Qosja: Bashkim me Shqipërinë (1)
Albeu.com
Akademiku i njohur kosovar, Rexhep Qosja, mendon se "bashkimi i Kosovës me Shqipërinë do të ndodhë një ditë, sado po shtohet numri i feudalëve dhe bujkrobërve të tyre, që e kundërshtojnë deri në vetëmohim një ide të tillë". Qosja flet për të ardhmen e Kosovës, ndryshimin e kufijve, planin "Ahtisari" dhe arsyet e vetos ruse.nga Urim Bajrami
Gjatë një interviste ekskluzive për "Shqip", Qosja mendon se as faktori shqiptar në Kosovë dhe as ai në Shqipëri nuk po bëjnë sa dhe si duhet për të ardhmen e Kosovës, dhe se "vazhdon të harrojë se si i thonë një fjale, ta shpallësh qëllimin të sendërtuar para se të jetë bërë ai, do të thotë t‘i bësh shërbim të keq qëllimit". Sipas tij, faktori shqiptar në Kosovë e konsideron çështjen e statusit të Kosovës si partiake dhe jokombëtare e shtetërore. Gjatë intervistës, akademiku i njohur flet edhe për ndryshimin e kufijve, negociatat mes Prishtinës dhe Beogradit, marrëdhëniet e shtetit të ardhshëm të Kosovës me fqinjët, arsyet e vetos ruse në Këshillin e Sigurimit të OKB-së për Planin e Ahtisarit dhe vlerësimin për këtë të fundit.


FJALET E FORTA DHE PUNET E BUTA

Profesor, definimi i pavarësisë së Kosovës dhe njohja e saj nga ana e bashkësisë ndërkombëtare, rezulton se nuk është kaq i thjeshtë. Sipas jush, çfarë ka gabuar faktori shqiptar në Kosovë, por edhe ai në Shqipëri, në mënyrë që shqiptarët të mos lëshonin kaq shumë...?

Krijimi i shteteve të reja kurrë nuk ka qenë një punë e thjeshtë. Pavarësisht për çfarë qëllimi bëhet, lufta është fatkeqësi, sjell vdekje, shkatërrime, dhembje, por lufta ka krijuar shtetet. Numri i shteteve të krijuara në mënyrë paqësore është tepër i vogël. Kosova e ka bërë luftën për të qenë shtet. Dhe, e ka fituar këtë luftë bashkë më forcat e NATO-s. Meqenëse KFOR-i dhe administrata e OKB-së në Kosovë janë vendosur me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, për statusin e Kosovës tani vendoset në këtë Këshill, që përbëhet prej anëtarësh me interesa, ideologji dhe politika të ndryshme. Dhe, kjo lejon mundësi për ndërlikime gjatë vendosjes për çështje të ndryshme.

Punët rreth statusit të Kosovës janë ndërlikuar, mbas refuzimit të Rusisë që të pajtohet me Planin e Ahtisarit.

Faktori shqiptar në Kosovë ka gabuar kur caktimin e statusit të Kosovës e ka parë dhe e ka paraqitur si një punë të lehtë e të thjeshtë.

Faktori shqiptar në Kosovë dhe në Shqipëri vazhdon të harrojë se, si i thonë një fjale, ta shpallësh qëllimin të sendërtuar para se të jetë bërë ai, do të thotë t‘i bësh shërbim të keq qëllimit.

Faktori shqiptar, si në Kosovë ashtu edhe në Shqipëri, vazhdon t‘i ketë fjalët e forta e punët e buta, në vend se të ngjante e kundërta: në vend që t‘i kishte fjalët e buta e punët e forta.

Faktori shqiptar në Kosovë ka gabuar pse grupin për bisedime e ka përbërë si grup partiak e jo si grup kombëtar dhe shtetëror. Çështja e statusit të Kosovës s‘është çështje partiake po kombëtare dhe shtetërore. Ky faktor ka harruar se nuk është e rëndësishme vetëm çka thuhet, por edhe kush i thotë ato që thuhen.


MBI LEVIZJEN E KUFIRIT

Ndarja e Kosovës po shikohet gjithnjë e më shumë si një variant i mundshëm, edhe pse shumë nga qarqet e Kosovës, po edhe ndërkombëtarët e mohojnë herë pas here. Sa e rëndë është shkëputja e një pjese të rëndësishme për Kosovën, siç është Veriu i saj?

Edhe para viteve nëntëdhjetë të shekullit të kaluar, kur çështja e Kosovës ishte bërë çështje ndërkombëtare, nga intelektualë dhe analistë të ndryshëm në ish-Jugosllavi dhe në botë flitej për ndarjen e Kosovës. Ndarja shihej si zgjidhje e përhershme, historike e çështjes së Kosovës, domethënë e konfliktit shqiptaro-serb. Kush i ka lexuar kujtimet e ambasadorit amerikan në Beograd, Cimerman, do të shohë se ndarja e Kosovës atëherë përcaktohej në përpjesëtime të papranueshme për ne. Unë, personalisht, e shihja "ndarjen" në përpjesëtim me numrin e banorëve në Kosovë: shqiptarëve do t‘u takonte aq sa janë në Kosovë, domethënë rreth 90 për qind, kurse serbëve rreth 10 për qind - aq sa ishin në Kosovë.

Sot, sa mund të gjykohet nga shkrime të ndryshme në shtypin në botë dhe në Serbi, askush nuk flet për ndarje të tillë si para luftës. Tani folja ndarje futet në thonjëza. Tani flitet për lëvizje të kufirit midis Kosovës dhe Serbisë. Analistët amerikanë "ndarjen", në të vërtetë "lëvizjen" e kufirit midis Kosovës dhe Serbisë e quajnë modifikim i kufirit. Serbëve, në njërën dhe shqiptarëve, në anën tjetër, do t‘u takonte aq sa ishte përqindja e tyre në Kosovë në prag të luftës.

Sipas deklaratës së anëtarit, duket më përfaqësues të Treshes në bisedimet midis Prishtinës dhe Beogradit, Volfgang Ishinger, Grupi i Kontaktit do të pranonte çdo zgjidhje me të cilën do të pajtoheshin të dy palët e kjo domethënë edhe me "ndarjen", lëvizjen, modifikimin e kufirit midis Kosovës dhe Serbisë. Zyrtarët tanë në Prishtinë dhe në Tiranë u ngritën shumë zemrueshëm kundër idesë së "ndarjes", lëvizjes, modifikimit të kufirit. Ç‘është e vërteta, zyrtarët në Tiranë u ngritën kështu vrullshëm, mbasi pritën disa ditë, dhjetë - pesëmbëdhjetë ditë, se çka do të thonë vendet e Grupit të Kontaktit. Nuk më duket politikisht e arsyeshme ngritja e tillë e pezmatuar ndaj një ideje reale a utopike, për zgjidhjen e çështjes së Kosovës. Ideja e lëvizjes së kufirit midis Kosovës dhe Serbisë është ide që shumë më tepër përfaqëson interesat e shqiptarëve, sesa të serbëve. Do të mendojmë, kështu, realisht, në qoftë se nuk harrojmë se faktorët ndërkombëtarë nuk do të lejojnë që çështja e Kosovës të zgjidhet në mënyrën: të gjitha për njërën palë e asgjë për palën tjetër.

Nuk është e çuditshme, prandaj, pse zyrtarët serbë edhe më vendosmërisht se zyrtarët tanë u ngritën kundër idesë së "ndarjes" së Kosovës dhe ata ngrihen kundër kësaj ideje, sepse e dinë që nuk mund të flitet më për ndarje, por për lëkundje të kufirit midis Kosovës dhe Serbisë. E dini si e tha peshkopi i Kosovës, Artemije: "Më e mirë është për serbët pavarësia e Kosovës, që nuk do ta pranojmë kurrë, sesa ndarja me të cilën do të pajtoheshim. Atë që nuk e pranon mund ta kthesh një ditë, kurse atë që e pranon nuk mund ta kthesh kurrë"!

Lëvizja e kufirit midis Kosovës dhe Serbisë, që do të bazohej në përqindjen e popullsisë shqiptare, në njërën anë dhe serbe, në anën tjetër,në prag të luftës dhe që do të sillte edhe lëkundje vullnetare të kësaj popullsie, do të ishte zgjidhja përfundimtare, historike e çështjes së Kosovës. Dhe, kjo zgjidhje do të varroste përgjithmonë iluzionet e peshkopit Artemije dhe të tjerëve, shumë të tjerëve, që mendojnë si ai në Serbi, kurse do ta bënte të mundshme vetëvendosjen, domethënë bashkimin e Kosovës me Shqipërinë pa pengesa nga ana e faktorëve ndërkombëtarë. Për këtë arsye kundërshtimet e pezmatueshme që iu bënë idesë së "ndarjes", domethënë të lëvizjes së kufirit midis Kosovës dhe Serbisë nga ana e disa ministrave dhe intelektualëve tanë, më duken të pamenduara mirë. Njëri nga shkrimtarët tanë deklaroi, mbasi dëgjoi si reagoi Tirana zyrtare, se ideja e ndarjes së Kosovës është ide e rrezikshme sepse - tha ai- rrezikon rajonin dhe, madje Evropën! Pse? Pse lëvizja e kufirit midis Kosovës dhe Serbisë do të rrezikonte rajonin dhe Evropën? Sepse, na përgjigjet ky shkrimtar, duke përsëritur klishenë zyrtare, shembullin e ndarjes së Kosovës do ta ndiqnin edhe të tjerë në rajon dhe në Evropë. Dhe, ashtu Evropës do t‘i hynte flaka!

E po si mund të flitet ashtu? Pse nuk mendohet pak më qetë, më racionalisht? Në qoftë se Prishtina dhe Beogradi do të pajtoheshin për lëvizje të kufirit midis Kosovës dhe Serbisë pse të ngrihet kush kundër pajtimit të tyre. Po të gjithë faktorët ndërkombëtarë thonë se do të ishte më së miri që të gjendet zgjidhje rreth së cilës do të pajtoheshin të dy palët. Pse do të rrezikonte rajonin dhe Evropën pajtimi i shqiptarëve dhe serbëve për lëvizjen e kufirit midis Kosovës dhe Serbinë? Në qoftë se hungarezët e Rumanisë, turqit e Bullgarisë, baskët e Spanjës kanë kushte gjeografike dhe arsye etnike për të kërkuar lëvizje kufiri, por këtë nuk e pranojnë rumunët, bullgarët e spanjollët gjendja e tyre mbetet siç është sot dhe marrëveshja shqiptaro-serbe nuk ka se si t‘u fusë zjarrin Rumanisë, Bullgarisë e Spanjës. Faktorët ndërkombëtarë e me ta edhe ne po themi se rasti i Kosovës është rast i veçantë, i pangjashëm me raste të tjera. Dhe, vërtet është rast i veçantë. Pse atëherë të mos i lejohet ta tregojë këtë veçanësi edhe me të drejtën e lëvizjes së kufirit me Serbinë nëse pajtohet edhe Serbia. Domethënë, lëvizja e kufirit midis Kosovës dhe Serbisë, për të cilën do të pajtoheshin shqiptarët dhe serbët, nuk ka se si të rrezikojë rajonin dhe Evropën, nuk ka sesi të ndezë zjarr askund përpos në kokat letrare! Apo jo?


PER ÇKA S‘DO TE BISEDOHET

Ekipi i Unitetit ka paraqitur platformën e tij, ku ka vendosur tri pika të panegociueshme: a) asnjë diskutim për pavarësinë; b) asnjë diskutim për integritetin territorial të Kosovës dhe c) asnjë diskutim për shtyrjen e afatit. A është e mjaftueshme kjo platformë dhe si e gjykoni ju atë?

Fjalë të forta. Prej fillimit të bisedimeve për statusin, Ekipi i Unitetit i ushqen qytetarët e Kosovës me deklarata për ato që nuk do të bëjë dhe për ato që nuk do të ngjasin e, pastaj, i bën ato që i ka mohuar dhe ndodhin ato që kanë thënë se nuk do të ndodhin! Ekipi i Unitetit e di, besoj, se në Rezolutën e Këshillit të Sigurimit 1244 shkruan se pas një kohe do të bëhen bisedime (apo do të mbahet konferencë ndërkombëtare - nuk më kujtohet sigurt si thuhet) për statusin përfundimtar të Kosovës. Ata që shkojnë në bisedime e dinë se në bisedime mund të shfaqen mendime, ide, propozime, të hapen çështje jo vetëm nga Ti, por edhe nga Ai dhe jo vetëm nga Ti dhe Ai, por edhe nga organizuesit, mbikëqyrësit, monitorizuesit e bisedimeve. Tri çështjet për të cilat Ekipi i ynë i Unitetit thotë se nuk do të bisedojë tingëllojnë mirë, premtueshëm për ne, por ç‘të bëjmë kur përfaqësuesit tanë do të pranojnë që të bisedojnë për të tria sidomos në qoftë se ashtu kërkon Treshja e Grupit të Kontaktit. E ajo mund të kërkojë. Po për çka do të bisedojnë ata nëse jo për statusin?

Në një deklaratë të paradokohshme, ish-kryeministri i Kosovës, Bajram Rexhepi, propozoi shkëmbimin e pjesës veriore të Mitrovicës me Luginën e Preshevës. A ju duket ky një "pazar" i arsyeshëm?

Propozimi është interesant, gjithsesi i arsyeshëm, por, si duken punët, i pasendërtueshëm. Kush i njeh programet kombëtare serbe, veçanërisht ato të Vasa Çubrilloviqit, e di se Lugina e Preshevës konsiderohet luginë me rëndësi të madhe strategjike, që lidh Serbinë me Luginën e Vardarit. Vështirë se Serbia do ta pranonte shkëmbimin që propozon ish-kryeministri ynë i çmuar, Bajram Rexhepi. Dhe, pse më në fund, ta pranojë? Serbia mendon të mbajë edhe Luginën e Preshevës, edhe Mitrovicën Veriore, me Kolashinin dhe Zubin Potokun. Më në fund, ajo ato është duke i mbajtur! Për ta bërë Serbinë që t‘i lëshojë ato duhet një luftë e re! Por, koha e luftërave njëherë për njëherë ka kaluar...


ARSYET E VETOS RUSE

Profesor, sipas të gjitha gjasave, Rusia nuk do të japë votën e saj në Këshillin e Sigurimit dhe gjërat do të mbeten sërish ashtu siç kanë qenë. Si mund të lëvizet, sipas mendimit tuaj, në shpalljen dhe njohjen e pavarësisë së Kosovës si dhe njohjen e këtij realiteti të ri në aspektin e ligjit ndërkombëtar, pra në organizatat përkatëse ndërkombëtare?

Është ditur prej ditës së parë, kur ka shfaqur mospajtim me Planin e Ahtisarit se, Rusia nuk do të japë votën e saj për pavarësinë e Kosovës, qoftë edhe ashtu të mbikëqyrur dhe të ndarë përbrenda siç parashihet në atë Plan. Kush i ka përcjellë deklaratat e zyrtarëve, të numrit më të madh të zyrtarëve serbë dhe të anketave të opinionit serb për qëndrimin ndaj ardhmërisë së Kosovës, ka mundur të konstatojë se Serbia ishte në prag të pajtimit me, si thonë serbët, humbjen e Kosovës. Rusia ishte ajo që e nxiti politikën e tanishme vendosmërisht mospajtuese të Serbisë me pavarësinë e Kosovës! Rusia e nxiti rikthimin e ashpërsuar të politikës tradicionale serbomadhe ndaj Kosovës! Nuk do të duhej të harrojmë se Rusia ka nxitur kryengritjen e parë serbe më 1805 dhe të dytë më 1812, luftën kundër Turqisë në vitet 1876-1878 dhe dëbimin e shqiptarëve prej Nahijes së Nishit dhe, më në fund, luftërat ballkanike. Në ato kryengritje dhe luftëra serbe në shekullin 19 oficerët rusë ishin oficerë vullnetarë. Dhe, të gjitha këto Rusia i bënte atëherë për nevojat e veta politike dhe strategjike. Edhe tani, përkrahja që Rusia i jep Serbisë duke mos e pranuar pavarësinë e Kosovës në të vërtetë është politikë mbi të gjitha për nevojat politike dhe strategjike të vetë Rusisë. Ariu polar do të tregojë se është zgjuar.

Më pyesni si të ecet përpara? Këshilli i Sigurimit nuk krijon shtete - kjo duhet të dihet. Ne duhet ta shpallim vetë pavarësinë. Dhe, këtë duhet ta bëjë Kuvendi i ri, pra i riu, menjëherë teksa të kryhen bisedimet me Beogradin. Sa më shumë të shtyhet dita e shpalljes së pavarësisë aq më shumë mund të ndërlikohen punët.

Gjithashtu profesor, ka zëra, të pakët për momentin, por siç duket po shtohen, që flasin për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë. Si i komentoni këta zëra?

Janë zëra që flasin për diçka që do të ndodhë një ditë, sado po shtohet numri i feudalëve dhe bujkrobërve të tyre, që e kundërshtojnë deri në vetëmohim një ide të tillë. Leverditë politike, partiake, lokale e të tjera i bëjnë këta të çohen kundër një ideje që qe gati një shekull e gjysmë e ka lëvizur përpara historinë shqiptare.


INTEGRIMET DHE ÇINTEGRUESIT

Ndërkaq, si e shikoni ju në të ardhmen shtetin e Kosovës në marrëdhëniet me Shqipërinë, Maqedoninë (ku gati 30% është e banuar me shqiptarë), Serbinë (ku ndodhet Lugina e Preshevës e banuar me shqiptarë) dhe Malin e Zi, ku gjithashtu jeton një numër i konsiderueshëm shqiptarësh? Cila, sipas jush, duhet të jetë platforma e veprimit ndërshqiptar në të ardhmen për integrimin e faktorit shqiptar në rajon?

Edhe sot po shohim se sjelljet e Shqipërisë zyrtare ndaj Kosovës dhe ndaj shqiptarëve në përgjithësi dhe sjelljet e Kosovës ndaj Shqipërisë dhe shqiptarëve të tjerë në Ballkan i përcakton politika e faktorëve ndërkombëtarë, në radhë të parë e SHBA-ve dhe e Bashkimit Evropian ndaj tyre. Po mirë. Tani, për fat, nuk po mendojmë si dikur, as me kokën e Italisë, as me kokën e Jugosllavisë, as me kokën e Bashkimit Sovjetik, as me kokën e Kinës për veten, për identitetin tonë politik në Ballkan. Tani po mendojmë me kokën e vendeve më të zhvilluara dhe demokratike: të Amerikës dhe të Evropës, sado nuk do të ishte keq që, bile, për identitetin tonë kulturor dhe politik të mendojmë pak më shumë edhe me kokat tona.

Ajo që Ju quani platformë e veprimit ndërshqiptar, sipas mendimit tim, do të duhej të përbëhej prej përpjekjesh të programuara, të organizuara mirë, racionalisht, të ligjësuara, për integrimin shqiptar, për krijimin e lidhjeve sa më të zhvilluara, sa më të gjithanshme, sa më të forta kulturore, ekonomike, tregtare, turistike, politike e të tjera e kjo domethënë të krijimit të hapësirës kulturore, ekonomike dhe, pse jo, politike gjithëkombëtare. Kusht për sendërtimin e këtyre lidhjeve, të kësaj hapësire, është ndërtimi i rrugëve, në radhë të parë i rrugës Durrës - Kukës - Prizren; Prizren - Pukë - Shkodër - Ulqin; Deçan - Plavë e Guci; Guci - Vermosh - Shkodër e i rrugëve të tjera që lidhin krahinat dhe qytetet shqiptare. Me rëndësi jetike për integrimin dhe zhvillimin e gjithanshëm të shqiptarëve do të ishte ndërtimi i hekurudhës Prizren-Kukës-Tiranë-Durrës.

Ne sot, mjerisht, dëgjojmë vetje që flasin për rolin, thonë ata, kolonial të kulturës që krijohet në Tiranë ndaj kulturës së Kosovës!

Dëgjojmë vetje që do të donin të këputen lidhjet shpirtërore midis shqiptarëve të Shqipërisë dhe të Kosovës: të këputen lidhjet që krijon gjuha e përbashkët letrare, gjuha standard! Ne sot dëgjojmë vetje që do të donin të krijohej një komb tjetër në Kosovë, i ashtuquajturi komb kosovar dhe, ashtu, shqiptarët në Ballkan të ndaheshin në dy kombe! Dëgjojmë dhe çka nuk dëgjojmë. Nuk mund të thuhet se vetjet e këtilla nuk kanë edhe ndonjë institucion pas shpinës dhe nuk mund të thuhet se vetjet e tilla nuk kanë edhe grupe politike partiake pas shpinës. Dhe, për këtë arsye nuk mund të thuhet se zërat e tillë nuk mund të ndikojnë aspak në ngadalësimin e procesit të integrimeve shqiptare. Dështimi i tyre, ndërkaq, është i pashmangshëm. Në historinë e popullit gjithmonë në fund dështojnë shprehësit e interesave të ngushta, lokale, qofshin ato politike, ideologjike, ekonomike, fetare e të tjera, me të cilat cenohen interesat e përgjithshme.

Cili është vlerësimi juaj për Planin e propozuar nga Presidenti Ahtisari dhe a mendoni se viti 1998 do ta gjejë Kosovën të pavarur?

Është shkruar shumë në gazeta dhe është folur më shumë në mediat elektronike për këtë Plan. Kam shkruar edhe unë. Në situatën e përbërë rreth statusit të Kosovës, Plani i Ahtisarit paraqitet si një dhuratë për ne nga ata faktorë ndërkombëtarë që, megjithatë, synojnë zgjidhje të drejtë për Kosovën - e zgjidhje e drejtë, sado jo edhe historike, e çështjes së Kosovës konsiderohet pavarësia e Kosovës. Nuk do të duhej të mos shihnim dhe të mos thoshim se Plani i Ahtisarit e ndan Kosovën përbrenda, e bën Kosovën politikisht dhe kushtetutare - juridikisht Kosovë të dy entiteteve. Sipas Planit të Ahtisarit, Kosova do të jetë protektorat i Bashkimit Evropian dhe, vetëm mbasi të hiqet ky protektorat - kush e di kur - Kosova do të mund të quhet realisht e pavarur. Pra, Kosova realisht e pavarur, Kosova pa status protektorati, domethënë sovrane, do të bëhet më vonë se më 2008.

(vijon neser)

NESER DO TE LEXONI

Në pjesën e dytë të intervistës së akademikut të njohur, Rexhep Qosja, do të lexoni mendimet e tij mbi zhvillimet politike, ekonomike e shoqërore në Shqipëri, vlerësimin për Presidentin e ri të Republikës, Bamir Topi, por edhe për mënyrën e zgjedhjes së tij, vlerësimin e punës së deritanishme të qeverisë së drejtuar nga Kryeministri Sali Berisha, si dhe të kërkesës së vazhdueshme të mazhorancës për largimin nga detyra të Prokurorit të Përgjithshëm, Theodhori Sollaku
G Shqip
Shtuar më 01/10/2007, ora 14:32
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori