Pozita dhe opozita në Kosovë
Albeu.com
nga Ilir SefajQë në nismë duhet thënë se, në Kosovë që nga përfundimi i luftës e këtej nuk kemi pasur pozitë e as opozitë të mirëfilltë.E njëjta situatë vazhdon të jetë edhe sot. Kemi një pozitë mjaft të brishtë po edhe një opozitë të ngjashme. Qeveria aktuale e Kosovës siç duket ende ka mbetur nën hije, ngase shumë pak po shihen rezultate konkrete të cilat do të flisnin për kthim të dinjitetit të qytetarit të vendit.

Gjithsesi, puna e parë dhe më kryesorja e akëcilës qeveri është ruajtja e dinjitetit të qytetarit të vet. Kujto këtu Rusinë e cila veçse nuk e rrafshoi me tokë Gjeorgjinë, kur kjo e fundit cenoi dinjitetin e qytetarëve rusë. Pra, nuk mund të flasim për qeveri të mirëfilltë kur qytetarët e shtetit të saj, faktikisht nuk kanë dinjitet. Kur them nuk kanë dinjitet, mendoj në radhë të parë në klasën punëtore e cila rëndom përbën pjesën më të madhe të qytetarëve të secilit shtet, e e cila në Kosovë është më e nëpërkëmbura në glob, e në veçanti ajo pjesë e cila ballafaqohet me torturat e punëdhënësve të sektorit privat. Doemos se ky fakt, do duhej të ishte preokupim kryesor i Qeverisë aktuale po edhe i qeverive pasardhëse.

Si do që të jetë, më 17 të muajit shkurt Kosova shpalli pavarësinë e saj, dhe kjo u bë në koordinim me bashkësinë ndërkombëtare të kryesuar nga SHBA-ja, ku faktikisht pa ndihmën e së cilës bërja e Kosovës shtet do të konsiderohej si kërkesë utopike. Edhe pse kanë kaluar më shumë se gjashtë muaj që kur Kosova shpalli pavarësinë e saj, dhe përkundër faktit se kjo Qeveri është treguar mjaft neglizhente në lobimin për njohjen sa më masive të shtetit të Kosovës, prapë sikur synon që t’u hedhë krip syve qytetarëve të vendit, duke deklaruar se gjërat në “shtetin” tonë po shkojnë ashtu siç duhet. Jo çdo problem i yni zgjidhet nëse e kujtojmë pavarësinë e Kosovës, jo çdo detyrim i Qeverisë së vendit ndaj qytetarit të saj ka marrë fund me shpalljen e Kosovës shtet. Gjërat duhet shikuar në mënyrë më racionale.

Qytetarët e Kosovës nuk mund t’i mbajë gjithnjë vital fakti se tashmë kanë shtetin e tyre, edhe pse fatkeqësisht shumë pak funksional. Ata nuk mund të jenë të ngazëllyer kur në fakt shteti i tyre i ka lënë pas dore, pothuajse sikurse Qeveritë e Beogradit dikur. Mbase kryeministri i Kosovës nuk është në dijeni se qytetarët e shtetit të tij (fjala është për ata që janë të punësuar në sektorin privat), punojnë 14 orë në ditë, shtatë ditë në javë, për vetëm 200 euro në muaj. Të drejtat e punëtorit të Kosovës janë më të shkelura se të drejtat e punëtorit të secilës pjesë më të pazhvilluar të botës. Me një standard të tillë nuk shkohet në Europë, me një standard të tillë shkohet në “Zullulandin e Konicës”. Edhe pse qeveria (me nder me thënë) e shtetit tonë, këto e probleme të ngjashme mundohet t’i maskojë disi, paradoksi është se opozita (edhe pse pak mund të flasim për opozitë kur, partitë opozitarë gëzojnë një përqindje mjaft të vogël të besimit të qytetarëve) nuk e ka idenë se si në fakt mund të bëhet opozitë e mirëfilltë. Problemi konsiston në faktin se këta zëra të ngjizur opozitarë ose nuk njohin në thelb preokupimet e qytetarëve të vendit, çka është mëse e sigurt, ose nuk kanë sens politik, ngase me kritikat e tyre paushallë forcojnë pozitën në pushtet. Përfundimisht, përderisa në Kosovë nuk ka pozitë e as opozitë të mirëfilltë, përderisa në Kosovë nuk ka sistem të pavarur gjyqësor, përderisa në Kosovë nuk ka funksionim të jetës institucionale e cila do duhej ngritur mbi parimet e demokracisë, jeta jonë do t’i përngjajë KEK-ut, sinonim i territ.
Shtuar më 24/08/2008, ora 16:43
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori