Post-zgjedhje, Kosova drejt koalicionit të madh
Pëlqej
Albeu.com
Një zyrtar i lartë i partisë së Hashim Thaçit, deklaroi dje për agjencinë e lajmeve “Reuters” se PDK pritet të krijojë një koalicion me LDK-ën, të zbritur në vend të dytë nga kjo garë elektorale, ku fitoi 22 për qind të votave, një rënie e dukshme nga 45 për qind në zgjedhjet e 2003-it.nga Elira Çanga

Kosova përgatitet tashmë për një koalicion të madh qeverisës, që do ta drejtojë atë në përballjen e fundit me Beogradin për statusin. Një zyrtar i lartë i partisë së Hashim Thaçit, që fitoi zgjedhjet e së shtunës me reth 34 për qind të votave, deklaroi dje për agjencinë e lajmeve “Reuters” se PDK pritet të krijojë një koalicion me Lidhjen Demokratike të Kosovës, të zbritur në vend të dytë nga kjo garë elektorale, ku fitoi 22 për qind të votave, një rënie e dukshme nga 45 për qind në zgjedhjet e 2003-it. Të dy patriotet, që për tetë vjet kanë qenë rivale të ashpra të njëra-tjetrës, do t’u kthehen aleancave tashmë që ndërkombëtarët po bëjnë thirrje për krijimin e shpejtë të qeverisë së re. Por, zyrtarët pranë PDK-së thanë se me qëllim që të sigurohet një maxhorancë e qëndrueshme në parlament, PDK mund të ftojë në qeveri edhe parti të tjera më të vogla. “Me fitoren tonë nis shekulli i ri për Kosovën”, - deklaroi Thaçi menjëherë pas shpalljes së fitores në orët e para të mëngjesit të së dielës. “Ne do të tregojmë se Kosova është e gatshme të shkojë drejt lirisë dhe pavarësisë”, - tha ai. Surpriza e zgjedhjeve ishte pikërisht ngjitja në vendin e tretë e formacionit politik të Bexhet Pacollit, ndërsa AAK e Haradinajt renditet në vend të katërt dhe partia Ora e Veton Surroit ka mbetur jashtë parlamentit me vetëm 4 për qind të votave, 1 për qind më pak se pragu elektoral.
Apatia e thellë
Zgjedhjet e së shtunës u vlerësuan nga ndërkombëtarët brenda standardeve dhe të zhvilluara në qetësi e pa incidente. Por, fakti se më shumë se 55 për qind e votuesve nuk e morën mundimin të hidhnin votën e tyre, i ka alarmuar seriozisht ndërkombëtarët. “Pjesëmarrja e ulët në zgjedhje konfirmon se populli nuk është i kënaqur me elitën politike”, - deklaroi shefi i diplomacisë evropiane, Havier Solana. Ndërsa, shefi i misionit vëzhgues të BE-së, Xhovani Di Stasi theksoi se apatia e thellë është një element domethënës që duhet të bëjë liderët e Kosovës të angazhohen më seriozisht në politikat e tyre për zgjedhësit. Ai tha se fati që kryetari i Komisionit të Zgjedhjeve është emisar i OSBE-së, edhe tetë vjet pas ndërhyrjes në Kosovë, është një shenjë që tregon se kosovarët kanë ende probleme serioze me ngritjen e institucioneve. Nga ana tjetër, shefi i UNMIK-ut, Joakim Ryker shprehu zhgënjimin e thellë lidhur me bojkotin e serbëve, për atë që e konsideroi një shans të humbur për serbët për të ngritur zërin në Prishtinë. (G. Shqiptare)
Shtuar më 19/11/2007, ora 18:04
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori