Sikur deputetet shqiptare te kerkojne azil politik!
Albeu.com
nga Iljasa SalihuDuke i parë dhe i përjetuar në vazhdimësinë e pafundme lojërat e fëlliqura të pushtetit politik maqedonas dhe servilizmin e të etshmëve për pushtet, nuk na mbetet tjetër, pos të hapim ndonjë dilemë të re, por e njohur në ...... kokat meditues të popullit, rreth hapave konkret të deputetëve shqiptarë në të ardhmen. Të mos keqkuptohemi! Hapat e deritanishme të deputetëve tanë, nuk i kanë sjell dot mjerimit social dhe anarki personale. Nëse i shikojmë deputetët të mbërthye me plot imunitet si individ fizik apo juridik, atëherë çdo tentativë këshilluese e jona do të bie poshtë, ngase gjendja e tyre individuale dhe familjare në aspektin ekonomiko-financiar është dhe ka qenë e shkëlqyeshme, apo gjithmonë kanë qëndruar ndërmjet ekspansionit financiar dhe bumit ekonomik. Ndaj, nuk do të bëjmë fjalë për statusin dhe për privilegjet e tyre të panumërta individuale, por për obligimet me të cilat i ka ngarkuar populli.
Nëse ndonjë deputet pyetet për rëndësinë e kësaj detyre madhore, ai pa hezitim do të përgjigjet se, “është privilegj i madhe të jesh deputet”, në vend se të thotë, “është përgjegjësi e madhe të jesh deputet”. Fundja, vetë nocioni “deputet” do të thotë, përfaqësues i popullit në Kuvend, i zgjedhur me votim të përgjithshëm të barabartë, të drejtpërdrejtë e të fshehtë, i cili ka për detyrë t’u shërbejë me ndërgjegje e besnikëri interesave të popullit, çështjes së atdheut, mbajtje lidhje të ngushta me zgjedhësit, dhënia llogari përpara tyre, si dhe sensibilizimin e artikulimin e problemeve, brengave dhe pengesave të ndryshme në Kuvend, prej së cilit në bashkëpunim edhe me dy pushtetet tjera, të përpiqen apo të orvaten në gjetjen e shtigjeve dhe zgjidhjeve të shumë halleve të popullit.
Ndërkaq, heshtja vrastare dhe vjedhja, më falni vjelja e frutave që gjenerojnë anarki, pa dyshim që janë indikatorët parësor që tregojnë të kundërtën e kuptimit të nocionit “deputet”. Vetë ndërgjegjja e të qenit deputet në vetë ngërthen shumë obligime, sa që vetëm një pjesë të vogël të thesarit të brendshëm të ndërgjegjes së tyre ta realizojnë në praktik, atëherë mirëqenia jonë e përgjithshme, s’kishte lënë pa na përshëndet me një buzëqeshje të ëmbël .
Por ja që, keq-qenia jonë na mbyti duke vajtuar, sepse kodi moral dhe ligjet po vuajnë për ruajtjen e virgjërisë së tyre ndër vitesh (lexo: që moti deputetët tanë nuk i kanë lexuar si duhet ligjet).
Të njëjtët deputetët që prej popullit janë angazhuar, për t’i përçuar preokupimet e tyre deri në Kuvend, ata janë angazhuar (pa dyshim në përputhje me ligjet duke mos i dal zot asnjë ligji) nëpër shumë komisione tjera që i gravitojnë mëditje për secilin angazhim TEORIK. Teorik, sepse ende s’pamë diçka konkrete prej këtyre të besuarve tanë! Fjalë bie, unë jam banor i Komunës së Likovës, dhe në pamundësi që personalisht të ankohem, apo të kërkojë që ndonjë temë me një rëndësi të veçantë të vendohen në rend të ditës dhe të diskutojmë, e pastaj ta marrim ndonjë vendim të arsyeshëm për popullin, dhe për këtë detyrë e besova, kuptohen sikurse shumica e popullit, një person të zonës tonë që të na përfaqësoj si duhet.
Fatkeqësisht, logjika e tillë e funksionimit në këtë sistem demokratik, në këtë rast më dëmtoi, sepse nëse unë personalisht apo një grup i qytetarëve vendosin që një ditë të shkojnë në Kuvend për ankesa dhe heshtje të shumta të deputetëve tanë, qysh në hyrje të objektit do të na kthenin mbrapa, edhe atë bazuar me ligjet që janë propozuar po në Kuvend, me arsyetim se juve ka kush ju përfaqëson. Kështu pra, ndodhë kur shalqiri bëhet në degë të qershisë, kurse qershia në loz të shalqirin, dhe çdo thyerje e kokës duke pushuar nën hijen e pemës së qershisë, në bazë të logjikës vepruese të deputetëve qenka e arsyeshme.
Pas kësaj kontradikte të shumëfishtë, kontradiktë që tolerohet edhe me ligj, mua (lexo: edhe juve) nuk më mbetet tjetër, pos të mësohem besnikërisht të përballem me rrugët e kohës së gurit, ku e mira e vetme e këtyre rrugëve është se, zinxhiri i tankeve do të prishet në mes të rrugës, nëse eventualisht ndonjë e tillë ka vendosur që të na sulmoj, kuptohet sikurse gjithmonë për arsye të vet-krijuara. Përskaj gjithë këtyre marrëzira, neve na mbetet të mallëngjehemi, kur e shohim braktisjen e të rinjve prej fshatrave dhe qyteteve, pastaj dëgjojmë duke u ankuar mësuesit për zvogëlimin e numrit të nxënësve nëpër klasa, si dhe kulmi i gjithë këtij itinerari tmerrues, është shitja e ndonjë kapitali me vlerë e fituar me djers për gjatë tërë jetës dhe shitja e floririt të grave që dikur sinjalizonte fillimin e dashurisë bashkëshortore, duke e shndërruar këtë mjet pastaj në para që sinjalizojnë humbjen e përjetshme të dashurisë atdhetare. Në ndërkohë dëgjojmë një lajm sa i mirë aq edhe prekës. Lajmi ka të bëjë me mospranimin azil të qytetarëve të Maqedonisë. Tashmë kur të kthehen këta të humburit e dyfishtë në vendlindjen e ”vdekjes”, edhe më tej do t’i rëndohet jeta sociale, ngase thesarin e vetëm dhe të fundit e avulluan për një avullim artificial. Pas shumë rrugëtimeve dhe labirinteve të mundimshme, të zgjedhurit e popullit apo lojtarët legjitim në stadium, e shikojnë ndeshjen e futbollit prej në publikë, duke ikur dhelpërisht prej inkuadrimit në lojë.
Pra, që ky itinerar i dhembshëm për shqiptarët të mbyllet, duhet që përfundimisht edhe deputetët tanë ta provojnë “lumturinë” e të kërkuarit dhe të qenit azil, bile këta mund të kërkojnë azil politik, duke u arsyetuar se atje nuk dëgjohet dhe përfillet fare zëri i tyre, edhe atë në një vend demokratik. Në mos më shumë, këta deputetë do të futen në Librin e Genisit, dhe tek pastaj milionat në dollar dhe votat në popull do t’i arsyetohen!
Shtuar më 23/02/2010, ora 15:12
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori