Si ne shtepi pa pronar
Albeu.com
nga Kim MEHMETISa herë që kryeministrit të Maqedonisë i ngecë puna, sa herë që dëshiron ta fsheh atë që nuk duhet parë nga populli, ai përgatitë ndonjë episod të ri të TV novelës me titull “Luftë kundër korrupsionit”.
Pra, sa herë që donë ta çojë popullin të harrojë varfërinë e skajshme dhe problemet politike që ka shteti, Gruevski merr kordonët policor, si dhe dy kamera, bastisë ndonjë spital, nga nxjerr dhjetëra mjekë të dyshuar për korrupsion dhe vazhdon tutje duke u bërë gati për episodin e ardhëm të TV novelës së tij. E në ndërkohë, qytetarët e Maqedonisë kurrë nuk e dinë se çka ai fshehë në valixhet e veta, kurrë nuk e kuptojnë se pse të gjithë angazhimet e tij, në vend që ta çojnë shtetin përpara, atë e largojnë nga e mira e ëndërruar. Gjithashtu, në ndërkohë, pjesa e Evropës që mburret me vlerat e larta qytetare dhe juridike, në shumë raporte të saja, e paralajmëron Gruevskin se nuk është në rregull të dyshuarit t’i nxjerrësh përpara gjyqit publik ende pa u dëshmuar fajësia e tyre. Pra, Evropa e civilizuar, ia tërheq vërejtjen Gruevskit se duhet të ketë kujdes e ta kuptojë se lufta kundër korrupsionit nuk duhet përdorur si mjegull për t’i fshehur paaftësitë të përballesh me problemet më të mëdha të Maqedonisë, siç është stabiliteti i shtetit, zgjidhja e problemit të emrit... Apo, në raportet e veta, institucionet evropiane, ia rikujtojnë Gruevskit të mos bëj veprime që shkelin vlerat demokratike: të mos i linçojë njerëzit vetëm për ta mbuluar paaftësinë të bëjë diçka për të mirë e shtetin, të mos e nxjerrë individin përpara gjykatës më të pamëshirshëm – opinionit publike – para se të dëshmohet fajësia tij.

Duke jetuar në shtet ku është aq e shikuar TV novela e quajtur “Luftë kundër korrupsionit”, kur pash kordonët policore që hynin e dilnin nga godina e Ministrisë së Transportit të Kosovës, më shkoi mendja se mos vallë Gruevski ka marrë në duar edhe prokurorët dhe policët e EULEX-it dhe tani është duke vepruar edhe në Kosovë. Mbase hamendësimet e këtillë m’i nxiti sjellja aq arrogante dhe aq primitive e atyre që kanë ardhur të kultivojnë vlerat demokratike në Kosovë, por të cilët, gjatë bastisjes së Ministrisë së Transportit të Kosovës u sollën thuajse Ministri dhe personeli i tij janë ngujuar në kabinete e tyre dhe të armatosur presin të sulmojnë luftëtarët kundër korrupsionin. Apo, thënë më qartë: ajo që shihja në ekranet televizive, më shumë më rikujtonte veprimet e Gruevsik që i shohë shpesh këtu ku jetojë, e ku herë-herë, të gjithë bërtasin “kapeni hajnin”, duke dashur ashtu të mos shohësh çka kanë në valixhet e tyre, duke dashur ashtu të mbulojnë paaftësinë e tyre të përballen me të vërtetën se një shtet që nuk kontrollon tërë territorin e vet, se në një shtet ku nuk dihet cili është i zoti i shtëpisë, se në një shtet ku ka nga dy palë ligje e standarde, pra se nga një shteti të cilin çdokush e mbron sipas logjikës dhe interesit të vet, nga ai shtet ndonjëherë më së shumti përfitojnë ata që kanë ardhur ta mbrojnë vendin nga “hajdutët” vendas.

Ajo që ndodhi në Ministrin e Transportit të Kosovë, më së miri dëshmon standardin e dyfishtë që përdorin disa qarqe evropiane kur jemi në pyetje ne ballkanasit. Standarde të cilat janë krejt ndryshe për hapësirat ku banojnë “të mirët e demokratët” e këtij kontinenti dhe plotësisht të kundërt kur zbatohen në këto hapësira ku banojmë “ne të egrit e hajdutët”, e zyrat e të cilëve duhet hapur me shkelma dhe të përcjellje nga kordonët policore. Gjë që të çon të mendosh se mbase fytyra e vërtetë e një pjese të Evropës perëndimore është jo që shihet në pjesën e saj të Ballkanit, e jo ajo e grimosura – e rrejshmja - ku përpilohen raportet për ne që duam të bëhemi pjesë e asaj që jemi – Evropës. Dhe duke qenë e tillë, e sjellshme dhe demokratike për vetveten dhe e egër dhe jo tolerante ndaj neve “ballkanasve”, nëpër zyrat e veta Evropa perëndimore hynë ashtu si e do rendi: duke trokitur në derë, duke të treguar vendimin e gjykatës për bastisje. Ndërkaq, në zyrat tona hynë me kamera televizive, duke të përplasur përpara gjykatësit publik të quajtur popull, që të mos mund të shlyesh njollën e turpit edhe sikur të dëshmosh se je Profet, e jo më njeri të cilit, si gjithë të tjerëve, më lehtë mund t’i gjesh gabime se sa vepra të admiruara.

Prokuroria dhe policët e EULEX -it hynë në Ministrin e Transportit të Kosovës si të ishte ajo shtëpi publike ku shkon me furgona policor, i nxjerr prostitutat dhunshëm nga dhomat e tyre dhe i çon në kontroll mjekësorë që të vërtetosh thash e thëniet se janë të infektuara nga sëmundje venerike. E në ndërkohë, thuajse të gjithë i duartrokitën përkushtimit të EULEX-it në luftën kundër korrupsionit. Madje të paktë ishin ata që shtruan pyetjen parimore: si mund të shpallësh ndonjërin publikisht si hajn, para se këtë ta dëshmojë gjykata. Por, mbase edhe mundet, posaçërisht kur të trajtojnë se i takon grupit e të “egërve” ku nuk ia vlen të përdorësh standarde civilizuese dhe ligjore, por ku duhet drejtësinë ta trajtosh si çështje që duhet matur me atë se si ajo do ndikojë nëpër dhomat ku populli i varfëruar pinë çajë dhe mezi pret t’ia hedhësh pranë këmbëve kokën e “hajdutit” që e ka pru në situatë të pijë çaj pa limon. Dhe mbase andaj kësaj radhe EULEX-i veproi në Kosovë ashtu siç vepron shpesh Gruevski në Maqedoni: të mos u përmbahet rregullave, por më shumë rëndësi t’i kushtojë efektit publikë. Që do të thotë, mbase nuk është e largët dita kur prokurorët dhe policët e EULEXI-t do vijnë në trajnim te Gruevski, apo edhe do i bastisin kabinetet ministrore jo duke u bazuar në fakte, por duke u mbështetur në anketa publike nëpërmjet të cilave populli do e caktojë se kush është “kryehajduti” i Kosovës.

Ajo që bëri EULEXI në zyrat e Ministrisë së Transportit të Kosovës, ka shijen e hidhur për shumë arsye. Ndër të tjerat, edhe shkaku se bastisja u bë sikur Kosova të ishte shtëpi pa pronar, thuajse të zgjedhurit e popullit kosovarë janë “në shkollë trajnuese” për t’u bërë drejtues të shtetit dhe andaj, ndaj tyre mund të sillesh si trajnues të cilit i lejohen të gjitha, përfshi edhe logjikën të krijosh opinion se ndonjë nga ata është hajdut ordiner, e që pastaj të ofrosh dëshmi për krimin e bërë. Pastaj, kjo ndërhyrje e EULEX-it, e cila aq i joshi disa qarqe kosovare, dëshmoi deri ku shkojnë inatet personale, inate të cilat Kosovën e prunë deri aty sa nëse e kompletonin listën e të gjithë politikanëve që ka sot ky shtet, vështirë se do gjesh një politikanë të vetëm i cili nuk është akuzuar publikisht për ndonjë veprim keqbërës që të bënë të mos dalësh në rrugë nga turpi. Andaj, sikur kosovarët ta kompletonin këtë listë, ajo do i çonte ta pyesnin veten se ku çon ky proces i degradimit të të gjitha vlerave që ka Kosova, do i çonte të pyesnin veten se mos vallë kjo do të thotë se të gjithë ata që dje flijuan jetën e tyre për lirinë Kosovës, këtë e kanë bërë që sot asaj t’ia vjedhin ardhmërinë? Pra, kur ta shihnin se lista e politikanëve kosovar përbëhet vetëm nga emra të njollosur, kosovarët do duhej ta pyesnin veten se kush e bënë këtë dhe vallë kjo do të thotë se Kosova nuk ka burrështetas të pjekur, apo se dikush donë t’ia thyej boshtin politikë kurrizor Kosovës dhe atë ta shpall si të papjekur për shtetëbërje? Dhe më në fund, nga ajo listë ata do e shihnin se atyre u kanë mbetur të panjollosur vetëm heronjtë e vdekur. Me çka kosovarët do duhet t’u përgjigjen shumë pyetjeve, që të arrijnë deri te konstatimi se lufta e vërtetë kundër korrupsionit në Kosovë do fillojë atëherë kur asaj do i prijnë vetë kosovarët, e jo prokurorët dhe policët e EULEX-it. Sepse sikur të ishte ndryshe, atëherë kosovarët nuk do duhej të votonin për t’i zgjedhur përfaqësuesit e vet nëpër institucionet shtetërore, por do duhej të shpallnin konkurs evropian për t’i zgjedhur ekspertët që do e drejtonin Kosovën. Dhe nëpërmjet atij konkurs, bar do mundeshin ta bënin zgjedhjen e duhur dhe të mos lejonin që në mesin e “mbikëqyrësve” të Kosovës të ketë edhe të atillë që mendojnë se në zyrat e përfaqësuesve kosovar duhet të hysh si në shtëpi pa pronar, apo si në shtëpi ku pronari nuk dinë të kujdeset për të. Apo që të mos ndodh që në Kosovë të vijnë edhe të atillë që merren me kontrabandë të cigareve dhe të pijeve alkoolike, mbase duke menduar se kjo veprimtari është pjesë e traditës së popujve të Ballkanit. (lajm)
Shtuar më 11/05/2010, ora 21:58
Tage: arkiv

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori