Shqiptari i Shkupit kryetarë komune në Turqi
Albeu.com
nga Bekim BuçiKryetari i komunës “Osmangazi” Rexhep Altepe është me origjinë shqiptare. Familja e tij në vitin 1927 nga Gazi Baba e Shkupit ka emigruar për në Turqi. Komuna Osmangazi në vitin 2005 është vëllazëruar me komunën e Çairit dhe brenda tre viteve bashkëpunimi ka qenë mjaft i kënaqshëm

-Lajm: Na thoni për bashkëpunimin mes komunës Osmangazi dhe komunës së Çairit për këto tre vite ?
-Altepe: Binjakëzimi mes dy komunave tona ka për qëllim afrimin e popujve, afrimin vëllazëror, dhe afrimin e botëkuptimeve dhe kulturave. Koha e monizmit ka shkaktuar ndarje aq të thella të cilat janë shndërruar në situata dramatike. Prandaj në këto kushte të sotme të mira, bashkëpunimi ynë dhe aktivitetet e ndërsjella mund të sjellin përforcimin e marrëdhënieve tona vëllazërore. Në kuadër të këtij bashkëpunimi kemi filluar edhe aktivitetet konkrete ?

-Lajm: Cilat janë ato aktivitete ?
-Altepe: Synimi ynë ka qenë që ky binjakëzim mos të mbetet në letër por të realizohet në aktivitete konkrete. Aktivitetet konkrete filluan në planin social, kulturor dhe humanitar. Gjatë javës së ashures organizuam një aktivitet me shumë shoqata dhe organizata që veprojnë në Shkup dhe që janë në kuadër të kësaj komune. Pastaj realizuam aktivitetin e synetimit me “El Hilal”-in. Me “Ensar”-in kemi realizuar një koncert me valle dhe muzikë burimore dhe gjithashtu kemi realizuar edhe vizita të ndërsjella, vizita të monumenteve historike këtu dhe në Bursë. Ne po ashtu miratuam disa kërkesa të komunës së Çairit rreth kultivimit të vlerave të monumenteve të vjetra në trashëgiminë kulturore.

-Lajm: Cilat objekte u rindërtuan gjatë kësaj periudhe ?
-Altepe: Filluam me rindërtimin e xhamisë Qebir Mehmet Çelebi në Shkup. Para kësaj patëm edhe dy projekte që i përgatitëm në mënyrë profesionale për dy monumente kulturore, xhaminë e Hatunxhikit dhe xhaminë e Arastës. Xhaminë e Hatunxhikit e cila daton nga shekulli XXVI e filluam vitin e kaluar dhe sivjet e përfunduam. Kemi projektin për xhaminë e Arastës. Sivjet do të vendosim gurthemelin e xhamisë së Arastës, objekt i cili kërkon një rikonstruktim prej themelit. Në Këshillin tonë komunal miratuam përkrahjen financiare për xhaminë e Arastës dhe përkrahjen e bamirësve nga Bursa. Kontribuuam për ndërtimin e xhamisë së re në lagjen Butel. Planifikojmë që në hyrje të Çarshisë së Vjetër përballë Bit Pazar ku sot është ndërtuar Porta e Çarshisë aty në afërsi ta rindërtojmë Tyrben e Meta Babës i cili ka qenë çlirues i Shkupit. Kemi dëshirë që në një qosh të Çarshisë të ndërtojmë një çezme, që do të simbolizojë këtë bashkëpunim.

-Lajm: Sa janë të interesuar biznesmenët turq të investojnë në komunën e Çairit ?
-Altepe: Ne i sensibilizojmë biznesmenët që të vijnë, ta vizitojnë Shkupin, komunën e Çairit dhe i nxisim për investime ekonomike. Ja për shembull në këtë aktivitet me ne ka ardhur edhe një grup biznesmenësh nga Shoqata e Rumelive në Bursë të cilët do të shohin partneritetet për bashkëpunim në sferat ekonomike.

-Lajm: Meqë jetojnë shumë shqiptarë në Bursë me prejardhje nga Maqedonia, a mund të nxiten ata që ta vizitojnë sa më tepër Shkupin, gjegjësisht Çarshinë e Vjetër ?
-Altepe: Kjo nuk varet vetëm prej nesh. Në këtë drejtim do të bëjmë përpjekje maksimale që të kontribuojmë sa më tepër qytetarë nga Bursa, në veçanti sa më tepër njerëz që janë me prejardhje prej këtyre trojeve, ta vizitojnë Shkupin. Por, iniciativa duhet të ketë edhe këtu. Duhet t’i shohim të gjitha mundësitë për gjallërimin e turizmit, se si të tërhiqen njerëzit nga Bursa. Duhet të lidhen kontakte. Ne do të jemi si një urë sa i përket kësaj.

-Lajm: A ndjeheni më tepër si shkupjanë, meqë jeni me origjinë nga Shkupi ?
-Altepe: Po. Unë personalisht jam emocionalisht i lidhur me Shkupin, si njeri i cili e ka prejardhjen nga Shkupi. Përmes aktiviteteve që i realizoj në kuadër të këtij bashkëpunimi me Çairin, jap kontribut në ringjalljen për kultivimin e vlerave tona që në këto treva kanë ardhur nëpërmjet njerëzve që e kanë përhapur kulturën dhe civilizimin islam. Ndjehem krenar dhe i lumtur që kontribuoj në këtë drejtim për Shkupin tim, kulturën dhe civilizimin tim.

-Lajm: Sa arrijnë ta ruajnë identitetin e tyre shqiptarët në Bursë ?
-Altepe: Kemi disa origjinalitete në kulturën tonë. Kemi shoqatat tona që veprojnë në kuadër të ligjit në Turqi dhe shumë aktivitete tradicionale që i realizojmë këtu dhe në Turqi. Ajo që është Shkupi, është edhe Bursa sot, duke marrë parasysh se shumë njerëz me prejardhje shqiptare jetojnë në Bursë.



Në Bursë jetojnë 700 mijë shqiptarë
Altepe thotë se s’ka të dhëna për numrin e banorëve me prejardhje shqiptare por ka të dhëna për përqindjen e banorëve nga Ballkani që jetojnë në komunën Osmangazi. Sipas tij, shifrat flasin se mbi 62 për qind të banorëve në këtë komunë janë nga Ballkani që do të thotë se një pjesë bukur e madhe e tyre janë me origjinë shqiptare. Ai shton se se sipas disa supozimeve 30 për qind e mbi 2 milionë banorëve të Bursës janë me prejardhje shqiptare. Nga kjo del se në Bursë jetojnë 700 mijë shqiptarë.


Thika shqiptare
Në vitin 1927 familja e Rexhep Altepes është shpërngulur nga Gazi Baba në Bursë. Në vitin 1929 babai i tij ka lindur në Bursë, ndërsa ai ka lindur në vitin 1959 po ashtu në Bursë. Gjyshi i tij ka qenë me profesion thikaxhi që do të thotë se ka bërë thika. “Te ne thuhet “thika shqiptare” (arnaut çakësë)”, thotë Altepe. Ai rrëfen se babai i tij këtë zanat e ka trashëguar në Bursë. Altepe thotë se edhe ai e ka mësuar këtë zanat në fillim e me pas ka vazhduar shkollimin dhe është bërë inxhinier i makinerisë. Tani katër vite Altepe është kryetar i komunës së Osmangazit që numëron mbi 800 mijë banorë dhe është komuna më e madhe në Bursë.
Shtuar më 05/05/2008, ora 22:56
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori