Si (s)duhet te zgjidhet ngerci politik
Albeu.com
nga Erlis ÇELAPërplasja mes mazhorancës dhe opozitës duket se i ka tejkaluar kufijtë e vendit. Debati i fundit për incidentin me delegacionin shqiptare në Asamblenë e Këshillit të Evropës, ka bërë që faktori ndërkombëtar të merret sërish me mosmarrëveshjet e brendshme të shqiptarëve.Në një kohë kur iu mburremi të gjithë ve se jemi kthyer në nje vend që eksporton stabilitet dhe siguri, duket se kemi bërë një hap prapa duke eksportuar sërish krizë. Një delegacion monitorues pritet të vizitojë sërish Tiranën për tu mbushur mendjen politikanëve tanë se duhet të ulen dhe të flasin me njëri tjetrin.

Duhet thënë se në Bruksel dhe Strasburg ka aq shumë nga ata që presim momentin për tu bërë pak “ negociator” saqë në momentin e parë që një zë nga politikanët e Tiranës përmend togfjalëshin “ faktori ndërkombëtar”, rendin të prononcohen dhe të rendisin porosi për dialog e mirëkuptim. Në thelb nuk ka asgjë te keqe, pasi demokracia shqiptare me gjithë arritjet , mbetet ende e brishtë në aspektin e respektimit të institucioneve dhe ligjit dhe thirrjet për dialog që vinë nga kancelaritë e Evropës, nuk i bëjnë keq demokracisë sonë. Politikanët shqiptarë shquhen për paqëndrueshmëri, dhe për vizion të shkurtër duke vënë në plan të parë interesat e ngushta vetjake apo partiake. Ky është një element i rëndësishëm që miqtë ndërkombëtarë duhet ta kenë parasysh kur marrin në analizë situatat politike në Shqipëri. Qëndrimet për bojkot të institucioneve apo thirrjet e vazhdueshme se “vendi është përfshirë nga kriza” nuk do të thonë domosdoshmërish se kjo krizë eksiton vërtet apo që nuk është produkt i interesave banale vetjake dhe partiake. Sirguisht dhe e kundërta e kësaj situate është mëse e vlefshme. E megjithatë rezoluta e KiE-së dhe ardhja e misionit tashmë janë fakte dhe debati i brendshëm është përqendruar në rolin në faktin nëse duhet apo jo që presidenti i Bamir Topi të thërrasë një tryezë politike me pjesëmarrjen e dy partive kryesore. Të dyja kampet janë angazhuar në një betejë për të sfiduar njëri-tjetrin në lidhje me pranimin e rolit të presidentit si negociator mes palëve.

Qëndrimi i partisë socialiste prej ditësh është përqendruar vetëm për të treguar se mazhoranca nuk dëshiron që të ulet në një tryezë e bisedimesh, të thirrur nga presidenti i Republikës. Pikërisht në këtë pikë, socialistët bien në një kontradiksion të madh me veten e tyre. Lidershipi socialist po mundohet prej kohësh ti përcjellë opinionit publik faktin se mazhoranca dhe kryeministri nuk i beson kreut të shtetit dhe se nuk dëshiron që ti japë atij meritat e zgjidhjes së ngërçit politik. Në këtë rast duhet të kujtojmë qëndrimin e partisë socialiste ndaj këtij presidenti në momentin e zgjedhjes së tij por edhe më pas. Nuk janë të pakta deklaratat e lidershipit opozitar që vinin në diskutim legjitimitetin e presidentit dhe e akuzonin atë ose paragjykonin se një person që nuk mund të ishte i pavarur dhe që nuk mund të garantonte ekuilibrat politikë. Ky qëndrim i socialistëve dhe vetë kreut të partisë më të madhe opozitare në lidhje me figurën e presidentit apo vënia në diskutim e aftësisë së kreut të shtetit për të qëndruar mbi palët në të shkuarën e afërme, do të jetë një pengesë e madhe për opinionin publik që të besojë në sinqeritetin dhe seriozitetin e opozitës në lidhje me këto bisedime.

Nga ana tjetër qëndrimet e palëve janë diametralisht të kundërta duke vënë në diskutim rezultatin e një tryeze të mundshme. Fakti nëse hetimi i zgjedhjeve do të përfshijë apo jo hapjen e kutive ndan qëndrimin e palëve dhe duket se do të përcaktojë edhe fatin e bisedimeve. Secila nga dy partitë kryesore do ta cilësonte si humbje të madhe tërheqjen nga qëndrimi në lidhje me hapjen e kutive dhe kjo e bën akoma më të vështirë situatën. Nëse për momentin zgjidhja e situatës është bërë emergjente, pazari politik do të ishte mënyra më e keqe e zgjidhjes. Mënyra “ më jep këtë , që të heq dorë nga kjo” është elementi më negativ i historisë së politikës shqiptare në këto vite te tranzicionit.
Shtuar më 02/02/2010, ora 20:55
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori