Si harte e shkarravitur
Pëlqej
Albeu.com
nga Kim MEHMETINë këtë botë, prej se ajo ekziston, gjithmonë ndodh e njëjta: dikush humb, e dikush fiton. Pra, prej se ekziston kjo botë, dikush e vajton humbjen, e dikush e feston fitoren.Ata që kanë të drejtë ta shijojnë humbjen, e thuajse kurrë nuk marrin pjesë në kremtet fitimtare, quhen popuj. Pra, edhe pse popujt kanë qenë ata që kanë përcaktuar fituesin dhe humbësin, shpeshherë u ka ndodhur ajo që u ndodh sot shqiptarëve të Maqedonisë: vonë ta kuptojnë, se fitorja politike, ngandonjëherë, nuk do të thotë asgjë më shumë, përpos mundësi që edhe injorantit të bartë kollare të shtrenjta. Apo të përballen me të vërtetën se humbëse politik, gjithmonë e barazon të menduarit me atë të popullit, e vëmendja e fitimtarit përqendrohet në lartësitë e vetëkënaqësive për një grup të ngushtë njerëzish. Pra, shqiptarët e këtushëm ende e jetojnë stinën politike gjatë të cilës mbinë dhe rritet e vërteta se, përderisa ishte në qeveri PDSH-ja, BDI-ja opozitare mendonte e fliste me gjuhën e tyre, e tani kur ajo erdhi në pushtet, populli mendon thuajse si kryesuesit e PDSH-së. Dhe vazhdon çdo gjë të rrotullohet rreth boshtit të pamundësisë të dilet nga ky mjerim politik nga i cili përfiton vetëm partneri qeveritar i etnitetit maqedonas.
Mbase shkaku i kësaj ndenje se është e pamundur të dilet nga kjo spirale e pafundmë e pritjes diçka të ndryshojë, shqiptarët e Maqedonisë kanë filluar të mos u besojnë as partive opozitare as asaj në pushtet. E ky mosbesim, është i rrezikshëm, sepse popullin fillon ta bëjë të pandjeshëm ndaj fatit të vet. Ky mosbesim e çon popullin drejtë një verbërie që ia pamundëson të sheh, se nuk ka asgjë më keq, se sa kur fatin e tij e përcaktojnë edhe politikanë që të mirën e partisë së vet, e barazojnë me atë të popullit. Me çka edhe krijohen kushte popullin ta përfaqësojnë jo politikanë me portret të qartë politik, por individ që fytyrë e vlerë kanë vetëm emblemën partiake.
Shqiptarët e Maqedonisë mbase qartë e kanë përcaktuar dallimin mes dy partive më të mëdha të tyre. Ata tani e kanë të qartë se PDSH-ja funksionon sipas parimit: Bënë si thotë kryetari, nëse donë ta shpëtosh kokën, e BDI-ja sipas rregullit: Thuaj se e ke pyetur kryetarin, e vepro si ta do qejfi. Pra, shqiptarët e këtushëm tani më e dinë se PDSH-ja është “kompani” private e kryesuesve të saj, ndërsa BDI-ja i ngjanë një “shoqate aksionarësh”, që takohen mes veti vetëm kur vijnë zgjedhjet parlamentare, apo ato vendore. Gjë që e bënë BDI-në të funksionon sipas parimit: Aliu e don Musën, andaj Musa nuk ia fut askujt në parti, e “komandantët lokal” kanë të besuarit e vet, të cilët në mos më shumë, i bëjnë anëtarë të ndonjë këshilli. Por, të gjithë së bashku, ministra e deputet, anëtarë të këshillave e drejtorë firmash, flasin dhe arsyetohen djathtas e majtas, se ata kurrë nuk do pranonin pozitën e vasalit në qeverinë e Gruevskit, por Ali Ameti është ai që i ka pru në këtë pozitë. Dhe si do që ta rrotullosh, vjen te diçka që i bënë të ngjashme PDSH-në dhe BDI-në: veprat e mira partiake kanë shumë autorë, e ato të këqijat vetëm kryetarët e partive.
Shikuar nga jashtë, PDSH-ja edhe BDI-ja kanë edhe një ngjashmëri tjetër: u ngjajnë “Shoqatave të Vejushave të Fshatit”, të cilat “vejusha” jo që duhen mes veti dhe i besojnë njëra tjetrës, jo se nuk flasin zi e ma zi për njëra tjetrën, por mbahen mes veti sepse s’kanë me këndë të “martohen”. Andaj edhe mund të ndodhin çudira si ajo e para ca ditëve, kur deputeti i BDI-së, Xhevat Ademi publikisht akuzoi dy ministra të partisë së tij, se pozitën e vet e kanë kuptuar si vënie rregull mes “Zotërive 10%”. Pakënaqësinë e deputetit të vet, Ali Ahmeti e shpjegoi si hidhërim të përkohshëm të Xhevat Ademit, ndërsa nënkryetarja Teuta Arifi, këto akuza publike i shpalli si element të demokracisë së brendshme partiake. A në të vërtetë, kjo nuk ka të bëjë as me gjaknxehtësinë e çastit të një deputetit, as me demokracinë e brendshme partiake, por shpjegon diçka shumë më të rëndësishme: ministrat e kësaj partie e dinë se fati i tyre nuk varet nga vota e deputetëve, por nga “shefi” lokal që i ka caktuar të jenë ministra.
Siç duket, BDI-ja e sotme ka shumë pak të përbashkëta me atë të dikurshmen të viteve 2002-2006, kur ishte në qeveri. BDI-ja e atëhershme ishte ajo e cila promovoi diçka të gjatëpritur nga shqiptarët e këtushëm: i hapi dyert e saja për ata që kishin aftësi profesionale të ndihmonin në realizimin e ambicieve kolektive shqiptare. BDI-ja e sotme është krejt diçka tjetër. Kjo e sotmja vlerë më të lartë ka arsyetimin se PDSH-ja është ajo që e uli çmimin politik të shqiptarëve të këtushëm, se PDSH-ja pret pas derës së kabinetit të Gruevskit që të bëhet pjesë e qeverisë, e duke mos shpjeguar në ndërkohë pse ajo nuk e ngre çmimin e faktorit politik shqiptarë dhe vallë duhet të mbetesh në koalicionin qeveritarë edhe atëherë kur partneri nuk të përfillë, kur Gruevski pandërprerë të jep dëshmi se nuk është i gatshëm për bashkëqeverisje me shqiptarët!? BDI-ja e sotme gjithnjë e më shumë ka filluar t’i ngjajë PDSH-së, andaj edhe mund të thuhet se rruga nga është katandisur kjo parti edhe nuk është e keqe: ajo rrugë do e çojë BDI-në deri te udhëkryqi ku do takohet me PDSH-në, ku dy partitë më të mëdha shqiptare, do e shohin se kot që kanë dy lokomotiva, se ecin përpara nëpër binarë e njëjtë politikë, e që nuk të çojnë më larg se të bëhesh vasal politik. Pra, mund të thuhet se ai që nuk ia do të mirën BDI-së, nuk ka nevojë të lodhet e ta kritikojë, e as t’ia nxjerrë të palarat në sipërfaqe, por mjafton ta lutë Zotin që ajo të vazhdojë rrugës nga është katandisur.
Si do që të jetë, harta e organizimit partiak të shqiptarëve të Maqedonisë, bëhet gjithnjë e më e paqartë. Dhe nëse në atë hartë shumëçka është e palexueshme dhe e shkarravitur, ka diçka që saktë e portreton mjerimin politik të shqiptarëve të këtushëm: partnerët e etnitetit maqedonas në koalicionin qeveritarë, mirë e kanë kuptuar se partitë shqiptare nuk janë bosht rreth të cilit mblidhen njerëz me bindje të njëjta politike, por janë si tren që ka lokomotivë, por jo edhe shina politike për të ecë përpara. Duke e kuptuar këtë, qeveritarët maqedonas i lejojnë vetes edhe veprime, si për shembull, ai i Ministreshës për Kulturës, e cila formon këshillë pa asnjë shqiptarë në të. Dhe kur organizatat kulturore shqiptare reagojnë, e thonë se me këtë është thyer edhe ligji që parasheh përfaqësimin adekuat të bashkësive etnike, ministresha ngutazi e fton si anëtarë të Këshillit Nënkryetarin e Qeverisë. I cili pranon, pa e ditur se me këtë u bëhet krah i atyre që përbuzin kulturën dhe qenien shqiptare në Maqedoni. Pa e ditur se me këtë shpalos një të vërtetë të madhe: se edhe sekretaresha e Gruevskit - e lere më Ministresh e Kulturës - ka ndikim më të mëdha në qeverinë maqedonase, se sa cilido ministër shqiptarë. Sikur mos ishte kështu, Ministresha e Kulturës, nuk do guxonte ta themelojë asnjë Këshill, pa pëlqimin e Zëvendës Kryeministrit të BDI-së, të ngarkuar për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit.
Nuk ka dyshim se prej se ekziston kjo botë, gjithmonë ndodh e njëjta: dikush humb, e dikush fiton. Gjithashtu, prej se ekziston kjo botë, shpesh ka ndodhë që fitorja të mos varet nga shkathtësia dhe forca e kundërshtarit, por nga pagjindshmëria dhe injoranca e humbësit. Prej se ekziston kjo botë, shpeshherë janë dhënë dëshmi, se më lehtë është të mposhtësh një ushtri të armikut, se sa dobësitë personale. Këtë duhet gjithmonë ta ndërmendin shqiptarët e Maqedonisë, që ta kenë më lehtë të vlerësojnë drejtë veprimin e partive të tyre, qofshin ato në qeveri apo në opozitë. (Lajm)
Shtuar më 16/11/2008, ora 19:21
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori