Shqiptareve u duhet paqja e jo lufta!
Albeu.com
nga Bardhyl MahmutiKomunikata Nr.1 e UÇK-së ka nxitur reagime të shumta me tendencë të zhvendosjes së vëmendjes nga gjeneratori i vërtetë i kësaj krize: Qeveria e Maqedonisë.
Stigmatizimi i bartësve të kësaj komunikate si nxitës konfliktesh mund të inkurajojë forcat antishqiptare të Maqedonisë që të ndërmarrin aksione të përmasave të gjëra kundër popullit shqiptar. Aq më tepër kur dihet botërisht se inskenimet e preteksteve kanë qenë dhe janë mjeshtri e autoriteteve të Shkupit.

Vazhdimi i politikës antishqiptare dhe përbuzja që i bëhet rrezikut të shpërthimit të një konflikti të ri nga ana e Qeverisë së Maqedonisë dëshmojnë se ata janë të interesuar për një konflikt të tillë.

Meqenëse nuk ka kontakte drejtpërsëdrejti, Bashkimi Demokratik Shqiptar u bën apel publik bartësve të kësaj komunikate që të analizojnë drejtë situatën dhe të mos bien pre e kësaj politike nxitëse.

Përkundër pakënaqësive të mëdha që mbretërojnë te populli shqiptar në Maqedoni, përkundër faktit se populli shqiptar në Maqedoni është populli më i shtypur dhe më i diskriminuar në Evropë, përkundër revoltës së madhe që mbretëron te shumë viktima të diskriminimit racial që aplikohet në Maqedoni popullit shqiptar i duhet paqja e jo lufta! Lufta nuk bëhet as për inat të dikujt e as për hatër të dikujt! Ajo bëhet kur të gjitha rrugët politike janë të mbyllura dhe kur nuk ka rrugë tjetër.

Bashkimi Demokratik Shqiptar ka bindjen e thellë se problemet politike mund të zgjidhen përmes mjeteve politike.

Përballë një situate plot rreziqe dhe me pasoja të pallogaritshme Bashkimi Demokratik Shqiptar konsideron se është moment i fundit që forcat politike shqiptare t’i lënë inatet personale dhe të shtrinë dorën e pajtimit. Ne jemi të gatshëm t’ju shtrimë dorën të gjithëve. Të bashkuar mund t’i japim shanse zgjidhjeve politike dhe të mos çojmë ujë në mullirin e politikës antishqiptare të Shkupit.

Bashkimi Demokratik Shqiptar ka bindjen e plotë se vetëm të bashkuar mund të realizojmë të drejtat tona, të riparojmë, aq sa është e mundur, dëmet e shkaktuara nga politika e kaluar dhe të evitojmë masakrat që po përgatiten në kuzhinën antishqiptare të Shkupit.
Shtuar më 04/05/2010, ora 10:54
Tage: arkiv

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori