Pse është i pamundur dialogu
Albeu.com
Para disa ditësh, duke shëtitur në Parkun e Liqenit, u bëra dëshmitar i një skene interesante. Te Parku është shtuar mjaft numri i atyre që dalin e shëtisin atje me qenin e tyre.

Nuk mund të mos të të bjerë në sy se shumica janë të rinj dhe se këta shpesh mbajnë qenë race nga ata të tipit rotwailer, që nuk e di pse janë aq të frikshëm, për shkak të historive që kemi dëgjuar për ta, apo sepse vërtet janë racë më agresive.

Duke shëtitur në një nga rruginat e Parkut, më qëlloi për një copë here të eci përkrah një të riu që kishte një qen të tillë. Në një moment ai u kryqëzua gjatë rrugës me dy të rinj, që kishin edhe ata një qen të së njëjtës racë, tërë muskuj deri edhe në kokë, me ata veshët e shkurtër të ngritur përpjetë dhe bishtin e shkurtër.

Dy qentë sikur tentuan të afroheshin ndaj njëri-tjetrit, por dy padronët i tërhoqën. Dhe pastaj midis padronëve u zhvillua një bisedë. Ai që ishte në drejtimin tim i pyeti dy të tjerët për moshën e qenit që kishin me vete. Ata i thanë se ishte dy vjeç.

Duket se rezultuan të së njëjtës moshë, sepse ky i pyeti nëse e kishin vënë ndonjëherë të luftonte. Ata i thanë jo. Atëherë ky u propozoi ta provonin njëherë. Edhe dy të tjerët pranuan. Kështu i afruan të dy qentë drejt njëri-tjetrit. Unë ndalova të shoh se çfarë do të ndodhte dhe u çudita kur pashë se të dy qentë, në vend që të fillonin të gërmusheshin, u afruan heshtazi kokë më kokë dhe filluan t’i marrin erë njëri-tjetrit dhe të lëpiheshin.

Ndoshta edhe ngaqë mund të ishin njëri mashkull, tjetri femër. Mirëpo padronëve sikur nuk u pëlqeu kjo skenë. Pashë se filluan t’i cytin të dyja kafshët që të ndesheshin. Kështu nuk vonoi shumë dhe filluan të lehurat e dy qenve kundër njëri-tjetrit, që shqetësuan tërë kalimtarët.

Ndoshta do të ishte më elegante ta lija me kaq këtë shkrim, sepse morali i fabulës është i qartë, por besoj se ia vlen edhe ta konkretizojmë. Ka kaq kohë që ata që shkurt i quajmë “ndërkombëtarët” (se për shqiptarët s’pyet njeri), që më së fundi kanë emrat Fyle, Kantrimen, ambasadori amerikan Arvizu etj., po na thonë që të ulemi të zgjidhim krizën me negociata apo me parlament, se përndryshe do të rrezikojmë hyrjen në Europë, do të vonojmë ecjen tonë etj., etj.

E megjithatë, ndonëse ne e dimë se kjo na dëmton, nuk e bëjmë dot, e kemi gati të pamundur. Dhe jo vetëm politikanët tanë, por besoj se meriton të themi “ne”, sepse të gjithë, si shoqëri, mund të konsiderohemi të paaftë për të bërë debat, e dialog, e negociata derisa nuk jemi në gjendje t’ua imponojmë këtë politikanëve. Po pse vallë kjo pamundësi tragjike?

Në shkrimin paraardhës, me titull “Që zgjedhjet të mos jenë luftë finale”, i kam mëshuar shumë njërit prej shkaqeve, atë që mund ta quaja kryesisht shkaku ekomomik: grupe rivale që janë vënë në luftë për jetë a vdekje, në situatën e krizës ekonomike që na ka pllakosur, për kontroll territori dhe ekonomie.

Pa e mohuar këtë, gjithë duke ngulmuar se kjo është kryesorja, gjykoj se nuk duhet neglizhuar aspekti kulturor që mund të thuash se i vishet si propagandë kësaj lufte interesash, por që edhe vepron, pavarësisht prej tyre, si një mendësi dominante e shoqërisë sonë e trashëguar prej kohëve të regjimit nacional – komunist, por edhe e rifreskuar me penelata të reja. Një nga tiparet më të spikatura të kësaj kulture është fabrikimi i armikut në emër të krijimit të unitetit dhe kohezionit të grupit.

Është një kulturë që e dominon shoqërinë shqiptare në mënyrë të përgjithshme jo vetëm në raportet midis forcave politike që fabrikojnë armikun e brendshëm, por edhe kur bëhet fjalë për nevojën e armikut të jashtëm. (Mjaft të kesh parasysh për këtë debatin mbi regjistrimin e pakicave etnike kur ndonëse tani jemi në NATO e flasim për marrëdhënie miqësie e për hyrje në Europë, “armiku i jashtëm” duket sikur është e vetmja mënyrë për të ndërtuar dashurinë për vendin.)

Dihet se një nga ndjenjat që ka pushtetin më të madh te njeriu është urrejtja, kjo bijë e frikës dhe inat i të dobëtëve, siç e quajnë të urtit. Është një ndjenjë që njeriu në shekuj ka arritur ta kontrollojë nëpërmjet eliminimit të shkaqeve të frikës dhe të dobësisë në shoqëritë ku jeton, por edhe nëpërmjet njohjes dhe arsyes. Sa më shumë një shoqëri të jetë e bartur me frikëra, dobësira dhe padituri, aq më shumë kjo ndjenjë bëhet mbizotëruese. Fatkeqësisht, ky është rasti i shoqërisë sonë.

E këtu vijmë te tema e këtij shkrimi, që synon të shpjegojë pse ne e kemi aq të pamundur dialogun, negocimin, ndonëse të gjithë na e kërkojnë, madje edhe vetë e dimë se vetëm ashtu mund ta kalojmë krizën.

Problemi është se partitë tona janë ndërtuar dhe punojnë mbi bazën e fabrikimit të armikut të brendshëm nëpërmjet gjuhës së urrejtjes që zhvillohet e kultivohet nëpërmjet këtij fabrikimi.

Gjatë veprimtarisë së tyre, veçanërisht elektorale, ato kryejnë një trushpëlarje të vazhdueshme ndaj elektoratit të tyre me mediat edhe gjithçka tjetër që kanë në dorë. Urrejtja sikur bëhet i vetmi motiv për t’u ndjerë bashkë e solidarë me njëri-tjetrin e për të mobilizuar votuesit.

Pa armikun dhe urrejtjen ndaj tij ato sikur nuk mund të ekzistojnë dot. Dëgjoni Sali Berishën dhe jo vetëm atë në PD, por edhe shumë më të rinj, se si vazhdimisht i thonë elektoratit, gati pa doreza fare, se lufta e tyre është me këlyshët e bllokmenëve që duhet të marrin mësimin final që të zhduken si racë nga faqja e dheut, duke harruar se vetë Saliu ka qenë komunist dhe se brenda partisë së tij ka edhe shumë komunistë të tjerë apo “këlyshë” komunistësh.

Dëgjoni Edi Ramë e të tijtë se si tërë ditën nuk thotë gjë tjetër veçse se si e keqja vjen nga regjimi i kusarisë së Sali Berishës, se nuk do të lënë gur pa luajtur për ta hequr qafe këtë bandë kusarësh, duke harruar se në bashkitë kryesore të vendit, që janë nën kontrollin e PS-së, kusaria ka bërë e po bën kërdinë.

Shkurt, pra, e gjithë strategjia elektorale, por edhe ajo e luftës politike në përgjithësi, është e ndërtuar mbi filozofinë e identifikimit të tjetrit kundërshtar me armikun dhe urrejtjen ndaj tij. Dhe pyetja që ngrihet natyrshëm është: a ka mundësi të zhvillohet dialogu, marrëveshja me dikë kur atë e urren në një mënyrë kaq totale dhe betohesh se nuk do të lesh mjet pa përdorur për ta shkatërruar? Normalisht jo, është e pamundur.

Dhe ky është problemi i paaftësisë sonë për dialog e zgjidhje të krizës me bisedime. Politikanët tanë janë, kësisoj, në një skizofreni të plotë: më një anë atyre u duhet t’u tregojnë ndërkombëtarëve se ata po bëjnë dialog, nga ana tjetër, u duhet të ndërsejnë militantët dhe në përgjithësi elektoratin e tyre me ndjenja urrejtjeje totale ndaj armikut.

Për hir të së vërtetës duhet thënë se PD-ja, ndoshta edhe pse është në pushtet e kërkon të reflektojë siguri, duket se ka ndërtuar një strategji disi mikste në këtë drejtim: ka dalë edhe me projekte për të ardhmen me gojën e Bashës veçanërisht.

Por edhe këtë duket sheshit se e bën për të goditur kundërshtarin që, sipas saj, vetëm e demonizon. Ndërkaq, elektorati është i qartë se kjo është thjesht një lëvizje taktike më shumë, se nëse gjatë fushatës shfaqet edhe një retorikë që e ve theksin te ndërtimi dhe jo te demonizimi i kundërshtarit, duhet ta kuptojë se kjo është sa për të larë gojën me ndërkombëtarët, pasi poshtë saj gëlon urrejtja dhe mprihen thikat.


Këtu vlen të shtrohet edhe një pyetje, megjithatë: a e urrejnë ata vërtet kaq shumë njëri-tjetrin, apo thjesht ndërsejnë turmën në një si teatër kukullash? Kur Sali Berisha shpërtheu një herë në Parlament ndaj këlyshëve të bllokmenëve që “lehin, por nuk kafshojnë” e vazhdoi me akuzat aq të stërpërsëritura se janë bij të etërve të tyre etj., etj., i thashë një udhëheqësi të PD-së, kur e takova rastësisht, se kjo gjuhë më dukej e papranueshme, pasi, e para, është kundër parimeve bazë të të drejtave të njeriut që thonë se faji është individual dhe jo kolektiv apo familjar e se fajësinë familjare e ka pas aplikuar Enver Hoxha; e dyta, sepse edhe vetë PD është plot me komunistë apo ish-komunistë e bij komunistësh.

Përgjigjja që më tha ishte: Po ai nuk flet për njerëz si ty, ai flet për militantët dhe elektoratin e gjerë – a thua se këta duhen mbajtur në gjendjen e trushpëlarjes së përhershme. Megjithatë, kjo nuk do të thotë se gjuha e urrejtjes e përdorur për retorikë, e që ka prapa interesa e pazare banale njerëzish të vegjël, nuk prodhon urrejtje. Paçka se është një retorikë sipërfaqësore, që nuk buron nga ndonjë urrejtje e njëmendtë në nivelin e lidershipit, efekti i saj psikologjik në shoqëri është shkatërrues edhe për ata që nuk ndjehen pjesë e kësaj loje.

Në këtë kontekst, gjykoj se duhet parë edhe seriali i tentativave për vrasje të kohëve të fundit që dikush e interpreton me sfond politik dhe dikush me sfond ordiner, interesash dhe pazaresh të prishura. Sipas meje, të dyja nuk e përjashtojnë njëra-tjetrën, përkundrazi, e ushqejnë njëra-tjetrën. Dhe kam frikë se jemi vetëm në fillimet e kësaj urrejtjeje në shpërthim që është pasqyrë e një frike dhe dobësie të madhe të klasës sonë politike.

Si duhet të reagojë ndaj kësaj gjuhe urrejtjeje pjesa jomilitante e elektoratit, që gjykoj se është shumica e shaptarëve? Duke u dhënë sinjalin – sipas meje me abstenim, por jo vetëm: edhe duke votuar rast pas rasti sipas kandidatëve apo problematikës së jeton – se është më e vetëdijshme për realitetin që jeton dhe më e aftë për dashuri dhe dialog sesa qentë rotwailer të ngjarjes që tregova në krye të shkrimit. (panorama)
Shtuar më 06/04/2011, ora 10:00
Tage:
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori