Kthesa e vonuar e Bashës
nga Skender Minxhozi
Shqip
Lulzim Basha e mori kthesën. Duke zgjedhur të flasë nga Brukseli (aty ku politikanët shqiptarë janë tradicionalisht më pak delirantë dhe kokëfortë), ai pranoi atë që prej muajsh vazhdonte ta mohonte me këmbëngulje: pjesëmarrjen në zgjedhjet lokale të 21 qershorit. Përkundër obstruksionit njëvjeçar ndaj reformës administrative-territoriale, përkundër kërcënimeve të të gjitha formave për sabotim të saj përmes referendumeve të sforcuara, përkundër paralajmërimeve për mospjesëmarrje në votime, dje kryetari i opozitës e hodhi gjithçka pas shpine. Megjithëse mentori i tij, Berisha, deklaroi para pak ditësh se me këtë ndarje territoriale, nga 61 bashki, qeveria do të marrë 50 prej tyre në tryezë!

Kauza e reformës territoriale ka qenë një kalë beteje gjatë gjithë vitit kalendarik 2014. Shumëkush e kujton fare mirë sesi opozita këmbënguli për tre muaj rresht, në fillim të vitit të shkuar, që të mos marrë pjesë në komisionin parlamentar të reformës, megjithëse e shihte fare mirë sesi ndërkombëtarët u hodhën plot entuziazëm në mbështetje të saj. Si përfundim, opozita e humbi me ndërgjegje të plotë shansin që të influenconte, me propozimet dhe peshën e saj brenda komisionit, procesin delikat të ndarjes territoriale. Në të kundërt, e djathta u kufizua në kontestimin në distancë të pakësimit drastik të njësive vendore, nga 370, në 61 të tilla. Një veprim aspak i mençur ky, që do ta dërgojë opozitën në zgjedhjet lokale, me hartën që vizatuan sipas dëshirës së tyre, Rama e Meta!

Gradualisht, përplasja për reformën territoriale u përzje me afrimin e zgjedhjeve lokale. Kontestimi i opozitës për hartën e re administrative, mori një dimension më kërcënues kur Basha e Berisha hodhën idenë e bojkotit të zgjedhjeve të 21 qershorit. Një tjetër hap fals ky, në kushtet kur bojkotet shqiptare i kanë stërlodhur tashmë veshët e europianëve (keni bërë bojkote mjaftueshëm për këtë shekull, deklaronte një zyrtar i lartë i Brukselit së fundi).

Vendimi i djeshëm i Bashës i hap zyrtarisht rrugë garës elektorale të verës. Ka për të qenë një garë pasionante, delikate për të dyja palët dhe me një rëndësi jetike për dy vitet e mbetura, që na ndajnë nga zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2017. E majta do të hyjë në zgjedhje me synimin për të marrë mbrapsht Tiranën e humbur në 2011, kurse e djathta do të përpiqet të mbledhë në favor të saj të gjithë negativitetin që ka prodhuar deri më tash politika e dorës së ashpër e Ramës, por edhe efektet anësore që do të krijojë harta e re territoriale te zyrtarët vendorë që do ta shohin veten të papunë për shkak të saj.

Nga ana politike, ajo që mbetet nga kthesa e Lulzim Bashës, është se vitet shkojnë e vijnë, bashkë me opozitat dhe krerët e tyre, kurse gabimet mbeten ato të përhershmet. Ashtu si opozita socialiste, e cila harxhoi pafund energji, derisa kuptoi se përfshirja, e jo vetëpërjashtimi, ishte rruga më e shkurtër drejt pushtetit, edhe opozita e sotme vijon të shkelë në të njëjtat gjurmë. Të cilat të çojnë sërish drejt të panjohurës dhe me shumë gjasë, drejt humbjes.

Kalkulimi i keq i PD në raport me reformën territoriale dhe zgjedhjet që iu bashkëngjitën asaj, do të japë me shumë gjasë rezultate negative për opozitën. Me një pjesëmarrje aktive në reformë, e djathta do ta kishte influencuar pa asnjë dyshim ndarjen e re të bashkive, duke i ruajtur minimalisht kuotat e saj elektorale. Megjithatë, kjo i përket tashmë historisë. Sfida e Bashës është që të provojë me sa mundet se deklarata e Berishës për 50 bashkitë e fituara nga e majta në tryezë, ka qenë thjesht një frazë sugjestionuese, jo një fatalitet i pashmangshëm. Dhe kjo s’ka për të qenë një sfidë e lehtë.
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga ky opinionist