Shqiptaret dhe Ballkani ne vitin 2010
Albeu.com
nga Milazim MustafaVitet nuk po ndalen në Ballkanin e lënur pas dore. Dikur qendër e vendimmarrjes botërore, sot provincë dhe gjithnjë e më lart qendrave të vendimmarrjes botërore.
Përveç problemeve të shumta ekonomike, me rritjen e viteve të kaluara, gjithnjë e më shumë rriten edhe problemet ndër-fqinjësore.

Një tokë pjellore që rriti dhe kultivoi çdo kulturë dhe civilizim. Mori elemente të secilës prej tyre dhe se po ta shikosh nga jashtë mund ta definosh si të duash, elemente edhe antike, edhe romake, edhe bizantine, edhe osmane, edhe komuniste, edhe evropiane edhe..., por në realitet po të ndalesh ta analizosh, do ta shohësh se në të nuk ka asgjë prej asnjërës prej tyre, gjithçka gjysmake, gjithçka me tendencë eksploatimi dhe shkatërrimi nga kulturat pasardhëse, me përjashtime shumë të rralla, ku hasim mbijetesë të frymave të ndryshme kulturore dhe civilizuese.

Ndonëse kemi shumë studiues që shohin dhe dallojnë një kulturë ballkanike dhe civilizim ballkanik, por edhe më të shumtë janë ata që nuk arrijnë të gjejnë asnjë pikë të përbashkët midis shumicës së popujve dhe shteteve ballkanike. Kemi një Greqi, që llogarit veten si patron i antikitetit, si diçka të shenjtë për ta, dhe se çdo kush që mundohet të prek diçka në të i “shpallet luftë”, këtë më së miri e ndjeu Maqedonia, me rastin e shprehjes së vullnetit për identifikim të vetes me periudhën antike. Kemi një numër të madh të shqiptarëve gjithashtu si popull i lashtë dhe vendas në këto troje, ku as për nga kombi, as për nga origjina, as për nga gjuha e feja nuk ka të përbashkët me fqinjët e vet gadishullorë. Pastaj një numër të madh të fqinjëve sllavë, të cilët përkundër origjinës së përbashkët, sot janë shtete të ndara, me gjuhë relativisht të ndryshme, me kisha të ndryshme, por edhe me mospajtime të shumta mes vete. Gjithashtu në studimet për Ballkanin, asnjëherë nuk guxojmë t’i lëmë jashtë turqit (dikur osmanlinj), popull ky i cili për afër 6 shekuj qeverisi me këtë gadishull, duke lënë gjurmë të pashlyeshme në historinë e tij.

Në këtë mixtum composum, hasim gjithçka dhe asgjë! Të gjithë këta popuj i bashkon ëndrra e përbashkët e të qenurit në Evropën e Bashkuar, projekt ky që dekadave të fundit është bërë opsesion i këtyre vendeve. Edhe pse disa prej vendeve Ballkanike jetojnë këtë ëndërr, por fati i të qenurit, njëkohësisht edhe në Evropë edhe në Ballkan, disi po ua mjegullon sytë, saqë problemet e bartura nga ballkanizmi nuk po i le të jetojnë të qetë ëndrrën evropiane. Si rastet e korrupsionit, ksenofobisë, por edhe problemet tjera ekonomike dhe sociale.

Vitin 2010 po e fillojmë me shumë probleme dhe me shumë sfida dhe shpresa. Si shqiptarë ndonëse të shpërndarë gati në të gjitha shtetet Ballkanike, vitin 2010 e kemi vit vendimtarë, sikur edhe gjithë vitet e kaluara. Sepse, për ne çdo vit është vendimtarë. Kështu do të jetë deri në realizimin e qind për qind të problemeve të pazgjidhura kombëtare.
Shpresojmë në një Shqipëri më të fortë ekonomikisht, më stabile politikisht dhe më aktive ndërkombëtarisht. Besojmë se investimet e shumta sidomos në infrastrukturë do t’i jap një pamje më serioze atdheut tonë. Por përkundër kësaj, çarjet e shumta pozitë opozitë mund të reflektohen si problem serioz në procesin e kandidimit për në BE. Sepse, mungesa e dialogut politik di shumë herë të bëhet shkas për kritika gjatë këtij procesi. Por, mos të harrojmë se deri tash Shqipëria ka luajtur një rol shumë të rëndësishëm në promovimin e pavarësisë së Kosovës. Këtë rol duhet ta luaj gjithnjë e më shumë edhe në vitin që vjen, sidomos në Organizatën e Konferencës Islamike, ku Shqipëria është anëtare. Gjithashtu shpresojmë që ky vit t’ia hap dyert Shqipërisë, sikur Kosovës dhe Bosnjës, për lëvizje të lirë të qytetarëve të tyre për në shtetet e BE-së.

Gjithashtu edhe Kosova, si shteti i dytë shqiptarë në Ballkan, sivjet, feston 2 vjetorin e shpalljes së pavarësisë së saj. Kosova është bërë vatër e stabilitetit, duke qenë shembull për shumë shtete në për rreth se si duhet të ndërtohet një shtet modern shumetnik, edhe pse shqiptarët përbëjnë mbi 90% të popullatës. Minoriteti serb, gëzon hiç më pak të drejta se vet shqiptarët në Kosovë, besa në disa raste janë edhe “pozitivisht të diskriminuar”. Shpresojmë në politikë më aktive të diplomacisë kosovare, sidomos në planin e njohjeve. Një unifikim midis faktorëve politikë kosovarë në planin e politikës së jashtme, me qëllim të funksionimit si një zë i vetëm dhe më i fortë. Unë akoma jam i mendimit se diplomacia kosovare më tepër duhet të angazhohet për njohje të reja, sidomos në vendet islame, të cilat fatkeqësisht ishin të lëna pas dore, por në të njëjtën kohë, edhe në vendet e BE-së që akoma nuk e kanë njohur dhe të marrim hapin së bashku me vendet tjera fqinje të cilat akoma nuk e kanë realizuar procesin e integrimeve euro-atlantike. Them që t’i qasemi më seriozisht kësaj çështje, sepse përvoja e kyçjes së vendeve Ballkanike në EU ndaras, ka sjell mjaftë probleme, si shembulli i Greqisë me Maqedoninë, pastaj i Sllovenisë me Kroacinë e kështu me radhë. Prandaj e kemi parasysh se çka do të ndodhte po të kyçej Serbia në BE para Kosovës,.

Në Maqedoni është e njëjta këngë! Qeveria aktuale, është kah e shpie shtetin drejt një rruge pa shteg. Tentativat për ndërrimin e identitetit, respektivisht thirrjet gjithnjë e më të shpeshta për origjinën antike të maqedonasve të sotëm, nxitën reagim të ashpër tek fqiu jugor, duke e bllokuar me veto anëtarësimin në NATO, por edhe pengesë e drejtpërdrejt për marrjen e datës për bisedime me BE-në. Problem tjetër është edhe marrëdhëniet ndëretnike, kryesisht në mosdisponimin e partisë maqedonase në pushtet për realizimin e Marrëveshjes së Ohrit, por edhe shkeljen direkte të të drejtave të shqiptarëve në të gjitha aspektet e mundshme. Përkundër pushtetit thuajse absolut që e gëzon kjo parti, ndihmues i madh i këtij diskriminimi është, edhe faktori politik shqiptarë, që as nuk po di, por as që po mundet t’i prezantojë dhe të luftojë për avancimin dhe mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve. Kjo ka sjellë deri te humbja e besimit të popullatës shqiptare në përfaqësuesit politik, gjë që u pa me rastin e zgjedhjeve të fundit (parlamentare) ku dalja e shqiptarëve në këto zgjedhje ishte shumë e ulët. Viti 2010 për Maqedoninë është të jesh a të mos jesh! Mendoj se nëse Maqedonia nuk gjen zgjidhje për çështjen e emrit me Greqinë, do të ketë krizë të brendshme politike me ç’rast nuk përjashtohet edhe mundësia e zgjedhjeve të parakohshme. Shpresojmë në ngritje të vetëdijes politike e shqiptarëve në RM duke faktorizuar politikën shqiptare në këtë vend kompleks.

Nuk duhet harruar, edhe shqiptarët e Luginës së Preshevës, apo thënë siç po dëshirojmë t’u themi shqiptarët e Kosovës Lindore. Ndoshta, pozita e tyre është më e vështirë, por edhe në këtë pjesë etnike shqiptare, duhet një qasje më serioze e faktorit politik shqiptarë. Përkundër shpërnguljeve të shumta që bëhen drejt Kosovës (e tash edhe drejt Evropës, duke e pasur parasysh se shqiptarët e kësaj ane, mund ta shfrytëzojnë beneficionin e lëvizjes pa viza drejt vendeve të zonës Shengen), duhet të zhvillohet një politikë edhe nga faktorët vendas, por edhe ata të Kosovës dhe Shqipërisë për qëndrimin e shqiptarëve në këto troje. Përfundimisht jemi të bindur se shqiptarëve të kësaj ane nuk ju duhen tetë apo më tepër parti politike. Më tepër se kurrë duhet të ekzistojnë uniteti dhe prezantimi i interesave të shqiptarëve si në aspektin kombëtarë ashtu edhe në atë fetarë. Duhet një zë dhe një synim i përbashkët! E njëjta vlen edhe për vëllezërit tonë në Mal të Zi, të cilët mendoj se janë mirë duke i menaxhuar interesat e tyre kombëtare dhe fetare, në këtë shtet relativisht të ri të Ballkanit, i cili shumë seriozisht është duke e ndjekur ëndrrën evropiane.

Pas gjithë kësaj, në këtë kolizion interesash dhe konfliktesh, Ballkani edhe gjatë kohë do të mbetet kafshatë e dëshiruar për të gjitha forcat aktuale. Këtu janë kryqëzuar dhe kryqëzohen shtizat e të gjitha fuqive dhe superfuqive të mëdha. Nuk mohohet fakti i interesit amerikan në këtë rajon.

Sidomos pas bazës së Bond Still-it në Kosovë, pastaj “Ambasadës” në Shkup, por edhe ndikimit ushtarak me prezencën në Kosovë dhe vendet tjera të rajonit. Pastaj edhe ai rus, kryesisht nëpërmjet investimeve të shumta në Serbi dhe Mal të Zi, mundohet të jetë aktiv edhe në aspektin diplomatik në Ballkan. Viteve të fundit, mjaft aktive është e diplomacia turke, e udhëhequr nga shkolla e Davutogllusë duke tentuar rikthimin e ndikimit turk, nëpërmjet ruajtjes dhe kultivimit të frymës osmane nëpër vendet Ballkanike.

Edhe përkundër gjithë kësaj ne shpresojmë që ky vit të jetë një vit i përfitimeve tona, i përmirësimit të standardit tonë jetësorë, por edhe i avancimit të të drejtave dhe lirive tona dhe prezantimit sa më të mirë të imazhit tonë para botës.
Shtuar më 08/02/2010, ora 18:27
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori