Shqiperi, opozita kërkon 11 "dezertorët"
Albeu.com
Zgjedhja e Ina Ramës në krye të organit të akuzës ka rihapur gjyqin brenda opozitës. Gishti tregues po përpiqet të gjejë 11 deputetët, votat e të cilëve duket se befasuan edhe mazhorancën. Në Prokurorinë e Përgjithshme, frikë nga një reformë e re.Katër muaj pasi votat e së majtës zgjodhën Bamir Topin President, i njëjti fenomen ka betonuar Kryeprokuroren Ina Rama. Grupi i gjashtë "tradhtarëve" siç i quajti kryesocialisti Rama në atë kohë, ka gjetur jo rastësisht edhe miq të rinj. Pritet që pas kthimit të kryetarit nga Gjermania në partinë më të madhe të së majtës, të fillojë një proces analizë rreth votimit të fundit.

Votimi

Në seancën e para dy ditëve në Kuvend, munguan plot 19 deputetë të majtë e të djathtë. Mes tyre ishte Fatos Nano, Bukurosh Stafa, Durim Lamaj, Luan Memushi, Sadri Abazi, Blendi Klosi, Flamur Hoxha, Diana Çuli e Marko Bello. E ndonëse opozita kishte marrë vendim për të hyrë në seancë, aty munguan me votën e tyre, si për ironi katër kryetarët e byrosë së opozitës, Ilir Meta, Skënder Gjinushi, Neritan Ceka dhe Paskal Milo. Këtë listë të mungesave të majta, që më shumë se kaq dëshmojnë për çorganizim total futet edhe vet kryetarja e grupit parlamentar socialist, Valentina Leskaj. Në të djathtë ra në sy mungesa e pesë deputetëve; Vangjel Dule, Nard Ndoka, Spartak Ngjela, Genc Sharku dhe Leonard Solis. Në total, Kuvendi ka 140 deputetë, ndërsa në votimin e Kryeprokurores morën pjesë 121 të tillë. E djathta normalisht ka të deklaruara 82 mandate deputetësh, të cilave duke i zbritur pesë votat e munguara shkojnë në 77 të tilla. Nisur nga numri prej 83 votash që mori Ina Rama, rezulton se gjashtë vota kanë ardhur nga e majta. Nëse shtojmë këtu edhe pesë votat abstenime, numri shkon në total tek 11 vota. Pra plot 11 deputetë të opozitës kanë qenë jashtë kontrollit të grupimeve të tyre politike. Grupi i mbështetësve të ish-kryetarit të mbetur jashtë këtyre listave të mungesës përfshin Taulant Deden, Durim Hushin, Elmaz Sherifin, Hamit Kostën, Petro Koçin, Paulin Sterkajn, Rajmonda Stefën, Besnik Dervishin e Rrapush Tolën.

Analiza

Burimet nga selia rozë sqarojnë se votimi i dy ditëve më parë nuk do të kalojë lehtësisht. Socialistët pritet të analizojnë në detaje shthurjen e radhës në votimin për Kryeprokuroren. Fenomeni i njëjtë në përmasa më të vogla numerike ndodhi katër muaj më parë në votimin për kreun e shtetit. Në atë kohë, gjashtë deputetë, hapur morën pjesë në votim ndryshe nga sa ishte deklaruar prej byrosë së opozitës. Këta që më vonë u cilësuan "6 tradhtarët" ishin Hamit Kosta, Taulant Dedja, Durim Hushi, Durim Lamaj, Paulin Sterkaj dhe Bukurosh Stafa. Por teksa atë herë ishte më i thjeshtë zbulimi, për shkak se ata u vetidentifikuan, në votimin e fundit do të jetë shumë e vështirë të drejtosh gishtin për shkak se në proces morën pjesë shumë deputetë të majtë dhe vota ishte e fshehtë. Nuk dihet se cila do të jetë vendimmarrja, kësaj here kur gishti duket se është drejtuar më formë afrofeje drejt mbështetësve të ish-kryetarit Fatos Nano. Ajo çka duket e sigurtë është fakti se opozita e majtë ka kaluar në gjendje kome në sallën e Kuvendit.


Sollaku i dorëzon zyrën Ramës


Kryeprokurorja shkon në prokurori nën shoqërinë e këshilltarit të Topit

Kryeprokurorja e re, Ina Rama, ka preferuar pasditen e djeshme për t‘u paraqitur në organin e akuzës. Rreth orës 16:15, me një automjet tip "Benz", e shoqëruar nga sekretari i përgjithshëm i Presidencës, Arben Cici, si dhe nga një eskortë e Gardës së Republikës, 35-vjeçarja ka ngjitur për herë të parë shkallët që të dërgojnë në postin e Kryeprokurorit. Në hyrje të godinës, Rama nuk është pritur nga asnjë zyrtar i organit të akuzës, ndërsa në zyrë qëndronte ish-kryeprokurori Theodhori Sollaku. Ky i fundit kishte mbërritur në prokurori një orë pas "vizitës" së Ramës.

Takimi

E shoqëruar nga dhjetëra punonjës të Gardës së Republikës, Ina Rama ka hyrë në mjediset e Prokurorisë së Përgjithshme, teksa është drejtuar në katin e dytë të saj, në zyrën e ish-kryeprokurorit Theodhori Sollaku. Ky i fundit, për disa minuta, së bashku me drejtuesit e gjashtë drejtorive në akuzën qendrore, ka zhvilluar një takim me Kryeprokuroren, e cila shoqërohej me sekretarin e përgjithshëm të Presidentit, Arben Cici. Burime nga pjesëmarrësit në takim, thanë se Cici ka prezantuar para Sollakut dhe drejtorëve Kryeprokuroren e re, Ina Rama, e cila ka marrë mandatin pas votimit të Kuvendit të Shqipërisë. Nga ana tjetër, ish-kryeprokurori Sollaku i ka shprehur urimet pasardhësit të tij, ndërsa më pas i ka bërë një rezyme institucionit që ka drejtuar përgjatë 66-muajve. Sipas të pranishmëve, ish-kryeprokurori ka kryer aktin civil, duke i lënë stafetën Ramës. Kjo e fundit ka marrë në "dorëzim" çelësat dhe dosjet që e presin të analizohen. Ajo pritet të kryejë një takim me drejtorët në akuzën qendrore.

Ceremonia

Gjatë pasdites së djeshme, Kryeprokurori Sollaku ka mbledhur stafin e ngushtë të tij. Një orë para mbërritjes së Kryeprokurores së re, Sollaku ka zhvilluar një takim të fundit me vartësit e tij, të cilët i ka falënderuar për punën në këto pesë vjet e gjysmë nën drejtimin e tij të organit të akuzës. Sipas të pranishmëve, takimi ka qenë nën frymën e anës zyrtare dhe protokollare, pa një koktej. Me mbërritjen e Ramës, Sollaku i ka dhënë fund karrierës në krye të organit të akuzës. Ai është Kryeprokurori më jetëgjatë në Shqipëri, në Shqipërinë pluraliste. Sollaku, tashmë 45 vjeç, ka qenë këshilltar i dy presidentëve, Sali Berishës dhe Rexhep Meidanit. Në vitin 1992, pas ndërrimit të regjimeve, është emëruar këshilltar juridik i Presidentit, post të cilin e ka mbajtur edhe gjatë ndryshimit të pushtetit, në vitin 1997. Pedagog në Fakultetin e Drejtësisë, Sollaku ka kandiduar edhe për deputet në vitin 1996 në Qarkun e Fierit si përfaqësues i Partisë Demokratike. Me kompromis të Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike, Theodhori Sollaku u zgjodh më 29 mars të vitit 2002, Prokuror i Përgjithshëm. Gjatë kohës që ai është në drejtimin e organit të akuzës janë zbuluar dhe arrestuar anëtarët e shumë bandave kriminale, ku përmendet dërgimi në gjykim i dosjeve të organizatave kriminale "Hakmarrja për Drejtësi", banda e Aldo Bares, si dhe organizatat kriminale të Durrësit, me në krye Lul Berishën.


Largimi

Ndërkaq nën zë, punonjës të akuzës qendrore deklarojnë se Sollaku ka fituar një bursë për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, pas shkarkimit të tij nga Kuvendi i Shqipërisë. Megjithatë, zyrtarët nuk japin shumë detaje, duke u mjaftuar me formulën se kjo është çështje personale e titullarit të institucionit


Puna

Por disa prej tyre, deklarojnë se ish-kryeprokurori mund të hapë një studio ligjore, në formën e avokatisë për të vazhduar punën në Shqipëri. Megjithatë nuk përjashtohet mundësia e punësimit të tij në ndonjë subjekt politik apo në ndonjë firmë private si këshilltar juridik apo jurist


Reportazhi

Në pritje të shefes së re... frikë nga reforma njerëzore


Si do të jetë Kryeprokurorja e re!? E njeh... Ndikohet nga persona të tjerë? Këto janë pyetjet që kanë "pushtuar" organin qendror të akuzës, ndërsa dhjetëra zyrtarë presin me ankth prezantimin e Ina Ramës, Kryeprokurores së emëruar nga Presidenti Bamir Topi dhe e miratuar nga Kuvendi i Shqipërisë, dy ditë më parë. Në orët e para të mëngjesit të djeshëm, disa gazetarë qëndronin në hyrje të Prokurorisë së Përgjithshme, pas disa informacioneve të ardhura nga stafi i ngushtë i ish-kryeprokurorit. Fjalët ishin se: Theodhori Sollaku do të lërë detyrën në mesditë pas takimit me Ina Ramën. Madje stafi i tij deklaronte se "shefi" do të dorëzonte zyrën dhe do ta uronte prokuroren e re për detyrën që do të mbajë. Me gjithë pritjen e gjatë, Kryeprokurorja ka preferuar pasditen e djeshme për t‘u paraqitur në akuzën qendrore, madje duke shmangur një pjesë të punonjësve, tashmë vartës të saj.

Frikë nga lëvizjet...

Pas emërimit të Ina Ramës, në postin e Kryeprokurores, zyrtarë nga akuza qendrore thanë se i druhen një reforme njerëzore në organin e akuzës. Sipas tyre, Rama pritet të transferojë në prokuroritë e rretheve një numër të konsideruar prokurorësh që punojnë në organin qendror të akuzës. Prokurorët, deklarojnë nën zë, se pothuajse të gjithë drejtorët në Prokurorinë e Përgjithshme, të cilët deri në momentin e shkarkimit të Sollakut kanë pasur rolin e zëvendësit të tij, pritet të transferohen në prokuroritë e rretheve. Gjithsesi deklarojnë se një gjë e tillë pritet vetëm të formalizohet, pas marrjes zyrtare të postit.

Situata në prokurori

Thashethemet vazhdojnë të qarkullojnë në Prokurorinë e Përgjithshme, të Krimeve të Rënda, në atë në Tiranës pa harruar edhe prokuroritë e rretheve. Tema e bisedës ka qenë emërimi dhe miratimi i Kryeprokurores së re, Ina Rama. Një pjesë e tyre kanë mbetur të shtangur në momentin e emërimit të saj në postin e Kryeprokurorit. Të parët që janë ndjerë të sigurt në radhët e punonjësve të akuzës, kanë qenë prokurorët që kanë mbaruar magjistraturën. Sipas tyre, emërimi i saj në postin e Kryeprokurorit është një shenjë e mirë për sistemin e drejtësisë, pasi vetë Rama ka mbaruar magjistraturën. Ndërsa të tjerë shprehen më pak besues për zgjedhjen e politikës. Ata shprehen se përvoja gjatë ushtrimit të punës si gjyqtar dhe prokuror mund të ishte favor i madh në mbarëvajtjen e organit të akuzës. Një pjesë e prokurorëve dhe hetuesve kanë "siguruar" edhe ulje-ngritjet, në bazë të thashethemeve, ku disa prej tyre kanë shkuar "de jure" në Prokurorinë e Përgjithshme dhe disa të tjerë janë transferuar në prokuroritë e rretheve. Megjithatë, dhjetëra punonjës të tjerë kanë vazhduar normalisht punën, teksa kanë përfaqësuar organin e akuzës në Gjykatë, e duke punuar në zyrë. Nuk kanë munguar edhe lëvizjet e prokurorëve dhe hetuesve në rrethet e Shqipërisë për marrjen në pyetje të të dyshuarve. /g. shqip/
Shtuar më 24/11/2007, ora 17:26
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori