Shqiptaret nuk i shpetojne dot Turqise
Albeu.com
Duket se Turqia për shkak të lehtësive e thith më lehtë kontingjentin shqiptar, që kërkon të shpenzojnë jashtë vendit. Kurse tashmë do të jetë një pjesë e tregut të Lindjes që do të kërkojë që të zbulojë Shqipërinë dhe të shpështjellë atë kureshtjen e viteve të pafundme të izolimit dhe më shumë të turbullirave, që ndoqën vendin tonë pas viteve ’90
Është pak a shumë e njohur skema sesi pasqyrohet trendi nga ana e politikës shqiptare të turizmit. Nxirren shifrat e fryra nga ana e pikave doganore, ndërsa një ose dy artikuj për mirë apo për keq nga organe prestigjioze të huaja përdoren për të treguar sesi është rritur apo jo turizmi kombëtar. Në fund, ‘të gjithë’ duken të kënaqur... Në këtë qerthull, operatorët shqiptarë të turizmit, për të cilën kjo punë lidhet me mbijetesën, nuk kanë kohë të humbin. Ndërsa në kurriz të tyre vuajnë pafund telashet që u sjell politika dhe mbarëveprimi jo i rregullt i strukturave të qeverisë qendrore me ato lokale dhe kështu me radhë.

“Trendi i këtij viti vazhdon që të jetë Turqia/Antalya. U duk sikur nuk do ishte kështu por u konfirmua dhe një herë që ky është një destinacion i fortë që do i rezistojë kohës. Gjithashtu me heqjen e vizave kroate një numër i madh pushuesish po niset të pushojë drejt brigjeve të Kroacisë”, thotë Sava Bardhi, kryeadministratorja e Sava Tours. Gjuha dhe ankimi i operatorëve turistikë shkon gjithmonë tek një nga problemet më të mëdha dhe që e konfirmojnë dhe operatorë të tjerë, por që ngurrojnë, ndryshe nga Znj. Bardhi, që nuk heziton për të treguar. Flitet për vizat dhe një nga premtimet më bajate të politikës, që e ka shoqëruar Shqipërinë në këto kohë tranzicioni të pafundmë. E, ndërsa Shqipëria vetë është treguar dashamire, kjo nuk duket aspak për shembull me fqinjët e saj: serbët dhe boshnjakët, që duhet thënë se megjithëse Shqipëria e ka aplikuar pa asnjë problem ata e kanë bllokuar afrimin e shqiptarëve në drejtimin e tyre. Një mësim, që duket se e kaloi Kroacia duke ditur fuqinë e një tregu në dukje të vogël, por që nuk mund të quhet më krejt anonim.

Në këtë logjikë, politika shqiptare ka luajtur pak rol, për të mos thënë atë me negativen. Duke folur më hapur, edhe premtimet apo veprimet e gjithë zyrtarëve të turizmit, janë dukur shumë më të vogla se vetë pozicioni i tyre. Falë punës së tyre të pamjaftueshme, paçka se në të shumtën e herës, ata kanë qenë thjesht në pozicione inekzistente, pamundësia për të udhëtuar e shqiptarëve, ka bërë që ata të vuajnë padrejtësisht dhe mbi të gjitha tregu i saj të punojë... me një masë të vogël. Nga kjo, paçka problemeve të mëdha që kanë, duket se ka përfituar tregu tradicional i turizmit grek dhe malazez dhe po ashtu dhe ai maqedon. Shqiptarët e kanë më lehtë, që të udhëtojnë në këto vende dhe kjo ka bërë që këta të fundit mos të jenë më aq neglizhentë ndaj shqiptarëve. “E para dhe më e rëndësishmja janë vizat. Tregu shqiptar është një treg potencial edhe pse jemi një vend i vogël por dëshira për të udhëtuar është e madhe. Mungesa e vizave bën që oferta në treg të jetë e limituar dhe kërkesa e madhe”, thotë shefja e njërës prej kompanive më institucionale në këtë fushë.

Nga ana tjetër kjo ka rritur koston e pushimeve dhe andrallat për të plotësuar një dokumentacion shumë të komplikuar, ndërkohë që në kushtet e sotme kjo është krejt e pavolitshme. Nuk mungojnë rastet dhe që kur ky proces përfundon, atëherë shumë nga kompanitë shqiptare kanë treguar se janë larg faktit, që t’i mundësojnë gjërat ashtu si e mendon. Shumë prej tyre syresh janë fare indiferente dhe nuk tregojnë në vazhdimësi kujdesin ndaj klientëve të tyre. Kur i kërkon prononcim për këtë problem ato rrudhen dhe më shumë akoma, kanë një tendencë të mos përgjigjen: për të mos thënë që edhe të atakojnë. A ia vlen të përmendet? Më mirë :Jo. Në fakt, ka kohë që vetë publiku e ka bërë zgjidhjen e tij dhe gjithnjë e më shumë, po i largohet. Duke marrë shembullin sërish te Sava Tours, që duket krejt me një regjistër tjetër për këtë punë, merr këtë përgjigje: “Sigurisht se qëllimi ynë është që të perfeksionojmë shërbimin që nga momenti i parë që një pushues prenoton e deri ditën që ai kthehet. Kjo duke forcuar infrastrukturën si në Shqipëri si edhe në vendin pritës me guida profesioniste dhe me gjetjen e një produkti sa më të përshtatshëm. Sigurisht që pa risi një kompani është si një makinë që ecën për inerci dhe me motor të fikur. Katalogët, web site-i,futja e destinacioneve dhe programeve të reja janë pjesë e risive tona”, thotë Z.Bardhi, që mëton se me biznesin e saj ka nxjerrë dhe një fytyrë ndryshe të Shqipërisë.

Tashmë nuk ka ndonjë kuriozitet më aq të madh për Shqipërinë dhe duket se këto shifra marramendëse të ardhësve prej Perëndimit me kohë do vinë duke u fashitur. Pak kohë ma parë, ishte seksioni ynë i Turizmit, që kishte ndërmend një prirje të re dhe shumë pozitive duke drejtuar fushata promocionale televizive për tërheqjen turistike që ofron vendi ynë për shtete të tilla si Polonia, Çekia, Hungaria, Rusia, Bosnje Hercegovina etj. Madje zyrtarët e Ministrisë sonë ishin të bindur se kriza nuk do të mund që edhe këtë vit ta prekë këtë sektor, pasi, operatorët turistikë shqiptarë do të ofronin çmime konkurruese me vendet e rajonit, duke tërhequr kështu më shumë turistë të huaj. Në fakt, rihapja e Autostradës së Kosovës si edhe një strukturë rrugësh më e përmirësuar, nuk kanë rregulluar ndonjë gjë më shumë dhe kanë treguar açik se ato janë ende shumë larg kërkesave të turizmit bashkëkohor. Shqipëria, duket se izolimi prej pesë dekadash, do t’i japë për inerci akoma kureshtjen e vizitorëve. Në këtë logjikë, të parët që kanë dhënë përgjigje janë vetë shqiptarët, që kanë vendosur të shpenzojnë dhe më vonë t'i derdhen kursimet e tyre, vendeve të huaja. Nuk është më shkaku (siç pretendohet nga zyrtarët), që shqiptarët kanë qenë të izoluar (pa e mohuar këtë), por nevoja për t’i kaluar sa më mirë këto pushime.

Duket se Turqia për shkak të lehtësive e thith më lehtë kontingjentin shqiptar, që kërkon të shpenzojnë jashtë vendit. Kurse tashmë do të jetë një pjesë e tregut të Lindjes që do të kërkojë që të zbulojë Shqipërinë dhe të shpështjellë atë kureshtjen e viteve të pafundme të izolimit dhe më shumë të turbullirave, që ndoqën vendin tonë pas viteve ’90.
Në fakt ka ende shpresë, sado që e vakët për vazhdimësinë. Për shembull në raportin e përvitshëm të Forumit Ekonomik Botëror, për konkurrueshmërinë e industrisë së turizmit dhe atë të udhëtimeve, nga 42 shtete evropiane të përfshira në ketë studim, Shqipëria pozicionohej në vendin e 39 duke lenë pas Armeninë, Moldavinë dhe vetë Bosnje-Hercegovinën. Mënyra e llogaritjes së këtij indeksi lidhej me faktin që duhej për të vlerësuar 3 tregues atë të kuadrit rregullator për industrinë e turizmit, zhvillimin e infrastrukturës dhe kapacitetin e burimeve njerëzore dhe natyrore. Për hir të së vërtetës dhe me këto tregues, pozicionimi i turizmit shqiptar mbetej ende shumë larg, referuar specialistëve. Të mos harrojmë shkatërrimet e mëdha në bregdet, bash në periudhën e plazhit dhe çështja maratonë e titujve të pronësisë, e cila tregonte një parregullsi të tërë, dhe që e cila e rendiste Shqipërinë në vendin e 126-të në nivel ndërkombëtar.

Sipas specialistëve, fati i turizmit shqiptar është se ia ka dalë të jetë i hapur dhe tepër mirëkuptues për pritjen e turistëve të huaj, nga të cilët Shqipëria mban vend të mirë.
Por ky vend i mirë, duket se nuk do të mbahet dhe për shumë kohë. Pak kohë më parë, në një intervistë, një nga autoritetet e turizmit, Jak Topuzi, President i Sektorit të Akomodimit, në Shoqatën Shqiptare të Turizmit do të shprehej: “Aktualisht bizneset shqiptare te hotelerisë dhe restoranteve, që aplikojnë regjimin e TVSH-së, nuk mund të thuhet se ofrojnë shërbime me çmime konkurruese për të njëjtën cilësi shërbimi krahasuar me fqinjët apo vendet e tjera evropiane”.

Kjo logjikë do të thoshte se taksa e TVSh-së prej 20 për qind në Shqipëri, për çmim dhome, krahasuar me Turqinë (8 për qind), Greqinë (6-9 për qind), Malin e Zi (7 për qind), Italinë (10 për qind), Francën (5.5 për qind), Maltën (5 për qind) etj., ishte gati 200-400 për qind më e lartë. E krahas TVSh-së, taksat lokale si 5 për qind e çmimit të fjetjes në hotel, pagesat relativisht të larta të transaksioneve bankare (komisioni për kartat e kreditit 2-4.5 për qind), çmimi i energjisë elektrike, karburantit për ngrohje etj., e bëjnë sektorin e hoteleve të diskriminuar. E njëjta situatë paraqitet dhe me restorantet, do të shkruante një e përditshme. Ndaj, duhej që shteti të ishte efikas, por deri kur...

“Pjesë e politikave mbështetëse e qeverisë për industrinë turistike, duhet të jetë dhe rishikimi i nivelit të TVSh-së për hotelet dhe restorantet. Argumentimet për një TVSH të reduktuar për hotelet dhe restorantet në Shqipëri bazohen në praktikën që po ndjek BE-ja për sistemin e TVSh-së së reduktuar në vendet anëtare të saj”, konkludonte Topuzi.

Nga zhvillimet e viteve të fundit, kujtojmë se hotelet e tashmë edhe restorantet në vendet e BE-së, sipas direktivave të Komisionit Evropian (Direktivës 2006/112/EC), mund të jenë subjekt i TVSh-së reduktuar, (Për shembull 20 nga 27 vendet e BE-së duhet sqaruar se kanë një TVSh më të vogël ose baras me 10 për qind për hotelet, kryesisht ato të Mesdheut). E kjo duke iu referuar Shoqatës së Operatorëve Turistikë, takimi i Këshillit Evropian për Heshtjet e Ekonomisë dhe Financave në Bruksel më 10 mars 2009 u ka dhënë dritën jeshile shteteve anëtare të aplikojnë TVSh-në e reduktuar dhe për sektorin e restoranteve.

Me pak fjalë, çmimi i hoteleve duket se mbetet faktori kryesor për konkurrueshmërinë turistike. Dhe, për fatin e saj, duhet thënë se Turqia e ka zgjidhur shumë më mirë se të tjerët. Falë një mbështetje nga shteti, me anë të politikave të saj, ajo është në avangardë të turizmit mesdhetar dhe duke bërë që t’i heqë edhe tregut vendas një masë të mirë pushuesish, që mund të derdhnin paratë në vendin e tyre. E për këtë duhet ngjallur shteti dhe politikat që duhet të zbresin direkt në tokë për t’u zbatuar. Përndryshe është e pamundur. Dhe, sot, mot dhe në vitet që do të vinë, shqiptarët do të duan që t’i derdhin paratë e tyre tutje larg vendit të tyre, që në përgjithësi nuk e njohin aspak.
Anipse për shtetin, dihet se ai sërish në fund të sezonit do të vazhdojë me bilancet pozitive, dhe me shifrat e marra nga pikat doganore, por pa treguar askurrë me imtësi tendencat dhe pse shqiptarët preferojnë sërish të shkojnë për pushime...gjithmonë jashtë vendit të tyre. (Mapo)
Shtuar më 25/07/2010, ora 11:27
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori