Rendi i ri botëror i Rusisë: Ja pesë parimet
Albeu.com
Pas konfliktit në Gjeorgji, Presidenti rus, Medvedev, shpalos një politikë të re të jashtme. Dhe ne kete stratgeji, gjithçka ndërtohet mbi një bosht: Interesat kombëtare ruse.Pas konfliktit në Gjeorgji, Presidenti rus Dimitri Medvedev ka prezantuar pesë parime që ai thotë se do të udhëheqin politikën e jashtme ruse. Rregullat e reja të Moskës nuk janë një kornizë për "një luftë të re të ftohtë". Ajo ka qenë në fakt një luftë globale ideologjike dhe ekonomike. Kjo e tanishmja ka të bëjë më shumë me mbrojtjen e interesave kombëtare.


Kthim prapa në shekullin XIX?


Parimet, duke iu referuar "interesave të privilegjuara" dhe mbrojtjes së qytetarëve të Rusisë, do t‘i shkonin më përshtat liderëve rusë të shekullit XIX. Ato do të ishin më të pëlqyeshme për Stalinin dhe pasuesit e tij që panë Bashkimin Sovjetik të përhapte komunizmin në glob. Në një farë mënyre, ne po kthehemi në shekullin XIX, me një Rusi nacionaliste që sheh mbi të gjitha interesat e saj, por të hapur për bashkëpunim me botën e jashtme në çështje ku ajo kërkon të tregohet fleksibël. Parimet e Presidentit Medvedev, jo domosdoshmërisht përjashtojnë pajtimin e Rusisë për të vazhduar me qëndrimin e ashpër diplomatik kundër Iranit. Dhe kontratat energjetike nuk janë domosdoshmërisht të kërcënuara. Mbi të gjitha, ato na tregojnë se konflikti në Gjeorgji ishte për Rusinë, siç shprehet ministri i Jashtëm rus, "një moment i së vërtetës" që ka krijuar më shumë qartësi. Por cilat janë parimet e perifrazuara nga vetë Presidenti Medvedev në një intervistë dhënë tre kanaleve kryesore televizive të Rusisë.


Ligji Ndërkombëtar


"Rusia njeh dominimin e parimeve bazë të ligjeve ndërkombëtare që përcaktojnë marrëdhëniet mes kombeve të civilizuara. Dhe në kuadrin e këtyre parimeve, të këtij koncepti të ligjit ndërkombëtar, ne do të zhvillojmë marrëdhëniet tona me shtetet e tjera".


Një botë shumëpolare


"Bota duhet të jetë shumëpolare. Një polarizimi është i papranueshëm, dominimi nuk është i lejueshëm. Ne nuk mund të pranojmë një rend botëror, në të cilin të gjitha vendimet merren nga një vend, edhe nëse ky vend është aq serioz dhe kompetent sa SHBA. Kjo lloj bote është e paqëndrueshme dhe e mbrujtur me konflikt".


Jo izolimit


"Rusia nuk kërkon konfrontim me asnjë vend. Rusia nuk ka ndër mend ta izolojë veten. Ne do të zhvillojmë sa më shpejt që të mundemi marrëdhënie miqësore si me Evropën ashtu edhe me SHBA dhe vendet e tjera të botës".


Mbrojtja e qytetarëve


"Prioriteti ynë i padiskutueshëm është mbrojtja e jetës dhe dinjitetit të qytetarëve tanë, kudo ata janë. Ne do të udhëhiqemi nga ky parim në politikën tonë të jashtme. Ne do të mbrojmë edhe interesat e kompanive tona jashtë vendit. Dhe duhet të jetë e qartë për këdo që nëse dikush ndërmerr një hap agresiv, do të marrë një përgjigje".


Sfera e ndikimit


"Rusia, ashtu si vende të tjera të botës, ka rajone ku ka interesat e saj të posaçme. Në këto rajone përfshihen ato me të cilat tradicionalisht kemi pasur marrëdhënie të mira, historikisht marrëdhënie speciale. Ne do të punojmë me kujdes në këto rajone dhe do të zhvillojmë këto marrëdhënie miqësore me këto shtete, me fqinjët tanë të afërt".


I pyetur nëse këto rajone prioritete ishin ato që kufizoheshin me Rusinë, ai u përgjigj: "Sigurisht rajonet që kufizohen me ne, por jo vetëm ato". Më tej, ai deklaroi: "Për sa i takon së ardhmes, nuk varet vetëm te ne. Ajo varet edhe te miqtë e partnerët tanë në komunitetin ndërkombëtar. Ata e kanë një zgjedhje".


Pasojat


Këto janë pra parimet e reja. Por çfarë pasojash do të kenë ato?

Dominimi i ligjit ndërkombëtar: Ky parim duket në pamje të parë inkurajues. Por, Rusia ka nënshkruar Rezolutën 1808 të Këshillit të Sigurimit në prill të këtij viti, që e vë theksin tek angazhimi i të gjitha vendeve anëtare për të respektuar sovranitetin, pavarësinë dhe integritetin territorial të Gjeorgjisë...", dhe nuk i është përmbajtur asaj. Moska argumenton që një sulm gjeorgjian në Osetinë Jugore, më 7 dhe 8 gusht, e ka detyruar atë të shkelë këtë angazhim dhe të hidhet në mbrojtje të qytetarëve të saj atje. Por ajo nuk mundet të flasë për besimin e saj te ligji ndërkombëtar dhe në të njëjtën kohë të ndërmarrë veprime të njëanshme. Ky parim pra, dukshëm është i mangët.


Bota shumëpolare:

Kjo do të thotë që Rusia nuk do të pranojë dominimin e Shteteve të Bashkuara apo një kombinim mes SHBA-së dhe aleatëve të saj, në përcaktimin e politikave botërore. Kjo do të kërkojë që interesat e saj të merren në konsideratë. Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, ka shpjeguar çfarë do të thotë kjo në të vërtetë. "Ka një perceptim, sipas të cilit NATO-ja ka nevojë sërish për vija fronti për të justifikuar ekzistencën e saj", ka thënë ai në një fjalim. Ai jep më pas një tjetër shenjë kundër zgjerimit të NATO-s me vende si Ukraina dhe Gjeorgjia.


Rusia nuk kërkon konfrontim:

Edhe një herë tjetër, kjo tingëllon shpresëdhënëse, por ajo bazohet në pretendimin se nevojat e Rusisë janë të parat që duhen plotësuar. Nëse bota pranon kërkesat e saj, atëherë ajo është e lumtur të jetë një vend mik. Por, nëse nuk ndodh kështu...vijnë kërcënimet.


Mbrojtja e qytetarëve të saj:

Fraza kyçe është "kudo ata ndodhen". Kjo ishte baza me të cilën Rusia shkoi në luftë në Osetinë e Jugut dhe përmban në vetvete potencialin për ndërhyrje të ardhshme si për shembull në Krimenë e populluar nga një mazhorancë ruse, që nga 1954-a gjendet nën Ukrainë. Nëse kjo e fundit do të anëtarësohej në NATO, a do të pretendonte Rusia të mbronte "qytetarët" e saj atje?


Interesat e privilegjuara:

Në këtë parim, Presidenti Medvedev, prek thelbin e çështjes. Rusia po kërkon sferën e saj të ndikimit, veçanërisht mbi shtetet pranë kufijve të saj, por nuk kufizohet vetëm te to. Kjo ka potencialin për zgjerimin e konfliktit nëse këto "interesa" injorohen. (Shqip)
Shtuar më 04/09/2008, ora 03:30
Tage: arkiv

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori