur të vinin të ftuarit e parë, të cilët kanë qenë pjesë e ceremonisë festive. Sipas funksionarëve të Presidencës, në këtë ceremoni janë ftuar rreth 400 personalitete. Në 18:50 minuta, në oborrin e Pallatit të Brigadave ka ardhur familja e re presidenciale. Gjithashtu, pas tyre kanë mbërritur në ceremoni të gjithë deputetët e Kuvendit, drejtuesit e institucioneve të ndryshme, përfaqësues të mediave dhe të komunitetit fetar, si dhe përfaqësues të trupit diplomatik. Në 19:01, ndryshe nga sa pritej, në ceremoni ka mbërritur i vetëm Prokurori i Përgjithshëm, Theodhori Sollaku. Rreth orës 19:15 minuta ka mbërritur kryetari i LSI-së, Ilir Meta, në orën 19:17 minuta ka mbërritur kryetari i PS-së, Edi Rama, në orën 19:20 minuta ka mbërritur kryetari i grupit parlamentar të PS-së, Ben Blushi, i cili ka qenë nën shoqërinë e republikanit Sabri Godo, në orën 19:21 minuta ka mbërritur Kryeministri Berisha i shoqëruar nga bashkëshortja e tij. Në orën 19:25 minuta, në Pallatin e Brigadave ka mbërritur ish-presidenti Alfred Moisiu dhe dy minuta pas tij ka mbërritur ish-kryeministri Fatos Nano. Në 19:30 minuta, në ambientet e Pallatit të Brigadave ka mbërritur Presidenti i ri, Bamir Topi, i shoqëruar nga katër motorët e eskortës presidenciale. Gjatë gjithë parakalimit Presidentin e ri e ka shoqëruar banda frymore e shtetit. Në hyrje të Pallatit Presidencial, Presidenti i ri, Bamir Topi, është pritur nga ish-presidenti Alfred Moisiu, i cili i ka uruar mirëseardhjen. Më pas, është kënduar Himni Kombëtar dhe në të njëjtën kohë janë dëgjuar 21 të shtënat e topit, për nder të Presidentit të ri. Më pas, ish-presidenti i Republikës ka uruar Presidentin e ri për detyrën e rëndësishme dhe delikate që ai ka marrë, duke garantuar mbështetjen e tij në këtë detyrë të lartë. Ndërsa vetë Presidenti i ri, Bamir Topi, gjatë fjalës së tij është zotuar se do të respektojë Kushtetutën dhe ligjin, duke i bërë ftesë opozitës për të bashkëpunuar për integrimin e vendit në BE dhe NATO.

Ikja e Moisiut

Më pas, i zoti i ri i shtëpisë, tashmë Bamir Topi, ka falënderuar dhe një herë ish-presidentin Moisiu për punën e bërë dhe duke shkëmbyer disa fjalë të momentit e ka shoqëruar atë deri te makina e tij, e cila është larguar ashtu siç e përmban protokolli nën shoqërinë e katër motorëve presidencialë. Moisiu është larguar duke përshëndetur të ftuarit që ishin në atë ceremoni. Më pas, Presidenti i ri, Bamir Topi, ka ftuar të gjithë të pranishmit të merrnin pjesë në pritjen e organizuar për marrjen e detyrës së re.

Vëmendja e vajzës dhe e babait

Në gjithë atë ceremoni luksoze, ku gjithçka vajti shumë mirë, të paktën në pamje të jashtme, duke iu përmbajtur rreptësisht protokollit shtetëror, dy ishin personat që të binim më shumë në sy. Vajza e madhe e Presidentit të ri, Bamir Topi, e cila e ka ndjekur të atin me vëmendjen më të madhe në çdo hap që ai ka hedhur, në çdo lëvizje dhe fjalë që ka nxjerrë për gjatë gjithë ceremonisë. Vëmendja e së bijës ka qenë mjaft e madhe; ajo nuk ia ka ndarë sytë të atit për asnjë moment, duke marrë një pamje statike. Vëmendje, e cila mesa duket nuk ka kaluar pa u vënë re nga babai i saj, i cili në momentin që ka marrë familjen e tij për të pritur të ftuarit në ceremoni, ndryshe nga sa ndodh herët e tjera, nuk ia ka hedhur dorën në sup bashkëshortes, por të bijës, duke e shoqëruar atë deri në sallën e pritjes. Ndërsa personi i dytë, i cili e ka ndjekur po me aq ankth ceremoninë e betimit të Presidentit të ri ka qenë babai i Bamir Topit. Pavarësish viteve të shumta dhe vapës së madhe, plaku rreth të 90-ve ka ndjekur me një vëmendje të madhe të gjitha fjalët që ka shqiptuar i biri gjatë fjalimit të tij presidencial. Shpeshherë, në sytë e plakut janë vërejtur lot mallëngjimi, që pavarësisht moshës duket se nuk e ka fshehur kënaqësinë për suksesin dhe nderimin që po i bënin të birit.

Ceremonia e pritjes

Në ceremoninë e pritjes kanë qenë plot miq, diplomatë, ministra, deputetë, drejtues institucionesh shtetërore e kushtetuese, si dhe kryetarë të partive politike. Bamir Topi, në pritjen e organizuar prej tij, i ka shtrënguar dorën të gjithë të ftuarve dhe mes tyre edhe kryetarit të PS-së, Edi Rama. Pas kësaj ceremonie, ku janë trokitur gotat e shampanjës, i pari që ka ikur nga ceremonia ka qenë kryetari i LSI-së, Ilir Meta, rreth 15 minuta pas tij ka ikur ish-kryetari i PS-së, Fatos Nano dhe dy minuta pas Nanos ka ikur kryetari i PS-së, Edi Rama. Më pas, të ftuarit e tjerë, duke u lënë vendin miqve më të ngushtë.
Shtuar më 25/07/2007, ora 15:03
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori