Shteti dhe qytetaret e Kosoves
Pëlqej
Albeu.com
nga Xhavit HalitiPesë shtetet, që na njohën pas miratimit të rezolutës serbe në Asamblenë e OKB-së, janë shumë pak në raport me numrin e shteteve që na njohën në pak ditë pas shpalljes prej nesh ...... të pavarësisë dhe nga ajo që dëshironim e prisnim pas kësaj, sepse e meritojmë. Megjithatë, mendoj se zbatimi i aritmetikës në politikë nuk mund të shërbejë si argument. Vlera dhe "pesha" e numrave në politikë varet nga koniukturat e momentit, ndaj duhen çmuar posaçërisht aktet e pak shteteve, që njohën zyrtarisht shtetin tonë, pas miratimit të rezolutës serbe në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së. Njohjet që pasuan janë kuptimplota dhe mjaft domethënëse. Mesazhi i tyre është mjaft i qartë dhe i saktë: Kosova është shtet dhe ky shtet absolutisht nuk mund të zhbëhet. Shteti i pavarur, sovran dhe demokratik i Kosovës është një realitet i pranuar arsyeshëm në bashkësinë shtetërore ndërkombëtare. Ky fakt është evident dhe i pakundërshtueshëm nga Beogradi. "Mollë" sherri vazhdon të mbetet "statusi" i dy etnive, shqiptarëve dhe serbëve, qytetarë të shtetit të Kosovës. Shtetasit e enklavave me popullsi serbe "ankohen" për nëpërkëmbje të të drejtave të tyre, ndërkohë që, shumica e shtetasve të Kosovës, me përkatësi etnike shqiptare, e shikojnë me "dyshim" Kushtetutën tonë. Kushtetuta e miratuar e Republikës së Kosovës, që mishëron Planin Ahtisari, si themel ligjor të shtetit tonë, ndjell pakënaqësi si te shqiptarët, ashtu edhe tek etnia serbe që jeton në Kosovë. Sidoqoftë, shifrat dhe përqindjet në totalin e popullsisë nuk përbëjnë argument, e vërteta nuk vendoset prej saj. Serbët e Kosovës janë koshientë e të bindur historikisht, se janë banorë, qytetarë të një treve jo serbe. Kjo koshiencë i nxiti jo pak prej tyre që, gjatë luftës së Kosovës, të braktisnin shtëpitë dhe pronat e tyre, për të shkuar në Serbi. Pasiguria e luftës dhe gogolizimi i shqiptarëve nga propaganda dhjetëvjeçare e Beogradit, shtyu bashkëjetuesit dhe fqinjët tanë të kahershëm e, në mirëkuptim dhe bashkëjetesë, të ndërrojnë kahje në qëndrimin ndaj shqiptarëve.

Mendoj se emocionet e një bashkësie nacionale, në kushtet kur shndërrohet politikisht e shtetërisht nga mazhorancë në minoritet janë përligjur moralisht. Por nuk mund të mbrohen e të justifikohen ligjërisht. Qytetarët serbë të shtetit të Kosovës, duke filluar nga Mitrovica, në veri të Ibrit dhe deri në afërsi të Prishtinës, janë "viktima" të propagandës nacionaliste dhe të donacioneve të Beogradit. Ideja e krijuar nga këto të dyja i shtyn qytetarët serbë të Kosovës të mos pajtohen e të kundërshtojnë njohjen e shtetit të pavarur të Kosovës dhe ushtrimin e pushtetit të këtij shteti.

Me hartimin dhe miratimin e Kushtetutës së Republikës së Kosovës, në zbatim të Planit Ahtisari, shumica dërrmuese e popullsisë shqiptare të shtetit tonë u pajtua dhe e miratoi statusin preferencial të serbëve e të etnive të tjera në Kosovë. Shqiptarët, 90% e banorëve të Kosovës, u pajtuan me Kushtetutën, që, faktikisht diskriminon "pozitivisht" pakicat. Të diskriminuar "pozitivisht", këto pakica, aktualisht në kundërshtim me ligjin themelor të shtetit, Kushtetutën, kërkojnë më tepër. Pa hyrë në logjikën e shtetarëve beogradas dhe as në masën e ndikimit të tyre mbi qytetarët kosovarë të shtetit të Kosovës, të përkatësisë etnike serbe, dua të them se e sotmja dhe e ardhmja më e mirë e këtyre qytetarëve është e garantuar vetëm në shtëpitë dhe pronat e tyre, që shteti ynë i ri ua garanton. Kjo garanci lidhet vetëm me dy kushte:

-Të njohin e të pajtohen me shtetësinë e shtetit të Kosovës.

-Të respektojnë dhe t‘i binden ligjit, pushtetit të këtij shteti.

Mbajtja parasysh dhe respektimi i këtyre dy kushteve u siguron të gjithëve statusin e qytetarisë që njihet, respektohet e zbatohet ligjërisht e moralisht nga të gjitha shtetet demokratike të botës.

Qytetaria, që lidhet me njohjen dhe respektimin e një shteti të caktuar, nuk i bie aspak ndesh shfaqjes dhe ekzistencës së begatë të etnive në varësi të kontributeve në kuadër të këtij shteti. Shembull më domethënës për këtë janë SHBA-të. Një konglomerat etnish përbëjnë qytetarët e kësaj superfuqie, që, kur ndodhen brenda kufijve të SHBA-së nuk hezitojnë, madje "nxitohen" të prezantohen me prejardhjen etnike, por jashtë këtyre kufijve thonë vetëm: "Unë jam amerikan"! Uroj që një dukuri e tillë të shfaqet dhe të sundojë edhe mbi të gjithë qytetarët e shtetit të Kosovës, pavarësisht nga përkatësia etnike. (G. Shqip)
Shtuar më 24/11/2008, ora 22:19
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori