Republika e asfaltit
Albeu.com
nga Redi ShehuAsnjëri nuk shqetësohet që të dijë se cila është arsyeja e këtij kaosi të liçensuar, sepse…. të gjithë e dinë, ndërsa për një të huaj përgjigja do të ishte:  “mirësevini në prag-fushatën elektorale shiptare”.
Shtresa të vjetra asfalti dhe dheu gëlthasin nën peshën stërmadhe të rrulit gjigant që sapo ngjiste sipër lustren e re fringo të asfaltit të nxehtë, duke ua mbyllur “gojën” dhe njëkohësisht duke fosilizuar dëshminë trishtuese të tyre si një e kaluar e mjeruar infrastrukturore. Trotuare në arratisje që kanë humbur kuptimin e tyre nga gërmimet e një spartakiade makinerish ngjyre luledielli që kanë zhveshur koren e tokës duke nxjerrë dheun e kuq në të errët i cili u ngjitet takave të kalimtarëve duke i shoqëruar besnikërisht deri tek dera e shtëpisë dhe në shumë raste duke u bërë mysafir i padëshiruar i një shtëpie të pastër e të regullt. Tabela ndalim qarkullimi apo kalimi në akse apo kryqëzime  kryesore, popullojnë në formën e një mitingu të paligjshëm, së bashku me turma makinash dhe shoferësh të acaruar e kalimtarësh serbesë që shikojnë pa shpresë siluetën e një manikini me ngjyrë të verdhë, që duhej të ishte polici i qarkullimit rrugor. 
               Punëtorë të infrastrukturës rrugore që në mes të gërmimit apo ndotjes fishkëllejnë orët e punës, përzihen me kabllo stërmëdha që si tentakula oktapodi shtrihen pa u trazuar në mesin e një lëvizjeje kaotike. Transport publik udhëtarësh i bllokuar deri në absurditet, stacione autobuzi të populluar nga njerëz që nga pritja e pafund u del kohë edhe të lidhin krushqi mes vete, ngushtime rrugësh, ndryshime drejtimesh, qethje pemësh, asfaltizim të rrugicave më periferike sipas një plani të çuditshëm preferencial, prishin atë status-quo ritmike të kryeqytetit shqiptar.
               Asnjëri nuk shqetësohet që të dijë se cila është arsyeja e këtij kaosi të liçensuar, sepse…. të gjithë e dinë, ndërsa për një të huaj përgjigja do të ishte:
 “mirësevini në prag-fushatën elektorale shiptare”.
               Ky sistem punimesh që në disa raste ka rezultuar të ketë një  përfundim njëpërdorimësh të tipit “përdor dhe hudhe”, tregon se nxitimi elektoral ka parakaluar cilësinë dhe qëllimin e tyre. E shkuara jonë na mëson se nuk janë të pakta rrugë apo arterie të rëndësishme që në mesin e tyre kanë shtylla të tensioneve të larta apo të ulëta, të cilat si direkë anijesh me vela na kujtojnë të gjithëve se sa fuqishëm ka fryrë era e çrregullt e politikës infrastrukturore në Shqipëri.
               Me të vërtetë ndoshta nuk do të ekzistojë vend tjetër në të cilin bitumi apo asfalto-betoni të marrë një rëndësi të përmasave të tilla sa në Shqipëri, madje këtu ai ndihet i llastuar sepse ka dy emra, bitum i majtë dhe bitum i djathtë, këtu ai fare lehtë mund të përcaktojë të ardhmen politike të miliona vetëve dhe mund të bëhet faktor për rrokullisjen e çdo force politike. Në dryshim me vendet me të cilat  ne aspirojmë të ecim përkrah, ku punimet infrastrukturore janë procese normale dhe me zhvillueshmëri të njëtrajtshme, pa konotacione të krahëve politikë, tek ne, gjatë këtyre mandateve të fundit politikë është vërejtur një asfaltizim i qëllimeve politike në funksion të mbajtjes në shumë raste pa meritë të pushtetit, duke  glorifikuar deri në tepri një proces të natyrshëm dhe të nevojshëm për një shoqëri në nevojë. Shirita përurimesh të veprave infrastrukturore ka kohë që na janë servirur në atë soj forme duke i shndërruar ato nga një veprim rutinë, në sukses të rëndësisë së veçantë.
               Të kuptohemi, të gjithë e dimë se nevojat tona për një performancë më të mirë infrastrukturore janë mëse të nevojshme, por ajo që neve na është dashur më pak se asgjë tjetër gjatë këtyre viteve të tranzicionit,  ka qenë komercializimi me hallet dhe nevojat bazë. Kjo nuk do të thotë se realizimi i veprave infrastrukturore dhe sidomos kur ato janë të mëdha, nuk përbën sukses për forcën politike që ndodhet në pushtet, por,  kur ato zipohen, ngjishen vetëm në raste fushatash elektorale duke lënë pjesën më të madhe të mandatit politik në një zbrazëti infrastrukturore,  formatojnë kështu një precedent aspak optimist qeverisës.
               Për fatin tonë të keq, por, ndoshta edhe për vetë mënyrën se si u konceptua zhvillimi demokratik shqiptar, asfaltizimi i fushatave dhe i politikës sonë ka qenë tipar kryesor gjatë adoleshencës së demokracisë shqiptare. Vota e një deputeti zone apo kryetari bashkie shpesh matej me sasinë e bitumit që mbulonte nxitimthi gropa të mirëkonsoliduara, të  cilat, strukeshin nën asfaltin e ri përkohësisht, duke dalë më vonë fitimtare pas mbarimit të garës elektorale. Pra asfaltizimi i mandatit politik nganjëherë e kthente strategjinë politike në katran politikë, duke humbur vlerën e përfaqësimit të interesave të zgjedhësve, të cilët vetë duke qenë nën  presionin për të zgjedhur midis asfaltit dhe personit, sigurisht që zgjedhnin të parin, paçka se asfalti ikte dhe personi mbetej.
               Shembuj nga e kaluara politike shqiptare rreth glorifikimit të bitumit deri në absurditet, janë të shumtë, kjo sepse dashur pa dashur ndikonte në asfaltizimin e mendimit politik të zgjedhësve, në ngushtimin e vizionit të tyre për të ardhmen, në çoroditjen parazgjedhore, por mbi të gjitha ndikonte në mos fokusimin dhe analizimin e saktë të kandidatit që për një kohë jo të shkurtër do të merrte fatin e tyre në dorë. Pra, asfaltizimi i mendimit politik të zgjedhësve ishte strategjia thelbësore për të  mbuluar të metat qeverisëse të klasës politike shqiptare, por edhe paaftësinë për të prodhuar politikë të mirëfilltë.
               Ajo çka vërehet në qeverisjen aktuale, përveç shkuarjes për inerci me fenomenin, janë tentativat në disa raste edhe serioze për të dalë nga rrethi vicioz elektoral i bitumit, duke u fokusuar në punime infrastrukturore të mëdha që kanë shtrirje kohore të gjatë duke mbushur kështu vakumin e investimeve gjatë një mandati. Po t’i shtojmë kësaj edhe buxhetin shtesë të aprovuar në mesin e këtij viti, i cili i dha një shtysë të rëndësishme investimeve publike, atëherë panorama bëhet akoma më optimiste.
               Zgjedhjet lokale në afrim e sipër padyshim që nuk i shpëtuan fenomenit të përdorjes së  investimeve publike në funksion të zgjatjes së mandatit politik dhe këtu e kam fjalën në mënyrë të veçantë për kryeqytetin, ku kryebashkiaku Rama e shndërroi në art këtë premisë, duke ndikuar në shumë njerëz të cilët matnin kapacitetin manaxhues me metrat katrorë të asfaltit, apo me bojatisjen shpeshherë anormale të ndërtesave. Fenomeni i asfaltizimit të gjykimit politik të zgjedhësve të kryeqytetit bëri që puna e kryebashkiakut gjatë këtyre dy mandateve të tija  të shihej si ndryshim i madh ndaj asaj se çfarë ishte Tirana më parë, dhe këtu nuk ka ndonjë problem, por  e keqja qëndron  në faktin se duke qenë në pozita të tilla, zgjedhësit kurrë nuk mundën të bënin vlerësimin jo më në rapot me të shkuarën por në raport me atë se si do të duhej të kishin një Tiranë më të mirë të mundshme.
            Pikërisht mbi këtë perspektivë elektorati shqiptar duhet të ndërtojë mendimin e vet politik në lidhje me të zgjedhurit e vet, duke dalë nga kërkesat dhe pretendimet utilitare, dhe të shtrijë vizionin e vet përzgjedhës jo më për një zgjidhje emergjente por për një zgjidhje afatgjatë, për një Shqipëri më të mirë të mundshme, jashtë kafazit shpeshherë spekulativ infrastrukturor. Botuar ne www.gazetastart.com
Shtuar më 29/11/2006, ora 17:20
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori