Qyteti juaj nuk meriton qender kumari
Albeu.com
Prof. Mark Nygren*Kazinoja në Qendrën Taivan, nuk do ta përmirësojë të ardhmen e qytetit të Tiranës. Eshtë një hap prapa drejt skemave piramidale, duke kërkuar diçka në shkëmbim të asgjëje – mentaliteti i të pasuruarit shpejt. Momentalisht jam një studiues me bursë nga Fullbright, SHBA.U vura në dijeni të propozimit për të hapur një kazino në Qendrën Taivan, nga Erion Veliaj, drejtori ekzekutiv i MJAFT-it. Unë i mbështes përpjekjet e MJAFT-it për të ndaluar bashkine dhe qeverinë të lejojë hapjen e këtij biznesi në një zonë kaq të dukshme të qytetit. Mendoj që sugjerimi i MJAFT-it për ta hapur këtë kazino në periferi të qytetit dhe jo në qendër, është një alternativë shumë më e mirë.
Ashtu si Shqipëria, shumë amerikanë janë maniakë kumari dhe kjo gjë nuk ka dhënë asnjë kontribut për përmirësimin e qytetarëve amerikanë. Shqipëria ka bërë disa hapa të mëdha ekonomike në drejtimin e duhur dhe po bën shumë përpjekje për t’u pranuar në të ardhmen në Bashkimin Europian, por efektet negative të kumarit jo vetëm që do ta ngadalësojnë zhvillimin ekonomik, por mund edhe të kthehen në një pengesë për anëtarësinë në BE. Jam i palëkundur në mendimin tim që qyteti juaj do të ishte shumë më mirë duke mos pasur një kazino në qendër të tij dhe duke eleminuar biznesin e kumarit në përgjithësi. Mendimin tim do ta argumentoj në vijim.
Kumari është i motivuar nga dëshira për të pasur diçka duke mos bërë asgjë. Gjithashtu dobëson dëshirën për të punuar dhe kursyer dhe po ashtu dëshirën për t’u përpjekur ndershmërisht në gjithçka që bëjmë. Kumari në vetvete është mashtrues. Krijon një pretendim të rremë në mendjet e atyre që luajnë, se mund të investojnë pak dhe të fitojnë shumë. Ata që i futen kësaj loje, pa dyshim që do të përjetojnë zhgënjimin që kjo gjë nuk është e mundur. Ajo që ndodh në të vërtetë, është që shumë shpejt ata e gjejnë veten duke humbur shuma të mëdha parash, nderin dhe shpeshhere respektin e familjes dhe miqve. Kumari kthehet në një drogë, në ves. Në çastin që kthehet në ves, ato burime të pakta që nevojiten për nevojat minimale familjare, shpenzohen pa hesap me qëllim për t’u pasuruar pa u përpjekur shumë dhe pa punuar. Kumari shkakton humbje. Nënshtrimi ndaj kumarit, shpesh ka efekte shumë të mëdha negative shoqërore, meqenëse ata që janë të dhënë pas kumarit përpiqen në çdo mënyrë të vjedhin apo të bëjnë çdo veprim tjetër të pandershëm për ta ushqyer këtë ves.
Masa më e mirë që ky qytet mund të marrë do të ishte ta ndalonte ndërtimin e kësaj kazinoje në Qendrën Taivan dhe të fillonte pakësimin, dhe në fund eleminimin, e këtij biznesi në përgjithësi. Në këtë mënyrë mbrohen interesat e qytetarëve të saj dhe mënyrat e tjera të argëtimit të familjeve që tashmë janë ekzistojnë në Qendrën Taivan. Ka mënyra të tjera më të mira se si qytetarët e Tiranës mund të kalojnë kohën, në vend që të humbin orë të tëra në një kazino përpara një slot machine ose një tavoline kumari. Njerëzit mund të arsimohen, të shijojnë muzikën, të zhvillojnë pasionet e tyre, të punojnë që të sigurojnë të ardhura ekonomike dhe të shpenzojnë kohë me familjen dhe miqtë. Kumari është një ofertë që sjell vetëm dëme. Qyteti do të humbë dhe ata që do të luajnë do të humbin akoma më shumë. Shkatërrimet dhe dëmet do të shfaqen te këta njerëz, pavarësisht në fitojnë apo jo. Do t’i ftoja të gjithë ata që kanë moral të lartë dhe etikë, të bashkohen me MJAFT-in dhe të nxisin zyrtarët e qeverisë ta ndalojnë hapjen e kazinosë në Qendrën Taivan. Kjo qendër duhet të mbetet një zonë ku familjet, të rinjtë dhe kushdo tjetër mund të mblidhen për të shijuar qytetin, dhe për të kryer veprimtari të tjera çlodhëse. Skemat piramidale të së kaluarës janë rikthyer në formën e një kazinoje, që merr nga të varfërit dhe u jep të pasurve. Qyteti i Tiranës ka nisur përpjekje madhore për të rregulluar rrugët, për të zbukuruar mjediset dhe për të krijuar një qëndrueshmëri ekonomike. Mos ta ndotim këtë qendër me vesin shkatërrues të kumarit.

*Brigham Young University - Idaho, Fulbright Shqipëri
Marre nga Shekulli
Shtuar më 22/10/2005, ora 19:31
Tage: arkiv

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori