Shqipëri: Berisha i vetëpërmbajtur
Albeu.com
Partia Demokratike fitoi mbështetjen e duhur elektorale për të kthyer ish-Presidentin Sali Berisha në postin e Kryeministrit pas një pushimi prej 8 vjetësh. Ashtu si gjatë periudhës si President në mes të viteve '90, Berisha kontrollon shumëçka.DOMETHËNIA: Pas trazirave dhe lëvizjeve politike të cilat kishin lidhje me vitin zgjedhor, Shqipëria duhet të ketë një qëllim në vitin 2006. Megjithatë, Kryeminsitri Berisha ka ambicje të forta për zgjedhjet lokale dhe me një kundërshtar të ri shumë efektiv, liderin socialist Edi Rama, fushata elektorale mund të kthehet në një betejë. Kjo mund të tensionojë stabilitetin politik në rritje.
ANALIZA: Partia Demokratike (PD) fitoi mbështetjen e duhur elektorale për të kthyer ish-Presidentin Sali Berisha në postin e Kryeministrit pas një pushimi prej 8 vjetësh. Ashtu si gjatë periudhës si President në mes të viteve '90, Berisha kontrollon shumëçka. Megjithatë, ai ka treguar vetëpërmbajtje të konsiderueshme ndryshe nga prirjet autoritare dhe lëvizjet e paparashikueshme gjatë presidencës së tij. Ai është i vetëdijshëm se e vetmja mënyrë me anë të së cilës ai mund të konsolidojë kthimin e tij në pushtet dhe të ruajë mbështetjen e partnerëve të huaj të Tiranës – kaq jetësore për çdo administratë shqiptare --- është duke kombinuar një qeveri të fortë dhe politika të arsyeshme me një qëndrim të matur.

Qëllimet e Berishës: Objektivat kryesore të Kryeministrit për vitin 2006 janë, të:
Forcojë pozitën e PD-së në vend duke fituar zgjedhjet lokale në vjeshtë;
Të vazhdojë procesin e integrimit në BE, duke mbyllur Marrëveshjen e Stabilizim-Associimit, shtyrë për shumë kohë të nga mesi i vitit;
Të arrijë rezultate të dukshme në luftën kundër korrupsionit;
Të ruajë ritmin e shpejtë të rritjes ekonomike, dhe;
Të kërkojë një pjesë të triumfit që do rezultojë arritja e pavaresise nga Kosova e banuar ne shumice nga shqiptaret.
Zgjedhjet lokale: Berisha kërkon të çojë më tej suksesin e PD-së në zgjedhjet parlamentare 2005, duke fituar zgjedhjet e ardhshme lokale. Zgjedhjet lokale të tetorit 2003 patën një rezultat të ngushtë, ku Partia Demokratike ishte vetëm 1.5 % pas Partisë Socialiste. Ato dhanë shenjën e parë se Berisha mund të zgjidhej, pasi ishte dëbuar prej zyrës nga revolta dhe humbja e zgjedhjeve në vitin 1997.
Këtë herë PD-ja i ka të gjitha mundësitë të dalë si partia kryesore. Kjo do e ndihmonte të konsolidojë pushtetin dhe të zgjerojë rrjetin e rëndësishëm të votuesve rajonalë. Stili udhëheqës vetëbesues, por deri më tash i vetëpërmbajtur i Berishës dhe uniteti i gjerë brenda PD-së, do të kontribonin për një performancë të mirë zgjedhore.
PS-ja në vështirësi. Shanset e PD-së janë shtuar edhe më shumë nga rrëmuja në radhët socialiste. Kryebashkiaku i Tiranës, Edi Rama, i cili u zgjodh kryetar i PS-së në tetor, përballet me një dëtyrë të vështirë; përpjekjen për të ri-ndërtuar partinë e tij, që u dëmtua rëndë nën drejtimin e paraardhësit të tij Fatos Nano, kryeministri i mëparshëm. Nano u kritikua ashpër për sjelljen arrogante dhe përçarëse, mungesat e shumta dhe mos-inkurajimin e kolegëve të tij në parti – gjë që çoi në largimin nga PS-ja të ish-kryeministrit Ilir Meta.
Rama po përdor energjinë e moshës dhe popullaritetin që fitoi nga trasformimi i Tiranës së shkatërruar në një qytet më modern dhe energjik, për të reformuar PS-në. Atij i mungon mbështetja e aktivistëve të PS-së, ai është anëtarësuar në parti vetëm në vitin 2003 dhe për faktin që nuk është deputet, ai nuk mund ta udhëheqë opozitën në parlament. Ndërkohë, Nano duket se po pret momentin e duhur. Një rezultat i dobët në zgjedhjet lokale në vjeshtë mund të nxisë Nanon të kthehet për të sfiduar pasardhësin e tij për kreun e partisë.
Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit. Vite të tëra mosmarrëveshjesh brenda 2 qeverive të njëpasnjëshme të PS-së, dhe dështimi në kryerjen e reformave shumë të nevojshme, e kanë lënë Shqipërinë shumë pas Kroacisë dhe Maqedonisë në lëvizjen drejt përafrimit me BE-në.
Negociatat për një Marrëveshje Stabilizim Associimi, që është hapi i parë zyrtar drejt anëtarësimit në BE për vendet e Ballkanit perëndimor, si në asnjë rast tjetër, në fund të Janarit hyjnë në vitin e katërt. Megjithatë, në Bruksel pritet që, hiq ndonjë pengese që mund të dalë në momentin e fundit, Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit të përfundojë nga mesi i vitit.
Statusi i Kosovës. Megjithëse Shqipëria nuk është e përfshirë direkt në bisedimet e ndërmjetësuara nga OKB-ja për të ardhmen e Kosovës, Tirana është shumë e interesuar për një mbyllje në vitin 2006, që do të forconte stabilitetin rajonal.
Tirana ka përsëritur herë pas here se, ajo është për pavarësinë në përputhje me dëshirën e shumices etnike të Kosovës. Disa zyrtarë i kanë zemëruar shqiptarët e Kosovës, duke sinjalizuar se ata do të pranonin zgjidhjen më të mundshme, ndonjë lloj pavarësie të kushtëzuar ose sovraniteti të kufizuar. Sido që të jetë, një marrveshje në këto linja do të ishte në dobi të qeverisë shqiptare,
Axhenda e reformave. Shumë nga ligjet kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, të cilat janë të nevojshme për një vendim pozitiv nga BE-ja, janë tashmë ne fuqi. Megjithatë, për t'iu afruar sa më shumë integrimit dhe për të marrë statusin zyrtar të kandidatit nga BE-ja, Tiranës do t'i duhet ti zbatojë këto ligje. Kjo do të thotë reformim i Prokurorisë, rritje e pavarësisë së gjyqësorit dhe prezantim i reformave të tjera, së pari dhe mbi të gjitha përmirësimin e eficencës së shërbimit civil.
Megjithëse z. Berisha do të vazhdojë të shprehet fort kundër "kulturës së ryshfetit" në Shqipëri për shkak të popullaritetit të tij, ai pritet që në praktikë të veprojë me kujdes. Atij do ti duhet të veprojë me kujdes, të nxisë prokurorët të veprojnë, ndërkohë që të mos konsiderohet se po persekuton kundërshtarët e tij politikë, siç u debatua burgosja e Nanos për korrupsion gjatë presidencës së z. Berisha. Megjithatë, Berisha mund ta mirëpresë një lloj presioni gjyqësor mbi kundërshtarët e tij, jo më pak edhe mbi Ramën, me të cilin ai i ka kryqëzuar brirët tashmë, duke përgjysmuar taksën e regjistrimit për bizneset e vogla, të ardhurat nga të cilat shkojnë për pushtetin lokal, përfshi dhe Bashkinë e Ramës.
Pikëpamja ekonomike. Parashikimet mbeten të mira pavarësisht ndërprerjeve të pazakonta të energjisë elektrike në nëntor dhe shpresat për një vit tjetër rritjeje të kujdesshme në Itali, që është tregu për afërsisht tre të katërtat e eksporteve të Shqipërisë.
Paratë e ardhura nga jashtë. Shumë aktivitete ekonomike, veçanërisht në ndërtim, vijnë nga të ardhurat e Shqiptarëve që punojnë në Greqi, Itali e gjetkë. Një rritje e numrit të lejeve sezonale të punës për Shqiptarët në Itali, duhet të ndihmojë në uljen e papunësisë në 14%.
GDP (Prodhimi i Brendshëm Bruto). Megjithëse buxheti i miratuar në dhjetor parashikon një rritje prej 5.0-5.5% (shifra rezervë për vitin 2005 është 5.8%), ka shumë mundësi se ajo do ti afrohet mesatares aktuale vjetore prej 6.0%.
Taksat. Së bashku me lehtësimin e kredive bankare, ulja e taksave të biznesit të vogël dhe të TVSH-së pritet të rrisin prodhimin. Shpresa e qeverisë që uljet do të çojnë në një pershtatshmeri më të madhe, duken shumë optimiste. Megjithatë, ka shumë mundësi që të arrihet deficiti i buxhetit prej 4.1% i GDP-së (nga 4.5% në vitin 2005).
Çmimet. Inflacioni është rreth 3%, i ndihmuar nga vlerësimi i vazhdueshëm i lekut ndaj dollarit.
Privatizimi. Vendimi i qeverisë Berisha për të anulluar vendimin e parardhësit të tij, për shitjen e kompanisë telefonike shtetërore "Albtelecom" një konsortiumi turk, mund të ulë interesin e investitorëve të huaj, nëse rishqyrtimi i shitjes do të zvarritet. Kjo do të ndikonte në planet e qeverisë për të shitur aksionet e saj në kompanitë e karburateve dhe të bankave. Po të ndodhte kjo, Tiranës do ti duhej të dyfishonte përpjekjet e saj për të treguar, siç ka bërë me uljen e taksave, qëndrimin e saj miqësor ndaj biznesit.
Konkluzioni: Mbi të gjitha, Shqipëria duket se do të ecë shumë më përpara seç ka ecur për vite të tëra, si përsa i përket zhvillimit ekonomik edhe integrimit në BE, duke patur parasysh që qeveria Berisha vazhdon të jetë e përqëndruar ashtu siç pritej në detyrat e saj kyçe dhe vazhdon të ushtrojë vetë-kontroll.

Marrë nga "Oxford Analytica Europe Daily Brief"
Shtuar më 14/01/2006, ora 22:47
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori