Shume zhurme
Albeu.com
nga Kim MEHMETITitulli i këtij teksti është plagjiat, i huazuar nga refreni i një kënge të lehtë të një grupi të njohur nga Tirana. Por, përballë titullit që nuk është origjinal, zhurma politike që bëjnë subjektet e shqiptarëve të Maqedonisë, është ...... shumë e veçantë, dallon nga gjitha të tjerat që vijnë nga trojet shqiptare. Nëse jo për hiçgjë tjetër, atëherë shkaku se ke bindjen se kanë të drejtë të gjithë këta që bërtasin dhe diçka sqarojnë nëpër media, ke përshtypjen se këtu kurrë nuk mund të gabojnë ata të cilëve, nëse ua nxjerr emblemën mbrojtës të institucionit apo partisë që përfaqësojnë, vlerë më madhe të tyre kanë kravatat në qafë. Pra, ke përshtypjen se këtu gabon populli i pakënaqur, populli që kërkon shpjegim për atë që bëjnë përfaqësuesit e tij, e jo ata që kërkojnë mbulesën e popullit për papërgjegjësinë e tyre. Pra, të bëhet se kanë të drejtë edhe përfaqësuesit e BDI-së shqiptare në pushtet, të cilët këto ditë pohojnë se shumë veprime të veta , përfshi edhe ngritjen e përmendoreve dhe ndërtimin e kishës në qendër të Shkupit, Gruevski i mbështet mbi vendimet qeveritare të sjella qysh në kohën kur pjesë e koalicionit qeveritar ishte PFDSH-ja. Pra, ke përshtypjen se ka të drejtë edhe PDSH-ja, kur thotë se kreu i Bashkësisë Fetare Islame është ai që ka bërë tregti me Gruevskin dhe ka lejuar që mbi themelet e shtëpisë së Nënë Terezës të ndërtohet kish, se shalli i parë i BFI-së është ai që ka hequr dorë nga ndërtimi i Burmali Xhamisë, aty ku ka qenë me shekuj, vetëm që të merr pronë për të ndërtuar rezidencën e tij te Kalaja e Shkupit. Në këtë zhurmë marramendëse, ku të gjithë akuzojnë tjetrin për fajin e vet, nuk mungon as jehona e zërit të kreut të BFI-së, i cili publikisht, me gjithë zemër dhe i entuziazmuar, e luti Allahun ta bekojë Gruevskin. Dhe mbase lutja e tij drejtuar Allahut, është zëri më i sinqertë në këtë zhurmë marramendëse, sepse ai shprehë mirënjohjen e tij ndaj "gruevskave" që e mbajnë aty ku është, shprehë vetëdijen e tij se fati i varet nga vullneti i Gruevskit, e jo nga ai i myslimanëve që i përfaqëson. Pra, zëri i tij shprehë atë që duan ta fshehin përfaqësuesit politik shqiptarë: se fati kolektiv i shqiptarëve të këtushëm është në duart e Gruevskit.

Pra, ke përshtypjen se në Maqedoni kanë të drejtë të gjitha partitë dhe subjektet tjera shqiptare që akuzojnë njëra tjetrën për gabimet e bëra. Gjë që shpjegon se të gjithë sa janë, parti, bashkësi fetare e organizata të ndryshme shqiptare, kanë diçka të përbashkët: kanë kullotur, apo janë duke kullotur, aq dhe aty ku u ka lejuar Gruevski. Apo, thuajse të gjithë faktorët e shqiptarëve të këtushëm, prej moti, Gruevski i ka lidhur për kunjin e partisë së tij dhe ata tani duan ta nxjerrin kapistrën nga koka, duke dashur të mos u vërehet asnjë gjurme në fytyrë, duke u akuzuar mes veti se kush është treguar më inferior se tjetri ndaj kryeministrit aktual të Maqedonisë. Pra, aq sa janë, partitë dhe subjektet tjera që kanë bërë tregti me Gruevskin, tani duan ta fshehin atë që e dinë të gjithë shqiptarët e këtushëm: nuk ka qeveri të këtij shteti, që do guxonte të bënte cilindo veprim të papranueshëm për shqiptarët, nëse nuk do kishte mbështetjen e ndonjë qendre shqiptare, qoftë ajo politike, religjioze, OJQ-je, shoqate kulturore, varësisht si në cilën lëmi Gruevski ua luan lojën shqiptarëve të këtushëm . Aq sa janë, subjektet e shqiptarëve të këtushëm, veprojnë dhe shërbejnë si dukur në socializëm, kur qarqet maqedonase binin vendime kundërshqiptare, por gjithmonë duke pasur edhe "nënshkrimin" e ndonjë "shqiptari të ndershëm".

Tani, të marrësh e të analizosh pse shqiptarët e këtushëm ende mbetën vasal të qarqeve maqedonase të vendosjes, duhet të fillosh nga partia shqiptare që tani është në qeveri. E që të zbërthesh se nga i tërë ai inferioritet i BDI-së në qeverinë aktuale të Gruevskit, më parë duhet të pranosh se çdo gjë vjen nga bindja dominuese te politikanët e këtushëm shqiptarë se e mira e popullit është e barabartë me mirëqenien e tyre. Pra, të shpjegosh pse BDI-ja vazhdoi atë që PDSH-ja e filloi në 2006 kur erdhi në qeverinë e Gruevskit – zhvlerësimin e gjitha të arrirave pas konfliktit të 2001 dhe asgjësimin e Marrëveshjes së Ohrit – më parë duhet të konstatosh se politikanët shqiptarë janë përfaqësues të denjë të popullit vetëm deri sa janë në opozitë dhe se ditën kur vijnë në qeveri, ata bëhen përfaqësues të Gruevskit, mbrojtës të kryeministrit nga populli i këtushëm shqiptarë. Dhe pasi të konstatosh këtë, do e kuptosh se gjitha shpjegimet duhet filluar nga e vërteta se partitë shqiptare në pushtet, hoqën dorë nga potenca e 30 për qind të shqiptarëve sa përbëjnë popullatën e këtij shteti dhe u mbështetën vetëm mbi vullnetin e mandatarit të qeverisë, duke e ngritur kështu Gruevskin mbi legjitimitetin e popullit të vet.

Andaj, që t’i peshosh drejtë mëkatet e kryesuesve të PDSH-së, që të shpjegosh shkurt e shqip pse ata bëheshin shërbëtorë të VMRO-DPMNE-së sa herë që vinin në qeveri, pse ata bëheshin sunduesit më të pamëshirshëm të shqiptarëve të këtushëm, duhet më parë peshuar mirë e saktë se si u bënë ata kapitalistët më të mëdhenj shqiptarë. Me çka do e kuptosh se shpjegimet janë të kota dhe do arrish deri te përfundimi se çdo gjë vjen nga e vërteta se shqiptarët e këtushëm nuk kanë parti të vetat, por janë bërë pronë e "sekteve" partiake, se këtu nuk ka institucione në shërbim të popullit – përfshi këtu edhe ato arsimore – por institucione që janë në shërbim të partisë shqiptare në pushtet. Kështu që, të masësh drejtë peshën specifike të mëkateve politike të partive të këtushme shqiptare që kanë qenë apo janë në pushtet, më parë duhet të përcaktosh se çka i çoi shqiptarët e këtushëm të mos vërejnë me kohë se parakusht i demokracisë është të kesh mundësi të zgjedhësh koncept politik që të pëlqen, e jo partia të të zgjedh si votues të saj. Pra, të tentosh të zbërthesh se sa shalle të bardhë të BFI-së kanë qenë shërbëtorë të Zotit, e sa të djallit, është njësoj sikur të përballesh me një gropë të hapur septike nga të ngulfatin qelbësirat e lojërave të pista që janë bërë dekada me radhë, lojëra që shpjegojnë se ç’ndodh me religjionet kur ato bëhen instrument i politikës së ditës.

Nuk ka dyshim se zhurma politike e shqiptarëve të Maqedonisë është shumë origjinale. Ajo nuk i ngjanë titullit të këtij teksti, i cili në të vërtet është plagjiat i dyfishtë, sepse me po të njëjtin titull, një koleg nga Prishtina, kishte emëruar tekstin e vet ku përshkruante zhurmën politike në Kosovë. Kolegut nga Prishtina duhet përcjellë porosinë se sikur të dëgjonte zhurmën absurde politike të shqiptarëve të Maqedonisë, ajo e Kosovës do i tingëllonte si melodi zbavitëse. Në mos për hiçgjë tjetër, atëherë shkaku se shqiptarët e atjeshëm kanë shtet, e luftojnë për pushtet, e këta të këtushmit s’kanë shtet, e luftojnë si t’ia lehtësojnë sundimin Gruevskit mbi shqiptarët. Kur jemi te grindjet ndërpartiake nëpër trojet shqiptare, kanë veçorit e tyre si ato në Tiranë, po ashtu edhe ato të Prishtinës. Kështu që, përderisa grindjet ndërpartiake të Tiranës nuk mund t’i kuptojë as Zoti, ato të Prishtinës mbase burojnë nga pamundësia e partive të atjeshme t’u kundërvihen "punëdhënësve" ndërkombëtarë. Me çka kjo grindje ndërpartiake bëhet më e përafërta me grindjen politike të shqiptarëve të Maqedonisë, ku partitë e këtushme grinden pse nuk dinë si ta marrin nga Gruevski pjesën e pushtetit që u takon. E të më mos dish si t’i kundërvihesh edhe një Gruevski, do të thotë se vetë e ke zgjedhur mallkimin e gjeneratave të ardhme. Mallkimin e gjeneratave që do e kenë vështirë ta kuptojnë pse partitë e këtushme shqiptare nuk u ishin mirënjohëse dhe pse nuk mbështeteshin mbi forcën e shqiptarëve që i votonin, por çdo gjë e mbështesnin mbi mirënjohjen ndaj mandatarit maqedonas që i përfshinte në qeveri. (lajm)
Shtuar më 02/02/2010, ora 01:06
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori