Shembulli i Arbën Xhaferrit
Albeu.com
nga Mentor Nazarko, ShqipPër shumë vëzhgues të vëmendshëm të skenës politike maqedonase, apo asaj panshqiptare në përgjithësi, largimi i Arbën Xhaferrit nga kreu i PDSH-së, partisë në qeverisje të shqiptarëve atje, përfaqëson një akt që "de jure"...Për shumë vëzhgues të vëmendshëm të skenës politike maqedonase, apo asaj panshqiptare në përgjithësi, largimi i Arbën Xhaferrit nga kreu i PDSH-së, partisë në qeverisje të shqiptarëve atje, përfaqëson një akt që "de jure" sanksionoi atë që "de facto" ishte konsumuar: Tranzicionin e drejtimit të partisë te Menduh Thaçi. Por, një shikim i tillë është shikim thjeshtëzues i asaj që ndodhi në të vërtetë. Duke qenë se cilësitë e këtij tranzicioni, cilësitë e politikanëve të caktuar të tij mund të reflektojnë në tërë skenën panshqiptare - nëse mund të flitet për një të tillë - ndoshta ia vlen barra qiranë të merreshim pak me shembullin Xhaferri. Jemi të nxitur ta bëjmë këtë, duke qenë se siç tha bukur me hipokrizi Rama, "Xhaferri mund të ishte fare mirë Presidenti i Shqipërisë, nëse do të ishte këtu". Dhe në lidhje me shembullin Xhaferri do të shohim të lidhur shembullin PDSH, pra Partinë Demokratike të shqiptarëve të Maqedonisë. Apo pse jo dhe shembullin që ofrojnë vetë shqiptarët e Maqedonisë në zgjedhjen që u bëjnë prijësve të tyre.

Xhaferri përfaqëson rastin më të realizuar të një politikani mendimtar. Përgjithësisht politikanët aktivë të të gjithë skenës që thamë më sipër, por dhe gjetkë, janë politikanë veprimi, jo mendimi. Me gjithë respektin për veprimin politik, ata janë politikanë të veprimit mbi njerëzit, d.m.th. të pushtetit mbi ta dhe jo të pushtetit mbi dukuritë që duhen qeverisur gjithashtu. Pra, ata dinë të administrojnë njerëzit, veset e tyre, por jo dukuritë për të cilat thirren të qeverisen. Politikanë të tillë, si Xhaferri, që ishte dhe politikan veprimi, janë të rrallë, pra dhe të mendimit dhe të veprimit, kështu që bash për këtë ai përfaqëson një shembull të veçantë. Marrëveshja e Ohrit ishte sinteza e mendimit të tij politik të zbatuar në praktikë.

Ndërkohë, pse ai ishte kryetar i PDSH-së, sigurisht nuk ishte vetëm meritë e tij. Që një politikan me karakteristika të tilla të arrijë poste komanduese në politikë, duhet dhe ta pranojë mjedisi ku konkurron. Këtu kemi kaluar në një shembull tjetër: mjedisi politik i shqiptarëve të Maqedonisë në këtë pikëpamje është shembull më vete brenda mjedisit panshqiptar. Shqiptarët e Maqedonisë pranuan të drejtoheshin nga një politikan filozof si Xhaferri, megjithëse siç dihet mjedisi i shqiptarëve të Maqedonisë përfaqëson në tërësinë e spektrit kombëtar shqiptar, një mjedis ku për shkak të politikave diskriminuese të egra të pushtetit sllav, shqiptarët kanë nivel të ulët arsimimi në raport me mjedise të tjera si Kosova apo Shqipëria. Pra, këtu duhet të nderojmë shqiptarët e Maqedonisë, që midis prijësve të llojit tipik panshqiptar, zgjodhën të drejtoheshin nga intelektualë si Xhaferri, që jo gjithmonë e kuptonin që nuk përdor retorikë populiste, por që kuptohej fare mirë se ishte shumë i ditur dhe që ishte shumë i butë gjithashtu.

Dimensioni ndërkombëtar i Xhaferrit

Xhaferri ishte dhe mbetet kështu shembull i rrallë i politikanit modern, madje i rrallë dhe në një shikim që kapërcen hapësirat ku jetojnë dhe bëjnë politikë shqiptarët. Ai arsyetonte shpesh mbi fenomenet globale me kompetencën e studiuesit dhe jo të politikanit, që në zhargonin e vet përdor shpesh terma mbi globalizmin për t‘u dukur modern. I ftuar në shumë forume ndërkombëtare diskutimi, politikani Xhaferri respektohej si mendimtar, një luks që pak politikanë në botë mund ta kenë. Siç e tha në mbyllje të kongresit të partisë së vet, ndërsa shpjegonte ikjen e tij: Kishte ikur Klinton, Bler, duhej të ikte dhe ai", Xhaferri ishte i veçantë jo thjesht si shqiptar. Në një fjali të tillë kishte shikim global krahasues. Kishte modesti, pasi ai thoshte se kishin ikur të mëdhenj të politikës, pra mund të ikte dhe ai, shumë më i vogël se Klinton apo Bler. Kishte dhe mendjemadhësi: Ai ishte si ata dhe në fakt jo rrallë ai ishte bashkëbiseduesi kryesor i ndërkombëtarëve të rëndësishëm dhe të parëndësishëm që vizituan Maqedoninë. Por, sigurisht ai jetonte në një mjedis politik shumë më të vogël, mjerisht shumë të vogël dhe këtu ishte drama më e madhe e tij. Dëgjova një zyrtar të lartë maqedonas që thoshte për të: Ne shpesh sëmuremi, pasi themi me zili se sa mirë do të ishte që Xhaferri të ishte maqedonas!

Dhe cilësi të tjera të Xhaferrit

Xhaferri ishte shembull dhe për butësinë e tij. Kam dëgjuar njëherë kundërshtarët e tij në skenën politike maqedonase që përmendnin shkrimet kundër tyre nga x gazetë pranë partisë së Xhaferrit, apo y media pranë tij. Por kur i pyesje nëse ai vetë i kishte sharë ndonjëherë në vetë të parë, të gjithë mohonin. Nuk po hyj në atë nëse Xhaferri kishte të drejtë në ato që thoshte kundrejt këtyre personazheve edhe të nderuar, por sigurisht më bën përshtypje se ai nuk shante asnjëherë vetë. Ta krahasosh me politikanët e këtushëm që shajnë dhe vetë, por ngarkojnë dhe të tjerë, sigurisht që ai përfaqëson një përparim të madh. Ndoshta në këtë pikë ngjante me Rugovën. Ai asnjëherë nuk shau kundërshtarët e vet, duke i detyruar dhe ata të ulnin tonet ndaj tij dhe për pasojë solli paqësimin e politikës së Kosovës. Nuk di se ç‘do të ndodhë me largimin e Xhaferrit.

Xhaferri ishte shembull dhe për raportin e tij me pushtetin. Edhe kur ka qenë me shëndet më të mirë, ai asnjëherë nuk mori pushtet ekzekutiv. Dikush mund të thotë se ai prapë komandonte shumë edhe kështu. Sigurisht, ama të tjerë në Shqipëri, por dhe gjetkë, duan ta shijojnë pushtetin dhe në vetë të parë. Të duken, duke administruar pushtet në mënyrë të drejtpërdrejtë.

Në raportin me Xhaferrin ishte shembull dhe Menduh Thaçi. Siç e tha vetë Xhaferri, në kongresin e fundit të PDSH-së, ndërsa prezantoi pasardhësin para dy kryeministrave të Maqedonisë, Gruevski dhe Buçkovski, atij të Kosovës dhe trupit diplomatik të republikës së vogël, shumë krerëve shqiptarë, "Thaçi është inteligjent, aktiv, ka krijuar strukturat e partisë në bazë dhe ka ndërtuar një parti të fortë". Për shkak të këtyre cilësive, në një mjedis si ai i Maqedonisë, në një mjedis shqiptar tipik, Thaçi mund ta drejtonte partinë prej kohësh vetë dhe të mundte Xhaferrin në ndonjë garë eventuale për kryetar. Jo, Thaçi la Xhaferrin përpara dhe dëgjonte për gjithçka këshillat e tij. Një shembull i jashtëzakonshëm dhe ky, i ndarjes së pushtetit, midis njeriut të veprimit dhe njeriut të mendjes, i veçantë për hapësirën shqiptare. Dhe sot Xhaferri do të luajë njëlloj dhe Thaçi do ta dëgjojë atë për shumë gjëra.

Xhaferri ishte pragmatik gjithashtu: Ai ishte i pari që bëri aleancë me nacionalistët maqedonas të VMRO-DPNE-së, duke kontrolluar nga brenda pushtetin e tyre, ai që legalizoi luftëtarët e UÇK-së, ai që hodhi në mënyrë vetësakrifikuese idenë e ndarjes së Maqedonisë, kërcënim për tezën serbe të ndarjes së Kosovës. E gjitha kjo në kohën kur politikanët shqiptarë të Shqipërisë veçanërisht, në mos të blerë, bëjnë kozmopolitin pa respekt për veten, sigurisht ka vlerë të jashtëzakonshme.

Xhaferri, siç shikohet, në shumë sende të politikës ishte dhe mbetet i pari. Ka shumë në përbërësen shqiptare të politikës dhe shoqërisë maqedonase që duan t‘i ngjajnë atij, të paktën në të shkruarën e tij të shqipes dhe të parashtrimit të qartë të mendimit në të cilën ai ishte unik. Madje dhe shumë kundërshtarë të tij shkruajnë si ai në stilin e tij, domethënë e imitojnë atë në stil. Kjo të mbush me njëlloj shprese se ai mund të zëvendësohet në një moment të caktuar si politikan mendimi dhe veprimi njëherësh. Megjithëse shembulli i tij është shumë kompleks, pasi mbart në vetvete shumë shembuj. Po në Shqipëri, ku thonë me hipokrizi, "gjynah që nuk ka një Xhaferr", pra ai nuk është, a thua do ta ndjekin shembullin e tij?
Shtuar më 04/07/2007, ora 17:33
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori