Si te luftohet Serbia ne veriun e Kosoves
Pëlqej
Albeu.com
nga Albin KurtiHashim Thaçi i ka zhgënjyer UNMIK-un dhe BE-në. Prej disa muajsh ata po negociojnë me Serbinë e ky veçse bënte sehir. Ata e kanë konsideruar këtë si njëlloj pranimi nga ana e tij.Ngjashëm sikurse me Marrëveshjen e Rambujesë, ngjashëm sikurse kur u aprovua Korniza Kushtetuese, sërish tani, Hashim Thaçi thotë JO tash për të thënë PO pak më vonë. Ai është njeriu që nënshtrohet i fundit. Ama, megjithatë, nënshtrohet dhe e gjithë kjo është me paramendim. Përgjatë kundërshtimeve të buta, ai ia rrit vetes rëndësinë para pranimit përfundimtar.

BE negocioi me Serbinë për shtrirjen e EULEX-it. Ajo i pranoi të tri kushtet e Serbisë: 1) që EULEX-i të bazohet në Rezolutën 1244; 2) që EULEX-i të jetë neutral karshi statusit të Kosovës; 3) që EULEX-i të mos ketë të bëjë me Planin e Ahtisarit. Kushtin e parë dhe të dytë e kanë pranuar edhe Fatmir Sejdiu e Hashim Thaçi. Vetëm kushtin e tretë e refuzuan ata, duke e përforcuar kësisoj Planin e Ahtisarit, gjithsesi të padrejtë dhe aspak të favorshëm për Kosovën. Insistimi kryesor i Sejdiut dhe Thaçit është bërë Plani i Ahtisarit, i cili edhe nga vetë ata, është cilësuar si çmim i pavarësisë (të cilën edhe ashtu nuk na e njohën Serbia e Rusia, e rrjedhimisht as OKB-ja)!

Mirëpo, marrëveshjes ndërmjet BE-së dhe Serbisë për EULEX-in në Kosovë, Boris Tadiç ia kishte vënë një parakusht që do të shërbente edhe si ombrellë: marrëveshjen UNMIK-Serbi për 6 pikat e letrës së Ban Ki-moon-it që Serbisë në Kosovë i japin edhe më shumë pushtet se Plani i Ahtisarit. Policia, gjyqësia, doganat, kontrolli i kufijve, transporti dhe komunikacioni, trashëgimia kulturore, parashihen të jenë të ndara etnikisht. Në Kosovë do të ketë dy sisteme politike: një të Kosovës dhe një të Serbisë në çerekun e territorit, dhe që të dyja këto nën autoritetin suprem ndërkombëtar të PSSP-së e ICO-së. Strukturat e Serbisë nuk do të shpërbëhen paraprakisht, dhe serbët do t‘i kenë të gjitha përveç ushtrisë, të cilën nuk do ta kenë as shqiptarët. 6 pikat e marrëveshjes UNMIK-Serbi, Fatmir Sejdiu tha se nuk janë të pranueshme në formën e tyre aktuale. Ai nuk tha se ato paraqesin çështje të panegociueshme. Ai nuk i refuzoi 6 pikat për arsye parimore dhe as për arsye përmbajtësore. Ai tha se forma e tyre nuk është adekuate.

6 pikat e propozuara nga Ban Ki-moon e që shumë shpejt dolën të jenë 6 pikat e Serbisë nuk janë problematike vetëm në formë - problemi me to qëndron në përmbajtje, si dhe në synimin që ato kanë. Përmbajtja e tyre nënkupton qartë ndarje të Kosovës, por vetëm ndarje të brendshme, mënyrë kjo e vetme e arritjes së synimit të tyre. E synimi është që kur Kosova të ndahet kjo ndarje të ngërthejë shumë më shumë territor sesa pjesa veriore. Duhet ta mbajmë mend se propozimi i Ban Ki-moonit nuk ishte vetëm për Veriun, por për secilin vendbanim me popullatë shumicë serbe. Pra, Veriu i 6 pikave do të shërbejë si model për secilin fshat të shndërruar në komunë përmes decentralizimit.

Eshtë forma e negociatave ajo që do të duhej të ishte e papranueshme për Sejdiun e Thaçin, negociata që nuk kanë ndryshuar as në formë, as në përmbajtje. Në formë, për shkak se prapë axhenda e tyre është e dikujt tjetër (Serbisë), dhe nuk ka temë diskutimesh që do t‘i kundërvihej axhendës serbe (pra nuk mund të flasësh për Luginën e Preshevës aty, por vetëm për territorin e Kosovës aktualisht të pushtuar nga strukturat e Serbisë). Në përmbajtje për shkak se prapë po diskutohet e njëjta gjë - rregullimi i brendshëm territorial dhe institucional i Kosovës në dëm të Kosovës për shkak se në dobi të Serbisë. Pranimi i negociatave për 6 pikat nënkupton pranim të 6 pikave (ndoshta me ndryshime kozmetike formale).

Hashim Thaçi tha se Kosova është shpallur e pavarur në bazë të Dokumentit të Ahtisarit. Pra, Kosova u shpall e pavarur sepse njëfarë Ahtisari kishte rekomanduar ashtu. Jo për shkak se pavarësia ishte vullneti i popullit, jo për shkak se pavarësia është drejtësi për të kaluarën dhe e drejtë e popullit në të tashmen. Plani i Ahtisarit ishte kompromis pas negociatave. Mirëpo, ai është edhe kompromis drejt negociatave të reja. Ai që lëshon pe, konsiderohet se gjithmonë mund të lëshojë pe edhe pak më shumë.

Kundërshtimi i marrëveshjes UNMIK-Serbi nga Sejdiu dhe Thaçi u bë për t‘ia kontrabanduar publikut negociatat e reja. Sejdiu e Thaçi porsa e kundërshtuan ashtu butë e butë marrëveshjen e përsëritën disa herë gatishmërinë e tyre për negociata të reja. Ata nuk duan që të pranojnë diçka si akt i kryer - ata duan që kjo marrëveshje të paraprihet me proces të gjatë që ua mundëson manipulimin me publikun para se ta pranojnë marrëveshjen.

Fatmir Sejdiu dhe Hashim Thaçi e kundërshtuan marrëveshjen UNMIK-Serbi. Trysnia mbi ta po shtohet. Në vijim do të dëshmohet se sa seriozisht e sinqerisht e kishin kundërshtimin. Mbi të gjitha ky kundërshtim është i kotë, nëse nuk ka një plan vendor për ta bërë Kosovën sovrane dhe me integritet territorial që është parakusht për ta zhvilluar ekonomikisht atë. Askush, madje as diaspora jonë, nuk do të vi të investojë në Kosovën e ndarë përbrenda.

Përveçse nuk duhet pranuar marrëveshjet UNMIK-Serbi dhe BE-Serbi, po ashtu nuk duhet zbatuar Plani i Ahtisarit dhe duhet një strategji vendore për çështjen e veriut të Kosovës. Në vijim është paraqitur plani i menduar nga Lëvizja VETËVENDOSJE!, i cili besojmë se paraqet një bazë të shëndoshë për ta bërë Kosovën një dhe të pandarë. Nuk mjafton t‘i thuash jo planeve të huaja të këqija. Duhet pasur edhe planin vendas për të mirën e vendit.

Pse është Veriu i Kosovës në këtë gjendje...?

Gjatë zmbrapsjes së forcave ushtarake serbe, në qershor të vitit 1999, formacionet e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës po përparonin duke e shtënë vendin nën kontroll. Por kur ato mbërritën në veriun e Mitrovicës, erdhi një urdhër prej strukturave të larta udhëheqëse për të mos dalë matanë Ibrit. Jo rastësisht, forcat franceze të KFOR-it pastaj u vendosën pikërisht sipër urës së këtij lumi, që për më shumë se nëntë vjet simbolizon ndarjen e dhunshme të qytetit. Ndalimi i KFOR-it francez në Ibër ia mundësoi Serbisë ta vendos kontrollin në veri. UNMIK-u nuk ndërmori kurrfarë aksioni për t‘i larguar, ose për të reduktuar fuqinë e strukturave paralele deri në vitin 2002. Pasi nuk i parandaluan u orvatën t‘i shpërbëjnë ato, por pa vullnet politik për këtë gjë - nuk pati përpjekje për ta ndalur ndërhyrjen e Serbisë. Ministria e Punëve të Brendshme të Serbisë dhe gjykatat e Serbisë funksionuan lirshëm dhe hapur. Në vitin 1999, UNMIK-u i shfuqizoi institucionet e deriatëhershme të Kosovës, por i la të paprekura ato të Serbisë në Kosovë.

Në librin e tij "Luftëtarët e paqes", në një pjesë të tekstit të botuar edhe në gazetën "Koha Ditore", më 3 qershor 2004, ish-kryeadministratori Bernard Kushner shkruan: "Kolonat franceze, të ngarkuara për këtë zonë gjatë futjes së aleatëve, më 12 qershor 1999, duke vendosur fushimin në jug të qytetit, nuk e ndoqën policinë e Beogradit, por u ndalën në urë, duke futur rrallazi ndonjë njësit të vëzhgimit më në Veri, ku zbuluan pjesëtarë të policisë dhe të vrasësve që bartin skalpet dhe flokë grash shqiptare të varura në hallkat e rripit. Me urdhër të kujt ishin ndalur (te ura) forcat tona çlirimtare? Kurrë nuk kam mundur ta mësoja saktësisht, por ky ishte një gabim i madh politik. Ky ndalim i papritur, jo vetëm bëri nga Mitrovica një qytet të ndarë, por shkaktoi një eksod masiv, një ndjekje reciproke e të përhershme të refugjatëve të nemitur e të privuar nga të gjitha, dhe u ofroi serbëve një territor strehimi të papritur, në kufi me Serbinë që ende drejtohej nga Milosheviçi. Shumë shpejt vullnetarët serbë organizuan në Veri të Urës një polici të udhëhequr me mjeshtëri nga Oliver Ivanoviçi, sportist i mëhershëm profesionist. Ai si njeri i guximshëm politik që ishte, u bë për UNMIK-un një bashkëbisedues i vështirë, dhe po aq i sinqertë sa mund të jetë njeriu në ato rrethana. Ai organizoi një njësit të armatosur të bridge watchers, rojat e urës, njerëz të armatosur të të gjitha tendencave, që nga njerëzit më të ndyrë e më brutalë deri te patriotët më të devotshëm, të cilët e kishin shtabin e tyre në "Dolce vita", përballë Urës, ku shënjuan "territorin e lirë serb", e të cilët nëpërmjet komunikimit me radiolidhje, mund të mblidheshin me alarmin e parë". Dhe pak më tutje vazhdon Bernard Kushner: "Por komandanti francez i zonës ishte kundër lëvizjeve tona që rrezikonin autonominë serbe në pjesën e epërme të qytetit të Mitrovicës". Çdo koment është i tepërt.

Mbajtja e ndarë e Veriut të Kosovës është mirëmbajtje e situatës kriminale. Vetëm me 3 dhe 4 shkurt të vitit 2000, 11 shqiptarë janë vrarë, me dhjetëra të tjerë janë keqtrajtuar ose lënduar, ndërsa 1564 familje me 11364 anëtarë janë dëbuar. Përveç krimeve dhe masakrave të kryera gjatë luftës nga forcat serbe, 16 kriminelë serbë kanë ikur prej burgut të Mitrovicës, së paku njëri është nxjerr nga burgu përmes demonstratave të serbëve, kurse disa herë protestuesit nuk kanë lejuar që të arrestohen persona serbë të caktuar. Në trazira të dhunshme, nuk u kursyen as forcat ndërkombëtare që, për dallim, i kursenin strukturat e Serbisë. Trazirat ishin të vazhdueshme, prej prillit të vitit 2002 kur u plagosën 22 policë polakë e deri me 17 mars 2008, kur u vra polici ukrainas. Serbët atje përdorën një arsenal të tërë ushtarak të armëve të zjarrit kundër ndërkombëtarëve.

Shqiptarët e dëbuar nga Veriu i Mitrovicës jetojnë nëpër vende e banesa të marra me qira nëpër pjesë të ndryshme të Kosovës. Ata jetojnë në kushte të vështira ekonomike. Të shtyrë nga skamja e madhe, ata shpeshherë janë të detyruar t‘i shesin pronat e tyre. Këto prona i bleu fillimisht Qendra Koordinuese e Serbisë për Kosovën, e më pas drejtpërdrejt Qeveria e Serbisë. Rikolonizimin e Veriut të Kosovës prej Beogradit e ka toleruar UNMIK-u, meqë, sipas rregullores 2001/17 të UNMIK-ut, administratori komunal ka mundur të shfuqizojë kontratat, nëse blerja e pronave është bërë në mënyrë të organizuar prej ndonjë institucioni të caktuar, qëllimi themelor i të cilit është ndryshimi i strukturës etnike në ndonjë pjesë të vendit. UNMIK-u u ka vendosur kushte vetëm shqiptarëve, por jo edhe autonomisë serbe në Veriun e Kosovës.

Para luftës, 53% të banesave në Veriun e Mitrovicës ishin të shqiptarëve, sipas një raporti të Grupit Ndërkombëtar të Krizave. Kur kësaj i shtohet fakti se familjet shqiptare kanë dukshëm më shumë anëtarë sesa ato serbe, atëherë bëhet e qartë se shumica dërmuese e popullatës atje ishin shqiptarë. Kthimi i tyre padyshim se do të mundësonte t‘i jepej fund dominimit të Serbisë në Veri të Kosovës. Kthimi i shqiptarëve në Veri nuk nënkupton shqiptarizimin e asaj pjese, por normalizimin e saj, kthimin në gjendjen e mëhershme, duke çrrënjosur efektet dhe rezultatet e pastrimit etnik.

Në vitet e pasluftës, Trepça punonte rrallë e pak dhe nuk kishte zhvillim të ekonomisë private. Shqiptarët dhe serbët në Veri nuk kishin pavarësi ekonomike dhe ata mbetën të brishtë përkundrejt strukturave të Serbisë. UNMIK-u është përpjekur që eventualisht t‘i neutralizojë strukturat e Serbisë duke i punësuar në shërbimet publike të Kosovës që do të thotë se punësimi ishte politik. Politika e UNMIK-ut në Veri gjithmonë ka qenë e nënshtruar ndaj strukturave të Serbisë: negociata me ta, koncesione për ta etj., për hir të stabilitetit që duhej mbajtur me çdo kusht. Reputacioni i strukturave të Serbisë u rrit e po ashtu edhe fuqia e tyre destabilizuese. Paralelizmit që prej vitit 1999 në shëndetësi, edukim, administratë, siguri etj., që prej marsit të vitit 2002 iu pat shtuar edhe eksluziviteti i shërbimeve të telefonisë fikse të Serbisë të cilat UNMIK-u praktikisht i legalizoi.

Nga të qenit dikur qyteti më i pasur i Kosovës, Mitrovica duke qenë e ndarë është shndërruar në qytetin më të varfër. Dy faktorë që ndikuan në varfërimin e këtij qyteti janë mosfunksionimi i Kombinatit Trepça dhe ndarja e qytetit. Ekonomia e qytetit të Mitrovicës ishte e tëra e organizuar rreth Kombinatit. Ai ishte punëdhënësi më i madh aty. Gjatë viteve të administrimit të dhunshëm nga Serbia, Trepça ishte katandisur si mos më keq, duke u shitur pjesë-pjesë, shfrytëzuar në mënyrë iracionale, si dhe duke mos u investuar asgjë në të. Shitja ilegale e Trepçës nga regjimi i Milosheviqit është pranuar nga UNMIK-u si e dhënë, si një fakt i kryer. Prandaj edhe sot e kësaj dite ky Kombinat është lënë në harresë. Trepça do të garantonte zhvillimin ekonomik të tërë Kosovës, jo vetëm të Mitrovicës. Prandaj ajo është lënë pas dore.

Ndarja e Mitrovicës natyrisht që e ka vështirësuar rifunksionalizimin e Trepçës, duke e lënë minierën e Stantërgut në njërën anë, ndërsa shkritoren në anën tjetër (Zveçan). Kështu Mitrovica u shndërrua në qytetin më të varfër, dhe ajo është i vetmi qytet në Kosovë të cilit i është zvogëluar popullsia përgjatë viteve. Sipas raportit të European Stability Initiative të para pak viteve, në Veri të Mitrovicës dhe Zveçan jetohet me mesatarisht 95 euro në muaj, 60% të të cilave sigurohen nga Beogradi dhe 23% nga Prishtina. Ndërkaq, në jug të Mitrovicës njerëzit jetojnë me 37 euro në muaj, nga të cilat 37% sigurohen nga Qeveria e Kosovës dhe 40% nga sektori privat.

Duket qartë që Serbia po përdor një strategji për Veriun, ku po vepron me dhunë dhe një strategji për pjesën tjetër të Kosovën ku po vepron pa dhunë në pritje të implementimit të decentralizimit nga ana e Qeverisë së Kosovës. Për Veriun e Kosovës Serbia e dëshiron modelin e Bosnjës dhe këtë e ka shprehur edhe Nebojsha Çoviqi me një rast. Sipas tyre, Veriu i Kosovës do të ishte si Republika Serbe, Mitrovica si Mostari dhe Ibri si Neretva. Për pjesën tjetër të Kosovës, Serbia e do decentralizimin që e legalizon ndarjen. Decentralizimi u fillua nga Qeveria e Bajram Rexhepit me ministrin Jakup Krasniqi, u vazhdua me Qeverinë e Ramush Haradinajt e Bajram Kosumit me ministrin Lutfi Haziri, u intensifikua me Qeverinë e Agim Çekut sërish me Lutfi Hazirin e avancuar edhe në pozitën e zv/kryeministrit, dhe tash pritet të kurorëzohet me Qeverinë e Hashim Thaçit dhe ministrin e tij Sadri Ferati. Për neglizhencën e tij për Mitrovicën (pas përfundimit të luftës) si kryetar i komunës atje, Bajram Rexhepi u pat shpërblyer me postin e Kryeministrit. Për neglizhencën e tij për Mitrovicën (gjersa po zhvilloheshin negociatat në Vjenë) si kryeshef ekzekutivi atje, Sadri Ferati u shpërblye me postin e ministrit të Pushtetit Lokal që tash ka për mision decentralizimin e Kosovës. (Shqip)
Shtuar më 16/11/2008, ora 19:23
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori