Rajoni
Albeu.com
nga Albin KurtiPërderisa rajoni zvogëlohet kur ndonjë vend i rajonit (do të) integrohet në BE, Kosova mbetet e zbrapsur në krahasim(in) me vendet e rajonit. Kjo vendet e rajonit të paintegruar tingëllon aq shumë sikurse dikur republikat e federatës së painkuadruar.
Integrimi i Kosovës në BE thuhet të jetë së paku një dekadë larg. Kaq flitet të jetë periudha për të cilën s’ia vlen të kultivojmë iluzione për anëtarësim në BE. Besohet që është kaq larg meqenëse nuk mund të parashikohet se sa afër është. Pra, nuk mund të parashikohet se sa është më së largu integrimi ynë në BE, por vetëm se sa është më së paku larg ky integrim. Kjo 10 vjet larg në rastin më të mirë do të thotë që nuk mund të shpresojmë për asgjë më të volitshme, ndërkohë që mund të jetë edhe më keq se kaq.

Mbase është e pamundur sot të hamendësohesh në terma optimistë për kohën e integrimit të Kosovës në BE. Jo vetëm për shkak të gjendjes së rëndë politike, ekonomike e sociale që mbretëron në Kosovë, dhe elitave të korruptuara politike të saj. Pamundësia e parashikimit të kohës së integrimit të Kosovës në BE imponohet, së pari, sepse nuk dihet kur do të mund të njihej Kosova nga pesë shtetet anëtare të BE-së që nuk e njohën pavarësinë e Kosovës dhe, së dyti, sepse nuk dihet ku do të jetë vetë BE-ja pas, le të themi, kësaj dekade të dytë të këtij shekulli në të cilën porsa hymë. Deri atëherë, shkuarja e Kosovës në BE ia ka lënë vendin çështjes tjetër, që për nga substanca është gati e kundërt: shkuarjes së shqiptarëve në BE, përkatësisht liberalizimit të vizave. Po them gati të kundërt meqë integrimi në BE do ta kishte kuptimin e standardeve të larta që janë arritur në vendin tonë, kurse liberalizimi i vizave është kërkesë që motivohet nga nevoja për ta braktisur vendin bashkë me standardet e tij të ulëta të jetesës.

Megjithatë, në këtë ngecje prapa nuk jemi të krejtësisht të vetmuar. Ka edhe disa shtete tjera rreth e rrotull që për integrim në BE do t’iu duhet të presin edhe jo pak vite. Atëherë, si të quhen me një emër këto shtetet e mbetura jashtë BE-së e ku bën pjesë edhe Kosova? Në njërën anë, emërtimi Rajoni i Ballkanit (ende të paintegruar) ka konotacionin e një esencializmi negativ që doemos përkujton luftërat e vazhdueshme në kundërshtim me BE-në që ka për qejf të përfytyrohet si te vizioni kantian i paqes së përjetshme. Në anën tjetër, emërtimi Rajoni i Evropës Juglindore nuk është i përshtatshëm pasi që shumë vende që i përkasin gjeografikisht Evropës Juglindore tashmë janë anëtare në BE. Duket që tanimë kanë vendosur: do të na quajnë, thjesht, rajon. Pra, as Rajoni i Ballkanit, as Rajoni i Evropës Juglindore, por vetëm rajon. S’ka ku shkon më thjesht. Kështu Kosova u bë vend i rajonit, ndërkaq vendet tjera u bënë vende të rajonit. Aq shpesh përmendet ky emërtimi rajoni ose vendet e rajonit në ligjërimin e përditshëm publik, saqë krijohet përshtypja e një shkalle të lartë të integrimit të brendshëm tek ai. Thuajse integrimi s’ka alternativë: ose je i integruar në BE, ose je i integruar jashtë saj e në pritje të hyrjes brenda. Madje nuk thuhet as vendet në rajon, por gjithnjë vendet e rajonit, sikur ne të buronim nga ky entitet i quajtur rajon. Fundja, kur shqiptohet kjo shprehja ‘vendet e rajonit’ kemi të bëjmë me rasën gjinore. Rajoni është gjinia jonë më e re së cilës i përkasim.

Krahasimi i Kosovës me vendet e rajonit bëhet vetëm në kuadër të integrimeve evropiane. Fakti që vendet e rajonit po ashtu nuk janë të integruara, e bën Kosovën virtualisht të duket si e barabartë me to. Por, nëse dikush kërkon që Kosova të krahasohet me këto vende si shtete që janë të pareduktuara te një nga ‘vendet e rajonit’, p.sh. për nga sovraniteti apo integriteti territorial, atëherë menjëherë na e përkujtojnë se si ne jemi ‘sui generis’ dhe s’kemi pse krahasohemi ashtu. Në parim, vetëm për dallimet përbrenda gjinisë lejohet të flitet. Kjo ndalesë vërehet pak meqë është përbrendësuar shumë.

Në ish Jugosllavi shqiptarët kërkonin të ishin të barabartë me popujt tjerë. Sot, ata nuk kërkojnë të jenë të barabartë me popujt tjerë (të Evropës). Nëse dikur pabarazia (duhej të) luftohej menjëherë duke vënë në lëvizje vullnetin e atij që kishte trajtim të pabarabartë, sot është përbrendësuar ideja e të paintegruarit në Evropë, i cili është plotësisht vetë fajtor për gjendjen ku ka rënë. Padrejtësisht konsiderohet se nuk e ka aspak fajin ai që të lë të përjashtuar por vetë ti që s’po të pranojnë e integrojnë. Vështirë shqiptarët ndonjëherë të jenë ndjerë më shumë fajtorë e të kenë qenë kaq të druajtur sikurse sot. Vështirë atyre t’iu ketë munguar vetëbesimi dhe vetërespekti sikurse në kohën që po e jetojmë. Përgjegjësi sigurisht (duhet të) kemi, por jo edhe këso vetëfajësimi e vetëzhvlerësimi.

Përderisa rajoni zvogëlohet kur ndonjë vend i rajonit (do të) integrohet në BE, Kosova mbetet e zbrapsur në krahasim(in) me vendet e rajonit. Kjo vendet e rajonit të paintegruar tingëllon aq shumë sikurse dikur republikat e federatës së painkuadruar. Për ironi, Kosova edhe njëherë është më pak se republikat e tjera, më pak se vendet tjera të rajonit. Ashtu siç rrudhej Jugosllavia, ashtu tash po rrudhet edhe rajoni. A do të mbetet Kosova përsëri e fundit? Kosova që vuajti më së shumti në Jugosllavinë e cila tash ekziston vetëm te rezoluta 1244, paradoksalisht e futur edhe në vetë Deklaratën e Pavarësisë së Kosovës?!
Shtuar më 30/05/2010, ora 00:57
Tage: arkiv

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori