Ramazani dhe porosia per qytetaret!
Albeu.com
nga Xhabir HamitiMuaj i Ramazanit gëzon një rëndësi të veçantë në kalendarin islam. Ky muaj për të gjithë ithtarët e këtij besimi kudo që janë në botë, është muaji më i shenjtë i tyre gjatë gjithë vitit, i cili ndryshe nga muajt e tjerë është cituar ...... tekstualisht në Kur`an: “Muaji i Ramazanit është muaji në të cilin është shpallur Kur`ani...“

Ramazani në origjinal (Ramadan) është muaji i nëntë sipas kalendarit hënor (ose lunar), i cili fillon me shfaqjen e hënës së re pas së cilës të gjithë muslimanët e moshës madhore, të shëndoshë mentalisht dhe fizikisht, janë të obliguar që të agjërojnë, përkatësisht të heqin dorë nga të gjitha llojet e ushqimeve dhe pijeve si dhe nga marrëdhëniet intime mes bashkëshortëve për një kohë të caktuar brenda 24 orëve duke filluar para lindjes së diellit e deri në perëndim të tij.

Ky muaj në ndjenjat e të gjithë besimtarëve të besimit islam, është muaji më i favorshëm i bekimeve hyjnore. Është koha i dëlirjes dhe e pastrimit nga mëkatet dhe gabimet e qëllimta dhe të paqëllimta. Me fjalë të tjera, ky muaj është rinovimi vjetor i cilësive shpirtërore. Është një rast i artë për çdo besimtar musliman që të forcojë besimin si dhe të pastrojë zemrën dhe shpirtin e tij duke larguar dhe mënjanuar efektet e të keqes dhe të gjynaheve.

Agjërimi në literaturën islame klasike dhe në atë bashkëkohore llogaritet si pjesë shumë e rëndësishme e kohës për shoqërinë njerëzore e cila në vete mbart aspekte pozitive materiale, shpirtërore, morale dhe edukative. Një nga përfitimet më të rëndësishme të agjërimit është të ndikuarit e tij në zbutjen e shpirtit të njeriut, forcimin e vendosmërisë dhe në balancimin e dëshirave natyrale të tij.

Ramazani i ngjan gur-themelit mbi të cilin ngrihen karaktere e tipare të ndryshme në përputhje me urdhrat e Kur`anit të cilat e rrisin dhe e zhvillojnë devotshmërinë tek njeriu.

Agjërimi më shumë se çdo rit tjetër fetar në islam, është rasti më ideal për të kërkuar afërsinë me Krijuesin dhe për të fituar kënaqësinë dhe faljen e Tij.

Po ashtu, ky adhurim i veçantë, besimtarët e sinqertë, i bënë thellësisht të ndërgjegjshëm për gjendjen e të gjithë atyre njerëzve të cilët bëjnë një jetë të ngushtë e të parehatshme, qofshin ata afër nesh apo kudo tjetër në largësitë e botës. Është vërtetuar edhe nga praktika se, agjërimi u dhuron njerëzve një durim të pakrahasueshëm, një shpirt të pranimit dhe miratimit. Zhvillon kurajën dhe guximin, si dhe kultivon shpirtin luftues tek njeriu në mënyrë që problemet dhe vështirësitë e jetës t`i kalojë butësisht, me arsye dhe mendje të qetë. Agjërimi po ashtu, e mëson njeriun për sigurinë në Zotin dhe besimin në Të. Ai i mëson atij se si të pushtojë nervozizmin dhe të zhvillojë një vetëkontroll gjatë situatave të ndryshme e jo të lakmueshme. Rrënjos shpirtin e tolerancës tek njeriu që të përballojë kushte dhe rrethana të pavolitshme, si dhe e frymëzon atë me shpirtin e faljes ndaj të tjerëve derisa ai kërkon falje të Zotit për gabimet e veta, dhe në anën tjetër shton dhe rrit solidaritetin dhe dashurinë mes njerëzve.

Duke u nisur nga këto vlera dhe porosi të shtrenjta të cilat i mbart ky muaj i shenjtë, i lus të gjithë qytetarët e vendit tonë, në veçanti ata të besimit islam të cilët janë edhe dëshmitarë të drejtpërdrejtë të këtij muaji, që të punojnë gjithmonë mbarësi e mirësi për veten e vet, për familjen, për rrethin e ngushtë dhe të gjerë, si dhe për të gjithë shoqërinë dhe atdheun tonë, pa lirin e të cilit sigurisht se nuk do të kishim mirëqenien që kemi sot.

Atdheun ta ruajmë e ta mbrojmë nga çdo e ligë, sepse pa atdhe të sigurt nuk do të kemi as adhurim të sigurt. Vazhdimisht t`i kontribuojmë paqes dhe qetësisë mes të gjithë njerëzve pa dallim. Të bashkuar të flakim tutje urrejtjen, inatin, mërinë dhe smirën mes njëri tjetrit. Të jemi më afër me të gjithë viktimat e luftës, duke ndarë dhimbjen me ta dhe duke ua shtrirë dorën e ndihmës materiale dhe morale duke mos i harruar asnjëherë nga kujtesa, sepse dhimbja e tyre shpirtërore është më e rëndë sesa pesha e maleve.

Të zbusim zemrën ndaj njëri tjetrit e të mos bëhemi egoistë, duke menduar vetëm për interesin tonë personal e individual. Të kuptojmë se si qenia më e përsosur që jemi në sipërfaqen e tokës, e zgjedhur nga Krijuesi ynë, nuk jemi pa detyrime dhe pa përgjegjësi ndaj njëri tjetrit.

Të jemi të bindur se, asnjëherë nuk do të jemi të kënaqur dhe nuk do ta shijojmë kënaqësinë dhe rehatinë shpirtërore, përderisa një pjesë e shoqërisë sonë jeton në gjendje të rëndë si: pa kushte elementare për një jetë normale, pa ushqim të mjaftueshëm, pa veshmbathje, dhe pa libra e pa fletore për një shkollim të mirëfilltë.

Njëherë e përgjithmonë të kuptojmë se, asnjëherë, asnjë shoqëri në botë nuk ka përparuar pa institucionin e mirëfilltë të drejtësisë dhe gjykimit të drejtë. Prandaj, mos të harrojmë se as ne nuk do të kem përparim të mirëfilltë, nëse në mesin tonë mungojnë këto elemente të rëndësishme, të cilat ndryshe janë edhe urdhër i Zotit të Madhërishëm.

Nuk do të kemi mbarësi, nëse në mesin tonë mungon mëshira ndaj njëri tjetrit dhe nëse solidariteti dhe dashuria e ndërsjelltë nuk e zë vendin e duhur.

Ata që kanë arritur majën e pasurisë materiale në vendin tonë, le të mendojnë për nevojtarët dhe të paaftët, le të mendojnë për të sëmurët dhe të vobektët duke i ndihmuar e duke u solidarizuar me ta, sepse vetëm kështu do ta gëzojnë pasurinë që kanë dhe do ta shtojnë bereqetin e tyre nga lutjet që do të bëhen nga ata që me të vërtetë kanë nevojë për dorën e ndihmës.

Të gjithë së bashku të punojmë dhe të japim kontributin tonë për parandalimin e të keqes dhe të gjitha dukurive negative të cilat e plagosin dhe e dobësojnë shoqërinë tonë.

Vetëm duke qenë të butë dhe të arsyeshëm, të drejtë e të fuqishëm, të pathyeshëm e stoikë në të mirë, të bashkuar dhe solidarë për njëri tjetrin, të drejtë dhe të mëshirshëm, të dashur dhe besnikë, të pamëshirshëm ndaj të keqes dhe dukurive negative - do të jemi një shoqëri e cila përveç njerëzve të tjerë të arsyeshëm kudo në botë, do të na dojë dhe do të na ndihmojë edhe Zoti Fuqiplotë.

Në fund, nuk duhet të harrojmë edhe fjalën e Zotit në lidhje me këtë që u theksuam më lart se: “Zoti nuk do të ndryshojë gjendjen e një populli përderisa ai popull nuk e ndryshon veten“.

Prandaj le t`i konsolidojmë radhët dhe të punojmë së bashku për të realizuar dy elemente bazë me të cilat krenohen shoqëritë e mirëfillta:
1. Që në pozita të rëndësishme publike të vendit ku përgjegjësitë për qytetarët janë të mëdha, të vendosim njerëz të merituar dhe të ndërgjegjshëm.
2. Që institucioni i drejtësisë dhe gjyqësisë të jetë në nivelin e detyrës dhe të jetë i barabartë për të gjithë njerëzit pa dallim.

Shih për këtë edhe porosinë kur’anore: “Zoti ju urdhëron juve që amanetet tuaja t`ua leni në dorë njerëzve të ndërgjegjshëm.” Pastaj porosia tjetër: “Kur të gjykoni mes njerëzve, gjykoni me drejtësi.“

Zoti qoftë me ne! Zoti na ndihmoftë në të mirë dhe na faltë gabimet!
Amin!

(Autori prof.dr. sci. Xhabir Hamiti është kryetar i Kuvendit të Bashkësisë Islame të Kosovës)
Shtuar më 22/08/2009, ora 17:20
Tage: arkiv

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori