Shtatë vite pritje
Albeu.com
nga Xhevdet PozhariPolitikanët e përgjegjshëm dhe të ndërgjegjshëm, bëjnë vepra të mira për popullin e vetë pa pasur nevojë për marrëveshje të nënshkruara mes veti. Ata të pamarrunit veshtë, nënshkruajnë mes veti marrëveshje.E marrëveshjet mes palëve politike, shpeshherë janë vetëm listë që ua rikujton politikanëve se ku nuk duhet t’i lëshojnë pe palës tjetër. Ndoshta e tillë është edhe Marrëveshje e Ohrit, e cila u nënshkrua para plotë shtatë viteve dhe në fillim ishte shpresë e madhe për shqiptarët e Maqedonisë, pastaj morri përmasat e pritjes që të realizohet, e kohëve të fundit thuajse nuk është asgjë tjetër përpos edhe një sintagmë më shumë në fjalorin e politikanëve të këtushëm. Marrëveshja e Ohrit është edhe hije që shtrihet mbi Maqedoninë që nga dita e nënshkrimit të sajë, ajo është edhe “përmendore” e vetme të cilës deklarativisht i përkulen edhe “mbrojtësit” e etnitetit maqedonas edhe “çlirimtarët” shqiptarë, pjesëtarë të UÇK-së së dikurshme.

Marrëveshja e Ohrit shpëtoi Maqedoninë nga shpërbërja e saj. Ajo duhej të ishte udhëtreguese nga duhet të ecë në të ardhmen ky shtet. Por, pas nënshkrimit të saj, çdo gjë u zhvillua ashtu siç i ka hije Maqedonisë, këtij shteti që ngadalë bëhet i padurueshëm për qytetarin e rëndomtë, por njëkohësisht parajsë për politikanët e gjindshëm që nënshkruajnë mes veti marrëveshje, të cilat nuk i respekton askush. Andaj Marrëveshja e Ohrit u bë parullë fitimprurëse gjatë fushatave parazgjedhore për partitë shqiptare, e për ato të etnitetit maqedonas emërtim që duhet heshtur.

Sa i përket Marrëveshjes së Ohrit, qysh pas nënshkrimit të saj, ende pa u thar ngjyra e stilolapsave, disa nga nënshkruesit, publikisht thoni nese ajo është e dëmshme për Maqedoninë. Dhe pohonin se kjo Marrëveshje shënon fillimin e federalizmit të Maqedonisë. Menjëherë pas nënshkrimit të sajë, pjesa më e madhe etnitetit maqedonas, atë e përjetoi si dokument që shënon dështimin e tyre, ndërsa shqiptarët e ndjenin si shenjë të një fitoreje gjatë vite të ëndërruar. Kështu që, nga viti 2001 e deri në zgjedhjet parlamentare të 2002, partitë politike maqedonase e shqiptare, thuajse u humbën në përkthimin e sajë, dhe nuk bënë asgjë për implementimin e pikave që ishin obliguese dhe kishin afate të caktuar që të realizoheshin.

Me ardhjen në pushtet të koalicionit qeveritarë LSDM-BDI, në vitin 2002, gjërat filluan të lëviznin. Por, thuajse vetëm aq sa u nevojitej qarqeve maqedonase t’i dëshmonin botës se nuk kanë harruar obligimet që kanë marrë përpara institucioneve ndërkombëtare. Pra, vetëm aq sa të hapen dyert për Maqedoninë të merrte statusin e kandidates për anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe kandidate për anëtarësim në NATO. Gjë që i çoi shqiptarët e këtushëm të mos jenë aq të vëmendshëm se sa realizohej kjo Marrëveshje dhe të kënaqen me realizimin e idealit për bashkim mbarëkombëtarë në Evropën pa kufij.

Por, pas ardhjes së sërishme në pushtet të koalicionit qeveritarë VMRO-DPMNE-së dhe PDSH-së, përnjëherë doli në sipërfaqe se ende janë të gjalla ambiciet që kjo marrëveshje të asgjësohet. Kështu që pushtetarët e VMRO-DPMNE-së dhe ato të PDSH-së, filluan të manipulonin edhe me parimin e Badinterit, duke ua ndërruar përkatësinë etnike anëtarëve të Komitetit për Marrëdhënie Ndëretnike, gjithë me qëllim që të minimizonin ndikimin e faktorit politik shqiptarë në sjelljen e ligjeve për të cilat kërkohej votim i dyfishtë.

Pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të këtij viti, Marrëveshja e Ohrit sërish bëhet aktuale. Ndoshta për shkak se në koalicionin qeveritarë, tani erdhi partia e Ali Ahmetit, partia e atij që i gjunjëzoi institucionet shtetërore në vitin 2001 dhe për here të parë i detyroi forcat politike të etnitetit maqedonas të pranonin palën shqiptare si partner të barabartë, e jo si asistent të dëgjueshëm në skenën politike të Maqedonisë. Pra, në koalicionin qeveritarë është partia e cila si asnjë tjetër, e ka për obligim të arsyetojë luftën e 2001 me realizimin e plotë të kësaj Marrëveshjeje.

Si di do rrjedhin punët më tej rreth realizimit të Marrëveshjes së Ohrit, është herët të paragjykohet. Ajo që mund të thuhet që tani, është e vërteta se qarqet politike maqedonase edhe më tej do bëjnë çmos që ajo të mos realizohet dhe të ngadalësohet implementimi i saj. Kështu që BDI-ja e Ali Ahmetit nuk do e ketë të lehtë të rrumbullakojë realizimin e kësaj Marrëveshjeje. Dhe do i duhet shumë mundim të bindë partnerin e vetë qeveritarë maqedonas se kjo Marrëveshje që tani i ngjanë një dokumenti të vjetruar, të mbetur jashtë realitetit të kësaj shoqërie. Dhe se kjo ndodhi shkaku se ata që duhej atë ta zbatonin, nuk e kuptuan me kohë se kjo Marrëveshje qëndron mbi dy shtylla bartëse të shtetit multietnik të quajtur Maqedoni: nga fryma e saj, dhe pikat konkrete që duhet te shndërrohen në ligje dhe zgjidhje juridike. Pra, Marrëveshja e Ohrit, ka frymën e sajë afatgjate dhe pjesët konkrete që duhej të realizoheshin vite më parë.

Duke mos e respektuar frymën e saj, që nënkupton përparimin e pandërprerë të marrëdhënieve ndëretnike në Maqedoni, duke mos realizuar në afatet e caktuara përcaktimet që dilnin nga kjo Marrëveshje, Maqedonia e humbi hapin me kohën dhe tani asaj thuajse i nevojitet një Marrëveshje e re e Ohrit, e cila do e plotësojë atë të 2001. Marrëveshje që do përcaktojë edhe zgjidhjet kushtetuese që kanë të bëjnë me të drejtën e shqiptarëve të jenë bartës të funksioneve më të larta shtetërore dhe do pamundësojnë majorizimin etnik kur bëhet fjalë për zgjedhjen e kryetarit të shtetit, kryeparlamentarit dhe kryeministrit.

Pa dyshim se e sotmja e Maqedonisë është përplot marrëveshje shqiptaro-maqedonase, të cilat vështirë realizohen. E kjo tregon atë se ky shtet udhëhiqet edhe nga politikanë që vështirë marrin veshtë dhe e kuptojnë se fati i këtij shteti nuk varet vetëm nga vullneti i një etniteti, por nga ajo se sa të gjithë atë e ndjejnë si të vetin. Andaj, ata që ia duan të mirën këtij shteti, duhet ta kenë kuptuar deri më tani se shtatë vitet e kaluara të Marrëveshjes së Ohrit, tregojnë se ky shtet ende nuk e ka definuar qartë të ardhmen e vet si shtet multietnik. (Lajm)
Shtuar më 13/08/2008, ora 18:16
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori