Sejdiu di te thote dhe JO
Albeu.com
nga Armand ShkullakuShkupi zyrtar tentoi, një ditë më parë, të përdorte të njëjtën strategji hileqare, me të cilën po i trajton kohët e fundit marrëdhëniet bilaterale me Republikën e Kosovës. Ftesa për një vizitë zyrtare për Presidentit Fatmir Sejdiu u shndërrua papritur në ftesë për një vizitë pune.Madje jo në Shkup, por në Ohër, ku presidenti i sapozgjedhur, Ivanov, do të gjente kohë të shkëputej nga forumi i biznesit turko- maqedonas, për t’i dhënë dorën homologut kosovar. Ky ishte plani maqedon, sipas variantit të njohur, që edhe palën kosovare ta begenisë disi, por edhe në raportet me Beogradin të mos shkaktojë asnjë lëkundje.

Shkupi e provoi me sukses një lojë të tillë diplomatike, kur refuzoi të ftonte në ceremoninë e inaugurimit të presidentin Ivanov, kreun e shtetit kosovar, Fatmir Sejdiu. Heshtja dhe tërheqja gati me përulje e Sejdiut, “u ble” me një ftesë zyrtare që protokolli maqedon ia dërgoi pa humbur kohë liderit kosovar. Ky i fundit e pranoi dhe gjithçka u konsiderua një operacion i sukesshëm për diplomacinë maqedone. Serbia mbeti e kënaqur që kushti i saj u plotësua, ndërsa Kosova, pas shkopit, u gëzua me karrotën.

Por Shkupit, përballë përuljes së palës kosovare, me sa duket edhe karrota i është dukur tepër. Një ceremoni zyrtare dhe një pritje shtetërore e presidentit Fatmir Sejdiu, i pari homolog që do të takohej zyrtarisht me presidentin e ri maqedon, mund të irritonte Beogradin, që ende nuk e ka kapërdirë njohjen e Kosovës nga vendet fqinjë. Zgjidhja është menduar përsëri në kurriz të palës kosovare. Thelbi i vizitës është ndërruar, duke menduar se edhe këtë radhë Fatmir Sejdiu nuk do të thotë jo. A nuk ka qenë kështu dhe herët e tjera?

Po, ka qenë. Por këtë herë Fatmir Sejdiu tha: JO. Dhe kishte shumë arsye për ta bërë këtë. Presidenti i Kosovës u detyrua ta kapërdijë fyerjen që iu bë atij dhe vendit të tij, duke mos i konsideruar të barabartë me të tjerët në rajon në ceremoninë e inaugurimit të Ivanovit, për hir të stabilitetit dhe konjukturave të brishta pas njohjes së pavarësisë. Për këtë iu desh të paguajë një faturë të lartë dinjiteti përballë opinionit publik që thuajse i gjithi kërkoi që shteti i tyre të respektohej. Një nëpërkëmbje e dytë do të ishte fatale dhe do ta zhvlerësonte krejtësisht institucionin e presidencës. Prandaj Fatmir Sejdiu tha jo.

Nëse ai do të kishte pranuar të shkonte në Ohër për një takim pune me Ivanovin, Shkupi zyrtar do të bindej se me institucionet e Kosovës mund të sillesh si të duash. Madje nuk do të ishte çudi, që presidentin Sejdiu ta kthenin edhe në kufi, për “defekt të kompjuterit”, e t’i thonin që vizitën mund ta bënte një ditë tjetër. Këtë tejkalim të pasjellshëm dhe arrogant të së drejtës nga pala maqedone, Sejdiu nuk kishte si ta toleronte. Dhe veproi shumë mirë duke e refuzuar ftesën e përçudnuar.

Presidenti i Kosovës kishte arsye t’i thoshte jo diabolizmit të fqinjit jugor edhe në emër të asaj çka ai përfaqëson. Sejdiu duhej të tregonte se ai di të sillet si President i një vendi të pavarur dhe se i respekton të gjitha ndjeshmëritë e qytetarëve të tij. Një lider, që ka kurajën t’i përgjigjet dhe të shkojë në sinkron me shqetësimin e opinionit publik.

Ai këtë herë ka thënë jo edhe në emër të qytetarëve të Kosovës. Dhe Presidenti përsëri ka bërë mirë që e refuzoi takimin.
Fatmir Sejdiu duhej të thoshte jo edhe për të vendosur në vend autoritetin e vendit të tij në raport me Ish Republikën Jugosllave të Maqedonisë. Marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë bazohen mbi reciprocitetin dhe Shkupi nuk mund të aplikojë vazhdimisht standarde të dyfishta me Kosovën.

Ai nuk mundet, i detyruar mesa duket nga presioni ndërkombëtar, që edhe ta njohë Kosovën shtet, por edhe të zvarrisë marrëdhëniet diplomatike. Nuk mundet të deklarojë se e respekton fqinjin verior, por qytetarët dhe presidentin e tij t’i trajtojë si të dorës së dytë. Duke refuzuar ftesën për të takuar Ivanovin, presidenti Sejdiu i dha më në fund një leksion të mirë Ish Republikës Jugosllave të Maqedonisë, atë se me Kosovën, këtej e tutje, duhet bërë kujdes.

Sjellja e kujdesshme nuk duhet përkthyer gjithnjë si dobësi. Edhe për këtë mesazh, Sejdiu bëri mirë që refuzoi.

Vendime të tilla, ndonëse jo shumë të mëdha në dukje, janë pika kyçe në marrëdhëniet mes shteteve. Shqiptarët e Kosovës, sot e kanë ndjerë shtetin e tyre.
Shtuar më 28/05/2009, ora 19:24
Tage: arkiv

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori