Pse hesht Spiro Ksera?!
nga Skender Minxhozi
Shqip
Katër ditë më parë, “Gazeta Shqiptare” publikoi një dialog, shoqëruar me fotot përkatëse, që ministri i Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta (sa ironik tingëllon ky emërtim) Spiro Ksera, pati me deputetë të partisë neonaziste greke “Agimi i Artë”. Gazeta në fjalë i referohej një takimi që ka ndodhur më 28 tetor 2012 në Bularat. Përmbajtja e takimit, ajo që Ksera dhe deputetët grekë kanë diskutuar mes tyre, pa harruar edhe foton që është bërë tashmë publike – të gjitha këto, shënojnë një skandal të ri, të paprecedent, në sjelljen publike e zyrtare të një anëtari të qeverisë së Republikës së Shqipërisë.

Por një skandal i dytë, po aq i madh sa i pari, është heshtja dhe mesa duket qetësia, me të cilën Spiro Ksera i ka pritur si shkrimin në fjalë, ashtu edhe deklaratat politike që pasuan e që kërkonin dorëheqjen e tij. Ministri Ksera nuk e pa të arsyeshme që të shpjegohet se për cilat arsye ka pozuar në foto me përfaqësues politikë, të cilët i mënjanojnë pa rezerva edhe shumë nga ministrat e qeverisë aktuale greke. Pritej që Ksera të shprehej publikisht nëse i ka thënë ato fjalë rreth luftës disavjeçare që paska bërë për Vorio-Epirin. Ndoshta një pretendim i tillë do t’i shkonte një situate normale, në një shtet normal dhe me një dialektikë institucionale gjithaq normale. As Spiro Ksera nuk është një ministër normal, as qëndrimi i qeverisë ndaj tij dhe asaj që ai përfaqëson, nuk është normal. Kemi të bëjmë me persona atipikë, në rrethana atipike.

Le ta shpjegojmë. Kabineti i sotëm qeveritar, ashtu si të gjitha qeveritë e pas vitit 1992, kanë pasur një prani greke brenda vetes. Ka qenë një lloj hipoteke e padeklaruar, që Tirana zyrtare ka vënë mënjanë, për të qetësuar “ndjeshmërinë” e fqinjit tonë jugor në drejtim të përfaqësimit të minoritetit grek, por mbi të gjitha, edhe të interesave greke në Shqipëri. Siç është thënë deri në mërzi, zoti Berisha ka një kujdes të posaçëm ndaj këtij elementi delikat. Pasi nuk arriti ta tërheqë Vangjel Dulen në koalicionin qeverisës, ai shpiku disidentin Ksera, të cilin e vuri për të përçarë votat e minoritetit gjatë zgjedhjeve, po edhe për ta pasur si “hajmali” politike gjatë qeverisjes. Fakti që Ksera sot hesht, pra ndihet i sigurt e i paprekshëm, vjen ndër të tjera, edhe prej faktit se Kryeministrit tonë nuk i bëjnë përshtypje lajme si ato të “Gazeta Shqiptare”.

Por fenomeni nuk kufizohet vetëm në muret e ministrisë që i kanë dhënë për drejtim zotit Ksera. Ai është më i gjerë dhe përfshin edhe aleatë të tjerë të mazhorancës (në letër, kundërshtarë të zotit Ksera), të cilët gjithashtu ulin zërin dhe tonet edhe atëherë kur duhej të flisnin. Fjala është për PDIU, një parti e cila nuk ka sesi të mos jetë e ndjeshme teksa sheh foto si ajo e Bularatit, por që vijon të heshtë. Për më tepër, vijon të pranojë të lundrojë në periferitë e qeverisjes së sotme, vetëm prej vetos së heshtur që i është vënë kësaj shumice nga një fuqi tjetër jashtë vendit. Një situatë që është pak ta quash paradoksale, ku ministri i Jashtëm dhe një parti aleate pretendojnë futjen e Çamërisë në dosjen shqiptaro-greke, kurse një koleg i tij, po ministër, akuzohet se u deklaron neonazistëve grekë se po lufton prej vitesh për kauzën e Vorio-Epirit.

Ky përvjetor unikal i themelimit të shtetit shqiptar, po na ofron me bollëk, veç ndjenjave të pastra të shumicës dërrmuese të popullit shqiptar, edhe shumë patriotizëm të shtirur, por edhe antishqiptarizëm “të sinqertë”. I pari, patriotizmi i shtirur, shpaloset nga mëngjesi në mbrëmje në televizione, gazeta, rrugë e faqe muresh, në formën e përbetimeve nga më patetiket e pse jo, qesharaket. Kurse i dyti, antishqiptarizmi “i sinqertë”, më i ftohtë dhe i kalkuluar se i pari, na vjen përmes qëndrimeve konkrete të shteteve fqinjëve, por edhe politikave e akteve, veprimit e mosveprimit që segmente të politikës së këtij vendi, deri edhe qeveria e tij, ndërmarrin orë e çast në dëm të interesave tona shtetërore e kombëtare. Marrëdhëniet tona aktuale për një numër çështjesh delikate me Greqinë, janë një nerv i zbuluar, që provon se nuk mjafton ta duash vendin me fjalë, me flamuj, me dreka e darka apo edhe me koncerte të Rihanës.

Dje Kryeministri deklaronte me të drejtë në një aktivitet për Kosovën, se “ne jemi të përkohshëm, territoret janë të përjetshme”. Nuk ka frazë më të saktë, sikur në mes të mos qëndronin ato 350 kilometra katrorë det, që kjo qeveri ia dhuroi në “sini të argjendtë” fqinjit tonë jugor.

Çështja e ruajtjes së interesave tonë kombëtare nuk është një retorikë e thatë. Përtej anës së shtyrë e teatrale të nacionalizmit të ri shqiptar të viteve të fundit, përtej pjesës iracionale të muzës patriotike që shfaq një pjesë e shoqërive shqiptare në të gjitha viset e Ballkanit, mbrojtja e interesave tona si shtet dhe si komb nuk është asfare një retorikë me çmim të lirë. Krejt e kundërta. Shumë shpesh, në çdo ditë dhe në çdo moment konkret, kjo nevojë parësore, ky instinkt bazë i kombit, shfaqet në forma nga më konkretet, e disa herë më banalet. Sepse, vjen fjala, edhe të (mos) mbash në qeveri një ministër që shkon e ulet me kundërshtarët më të artikuluar të shqiptarëve, është një çështje banale. Por edhe shumë e rëndësishme në të njëjtën kohë.
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga ky opinionist
 
Taulant dhe Granit Xhaka janë dy vëllezërit që përballen në skuadra të ndryshme për herë tëparë në një Kampionat Evropian

Taulant dhe Granit Xhaka janë dy vëllezërit që përballen në skuadra të ndryshme për herë tëparë në një Kampionat Evropian