Rrezikohet jeta e Tadiç
Albeu.com
nga Agim Popoci Duke njohur pretendimet e radikalëve për pushtet dhe orekset e tyre për luftë, nuk është edhe larg mendsh që ata të inskenojnë një vrasje të dytë nga Njësia Speciale e UDB-së, për të vrarë tashmë Presidentin i cili do të zëvendësohej nga njeriu u parë i Parlamentit të Serbisë.Pas zgjedhjes së nënkryetarit të Partisë Radikale, Tomislav Nikoliç, për kryetar të Parlamentit të Serbisë rrezikohet edhe jeta e Presidentit të Serbisë. Duke njohur pretendimet e radikalëve për pushtet dhe orekset e tyre për luftë, nuk është edhe larg mendsh që ata të inskenojnë një vrasje të dytë nga Njësia Speciale e UDB-së, për të vrarë tashmë Presidentin i cili do të zëvendësohej nga njeriu u parë i Parlamentit të Serbisë.

Dhe, ndërsa do të tregoheshin përralla nga të dyja anët se ai është vrarë nga shërbimet e huaja sekrete ose Klani i Zemunit II, pushteti do t‘u mbetej radikalëve, e në një të ardhme të afërt, ai do të betonohej me radikalizëm dhe luftë. Pastaj, zgjedhjet mund të zhvillohen edhe një herë në muaj dhe dihet se kush do të fitojë... këtë praktikisht e demonstroi Sllobodan Millosheviçi.

"…kurva del Koshtunica"

Njeriu i parë i Partisë Radikale të Serbisë dhe krimineli më i madh i luftës që është gjallë, Vojisllav Sheshel, kohë më parë kishte botuar librin ""Partneriteti politik i kurvës Del Ponte dhe kurvës Del Koshtunica". Edhe pse politikanët serbë e quajtën marrëzi të radhës, ky libër duhet të analizohej me kujdes nga Presidenti i Serbisë, Boris Tadiç. Përpjekjet e tij për të formuar qeverinë me një njeri, të cilin Sheshel e kishte analizuar me detaje, ndoshta është një gabim që mund t‘i kushtojë edhe me jetë. Zoran Gjingjiç nuk u vra, sepse ishte i marrë ose i paditur, por ishte një kundërshtar politik i Partisë Socialiste të Serbisë së Millosheviçit dhe asaj Radikale të Sheshelit dhe në krah kishte Koshtunicën.

Kjo humbje e rëndë jete për Partinë Demokratike të Tadiçit ishte fitimprurëse vetëm për demokratët e Koshtunicës, që u pozicionuan me ushtrim pushteti dhe koalicion me kriminelët e luftës, për një fakt të vetëm, sepse kishin Shërbimet Sekrete. Syçeltësia e Tadiçit që në fillim të negociatave për formimin e qeverisë ishte jetëshkurtër. Edhe pse Tadiçi e kishte kuptuar se, përderisa njerëzit e Koshtunicës e kanë në dorë Shërbimin Sekret të Serbisë, nuk është fare e rëndësishme se kush do të jetë ministër i Punëve të Brendshme, gjë që e demonstroi Koshtunica që nga 5 tetori i vitit 2000. Koshtunica i dha doganat malazeze, i dha policinë, hoqi dorë nga buxheti malazez, i dha forcat e armatosura, edhe gjithë Malin e Zi, por për asnjë moment nuk e dha Shërbimin Sekret. Në momentin që negociatat ngecën pikërisht te kreu i Shërbimit Sekret të Serbisë me qeverinë serbe 2007, do të ishte pikërisht Tadiçi, i cili duhet të hiqte dorë nga koalicioni qeverisës me "kurvën del Koshtunica" dhe të shpallte zgjedhje të reja parlamentare. Por me një këshilltar nga partia e Koshtunicës, Presidentit të Serbisë do t‘i ndalej ora politike, duke harruar edhe familjen dhe jetën e tij.

Boris Tadiç ka harruar që kryetari aktual i Parlamentit të Serbisë, Tomisllav Nikoliç, i kishte dërguar një mesazh mediatik ish-kryeministrit të Serbisë, i cili kishte të lënduar këmbën dhe e mbante në allçi: "Nëse dikush e sheh Zoran Gjingjiç, i thoni se Tito para vdekjes kishte problem me këmbën". Se vdekja ose vrasja, për Nikoliç, nuk kanë ndonjë rëndësi, për këtë flet edhe deklarata në dhjetor të vitit 2003, që dha për gazetarin e vrarë nga UDB-ja e Millosheviçit, Sllavko Çuruvija: "Nuk më erdhi keq që e vranë, e çfarë pastaj?".

Qullashi Koshtunica

Edhe pse lideri i radikalëve serbë, Vojisllav Sheshel në testamentin e tij porosit anëtarësinë se kurrë, për asnjë çmim të mos bëjnë aleancë me "tradhtarët Boris Tadiç e Vojisllav Koshtunica", zëvendësi i tij, Nikoliç këtë nuk e mori parasysh, sepse për t‘u zgjedhur kryetar i Parlamentit të Serbisë bashkëpunoi me Partinë Demokratike të Serbisë së Vojisllav Koshtunicës. Ndonjë konsideratë të veçantë për liderin e demokratëve të Serbisë, deri dje nuk e kishte as vetë Nikoliç, i cili shpesh Kryeministrin e quante "qullashi Koshtunica", por me ndihmën e qullashëve, ai u bë kryetar i Parlamentit. Për momentin, synimet e tij nuk dihen, por njeriu më i pacipë i Parlamentit të Serbisë, që nga themelimi i tij, njeriut të cilit Sheshel i përzgjidhte librat për t‘i lexuar dhe e këshillonte për jetën edhe politike, tashmë qëndron në krye të të përzgjedhurve të popullit serb, njeriu të cilit nuk i duhet as BE, NATO dhe SHBA, sepse ka Rusinë. Këta të përzgjedhur të popullit kanë arritur të dëgjojnë shumë fjalë fyese nga goja e kryeparlamentarit, meqë seancat transmetoheshin nga televizioni publik serb. Gjatë gjithë kohës, ai vetëm sa ka fyer kundërshtarët e tij politikë, madje mbetet në historinë e këtij Parlamenti të çmendur, kur me rastin e zgjedhjes së ministrit të Jashtëm të Serbisë, Vuk Drashkoviç, ai të dalë në foltore të shprehet: "E, kësi lloj muti ju keni zgjedhur për ministër". Kështu, me një kryetar të tillë Parlamenti, Serbia ka afat deri më 15 maj të zgjedhë qeverinë e saj. Në të kundërt, nëse Presidenti i Serbisë deri atëherë është ende në jetë, do të shpallë zgjedhje të reja, që do të mbaheshin pas 60 ditësh.

Përveç jetës së tij, Presidenti i Serbisë, Boris Tadiç nuk e ka llogaritur se deri në zgjedhjet e ardhshme, qeveria teknike me në krye Vojsillav Koshtunicën mund të qeverisë vendin edhe për gjashtë muaj, sepse afati për formimin e qeverisë së re, nëse zgjedhjet zhvillohen më 14 korrik, skadon më 10 nëntor. Ndërsa bashkësia ndërkombëtare, e shqetësuar aq shumë me zgjedhjen e njeriut të parë të radikalëve në krye të Parlamentit të Serbisë, e ka kuptuar më në fund se nuk duhet të jetë elita politike serbe ajo që duhet të pyetet për Kosovën, sepse ajo nuk po pyetet as për veten e saj. Nga 250 deputetë gjithsej që ka Parlamenti i Serbisë, 142 i dhanë votën Nikoliçit, i cili nuk është për integrimin euroatlantik, nuk i interesojnë negociatat me Brukselin, që për të, janë thjesht e vetëm kërcënime, dhe preferon që për Kosovën të luftojë deri në serbin e fundit, nëse është nevoja... G. Shqip
Shtuar më 11/05/2007, ora 09:21
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori