Strazburgu - Enderr e parealizuar e shqiptareve
Albeu.com
Burim RRUSTEMI, avokat Në përpjekje për të ndërtuar sistem sa më të përkryer dhe më të pavarur për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të njeriut, Evropa krijoi Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut, me çka në fakt u themelua sistemi me i suksesshëm ndërkombëtar në botë në fushën e mbrojtjes së të drejtave dhe lirive të njeriut.Me këtë Konventë praktikisht u formua Gjykata Evropiane e Strazburgut, detyrë e së cilës është që t’i mbikëqyrë nënshkrueset e kësaj Konvente se a u përmbahen parimeve të saj, madje në disa raste edhe duke i dënuar ato për shkak të shkeljes së të drejtave të qytetarëve të tyre. Kështu jorrallëherë ndodhë që individë të rëndomtë që pandehin se shteti ua ka shkelur të drejtat ta kenë fituar gjyqin kundër shtetit të tyre në këtë Gjykatë.
Pikërisht fakti që individët mund të inicojnë konteste për mbrojtjen e të drejtave të tyre (që nga viti 1998 e drejta e individit për të aplikuar në Gjykatë bëhet klauzulë obligative) jo vetëm që paraqet arritje revolucionare në të drejtën ndërkombetare, por aq më tepër edhe barrë historike për mbrojtësit e të drejtave fundamentale të njeriut.




Maqedonia dhe Konventa

Historia e Maqedonise në këtë Gjykatë është mjaft e çuditshme. Që nga ratifikimi i Konventës në vitin 1997, Maqedonia nuk ka humbur asnjë kontest në këtë Gjykatë (eventualisht mund ta humb kontestin e parë për një rast të zakonshëm për marrëdhënie pune - kontesti Janev -Maqedonia).
Nga kjo e dhënë krijohet përshtypje se Maqedonia është shteti më demokratik dhe respektuesi dhe mbrojtësi më i madh i të drejtave të njeriut në Evropë. Kështu derisa edhe Anglia e Franca me traditë demokratike disashekullore kanë plot raste të humbura në këtë gjykatë, vërtet është për t’u habitur sesi Maqedonia ende nuk është skuqur asnjëherë në këtë tavolinë.
Se a ka vend që edhe Maqedonia të bie në provim në këtë gjykatë, këtë e di secili qytetar i Maqedonisë (për këtë flet edhe fakti se ne Maqedoni aktpadi po ngre edhe Tribunali i Hagës për krime lufte), por se pse deri tash qytetarët e Maqedonisë nuk e kanë shfrytëzuar këtë mundësi për t’i mbrojtur të drejtat e tyre, ende nuk ka përgjigje.





Shqiptarët e torturuar dhe Strazburgu

Ndonëse e dimë se z.Rufi Osmani e humbi gjyqin në Gjykatën Europiane, ku kontestonte se i është dhunuar “e drejta e shprehjes dhe liria e tubimit”, kjo nuk duhet ta paraqesë shkak për demotivim, ngase nëse vetëm pak i analizojmë aktgjykimet e kësaj gjykate, do të bindemi se sigurisht në Maqedoni ka mjaft elemente të shkeljes së Konventës. Këtu më poshtë po i përmendim vetë disa raste:
1 e drejta për jetë (në f.Luboten në 2001 ekzekutohen 10 civilë)…(që është precizuar me nenin 2 të kësaj konvente)
2 ndalimi i torturës apo i ndonjë trajtimi apo dënimi johuman dhe degradues….(që është precizuar me nenin 3 të kësaj konvente)
3 e drejta e gjykimit korrekt (që është precizuar me nenin 6 të kësaj konvente)
Këtu do të ndalesha për një moment në nenin 3 të Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut i cili thotë: “askush nuk guxon t’i nënshtrohet torturës ose trajtimeve dhe dënimeve johumane dhe degraduese”, gjë që menjëherë na asocon në torturën që Maqedonia ua ka bërë dhe vazhdon t’ua bëjë disa qytetarëve të saj. Edhe këtu po i përmendim vetëm disa raste (të cilat përndryshe janë me qindra) të kësaj torture, të cilat janë dhënë nga organizatat Amnesty International, Human Rights Wach (HRW) dhe Komitetit i Helsinkut në Maqedoni:

1 në vitin 2001 në f.Luboten u vranë 10 civilë;
2 në mesin e tyre Atulla Qaili 35-vjeçar, u mor i gjallë nga policia dhe vdiq nga rrahja e rëndë, ndërsa kufoma e gjymtuar u gjet nga familjarët në morgun e qytetit;
3 Nazmi Aliu 29-vjeçar, u arrestua nga policia dhe nga plagët e marra gjatë torturës vdiq të nesërmen në spitalin e qytetit të Shkupit;
4 Avni Ajeti u detyrua të hajë insekte në arrest (sipas avokatit të tij), ndërsa nga rrëfimet e tija të fundit, të publikuara në mediat e vendit, ai gjatë arrestit ka pësuar totura çfarë nuk mbahen mend pas torturave që serbët ua bënin shqiptarëve gjatë sundimit të tyre me Kosovën;
5 Nexhdet Ramaj nga Istogu, sipas Komitetit te Helsinkut, ”dukej i paralizuar, mezi mbahej me dorë mbi tavolinë dhe mezi i lëvizte këmbët”.
Ndonëse këso raste te shqiptarët ka me qindra, edhe vetëm këto na flasin se në çfarë niveli të respektimit të drejtave të njeriut është Maqedonia. Kjo nuk është asgjë tjetër, pos një torturë e pashembullt.
Një rast më i freskët është procesi gjyqësor aktual kundër disa të rinjve shqiptarë të dyshuar për kidnapim, të cilët në kërkesën e tyre gjykatëses së trupit gjykues që t’u sigurohet shërim për plagët e marra nga policia gjatë paraburgimit, ajo në vend që shqyrtojë dhunën e padrejtë policore, e “zyrtarizon” torturën duke i udhëzuar të burgosurit te mjeku i burgut.
Ndonëse tortura ndalohet edhe me Kushtetutë edhe me Kodin Penal të Maqedonisë, dyshimi në pavarësinë e gjykatave tona na nxit t’i referohemi edhe një neni tjetër të KEDNJ, gjëgjësisht nenit 6(1) i cili parasheh zgjidhjen e kontesteve në “afat të arsyeshëm”, ngase në të kundërtën shteti përkatës dënohet për prolongim të panevojshëm, diçka që në gjykatat vendit gjithandej është bërë praktikë.




Kush të na mbrojë?

Nëse torturat që pasojnë me vdekjen e viktimës në institucionet shtetërore - të gjitha këto të konfirmuara edhe nga organizatat ndërkombëtare për të drejtat e njeriut - mbesin në arkivat e mediave dhe prapa proceseve gjyqësore që fillojnë për të mos mbaruar kurrë, atehërë ndodhemi para sprovës për ta vërtetuar mosekzistencën e shtetit juridik.
Nga kjo fitohet përshtypja se shqiptarët e Maqedonisë kanë plot e plot raste që të paraqiten në Gjykatën e Strazburgut, por për shkak të mosinformimit, për shkak se nuk ka kush t’ua bëjë këtë shërbim apo edhe për shkak të ndonjë frike, edhe më nuk i paraqesin rastet e tyre në këtë Gjykatë dhe me këtë i mundësojnë Maqedonisë ta quajë veten si respektuesja më e madhe e të drejtave të njeriut dhe njëherit i ndihmojnë asaj që me këtë epitet të aplikojë në Unionin Evropian.
Ndonëse në këto rreshta nuk mund të thirremi se kjo organizatë apo ai person është përgjegjës që t’i ngritë këto procese, megjithatë konsiderojmë se është koha e fundit që avokatët dhe juristët tjerë shqiptarë përmes ndonjë forumi apo edhe thjesht të pavarur t’ia fillojnë kësaj pune jo vetëm sa për ta kërkuar të drejtën e shkelur në Maqedoni, por edhe për ta penguar Maqedoninë që ta legjitimojë dhunën ndaj shqiptarëve përmes aplikimit të saj në UE. Në të kundërtën ne bëhemi vetëm shikues pasiv dhe ndihmojmë që një shtet policor të shpallet shtet juridik.
Shtuar më 20/08/2007, ora 09:57
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori