Unë e njihja Drilonin
nga Shpendi Gjana
Kam disa ditë që përjetoj dhimbje nga humbja kushëririt tim, Drilonit, që ndërroi jetë pak ditë më parë tragjikisht në fshatin Homesh, të komunës Shupenzë në Bulqizë. Akoma s’kishte mbushur të 17-at (dhe jo 22 siç u tha në media) dhe thuajse ishte në kohën për tu plotësuar dhe për të kaluar në moshën madhore. Njeri i drejtë dhe me moral thuajse të plotësuar që njihej nga të gjithë me buzëqeshjen që i ngjante të atit, të cilin e humbi 3-4 vjet më parë po tragjikisht nga skamja.

Ai vinte nga një familje tejet e varfër që të ardhurat mujore i ka nga mëshira e Zotit. Vedati, vëllai i madh i Drilonit, 22 vjeç, kishte 4 ditë që ishte nisur për Itali për të kërkuar një rrugëdalje nga skamja e kaq viteve.
E nis nga vetja, nuk e ndihmuam dot Drilonin dhe familjen e tij. Nuk e penguam dot që ajo familje të mos e humbiste dhe personin e dytë, dhe të linte edhe 5 pjesëtarët e tjerë pa trauma të forta, ku vajza më e vogël që është vetëm 8 vjeçe ka qenë dhe dëshmitare edhe e vdekjes tragjike të të atit me shpërthim eksplozivi...

Pjesëtarët e afërt të familjes që i bënë respektin e fundit kanë parë që trupi i Drilonit ishte plot me shenja dhe dukej qartë se qe dhuruar keqas. Ky presion psikologjik dhe fizik prej 18 orësh nga policë tejet të papërgjegjshëm që ndyjnë uniformën e policit ka bërë që Driloni i drejtë të mbushë faqe të tëra shpjegime. E sikur të mos mjaftonte është thirrur edhe ditën e dytë për 5 pulat e detit.

Drejtësia e këtij vendi është për tu “admiruar”, gjenden edhe personi që vjedh 5 pula deti, mendoni se në “ç’Parajsë” jetojmë. Mirë që e gjejnë fajtorin, por e gjejnë gabim! Megjithatë është vërtetuar krejtësisht pafajësia e djaloshit të ndjerë, por që tashmë është tepër vonë.

Aq djalë i turpshëm që skuqej edhe në biseda normale ishte Driloni, por jemi tepër vonë. Tani të shohim se si do ta gjejë udhën e drejtësisë kjo çështje, që edhe po ta gjejë do të jetë tepër vonë për familjen e djaloshit.

Po ky s’është rasti i vetëm. Ne si shoqëri, kemi në mendje aq shumë fotografi të shëmtuara dhe të këqija të rasteve të tilla, saqë shtyhemi të mendojmë se lumturia dhe mirësia kanë mbetur jashtë nesh ngaqë e keqja është ulur këmbëkryq dhe ka marrë të drejtën e fjalës në shumë aspekte
Një bombardim i jashtëzakonshëm psikologjik e kulturor ka bërë që tashmë që bërthama familjare të çorientohet, e individët kanë nisur të tregojnë sjellje nga më të çuditshmet. Më thoni a keni kaluar ndonjë javë të qetë dhe pa habere vrasjesh e përdhunimesh?! Më thoni ju lutem a keni bërë gjumë të qetë qoftë një ditë në javë? Pra, çdo kallëp që fatkeqësisht na e servir edhe media me shumë zell e që duket që ka pasoja shumë të mëdha në shoqëri, lë gjurmë të parikuperueshme ose shumë të vështira për tu rikuperuar me në mendjen e secilit prej nesh.

Në themelin e shumë prej këtyre rasteve të krimeve shtrihet problemi i theksuar ekonomik dhe moral, probleme shpirtërore dhe dalje nga boshti i stabilitetit shoqëror. Bëjmë gabimin më të madh që çdo problem s’e nisim nga vetja, bëjmë shumë gabim që kërkojmë çdo zgjidhje të na vijë nga të tjerët. Ta provojmë një herë të ndihmojmë njerëzit në gjendje të mjeruar si nga ana ekonomike ashtu dhe nga ajo psikologjike, por akoma s’ia kemi bërë Bismil-lah!

A nuk duam një mjedis të lumtur, të dashur dhe gjithëpërfshirës? A nuk duam që ai i varfëri të mos detyrohet të grabisë e të kryejë krim? E pra, le të ndihmojmë secili atë që ka përreth! Le të duam për të tjerët atë që duam për veten. Le ta nisim dhe t’i them të keqes “NDAL” që në embrion. Secili është i përgjegjshëm për secilin. Sidomos ata që kanë mundësinë e kanë për detyrë ta rehatojnë këtë shoqëri, e të mos i mbajnë milionat e qelbura në banka për të siguruar edhe nipërit e nipërve, me frikën se nesër Zoti s’do t’ju japë riskun përkatës. Që Drilonët të jetojnë, madje të jetojnë me dinjitetin e tyre, e të lumtur...
atomi
e Martë 15 Janar 2013, Ora 11:53
Zoti e paska meshiru kete familje me asistence mujore por nuk e ka meshiru jeten e tyne. E kujt i duhet ky zot i felliqun qe ben kaq te keqia z. Shpendi?
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga ky opinionist
 
Tauland dhe Granit Xhaka janë dy vëllezërit që përballen në skuadra të ndryshme për herë tëparë në një Kampionat Evropian

Tauland dhe Granit Xhaka janë dy vëllezërit që përballen në skuadra të ndryshme për herë tëparë në një Kampionat Evropian