Shami në kokë apo pirsing
Pëlqej
Albeu.com
Të jemi të sigurt se një prind shqiptar do të pranonte me shumë më lehtësi që bija e tij të ulej përkrah një vajze me shami në kokë, se te një tjetër me hundë, buzë, veshë apo gjuhë të shpuar, apo me tatuazhe nga më të çuditshmit vend e pa vend.

nga Lorenc Rabeta

{nl}

Po ta konsiderojmë si veprim thelbësisht kulturor (për fat të keq nuk është gjithnjë i tillë), e kemi shumë më të lehtë të mendojmë se në klasat e shkollave apo auditorët e universiteteve do të ishte më e lehtë të pranohej një vajzë me shami në kokë se një tjetër me lloj-lloj hekurash në fytyrë

Zhvillimet e fundit në diskutimin e nxehtë, nëse studentët dhe nxënësit myslimanë duhet apo jo t‘i mbajnë simbolet fetare në ambientet e shkollave e universiteteve, i përjetuam edhe në vendin tonë, ku pamë se u ndjenë të përfshirë e të detyruar të japin opinionin e tyre jo vetëm intelektualë, përfaqësues të komuniteteve fetare e të mediave, por edhe politikanët tanë më të lartë (edhe Kryeministri). Por a duhen lejuar këto simbole në ambientet e shkollave. Pak ditë më parë publikuam në gazetën "Shqip" një artikull të shkrimtarit maroken, Tahar Ben Jelloun, editorialist i njohur në qarqet e larta të medias frankofone, për të cilin vënia e shamisë në kokë për femrat myslimane nuk ishte thjesht pasojë e besimit, por se në këtë veprim pasqyroheshin një seri faktorësh kulturorë e socialë. Dikush tjetër tha se të vije shami në kokë, për këto vajza ishte një mënyrë për t‘u dalluar nga të tjerat, për të nënvizuar përkatësinë kulturore, aq sa mund të konsideroheshin fare mirë në thelb me mesazhin që mundoheshin të emetonin me mënyrën e të veshurit gjatë lëvizjeve social-kulturore evropiane të viteve ‘70. Gjithashtu, të gjithë dëgjuam për historianen turke, që nuk u gjykua fajtore në vendin e saj për tezën, se shamia në kokë në kohët pagane ishte pjesë e një riti seksual. Por, përgjigjja më e mirë lidhur me këtë arsyetim vjen ndoshta nga deklarata e një profesoreshe të njohur italiane, e cila, megjithëse ishte krejtësisht kundër mbajtjes së shamisë në shkollat italiane, vërente se asaj vetë më shumë përshtypje i bënte nja vajzë me pirsing në fytyrë se një tjetër me kokë të mbuluar. Dhe po ta konsiderojmë si veprim thelbësisht kulturor (për fat të keq nuk është gjithnjë i tillë), e kemi shumë më të lehtë të mendojmë se në klasat e shkollave apo auditorët e universiteteve do të ishte më e lehtë të pranohej një vajzë me shami në kokë se një tjetër me lloj-lloj hekurash në fytyrë. Të jemi të sigurt se një prind shqiptar do të pranonte me shumë më lehtësi që bija e tij të ulej përkrah një vajze me shami në kokë, se te një tjetër me hundë, buzë, veshë apo gjuhë të shpuar, apo me tatuazhe nga më të çuditshmit vend e pa vend. Më shumë nga një vajzë që e mban shaminë në ambientet e universitetit, e cila, me shumë të ngjarë di mirë dhe është e ndërgjegjshme për efektin e këtij veprimi, duhet të na shqetësojnë ato që nuk kanë asnjë shans të shkollohen e për rrjedhojë nuk dinë as motivin për të cilin e bëjnë një gjë të tillë. G. Shqip

Shtuar më 08/11/2006, ora 09:23
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori