Shqiptaret i njohin keta skenare serbe – te vret naten dhe te qan diten
Pëlqej
Albeu.com
nga Abdylaqim AdemiNë periudhën e fundit në Maqedoni kanë ndodhur disa ngjarje edhe atë si në shirit filmi. Në të gjitha këto ngjarje duket shumë qartë një qendër e cila i koordinon të njëjtat.Që nga atentati ndaj Komandant “Ilirit”, ngjarjet në Vaksincë, ai në afërsi të Tanushës, vendimi i Gjykatës kushtetuese, rastet në fshatin Odër dhe të gjitha akuzat e deritanishme nga ana e PDSH-së kanë një qendër. Ajo për të cilën të gjithë duhet të jemi të kujdesshëm dhe të sqarojmë, me qëllim që të mos bëhemi pjesë e skenarit të përgatitur në atë qendrën, është që të gjithë këto skena dhe ngjarje bëhen në dëm të shqiptarëve. Skenaret e të gjithë këtyre ngjarjeve u ngjajnë shumë atyre të serbëve që kanë bërë në histori, skenarë të tillë që montojnë ngjarje për t`ua mveshur pastaj të tjerëve. Këto skenarë janë sipas parimit “vrite natë dhe qaje ditën”. Këtë parim ose strategji mundohet ta zbatojë edhe pushteti aktual i ndihmuar nga PDSH-ja, megjithatë imitimi gjithmonë është një kopje e zbehtë e origjinalit. Kjo nuk është shumë tragjike, ajo që e bën tragjik këtë është instalimi i metodave të Milosheviqit tek shqiptarët nga shërbimi i sigurimit shtetëror dhe të ndihmuar nga shqiptarët. Më kujtohet kur isha studentë në Kosovë, kur serbët e detyruan një serb që një shishe bire ta fuste diku, që më pas ti akuzojë shqiptarët se e kanë bërë, mirëpo nuk deshi fati që ai të qëndrojë deri në fund dhe e tregojë rasti ashtu siç edhe ka ndodhur dhe kush e ka porositur. Ai dëshmoi se gjurmët megjithatë nuk fshihen të gjitha!


Tragjikomedia e quajtur preskonferencë


Pas këtyre ngjarjeve që ndodhëm tek ne, dëgjuam edhe njërën nga konferencat për shtyp më absurde deri më tani. Ajo që e bën absurde këtë janë fjalët të cilët u thanë aty. Nëse ai ende nuk e ka kuptuar, duhet ta dijë se ka kaluar një vit që janë në pushtet, kurse çështje tjetër është se sa ndikim kanë në ushtrimin e pushtetit. Partia e cila pretendon se është në pushtet, nuk i takon të mbajë konferenca në të cilat do të lëshojë akuza të pabazuara, por ajo duhet të sqarojë si dhe pse ndodhin këto ngjarje. Të sqarojë para shqiptarëve pse vriten shqiptarët, pse arrestohen ushtarët e UÇK-së, pse shqiptarët nuk mund të lëvizin dhe kush i vret ata. Me siguri papagalli e ka mësuar përmendësh tekstin që kur ishte në opozitë kur akuzonte se BDI-ja ka vrarë më shumë se 200 shqiptarë në Tetovë dhe tani e përsërit të njëjtin tekst. Herën tjetër nuk ka nevojë të fletë, por mund vetëm të thotë, unë nuk do të flasë sepse Ju e dini. Ata e kanë për borxh që para qytetarëve të sqarojnë gjithë ngjarjen dhe jo të dalin me deklarata ku akuzojnë oponentët politik. Të sqarojnë pse vetëm ngjarjet e shëmtuara që ndodhin te shqiptarët nuk zbardhen. Ai mendon se këtyre fjalëve të tyre u beson dikush, sa i mjerë është. Mos të ishte tragjike do të ishte qesharake, u bën apel deputetëve që mos ti vizitojnë rajonet e krizës! O zot, mere vesh këtë! Kjo tregon se ai dhe ata që e kanë porositur të lexojë deklaratën ende nuk e kanë kuptuar rolin dhe detyrën e deputetit. Edhe nëse deputetët e BDI-së kanë qenë në rajonet e krizës, ata vetëm se kanë bërë një punë normale që çdo deputet duhet ta bëjë. Nëse deputeti nuk i viziton zonat ku është zgjedhur, nëse nuk bisedon për problemet me banorët e atyre zonave dhe nuk i prezanton ato para institucioneve relevante, atëherë pse duhet të jetë deputet. Bile, ata kontaktet me qytetarët i quajnë ekskursion! Ndoshta ata presin që Ruzha e tyre ti vizitojë këto zona!


Homogjenizimi i shqiptarëve i pengon Gruevskit


Të gjithë tani më e kanë kuptuar se këto ngjarje nuk ndodhin rastësisht dhe pikërisht në këtë moment. Kjo periudhë është vendimtare jo vetëm për Maqedoninë, por edhe për rajonin, veçanërisht për vendosjen e statusit final të Kosovës. Gjithashtu të gjithë e dinë se definimi i statusit të Kosovës nuk i konvenon vetëm Serbisë dhe nga ana tjetër vetëm asaj i konvenon që në cilin do vend rreth Kosovës të ketë trazira dhe destabilizim të situatës së sigurisë. Periudha që pason është e rëndësishme edhe për anëtarësimin e Maqedonisë dhe Shqipërisë për në NATO, sepse Kroacia tani më e ka siguruar anëtarësimin. Edhe anëtarësimi i Maqedonisë dhe Shqipërisë në NATO nuk i konvenon Serbisë, por jo vetëm asaj. Prandaj edhe për ndarjen eventuale të Kosovës edhe për mospranimin e Maqedonisë në NATO fajtori duhet të gjendet tek shqiptarët. Në këto ngjarje ndikim ka edhe vendimi i Gjykatës kushtetuese për të abroguar disa dispozitat të Ligjit për përdorimin e flamurit, i cili tek shqiptarët u prit me reagim të ashpër dhe kolektiv, që në fakt homogjenizojë shqiptarët. Çdo unifikim dhe homogjenizim i shqiptarëve u pengon disa strukturave shtetërore. Nuk është koincidencë që gjithmonë për të përçarë shqiptarët shfrytëzohet struktura e PDSH-së, që nga viti `93 e deri më sot.


Skenarë për të mbuluar dështimin


Për të mbuluar dështimet, për të tërhequr vëmendjen nga këto dështime dhe stagnimin e procese integruese, qeveria aktuale prodhon ngjarje të cilat ndodhin në rajonet e banuara me shqiptarë. Bile takimi i fundit i Gruevskit me krerët e partive shqiptare që janë në “pushtet” ishte konsultime për emrin e shtetit, të krijohet përshtypje se për këtë koalicion ngjarjet e fundit nuk janë aspak shqetësuese dhe nuk ndikojnë në raportet e tyre në koalicion. Tani më në Maqedoni u bë realitet ajo që paralajmërohej nga shumë analistë dhe subjekte politike, se vendi do të futet në krizë të përgjithshme pas mosrespektimit të vullnetit politik të shqiptarëve nga ana e Gruevskit. Kjo krizë që tani më është evidente më nuk mund të sanohet as edhe me instalimin në qeveri të partisë e cila fitoj te shqiptarët. Sepse qëllimet dhe konceptet e partisë fituese te maqedonasit nuk janë të njëjta me përcaktimet e shqiptarëve që prezantohen nëpërmjet partisë fituese te shqiptarët. Shqiptarët nuk janë të tillë siç pretendojnë ti prezantojë Gruevski i ndihmuar nga strukturat e PDSH-së. Kjo amulli mund të zgjasë edhe pak, por një ditë do të sqarohet.

Botuar në gazetën “Fakti”, 6 nëntor 2007
Shtuar më 07/11/2007, ora 16:34
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori