Tabuja e pakthyeshme e Ilir Metës
nga Skender Minxhozi
Shqip
Konventa e fundit e LSI-së ishte një rast jo i keq për të pritur ndonjë mesazh të kriptuar politik të Ilir Metës, për dy partitë e mëdha, në një moment kur po hyjmë në stinën e përllogaritjeve të mëdha zgjedhore. Mesazhi i Metës erdhi dhe ai qe i qartë. Nëse lexohet ashtu siç u tha, pa stërhollimet bizantine që i jepen rëndom deklaratave politike në baret politike të Tiranës. Ilir Meta deklaroi se bashkëpunimi i nisur tre vjet më parë mes PD e LSI ka qenë një tabu e thyer, e cila nuk ka motiv për të mos vijuar në të ardhmen.

Nuk pritet që Ilir Meta të thotë sot, tre vjet pas aleancës me Berishën, që ka bërë gabim për atë krushqi politike, që në fakt më së pari shpëtoi karrierën politike të kreut të qeverisë. Është e tepërt t’i kërkohet një personi si Ilir Meta një sinqeritet i tillë publik, për një pazar postelektoral, prej të cilit mori 20% të shtetit, që nga sheshi “Skënderbej” e deri tek komunat e humbura të Pukës. Një plaçkë lufte e majme, për katër mandate që u fituan në emër të largimit të “Sali Gërdecit”, e që pak orë më pas u përdorën pikërisht për t’i zgjatur atij kontratën e punës.

Gjithsesi kjo puna e Gërdecit është e shkuara. Ajo që pritej dhe ende pritet, është më shumë kahu që do të marrë kjo forcë politike, në funksion të zgjedhjeve të ardhshme. Përtej fanfarave të konventës së fundit, përtej toneve triumfaliste që Ilir Meta di t’i përdorë prej shumë vitesh në podiumet e kongreseve, LSI dhe kryetari i saj janë sot forca politike më e mëdyshur e spektrit politik në Shqipëri. Partitë e reja, FRD e AK, janë pozicionuar hapur në opozitë, partitë me bazë etnike si PBDNJ apo PDIU, e kanë bërë tashmë të qartë se do të synojnë të përjashtojnë paraprakisht qëndrimin nën një çati, kurse aleatët e Ramës duket se s’do të kenë zgjedhje tjetër, veç asaj të një marrëveshjeje elektorale me PS. Në këtë trafik siglash, madje edhe Nard Ndoka e gjeti një vend për veten. Personi më i trazuar në këtë pragfushate është Ilir Meta. Aq shumë e preokupon kreun e LSI çështja e pozicionimit të tij në zgjedhje, saqë ka nisur të përhapë fjalë për daljen më vete, me një koalicion të tijin. Takimi i tij i fundit me Idrizin dhe deklarata që bëri nga Konventa, për një zgjidhje të problemit çam nga LSI e PDIU, më shumë sesa një ngritje tonesh nacionaliste, ishte një tentativë për ngritje pazari ndaj Kryeministrit.

E kjo ka më shumë se një arsye. Megjithëse deklaroi së fundi se nuk është penduar për tabunë që theu tre vjet më parë, duke u bashkuar me Berishën, bilanci i qeverisë PD-LSI duket se çalon pikërisht në dy shtyllat, për të cilat ajo u krijua: stabiliteti dhe integrimi. Sa i përket të parit, pra stabilitetit, kemi përjetuar një mandat ku tensioni politik dhe ai social kanë kapur maja të rrezikshme. Bojkoti i opozitës, grevat e manifestimet që kanë shkaktuar edhe të vrarë në dyert e qeverisë, kontrolli në rritje dhe praktikisht marrja e shtetit në dorë nga një njeri i vetëm, kritikat e ashpra të ndërkombëtarëve për korrupsionin, padënueshmërinë, krimin, përdorimin politik të institucioneve dhe administratës – që të gjitha këto janë gjithçka, përveçse stabilitet. Nëse i hedh një sy të gjitha raporteve që janë prodhuar këto katër vjet për Shqipërinë, nëse lexon deklaratat e bezdisura të zyrtarëve të Brukselit sa herë që flitet për vendin tonë, kupton sesa larg stabilitetit dhe standardeve ndodhet ky vend në momentin aktual. Ilir Meta dhe partia e tij natyrisht që kanë përfituar personalisht nga lidhja me PD-në, por është pak e vështirë të thuhet se i përfituar ka dalë edhe vendi.

Sa i përket objektivit të dytë, atij të integrimit, heqja e vizave (e cila po rivihet në pikëpyetje pikërisht këto ditë), është shumë pak për të pretenduar suksesin e një formule qeverisëse, e cila po i bën shqiptarët që të qëndrojnë me veshët ngritur, për të tretin vit radhazi, për marrjen ose jo të statusit të vendit kandidat në BE. Krahasuar me qeverisjet e mëparshme, aleanca dykokëshe Berisha-Meta nuk pati ritmin dhe suksesin e pretenduar tre vjet më parë, në drejtim të afrimit të vendit me Europën.

Nga ana tjetër, llogaritë e Metës në raport me qëndrimin ose jo në qeveri mjegullohen edhe nga rezultati që mund të marrin partitë e reja, që po tregojnë një qasje shumë agresive në javët e fundit. Sidomos AK e Kreshnik Spahiut. Nëse Meta do të qëndronte me Berishën dhe këto parti do të merrnin mjaftueshëm vota, për ta lënë poshtë pragut të 70 mandateve qeverinë, roli LSI-së do të sfumohej në mënyrë të pakthyeshme. Është ky një risk që ia prish jo pak qetësinë një partie si LSI, e cila është mësuar të lodrojë për katër vjet në tehun e hollë të presjeve dhjetore.

Megjithatë zgjedhjet po afrojnë dhe askush s’ka kohë të presë. Me shumë gjasë është koha që opozita fillimisht të mbushë mendjen e saj, e më pas t’ia bëjë të qartë edhe zgjedhësve të vet, se një rikthim i LSI-së së sotme në vathën e opozitës, është një operacion me kosto të lartë, i cili mbase duket nuk u leverdis asnjërës prej palëve. Nuk i leverdis PS dhe partive të tjera opozitare, për shkak të kostos së rëndë që ka një rikthim i tillë në planin e imazhit. Nuk mund ta kritikosh qeverinë “Berisha”, pa kritikuar edhe segmentin “Meta” brenda kësaj qeverie. Nuk mund të kërkosh votën për ndryshim, për të “rilindur”, siç thotë Rama, duke ricikluar në panelin opozitar një faktor thellësisht të konsumuar me pushtetin, siç është LSI-ja.

Nga ana tjetër, një afrim i tillë mesa duket nuk i leverdis më as vetë LSI-së. Tundimi është aty, ndoshta është edhe dëshira për të provuar një kalim majtas, pas katër vjetëve djathtas. Por mesa duket, Ilir Meta nuk është më edhe aq i lirë për të zgjedhur. Njëzet përqindëshi i pjesëmarrjes në qeverisje, ishin dhe janë jo vetëm zgjidhja financiare e sociale brenda formacionit të tij politik në një moment delikat për LSI-në, por edhe një zinxhir në qafën e kësaj partie, që e pengon të lëvizë. Tashmë LSI-ja ka hyrë thellë në indin e qeverisjes së vendit. Ndoshta për këtë arsye Ilir Meta deklaron jo pa realizëm, se do ta vazhdojë edhe në të ardhmen tabunë e tre vjetëve më parë. Nuk duhet vënë nën presion kreu i LSI-së. Mesa duket, tashmë gjithçka tingëllon më e arsyeshme, më logjike, në rendin aktual të gjërave. Buka e thyer tre vjet më parë vështirë se mund të ngjitet më. Duket se i pari që e ka kuptuar këtë është vetë Edi Rama, ai që pranoi të ulet në darkën e famshme të Lalzit me aleatin kryesor të Berishës. Dhe që sot, refuzon të dërgojë një delegacion në konventën e partisë, që jo shumë kohë më parë shihej si asi i fshehtë nën mëngë, në garën e vitit të ardhshëm. Krushqit janë të ngrirë. Ndoshta është më mirë kështu.
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga ky opinionist
 
Tifozët Kuqezi në ndeshjen Shqipëri-Spanjë. Foto: Nderim Kaçeli/Albeu.com

Tifozët Kuqezi në ndeshjen Shqipëri-Spanjë. Foto: Nderim Kaçeli/Albeu.com