Rama, prapaskenat e emërimit
Pëlqej
Albeu.com
Pas debateve me Berishën, Topi emëron në vend të Sollakut gjyqtaren Ina Rama. Opozita reagon ashpër: Presidenti, pa integritet.Pas mosakordimit të dy krerëve më të lartë të shtetit mbi emrin e ri të Prokurorit të Përgjithshëm, mëngjesin e djeshëm, odiseja e shkarkimit të Sollakut dhe emërimit të pasardhësit të tij, qetësoi ujërat brenda krerëve të kampit të djathtë. Kryeministri Berisha nuk ka humbur aspak kohë dhe menjëherë sapo Presidenti Topi është kthyer nga Brukseli, është drejtuar për në Presidencë, së bashku me emrin e ri të kreut të Prokurorisë së Përgjithshme. Në takimin e dy ditëve më parë me Presidentin, kreu i qeverisë nuk ka qenë i bindur dhe i sigurtë lidhur me kandidaturat e propozuara nga Presidenti Topi. Kështu që mëngjesin e djeshëm, Berisha vendos të tregohet më bindës, duke i propozuar vetë Presidentit si kandidat për prokuror një "miken" e tij të vjetër, e cila i siguroi Topit në zgjedhjet e 2005-ës mandatin e deputetit, duke lënë në këtë mënyrë jashtë Kuvendit ish-nënkryetaren e Bashkisë së Tiranës, kandidaten për deputete të PS-së, Mimi Kodhelin. Kandidatura e Ina Ramës ka gjetur vlerësime nga të dyja palët, si nga Kryeministri Berisha ashtu edhe nga kreu i shtetit, Bamir Topi. Kryeministri, kohët e fundit, ka preferuar të promovojë figura të reja, ashtu si në qeveri, por tashmë edhe në Prokurorinë e Përgjithshme, duke vendosur në poste të larta miqtë e familjes së vet. Kurse Presidenti Topi jep "Ok" për Ina Ramën për të shlyer "borxhin" e vjetër. Kjo e fundit, në Kolegjin Zgjedhor të Gjykatës së Apelit, ka rrëzuar kërkesën ankimore të paraqitur nga kandidatja për deputete e PS-së në zonën 31 në Tiranë, Mimi Kodheli, e cila pretendonte rrëzimin e vendimit të KQZ-së për mosshpalljen e pavlefshmërisë së zgjedhjeve në zonën e saj. Duke u kthyer 2 vjet mbrapa, menjëherë pas rezultatit të zgjedhjeve parlamentare të 3 korrikut 2005, zbulojmë se vendimi për rrëzimin e kërkesës së Kodhelit u dha nga një trup gjykues, që kryesohej nga gjykatësja Ina Rama. Ky vendim i ka siguruar Topit një vend të sigurtë në Kuvend, duke shuar përfundimisht shpresat e socialistes Kodheli për marrjen e mandatit të ligjvënësit. Ina Rama, dy vjet më parë, i ka dhënë fund ëndrrës së Mimi Kodhelit për të përfaqësuar zonën 31 në Tiranë, në Kuvendin e Shqipërisë, duke i dhënë të drejtë Bamir Topit për të përfaqësuar këtë zonë. Dy vjet më vonë, Topi duket se nuk ka harruar të shpërblejë gjyqtaren Rama, duke e emëruar atë në krye të Prokurorisë së Përgjithshme. Ofertës së Kryeministrit Berisha për të emëruar një femër në postin më të lartë të prokurorisë, Presidenti Topi duket se nuk i ka rezistuar dot, pasi kreu i qeverisë e ka mbërthyer në tela kreun e shtetit, duke i servirur për pasardhës të Sollakut një emër që pëlqehet nga dy liderët e shtetit, Berisha dhe Topi. Kryeprokurorja e re Rama ka qenë në fokusin e akuzave, megjithëse jopublike të ministrit të Drejtësisë, Ilir Rusmali, në tetor të këtij viti, ku nëpërmjet një raporti të Ministrisë së Drejtësisë ku krahas akuzave ndaj ish-kryegjyqtarit, Artan Gjermeni, nuk ka shprehur rezerva edhe ndaj gjyqtares Ina Rama. Ky fakt, ka bërë që kreu i shtetit të bjerë akoma më shumë dakord për këtë emër të propozuar nga Kryeministri Berisha.

Përplasja


Beteja me Gjermenin çon Rusmalin kundër gjyqtares Ina Rama


Njeriu i dekretuar nga Presidenti Topi, pas takimeve të shpeshta kohët e fundit me Kryeministrin Berisha, Ina Rama, ka qenë prej kohësh nën shënjestrën e ministrave të Drejtësisë së PD-së, Aldo Bumçi dhe Ilir Rusmali. Burime pranë Ministrisë së Drejtësisë bëjnë me dije se gjatë kohës kur ka qenë ministër Drejtësie Aldo Bumçi dhe Ilir Rusmali, në një raport që i përket gjashtëmujorit të fundit të vitit 2004 dhe janar-nëntor të vitit 2005, Ina Rama dhe 6 gjyqtarë të tjerë, kanë qenë nën shënjestrën e Ministrisë së Drejtësisë, krahas akuzave që janë bërë në adresë të Artan Gjermenit. I pyetur për shkarkimin e Sollakut dhe emërimin e Ina Ramës në krye të Prokurorisë, Rusmali ka shmangur komentet, duke u mjaftuar të thotë vetëm se "është një çështje që nuk më takon mua". Duke u kthyer pas vetëm disa muaj, gjatë kontrollit të bërë me urdhër të ish-ministrit Rusmali citohet se janë konstatuar shkelje në masat e sigurisë të marra nga kjo gjyqtare. Konkretisht në këtë raport citohet se "në Gjykatën e Lushnjës shtatë gjyqtarë kanë liruar të pandehur apo të arrestuar në mënyrë të padrejtë". Ky ishte edhe konkluzioni i inspektorëve të Ministrisë së Drejtësisë, pasi kanë vëzhguar imtësisht dosjet në këtë institucion. Para pak muajsh, inspektorët kanë sqaruar në raport se shtatë gjyqtarët, kur kanë gjykuar për vendim në fund të procesit të shumë të pandehurve, iu kanë dhënë lirinë me kusht, ndërkohë që duke pasur parasysh veprat penale që kishin kryer mund duhet t‘iu jepej vendime të tjera. Duke iu referuar inspektimit u gjendën një sërë shkeljesh në procedura të ndryshme ligjore në të cilat shpesh herë mendohet se janë shfrytëzuar nga gjyqtarët pikërisht vakumet ligjore. Në listën me shtatë gjyqtarët në raport janë vënë emrat e ish-kryegjyqtarit Artan Gjermeni dhe gjyqtarëve Sotira Nako, Bedri Qorri, Tritan Hamitja, Saemira Hila, Dritan Ceka dhe ai i zgjedhur në krye të Prokurorisë së Përgjithshme, Ina Ramës. Në bazë të raportit citohet se këta gjyqtarë kanë preferuar të gjykojnë se të pandehurit duhet të dënoheshin me dënimin me kusht, ndërkohë që kodi i procedurës penale e parashikonte maksimale deri në 5 vjet burg.

Kryeprokurorja e re merr vota nga opozita


Rama zgjidhet me 83 vota. Opozita kundërshton: Është tarafi i Berishës

Me 83 vota pro, 33 kundër dhe 5 pesë abstenime, Kuvendi ka miratuar dje Prokuroren e re të Përgjithshme, Ina Rama. Votimi është bërë me kuti të fshehtë. Në fund të tij ka rezultuar se Ina Rama nuk ka pasur vetëm mbështetjen e deputetëve të mazhorancës, por edhe të një pjese të parlamentarëve të opozitës, të cilët kanë votuar pro saj. Por dekreti i propozuar nga Presidenti i Republikës për shkarkimin dhe emërimin e Kryeprokurorit, ka shkaktuar mjaft debate në sallën e Kuvendit. Nënkryetari i grupit parlamentar të PS-së, Erjon Braçe, duke shprehur qëndrimin e opozitës, ka deklaruar se "sot, mazhoranca i dha fund një beteje dyvjeçare të zhvilluar në këtë sallë dhe jashtë saj". Ky është fundi i një beteje sa antikushtetuese, aq edhe qesharake, është një akt jotransparent dhe një atentat politik ndaj Kushtetutës, tha Braçe. Më pas, ai ka argumentuar akuzat e tij, duke risjellë në kujtesën e të gjithë deputetëve që Presidenti Topi e ka marrë vendimin për shkarkimin e Kryeprokurorit para se ai të nisej për në Bruksel, ku u takua me Solanën. Sipas Braçes, kreu i shtetit shqiptar mashtroi para shefit të politikës së jashtme të BE-së, duke thënë se ekspertët e tij ende nuk e kishin përfunduar raportin mbi çështjen "Sollaku", kur në fakt ai e kishte marrë vendimin. Gjithashtu ai mohoi edhe kandidatin që e kishte emëruar, i cili deklaroi se kishte pranuar propozimin e Presidentit. Më pas, Braçe ka deklaruar se me zgjedhjen e fundit për Prokuroren e re të Përgjithshme, mund të thuhet pa frikë se tashmë shteti është në duart e një individi. Duke iu drejtuar Kryeministrit Berisha, i cili ka qenë prezent në sallën e Kuvendit, nënkryetari i grupit të PS-së, Erjon Braçe, ka theksuar se tashmë i gjithë pushteti është në duart e një njeriu, i cili me lidhje nepotike ka marrë gjithë pushtetet në dorë. Sipas Braçes, edhe Ina Rama është një nga mikeshat e vajzës së Kryeministrit Berisha, e cila kohët e fundit ka zgjedhur në postet kyçe shtetërore mjaft miq e shokë të saj. Për zgjedhjen e Prokurorit të ri, Presidenti Topi kishte premtuar se do të konsultohet me përfaqësuesit e politikës, por sot u mësua, shtoi Braçe, se ai është konsultuar vetëm me Kryeministrin Berisha dhe këtë e ka bërë në orët e para të mëngjesit, ende pa zbardhur mirë dita. Topi ka zgjedhur mes klaneve të PD-së dhe tashmë ne nuk kemi çfarë të bëjmë, pasi ju do ta votoni me shumicë votash në Kuvend dhe neve, tha Braçe, nuk na mbetet gjë tjetër veçse t‘i urojmë gëzuar ditëlindjen Kryeprokurores së re, meqë kjo ka qenë dhurata që ju i keni bërë më 21 nëntor në 35-vjetorin e saj. Në këtë vend, tha Braçe, tashëm ka rënë sistemi i drejtësisë sepse Presidenti ka kryer një akt të njëanshëm, duke cenuar pavarësinë e institucioneve kushtetuese. Por deklaratat e Braçes janë kundërshtuar nga Kryeministri, i cili ka vlerësuar deri në maksimum Prokuroren e re të Përgjithshme. Sipas tij, ajo është një figurë e nderuar dhe profesioniste në fushën e saj, por "mbi të gjitha, ajo nuk vjen nga politika dhe nuk bën pjesë në klanet e saj". Ne, tha Berisha, po votojmë për të vendosur institucionin e akuzës në piedestalin që ai meriton të jetë. Nuk mbaj mend ta kem takuar ndonjëherë zonjën Rama, shtoi Kryeministri, por thjesht e kam pranuar, pasi kam parë aktivitetin e saj profesional. "Zonja është nga ata gjyqtarë që nuk është seleksionuar asnjëherë për t‘u hequr nga Kolegji Zgjedhor". Pro Ina Ramës, si Prokurore e Përgjithshme, pas Kryeministrit, është shprehur edhe kryetari i PR-së, Fatmir Mediu. Ai ka mbështetur deklarimet e Kryeministrit dhe duke hedhur poshtë pretendimet e opozitës, ka theksuar se askush nuk e njeh nga politika zonjën në fjalë, por duke parë aktivitetin e saj profesional, grupi i PR-së ka dalë në një qëndrim të përbashkët pro emrit të saj. Pavarësisht deklarimeve dhe ndërprerjeve të shpeshta, dje në seancën parlamentare për shkak të ndërhyrjeve të shumta, vendi tashmë është bërë me Prokurore te re të Përgjithshme. Vendimi i është marrë me shumicë votash nga deputetët e Kuvendit në një nxitim të madh brenda ditës, për shkak se kjo çështje duhej të mbyllej, para se të shprehej Gjykata Kushtetuese.
/Shqip/
Shtuar më 23/11/2007, ora 18:42
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori