Rregullorja e Shqipërisë dhe Kushtetuta e Universitetit
Pëlqej
Albeu.com
nga Redi Shehu
Rektori i Universitetit të Durrësit z. Kukeli ka zgjedhur mënyrën më të gabuar për t’i bërë publicitet vetes së tij, duke ndërtuar karrierën personale mbi shpërfilljen, injorimin dhe anatemimin e e të drejtave të studentëve të tij.“Hiqe mjekrën” – frazë kjo e zakonshme në kufirin shtetëror të Republikës Socialiste të Shqipërisë, jo shumë larg në kohë, por rreth dy dekada më parë, kur në kufirin tonë, në vend të doganierëve të shumtë që janë sot, shikoje një skuadër berberësh me gjithë logjistikën e “mprehtë” të tyre për të shkurtuar dhe spastruar të gjitha mbeturinat borgjeze dhe duke i futur në karantinë turistët si të ishin bartës të virusit të gripit të shpendëve, të cilët kërcënonin lumturinë dhe paqen e shqiptarëve.

E njëjta frazë sot përsëritet nga jo më doganierë-berberë por nga rektori-berber i sapo fronëzuar i Universitetit të Durrësit i cili logjistikën e tij të “mprehtë” nuk e drejton jo vetëm ndaj individit por e përdor atë edhe më gjerë, ndaj “qethjes” kushtetuese duke lënë jashtë kufirit të dijes një kategori të tërë njerëzish të cilët mendojnë se kushtetuta është bazamenti dhe formuluesja e një shtetit demokratik si dhe mbrojtësja më fuqiplotë e të drejtave dhe lirive të individit.

Rektori i Universitetit të Durrësit z. Kukeli ka zgjedhur mënyrën më të gabuar për t’i bërë publicitet vetes së tij, duke ndërtuar karrierën personale mbi shpërfilljen, injorimin dhe anatemimin e e të drejtave të studentëve të tij.

“Ke dy javë kohë për të qethur mjekrën, ndryshe nuk lejohesh të frekuentosh Universitetin tonë” – i është shprehur rektori – berber, një djaloshi student të Universitetit të Durrësit i cili kishte fituar të drejtën për të studiuar në këtë universitet. Pak a shumë të njëjtën frazë, por në lidhje me heqjen e shamisë ia kishte përplasur në fytyre edhe studentes Behije Hoxha e cila edhe ajo kishte fituar të drejtën për të studiuar në këtë universitet.

Nuk ka fare rëndësi fakti për rektorin e nderuar sa çfarë rezultatesh ka studentja apo studenti musliman, por e rëndësishme është ngjyra e flokëve dhe që mjekrrat në Universitetin e Durrësit nuk duhet të kalojnë gjatësinë e atij të rektorit të po këtij universiteti. Dhe e gjitha kjo bazuar në një rregullore e cila sfidon Kushtetuten e Shqipërisë. Ndoshta rektori duke menduar se në Shqipëri ka qenë precedent ku marrëveshje, rregullore apo ku ta di unë kanë sfiduar dhe anashkaluar kushtetutën e këtij vendi në mënyrë sistematike, “akademiku” bregdetar e ka parë si zgjidhje që ky vend është më shumë strehë rregulloresh se kushtetute. Një regullore mund të sistemojë më mirë gjërat. Ky është është një vend të drejtash kushtetuese të haruara, ndaj edhe prakticiteti i një fanto-rregulloreje do të zgjidhte më mirë ambiciet e veta.

Por ajo që është më e çuditshme ishte deklarat e Kryeministrit të vendit i cili u shpreh se respektonte edhe mbulesën edhe pavarësinë e universiteteve pa u merakosur se mbi ç’baza ishte ndërtuar kjo e fundit. Domethënë gjithçka shkonte si s’ka më mirë. Në fakt deklarata të tilla jo të rralla të kryeministrit ngjanin me ndonjë urim dasme ku fliten fjalë të mira edhe për nusen edhe për dhëndrrin. Por Kryeministri ynë anashkaloi faktin se kushtetuta jonë që me aq patos mbrohet po nga ai në parlament, ishte jo shkelur, por përdhosur fare.

Rektori i Universitetit “Alekdsandër Moisiu” i qytetit të Durrësit që ishte emëruar ndoshta jashtë rregullave akademike pa pasur përvojën dhe gradat e duhura për një rektor universiteti të një qyteti shumë të rëndësishëm të Shqipërisë, kishte sfiduar shtetin e së drejtës duke i ngjasuar regjimit të EnverHoxhës i cili përjashtonte nga e drejta për arsimim klasën e të përndjekurve dhe kulakëve, ndërsa ky “akademiku” i Durrësit përjashtonte nga e drejta por studim një shtresë të tërë të popullsisë shqiptare, atë të besimtarëve muslimanë.

Kryeministri ynë me siguri që e njeh kushtetutën shumë mirë dhe e di se veprime të tilla flagrante janë opozita e asaj që duam të ndërtojmë. Po pse atëhere ai e toleron këtë ? Mos ndohta ngaqë z. Kukeli është anëtar kryesie i Parisë Demokrate të Re të ministrit të Arsimit Genc Pollo ? Do të ishte jo komode të ndizte ndonjë përplasje me aleatët e vet, që duhet thënë, si po shkojnë punët, i duhet t’i mbajë ngjitur fort pas vete.

Pikërisht pas deklaratës së kryeministrit, rektori Kukeli pasuroi arsenalin e vet dhe përjashtoi edhe një besimtar musliman për shkak të mjekrrës së vet.

Ne duhet të jemi të ndërgjegjshëm për faktin se laiciteti i sistemit tonë arsimor konsiston në proçesin e mësimdhënies, i cili është neutral dhe i barazlarguar nga fetë. Por duhet të jemi po aq të ndërgjegjshëm që proçesi i mësimarrjes apo frekuentimit, i përthithjes së dije jo vetëm që është e drejtjë kushtetuese, por nuk ka fare të bëjë me laicitetin e mësimdhënies. Kjo sepse nëse i pari është një proces publik, i dyti është një proces inividual, dhe si i tillë gëzon të gjitha të drejtat e paprekshmërisë së lirisë dhe të drejtave të individit. Nuk mund të dëmtojë veshja e individit apo paraqitja e tij e jashtme laicitetin e proçesit mësimor.

Natyrisht që ekzistenca e një rregulloreje sidomos në paraqitjen e jashtme të studentëve është mëse e domosdoshme në mënyrë që veshja të jetë modeste dhe të ndikojë që studentët të jenë më të përqëndruar gjatë procesit të mësimarrjes, por kjo gjithmonë duhet të jetë në kontekstin kushtetues, sepse precedentë të tillë të kufizimit të të drejtave bazë të një shtrese të caktuar të popullsisë mund të shtrihen nga kufizimi për të pasur shërbime arsimore, në kufizime për të pasur shërbime shëndetësore, apo shërbime të tjera publike apo edhe më vonë kufizime nga e drejta për të votuar dhe e gjitha kjo bazuar në diversitetin fetar dhe kulturor.

Shkarje të tilla nga kushtetuta si ekuilibruese e të drejtave të shtetasve janë pararendëse për deformime sociale, konflikte të brëndëshme dhe jostabilitet. Botuar ne Gazeten Start
Shtuar më 02/11/2006, ora 15:13
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori