Thaçi: Si lindi Kosova e pavarur
Albeu.com
Një intervistë ndryshe me Kryeministrin e Kosovës: Nga vështirësitë diplomatike, te perspektiva politike e së ardhmes.Hashim Thaçi u gjend në vendin e duhur dhe momentin e duhur. Ishte ai nxitësi kryesor i pavarësisë së njëanshme të shtetit më të ri të botës dhe ishte pikërisht ai, që më 17 shkurt lexoi deklaratën e pavarësisë së Kosovës. Kryetari i Partisë Demokratikë të Kosovës, në zgjedhjet parlamentare të 17 nëntorit 2007, doli fitues me afro 36% të votave. Për të formuar qeverinë krijoi një koalicion me Lidhjen Demokratike të Kosovës, parti kjo që ka pasur fërkime të shpeshta e që në këto zgjedhje mori 22 për qind të votave. Gjatë një interviste ndryshe për revistën "Shqip", ai ka treguar momentet e vështira të lindjes së Kosovës së pavarur.

Kujt i dedikohet kryesisht merita e lindjes së shtetit kosovar në aspektin e brendshëm dhe të jashtëm?

Shteti i pavarur dhe demokratik i Kosovës është rezultat i përpjekjeve të gjata të popullit të saj për liri. Këto përpjekje u kuptuan drejt nga bota demokratike, bota perëndimore, e cila në momentet më të rënda u radhit në anën tonë, në anën e lirisë. Në qershor të vitit 1999 u arrit një fitore e madhe e vlerave të lirisë mbi tiraninë dhe shtypjen. Shteti i Kosovës është zyrtarizim ndërkombëtar i kësaj fitoreje. Kjo është meritë e popullit të Kosovës dhe e të gjitha shteteve demokratike të botës që ndihmuan në krijimin e shtetit tonë.

Ju keni lindur dhe keni qenë deri pak vite më parë formalisht qytetar jugosllav. Jeni ndjerë ndonjëherë i tillë?

Jugosllavia ka qenë një shtet artificial, fillimisht i ndërtuar mbi ideologjinë komuniste, që më pas u rrënua në mënyrë të turpshme. Millosheviçi u përpoq të rindërtonte një Jugosllavi, të dominuar nga ai, përmes gjakut e dhunës dhe pasojat ishin të tmerrshme. Kësisoj, identiteti jugosllav gjithmonë ka qenë një konstruksion i sajuar dhe i imponuar. Njerëzit e vendit tim gjithmonë e kanë parë kështu. Unë kam ndarë të njëjtin qëndrim dhe ndjenjë me ta.

Mund të na thoni si u rrit dhe u maturua te ju ideja dhe përpjekja për pavarësi?

Pavarësia ka qenë një ide e natyrshme e një populli të shtypur. Askush nuk do të jetojë nën një çati me dikë, i cili, kur i kërkon të drejtat e tua, të përgjigjet me tanke. Gjithmonë kam besuar se aspirata më e thellë e qenies njerëzore është aspirata për liri. Të gjitha përpjekjet e mia politike, që nga rinia e hershme, janë udhëhequr prej këtij besimi.

Përse rruga paqësore për Kosovën e pavarur e iniciuar nga Rugova nuk funksionoi? Ndoshta duke qenë paqësore nuk mund të arrinte pavarësinë?

Regjimet diktatoriale, regjimet e aparteidit, nuk janë të prirura të kuptojnë gjuhën e tolerancës e të paqës, as zgjidhjet e negociuara të problemeve. Por shtypja nuk ishte caku i fundit i regjimit represiv të Millosheviçit. Caku i tij ishte spastrimi i plotë i Kosovës nga shqiptarët. Ne e kuptuam se kishte ardhur momenti i duhur të bënim diçka për të ndaluar këtë plan të së keqës. Nën anën tjetër kishim një besim brenda vetës se bota perëndimore, bota e lirisë, do të na mirëkuptonte në përpjekjet tona. Ajo që erdhi më pas na dha të drejtë.

Kufijtë e Kosovës janë shënuar nga Tito. Nuk është paradoksale?

Kufijtë e Kosovës nuk janë dhuratë politike e askujt. Ato janë shprehje e një realiteti territorial, tashmë i njohur dhe i garantuar ndërkombëtarisht.

Dy shtete shqiptare në Ballkan janë shumë apo janë shumë pak?

Shteti i pavarur dhe demokratik i Kosovës nuk është ndërtuar mbi parimin etnik. Është shtet i ndërtuar mbi idenë e demokracisë qytetare, që njeh identitetet kulturore të të gjithë qytetarëve të tij dhe i garanton me Kushtetutë. Në themele të këtij shteti qëndrojnë vlerat e patriotizmit kushtetues.

Kosova Lindore do të mund t‘i bashkëngjitet shtetit të ri kosovar, ose të shkëmbehet me komunat e Leposaviç dhe zona të tjera të Veriut, që faktikisht janë të aneksuara nga Serbia?

Shkëmbimet territoriale vijnë në shprehje në shtetet që udhëhiqen nga parimet etnike. E thashë më lart, Kosova nuk është një shtet i tillë. Gjendja ekzistuese e kufijve është premtuese për stabilitetin afatgjatë të rajonit. Ky stabilitet është parakushti themelor për integrimin e tërë rajonit tonë në strukturat euroatlantike.

Raportet tuaja me Beogradin do të jenë gjithmonë konfliktuale, apo në një të ardhme do të ketë edhe bashkëpunim?

Politika shtetërore e Kosovës udhëhiqet nga parimi i fqinjësisë së mirë. Shteti i Kosovës ka lindur në një bashkësi të madhe miqsh dhe ne duam që edhe Serbia të bëhet pjesë e kësaj bashkësie të miqëve të Kosovës. Unë besoj se një ditë kjo do të ndodhë

Serbia mund t‘ju sulmojë?

Ide të tilla tashmë i takojnë së kaluarës së errët, që nuk do të kthehet kurrë më. Të sulmosh dikë sot në Evropë do të thotë të sulmosh Evropën, idenë e saj, projektin e saj të bashkimit dhe lirisë.

Ka forca paramilitare serbe në territorin tuaj?

Institucionet e Kosovës, në bashkëpunim me mekanizmat ndërkombëtarë të pranishëm në Kosovë, ushtrojnë tërë autoritetin e ligjshëm në çdo pjesë të vendit. Nuk do të tolerohet asnjë strukturë paralele, apo parashtetërore. Jam i inkurajuar me faktin se qytetarët serbë të Kosovës janë me të shpejtë duke e kuptuar se adresa më e sigurt për interesat e tyre janë autoritetet legjitime të Prishtinës, e jo strukturat ilegale që nuk premtojnë asgjë tjetër veçse kthim në të kaluarën e errët dhe në izolim.

Përse pas hyrjes së trupave të NATO-s shumë serbë u larguan nga Kosova?

Ka qenë një frikë në mesin e tyre. Tash të gjithë qytetarët e Kosovës që janë shpërngulur duhet të kthehen në shtëpitë dhe pronat e tyre. Në kuadër të qeverisë sime, ekziston një ministri e veçantë për këtë çështje dhe një zyrë pranë zyrës sime për komunitete, që do t‘i adresojë të gjitha shqetësimet e tyre. Respekti kushtetues për minoritetet është një nga vlerat themelore të shtetit të pavarur dhe demokratik të Kosovës.

Po të ishit serb, do të ndiheshit si në shtëpinë tuaj në Republikën e Kosovës?

Kosova është shtëpia e të gjithë qytetarëve të saj, pa dallime etnike a religjioze. Në Republikën e Kosovës dallimet nuk do të jenë kërcënim, por pasuri.

Ç‘politikë mendoni të ndiqni për të luftuar trafiqet ilegale dhe trafikantët e tyre?

Sundimi i ligjit, si në institucione, ashtu edhe në sistemin ekonomik, është prioritet absolut i qeverisë sime. Do t‘i investojmë të gjitha kapacitetet tona në mekanizmat që garantojnë këtë sundim. Kosova ka qenë deri më tani shembull i shkëlqyer në rajon i mbajtjes së zgjedhjeve demokratike, e do të bëhet edhe shembull i shkëlqyer i sundimit të ligjit dhe drejtësisë. Qasja ime është e qartë: zero tolerancë ndaj krimit dhe korrupsionit.

Mendoni që një pjesë e diasporës së Kosovës do të kthehet për të jetuar në atdhe? Ju e dëshironi këtë?

Zgjedhja e vendit të jetesës është zgjedhje individuale, por politika shtetërore e Kosovës për diasporën do të jetë shumë favorizuese. Do të miratohen ligjet përkatëse në këtë segment, që diaspora jonë të ndjejë dorën e ngrohtë të shtetit të Kosovës, për të cilin meritat e saj janë shumë të mëdha.

Shteti juaj e ka besuar sigurinë e tij në forca të armatosura të huaja (NATO), përveç policëve, gjyqtarëve e të tjerë të huaj. Mendoni se është korrekte ta quash Kosovën një protektorat euroatlantik?

Kosova është shtet i pavarur, sovran dhe demokratik. Prezenca e NATO-s dhe BE-së në Kosovë është një ndihmesë e jashtëzakonshme për ne. Do t‘u jemi mirënjohës përgjithmonë. Nuk shoh asnjë arsye që të problematizohet kjo prezencë me vetë faktin se Kosova aspiron të bëhet pjesë e NATO-s dhe BE-së. Shtetet në tranzicion kanë nevojë për përkrahje dhe Kosova në këtë segment mund të them se është fatlume. Ka përkrahësit më të mirë të mundshëm.

Italia ka kontribuar në luftën ndaj Jugosllavisë, si dhe për pavarësinë e Kosovës, megjithatë konsiderohet si filoserbe. Ju çfarë mendoni?

Italia ka qenë në grupin e parë të shteteve që kanë njohur pavarësinë e Kosovës. Në emër të popullit të Kosovës dhe qeverisë që drejtoj, e falënderojmë qeverinë italiane, e cila gjithmonë ka udhëhequr politikën e mirëkuptimit për realitetin në Kosovë dhe për aspiratat e popullit të saj. Besoj se në mes dy qeverive tona do të ndërtohen raporte të shkëlqyeshme të bashkëpunimit.

Një numër i madh shtetesh ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës. Do të duhet shumë kohë?

Besoj se brenda vitit njohja e pavarësisë së Kosovës nga shtetet anëtare të OKB-së do të jetë pothuajse në përfundim. Është rasti i rrallë që një shtet i ri të njihet në mënyrë kaq të shpejtë sa shteti i Kosovës. Dua të përsëris atë që thashë më lartë: shteti i Kosovës ka lindur në një bashkësi të madhe miqsh.

Nëse Millosheviç nuk do të kishte marrë asnjëherë pushtetin në Serbi, sot Kosova do të ishte ende provincë e Serbisë?

Kjo është pyetje hipotetike. Kurrë nuk mund të dijmë, se si do të ndodhte historia ndryshe, nëse nuk do të ndodhte ajo që tashmë ka ndodhur.

Si i shikoni raportet në të ardhmen me Shqipërinë?

Do të jenë raporte shumë të mira, të bashkëpunimit politik, ekonomik dhe në fushat e tjera me interes të përbashkët. Bashkëpunimi rajonal është një nga rrugët e vendeve tona drejt strukturave euroatlantike.
(G. Shqip)
Shtuar më 15/05/2008, ora 21:11
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori