Qosja: Oligarkitë partiake në Shqipëri dhe Kosovë (2)
Albeu.com
Vijon intervista me akademikun e njohur kosovar. Vlerësimi për zhvillimet aktuale në Shqipëri, Presidentin Topi dhe Kryeministrin Berisha.nga Urim Bajrami, G. Shqip
Në pjesën e dytë të intervistës ekskluzive për gazetën "Shqip", akademiku i njohur kosovar, Rexhep Qosja, flet për zhvillimet politike, ekonomike e shoqërore në Shqipëri, vlerësimin për Presidentin e ri të Republikës, Bamir Topi, punën e deritanishme të qeverisë së drejtuar nga Kryeministri Sali Berisha. Ai komenton edhe kërkesën e vazhdueshme të mazhorancës për largimin nga detyra të Prokurorit të Përgjithshëm, Theodhori Sollaku. Sipas akademikut Qosja, relievin politik dhe ekonomik të Shqipërisë (dhe të Kosovës) e përcaktojnë oligarkitë partiake. "Ato e kanë bërë parim politik, natyrisht të mbuluar me fraza demagogjike, gllabërimin", shprehet Qosja. Ndërsa vlerëson Presidentin Bamir Topi si "një nga përjashtimet e dëshiruara në Partinë Demokratike", Qosja flet edhe për zgjedhjet më të fundit në Shqipëri, ato të zhvilluara në zonën 31 në Tiranë, që duhet të karakterizoheshin nga "zemërgjerësia e Partisë Demokratike dhe partive të tjera të koalicionit".


PLURALIZMI I TOTALITARIZMAVE

Profesor, sa informacion keni për zhvillimet aktuale politike, ekonomike dhe shoqërore në Shqipëri dhe si i gjykoni ato?

Zhvillimet në Shqipëri përpiqem t‘i përcjell rregullisht. Të fillojmë nga zhvillimet politike. Në Shqipëri, sipas mendimit tim, sot për sot monizmi totalitar është zëvendësuar nga pluralizmi i totalitarizmave. Në Kuvendin e Shqipërisë sot për çdo gjë vendosin dy parti: vendosin herë njëra e herë tjetra ose në marrëveshje a në mosmarrëveshje njëra me tjetrën.

Kuvendi i Shqipërisë në thelb është, prandaj, një gjysmëkuvend, kurse demokracia e rrëgjuar në procedurë jo rrallë të cenuar.

Deputetët e tjerë, të partive të tjera të vogla në atë gjysmëkuvend, më së shpeshti janë të përdorur prej atyre dy partive.

Populli, sovrani i vërtetë, është plotësisht i përjashtuar nga mundësia e ndikimit në vendimmarrje dhe nga mbikëqyrja e pushtetit!

E, në qoftë se demokracinë e quajmë jo vetëm procedurë, por edhe çka do të duhej të ishte - marrëdhënie mes njerëzve, humanizëm, atëherë ne mund të flasim vetëm për një minimum të demokracisë. Apo për një demokraci rurale edhe ashtu tepër të shpërdorur si në Shqipërinë shtetërore ashtu edhe në Kosovë.

Në politikën shqiptare, në Shqipërinë shtetërore, në Kosovë e në Maqedoni ngjet ajo që Darendorfi e quan harlisje e shpirtrave të këqij! Kush mund të presë demokraci, njerzillëk, përgjegjshmëri, drejtësi, ndërgjegje prej shpirtrave të këqij të harlisur? Askush me mend në kokë. Politika që bëjnë këta shpirtra të këqij, të harlisur, gjithnjë me disa përjashtime, është thellësisht e pamoralshme.


OLIGARKITE PARTIAKE

Të vazhdojmë me zhvillimet aktuale ekonomike. Relievin politik dhe ekonomik të Shqipërisë (dhe të Kosovës) e përcaktojnë oligarkitë partiake. Ato e kanë bërë parim politik, natyrisht të mbuluar me fraza demagogjike, gllabërimin. Këto oligarki, me ministritë e tyre, në kabinetet e tyre dhe jashtë kabineteve të tyre, bëjnë betejat për çdo prokurim, për çdo tender, duke filluar nga çdo tualet i ri e deri te çdo kilometër rrugësh për asfaltim, për ura, për korrent, për naftë, për cigare, për telefonitë, për institucionet e arsimit, të shkencës e të kulturës, për firmat e ndryshme shtetërore, për çdo mall me akcizë dhe pa akcizë!

Këto oligarki partiake nuk kanë vetëdije për shërbim shtetëror dhe nuk kanë vetëdije elementare për drejtësi sociale, për një ndarje sadopak të drejtë të pasurive të përbashkëta, publike.

Kryeministri i Shqipërisë pa pushuar bërtet kundër korrupsionit, por familjarët e tij janë gjithnjë e më të pasur, kurse Shqipëria, si u dëshmua me të dhëna nga një organizatë ndërkombëtare më 26 shtator, kampione e korrupsionit në Ballkan!

E gjithë kjo veprimtari e quajtur plaçkitje, korrupsion, nepotizëm, luks zyrtar, kontrabandë dhe trafikim është mbuluar me solidarësi klanesh dhe me shkëlqim të rrejshëm patriotik. Për herë të parë në historinë shqiptare hajdutët e pasuruar sa çel e mbyll sytë zënë vendet e para në radhët e patriotizmit!

Pjesëtarët e këtyre oligarkive i kanë mësuar do fraza për politikën, demokracinë, ekonominë, politikën rajonale me të cilat u servilizojnë disa faktorëve ndërkombëtarë, do fraza që u pëlqejnë veshëve të Amerikës e të Evropës, por duke i shqiptuar këto fraza vazhdojnë të bëjnë çdo gjë në njëmendësinë shqiptare!

Dhe, kështu do të vazhdojnë derisa shqiptarët të mos mësojnë që prej pushtetit të kërkojnë shumë më tepër sesa të mos jenë të rrahur, të burgosur, të shfrytëzuar, të çuar për punë në botë, të përbuzur - si gjithmonë deri tani.

Të kalojmë në zhvillimet aktuale shoqërore. Shoqëria shqiptare vazhdon të jetë thellësisht e ndarë. Kjo shihet si në Kuvendin e Shqipërisë ashtu edhe në ato të Kosovës dhe të Maqedonisë dhe kjo shihet në debatet politike e intelektuale në mediat elektronike.

Shoqëria shqiptare, me një përqindje të madhe të qytetarëve, vazhdon të jetë shoqëri e zhgënjyer dhe e dëshpëruar. Ikja jashtë Atdheut, gjithmonë dhe për çdokënd është e dhembshme, në njërën anë dhe vetëvrasjet e vrasjet e shpeshta si kurrë përpara, në anën tjetër, janë dëshmi e kësaj.

Nuk kemi sistem vlerash. Diçka që çmohet si vlerë në një anë, përbuzet, shpallet jo vlerë a kundërvlerë në anën tjetër.

Mosdurimi, jotoleranca e ndërsjellë jo vetëm politike dhe ideologjike karakterizojnë jetën tonë!

Shpifjet, gënjeshtrat, denoncimet janë mjeti i shpeshtë i shprehjes së mosdurimit dhe jotolerancës jo vetëm politike dhe ideologjike.

Të gjitha këto, plus brutalitetet karakterizojnë edhe debatet midis intelektualëve.

Sjellje, veprime, paraqitje, mendime të njerëzve të shtresave të ndryshme, të privuara prej skrupujsh më të domosdoshëm, ka aq shumë saqë njeriu pushtohet prej mëdyshjes: në mos shoqëria shqiptare është shoqëri e paetikë.

Shumë nga ato që dëgjohen, shumë nga ato që shihen dhe shumë nga ato që bëhen në jetën tonë politike dhe në jetën tonë kombëtare në përgjithësi dëshmojnë se ne me njërën këmbë jemi ende në nivelin e dytë të, si e quajnë sociologët bashkëkohorë, qenies psiko-sociale e kjo domethënë në nivelin e qenies karakteristike për tribalizmin, kurse me këmbën tjetër në nivelin e tretë e kjo domethënë në nivelin e qenies psiko-sociale që e karakterizojnë egocentrizmi i skajshëm, dhuna në marrëdhëniet shoqërore, lufta darviniane për ekzistencë, korrupsioni, vjedhja dhe plaçkitja! Ky është nivel në të cilin, pra, mungojnë rendi dhe drejtësia, në të cilin nuk funksionon shteti i së drejtës.

Është e qartë: gati njëqind vjet pas krijimit të shtetit, ne ende nuk kemi arritur të ndërtojmë shoqëri qytetare.

E di se nuk do ta pres ndërtimin e saj!


SHTETI PARTIAK DHE DEMOKRACIA

Tani Shqipëria ka një President të ri. Si e vlerësoni procesin e zgjedhjes së tij? Po figurën e z. Bamir Topi?

Procesi i zgjedhjes së kryetarit të ri të Shqipërisë më është dukur si të gjitha proceset e tjera politike në Shqipëri: i komplikuar dhe i lënduar prej sjelljesh shpesh të padëshiruara, por, në fund, u quajt demokratik edhe prej atyre që menjëherë pas zgjedhjes së kryetarit nuk e quajtën të tillë. E besoj se ndërruan gjuhë, nëse jo edhe mendje, se ashtu porositën faktorët ndërkombëtarë. Në qoftë se ka pasur një marrëveshje që kryetari i Shqipërisë të zgjidhet me bashkëmarrëveshjen, me konsensusin e dy palëve, atyre në pushtet dhe atyre në opozitë, atëherë kjo bashkëmarrëveshje u shkel. Dhe u shkel, sepse Shqipëria sot është shtet njëpartiak, natyrisht njëpartiak jo si në kohën e komunizmit dhe jo me pasojat njëpartiake të kohës së komunizmit. Shqipëria ka sot kryetarin e shtetit, kryetaren e Kuvendit dhe Kryeministrin - të gjithë të një partie. E kjo parti, Partia Demokratike e Shqipërisë, ka arritur të krijojë qeverinë në sajë të koalicionit me një varg partish të tjera të djathta apo të qendrës së djathtë. Si nuk u bë që bile njëri prej këtyre posteve t‘i jepet ndonjërës nga partitë e koalicionit! Deri ku shkon partishmëria dogmatike e Kryeministrit të Shqipërisë, pos këtyre tri posteve, e tregojnë edhe zgjedhjet e tanishme në zonën 31 të Tiranës. Bëri çmos që ta kandidojë për deputet anëtarin e Partisë Demokratike në vend se të tregohej sadopak më zemërgjerë ndaj partive të koalicionit dhe të pajtohej me kandidimin e një politikani të një partie tjetër: të Dashamir Shehut.

Kryetarin e ri, Bamir Topin, megjithëse bashkëpunëtor i njeriut për të cilin nuk kam mirëkuptim - i Sali Berishës, e shikoj me një simpati kur e kur të shprehur. Është një nga përjashtimet e dëshiruara në Partinë Demokratike, që kujdeset të dallojë prej kryetarit të partisë së cilës i takon. E, dallon, para së gjithash, me sjellje dhe gjykime të matura, jokonfliktuoze, racionale, demokratike. Do t‘i shërbejë mirë Shqipërisë në qoftë se u rri larg infarkteve politike të Kryeministrit, në qoftë se nuk pajtohet me përpjekjen e tij për rrëgjimin e reformës së gjyqësorit në qërim të hesapeve me kryeprokurorin publik, Theodhori Sollakun, në qoftë se nuk pajtohet me totalitarizmin e tij partiak, në qoftë se nuk pajtohet me politikën e tij dëmtuese ndaj studimeve shqiptare, në përgjithësi, në qoftë se ruhet prej prirjeve autoritare të Kryeministrit, i cili nuk ngurron të fusë hundën staliniane edhe në punët e krijimtarisë shkencore dhe artistike. E të tjera.


MJESHTERIA E FRIKESIMIT

Si e vlerësoni punën e qeverisë "Berisha"?

Çka mendoj për punën e qeverisë "Berisha"? Berisha? Fenomen që flet për të dhe fenomen që flet edhe për ne. I vdekur politikisht dhe moralisht pas tragjedisë, në të cilën e futi Shqipërinë në vitin 1997, ai u kthye ngadhënjimtar në pushtet në vitin 2005! Askund në botën demokratike një rikthim i tillë politik nuk do të mund të ngjante. Ai u rikthye dhe "i shkeli" të gjithë: intelektualët, biznesmenët, pronarët e mediave, me përjashtim të "Top Channel"-it, opozitarët me përjashtim të disa prijësve opozitarë. Intelektualët e korruptuar politikisht dhe servilë alla Kadare janë bërë tellallë të tij, të tjerët, të "pavarurit" janë strukur me shpresë se ashtu të heshtur, do të shpëtojnë prej shpifjeve, denoncimeve dhe ndotjeve prej partizanëve të tij në media! Si është e mundshme kjo? Sali Berisha i bën të gjitha të mundshme: edhe të pamundshmet në botën normale, demokratike. Ai, vetëm ai, e ka kuptuar se si, me çka arrihet sigurt në pushtet në jetën tonë. Ai, vetëm ai, e ka kuptuar se kujt dhe pse ia varim ne qafën në pushtet! Ai, vetëm ai, e ka kuptuar se në jetën tonë nuk arrihet në pushtet dhe nuk mbahet pushteti pa shumëfytyrësi, pa papërgjegjshmëri, pa mashtrime, pa britmë frikësuese, pa dhunë despotike orientale! E shihni ç‘bën ai në Kuvend, në të vërtetë në gjysmëkuvendin e tij në krye me zonjushën Topalli, që për nga vrazhdësia politike është bërë kopja e tij? Bërtet Kryeministri në atë gjysmëkuvend, kërcënon, shantazhon, thotë të pavërteta, fyen, cenon, përdhos ndere e dinjitete! Dhe, vazhdon tutje. Shqipëria në terr në dimër dhe në verë! Kryeqyteti pa ujë në verë dhe në vjeshtë! E kryeministri vazhdon tutje i paprekur: askush nuk kërkon llogari prej tij po vetëm prej disa ministrave të tij. Hajde, thuajmani atë shtet në botë në të cilin do të mund të vazhdonte të kryeministronte njeriu politik nën qeverisjen e të cilit popullin e pllakosin një terr i tillë dhe një etje e tillë! Dhe, kriza politike njëra pas tjetrës!

Tragjikomeditë, që nën mandatin e Sali Berishës po i shkaktohen Shqipërisë, janë të ndryshme, por ai vazhdon tutje si despotët në kalë të shalës. Ai, vetëm ai, e ka kuptuar mirë se ne durojmë e duam në pushtet vetëm mjeshtrit e teknologjisë së agresivitetit politik! E shkollën e kësaj mjeshtërie Sali Berisha ka pasur ku ta mësojë! Ishte nxënës i shkëlqyeshëm.

Saktësim

Në pjesën e parë të intervistës, botuar dje, më është përvjedhur një shkarje: toponimi Kolashin duhet të jetë Leposavic. R.Qosja

NESER DO TE LEXONI

Në pjesën e tretë të intervistës së akademikut të njohur, Rexhep Qosja, do të lexoni vlerësimin e tij mbi vendimin e qeverisë për rishkrimin e historisë shqiptare, përfshi edhe letërsinë, gabimet, shtrembërimet dhe mënjanimin e tyre, mendimin për hapjen ose jo të dosjeve të periudhës së diktaturës, debatin mbi qytetërimin evropian të shqiptarëve, në të cilin ishte i përfshirë edhe vetë akademiku Qosja, rolin e intelektualëve në të dyja anët e kufirit shqiptar, si dhe incidentin në Institutin Albanologjik në Prishtinë, ndodhur pak ditë më parë.
Shtuar më 02/10/2007, ora 15:22
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori