E FUNDIT/ Lëkundet Shqipëria, ku ishte epiqendra e tërmetit
Sjellja e BDI-se
Albeu.com
nga Gëzim PODGORICANgjarja e Radushës, e cila nga shumë aktorë po nxitohet të konsiderohet incident, ka vënë në një pozitë të vështirë partinë e Ali Ahmetit. Megjithëse kanë kaluar disa ditë nga ngjarja, sjellja e saj është shumë e turbullt dhe mjaft problematike në vendimmarrje.Përkundër faktit se Harun Aliu ishte kryetar i një subjekti tjetër politik, kjo nuk mundet që të ngrijë veprimin politik dhe publik të BDI-së, e cila hipotekën më të madhe ka luftën e UCK-së. Dhe kontributet e Harun Aliut janë të identifikuara në këtë pikë, por edhe të pranuara. Por problemi nuk lidhet me një emër të përveçëm, apo edhe disa të tillë, por me një sjellje që në publik të paktën rezulton e patolerushme dhe me një prapavijë të qartë e të konstruktuar si antishqiptare. Problemet e fajësisë apo të përgjegjësisë ligjore normalisht nuk zgjidhen as me ultimatume dhe as me me rebelizma gjithfarë sojesh. Por ama ata nuk mund të lejohen të nëpërkëmben. Këtu mbase qëndron edhe ajo që shikohet si përgjegjësi i partive politike shqiptare në pushtet, që asnjëherë nuk qenë në lartësinë e duhur për t’u faktorizuar ashtu siç duhet përballë lidershipit politik maqedonas, për të patur kurajën e domosdoshme të analizës ligjore në radhë të parë , po edhe ekspertizave të tjera në këto raste. Nuk po marrim përsipër për të bërë as avokatin, por as prokurorin për rastin e fundit, për të ngarkuar ose shfajësuar viktimat. Ajo që rëndon edhe në këtë moment është se pas një zhurme disa ditore , ngjarjet arkivohen, mbetet versioni publik i policisë, politika ambientohet me rastin dhe pritet se kur do të ndodhë ngjarja e radhës. Lidershipi politik shqiptar, duke u kujdesur më shume së çfarë duhet për të qenë i paimplikuar me persona që shpallen të dyshimtë, preferohen të sillet diplomatikisht sikur nuk ka të bëjë me bashkëkombësit e tij. Gjëja e parë që duhet të ndodhë në këto raste të paktën është iniciativa për zbardhjen e detajuar të rastit dhe ngritjen e një komisioni parlamentar, pasi përsëritja e tepruar po kërcënon shumë raporte ndëretnike në vend.

Hetimi i ngjarjes së Radushës por edhe i shumë radushave të tjera në një kuptim më të gjerë, do të mundësonte një vlerësim real të situatave të kësaj natyre, por edhe ta raporteve midis partnerëve në qeveri. Kjo nuk ndodhi asnjëherë, dhe nuk po tentohet të ndodhë as tani. Hapi i parë, pa paragjykuar asgjë, do të ishte kërkesa për një komision hetimor ndaj kësaj ngjarjeje, në të cilën jo krejt rastësisht ndodhej në qendër dhe u vra Harun Aliu. Ashtu siç jo krejt rastësisht deputetë të BDI-së ishin në ceremoninë e përcjelljes së tij. Ata ishin aty në nderimet e fundit në statusin e ish-luftëtarëve të UCK-së, më shumë se sa në një status tjetër. Shumë mirë kanë bërë që ishin dhe në fund të fundit kanë demostruar edhe përgjegjshmëri civile duke nderuar një ish-bashkëluftëtar. Po ndërsa deputetët e forcës politike në pushtet marrin pjesë dhe përçojnë një mesazh të pathënë akoma, vetë subjekti politik nuk po gjen shtigjet e duhura për të dalë me një qëndrim dhe reagim. Ata ngjajnë më shumë të kenë qenë atje privatisht,se sa si misionarë politikë, më shumë në lidhjen që kanë patur me personazhet si protagonistë të një kauze të përbashkët, se sa si përfaqësues të një subjekti që në mënyrë specifikë ka dërguar edhe ai njerëzit që pa folur përcjellin një mesazh. Më shumë se kujtdo në këtë rast i takon BDI-së shpallja e një vendimi e qëndrimi, sa publik aq edhe politik. Edhe për arsyen që lidhet me hipotekën e luftës dhe trashëgiminë që ka marrë përsipër të bartë, ashtu edhe me pozicionin e saj të ardhshëm në lidhje me partnerin maqedonas. Po ngurron shumë ta bëjë këtë, ndërkohë që subjekte të tjera politike me një mbështetje të vogël po reagojnë qartë dhe shumë ashpër. A duhet të jetë kjo gjuha dhe forma ? Zgjedhjen e bëjnë vetë partitë e liderët e tyre, por heshtja është e patolerueshme dhe ka gjithnjë shumë kosto për të ardhmen. Mijërat e pjesëmarrësve në varrim në një lloj kuptimi ishin edhe në një tip proteste të pashpallur, prt një shtet demokratik. Deputetët e partisë në qeveri ishin pjesa politike e protestës, kjo nuk mund ta anashkalohet. Ata ishin kundër gjithë asaj që ndodhi dhe në konflikt të hapur me praktika që diskriminojnë shqiptarët dhe i vendosin ata përherë e më shumë në qendër të tensionit. Deputetët bënë një sjellje, por duhet të mbanin edhe një qëndrim, i cili në mënyrë të pajustifikuar mungon. Këtu nuk është fjala për të mbrojtur një individ, por para së gjithash për të kundërshtuar e prerë praktika që nuk po marrin asnjëherë fund dhe që zbatohen vetëm ndaj shqiptarëve. Më shumë se kujtdo i takon BDI-së të shprehet.

Problemi është në fakt i mprehtë, por edhe përcaktues, çfarë mund të thotë dhe deri ku mund ta thotë ? Është apo jo në dijeni të aksioneve policore, qoftë edhe këto të fundit në Tetovë, lidershipi politik shqiptar, pasi operacionet po drejtohen në qendrat kryesore të vendbanimeve shqiptare? Dhe këto operacione jo krejt rastësisht kanë një ritmikë në kohë dhe radikalizohen në momente me përmbajtje politike dhe sociale të rritur. Kjo situatë dhe të tjera të ngjashme nuk mundet të kalojnë përmes heshtjes, apo një qëndrimi që ndërkombëtarët e vlerësojnë sit ë moderuar, por që në fakt ngjan më shumë si i komprometuar. Udhëkryqi i tanishëm është vështirë për BDI-në, por asaj i duhet të zgjedhë midis së ardhmes politike, interesit për të cilin është votuar dhe pushtetit…! (lajm)
Shtuar më 16/05/2010, ora 13:42
Tage: arkiv

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori