Poshte diskriminimi
Albeu.com
nga Hamdi NuhijuNxënësit shqiptarë të shkollave të mesme të Kumanovës kanë protestuar të hënën (15 shkurt 2010), kundër diskriminimit. Nxënësit kanë marshuar të qetë në rrugët e qytetit, kundër diskriminimit nga ana e institucioneve arsimore të Maqedonisë.
Ky reagim i këtyre nxënësve, është një shenjë e pakënaqësisë edhe të mijëra qytetarëve shqiptarë të Kumanovës, Komunës së Likovës dhe dhe të shqiptarëve të qyteteve të tjera të Maqedonisë, të cilët, ndjehen të diskriminuar, të nënçmuar, të terrorizuar nga ana e qeverisë së “monarkut” Gruevski.

Ndjeshmëria e reagimit, dukshëm është më e madhe në Kumanovë sesa në qytete të tjera, kjo për dy arsye politike: e para, ngaqë shqiptarët e Kumanovës historikisht kanë qenë të “eksperimentuar” dhe arsyeja e dytë është ngaqë në Kumanovë është forca dhe koncentrimi i partisë më të fuqishme opozitare në vend LSDM. Duket se arsye e dytë, i ka dhënë më shumë shkaqe qeverisë për të ndjekur një politikë diskriminuese. Qytetarët e këtij qyteti po vuajnë dënime deri edhe me 5 mijë Euro, për mospagimin me kohë të tatimeve.

Sot reagoi partia LSDM, duke theksuar se qytetarët e Kumanovës nuk janë qytetarë të rendit të dytë, por janë qytetarë të barabartë njësoj si qytetarët e tjerë të Republikës së Maqedonisë. Megjithëse edhe LSDM-ja nuk dallon nga VMRO-DPMNE kur janë në pyetje shqiptarët, situata përkeqësohet në Kumanovë, për shkak të pozicionit të saj politik, pasojat e të cilit i vuajnë shqiptarët.


Përndryshe aktet e ndryshme politike në Republikën e Maqedonisë nuk na habisin shumë për orientimin e këtij shteti në mënyrë nacionaliste dhe anti-shqiptare. Mjafton që të ‘surfosh’ në internet tek gazetat kryesore maqedonase e të shohësh nacional-romantizmin maqedonas i cili ngre krye ndaj ‘armiqve’ të përbetuar historik, shqiptarët. Ne nuk jemi kundër nacionalizmit maqedonas- ato le të mbështeten në atë ndjenjë kur është në pyetje e drejta e këtij shteti ose e drejta e maqedonasve në Greqi-por nuk pajtohemi që ajo të jetë reflektim i kundërt ndaj bashkëqytetarëve të Maqedonisë, në rastin konkret shqiptarët.

Si rezultat i këtij nacionalizmi të theksuar ‘politik’, sot nxënësve shqiptarë nëpër shkolla fillore qysh prej klasës së parë iu imponohet mësimi i gjuhës maqedonase, dhe sipas shumë opinionbërësve maqedonas kjo gjë është domosdoshmëri. Sipas tyre, shqiptarët janë fajtorët kryesor pse Maqedonia nuk gjendet në NATO dhe BE, ngaqë të mos ekzistonte lufta e 2001, sot Maqedonia do të ishte në këto instanca ndërkombëtare.

Është e lehtë të hidhet faji tek një popull i diskriminuar, por është burrërore të pranohet faji në rast se bën padrejtësi, dhe të kërkohet falje. Zëri i kumanovarëve sot ishte ai zë i brendshëm i të gjithë qytetarëve të Maqedonisë, zë që kërkon të drejtën e vendosjes së ndonjë figure historike shqiptare në sheshin e Shkupit, zë që kërkon rindërtimin e Burmali Xhamisë, zë që kërkon të drejtën e ndërtimit të bustit për heroin Xhemë Hasa në qytetin shqiptar në Gostivar.

Shqiptarët e Maqedonisë kanë filluar të vetëdijesohen për politikat dhe kurthet që bëhen kundër tyre. Idetë ose opsionet politike që po hidhen në tregun e mendimeve politike këto ditë, janë të bukura, të lyera me syrin e patriotizmit dhe në të mirën e popullit tonë. Por, mënyra se si hidhen në tregun e mendimeve politike është jo adekuate dhe jo e favorshme për shqiptarët e këtij vendi.
Sfidat në këtë shtet, gjithmonë e më shumë po shtohen, dhe rruga e përmirësimit të gjendjes së shqiptarëve vetëm po ngushtohet.

Me liberalizimin e vizave për Maqedoninë, çuditërisht, vetëm shqiptarët po lëshojnë Maqedoninë dhe deri më tash nuk kemi ndonjë informatë të saktë se fluksi i maqedonasve të ikur është kaq i madh sa i shqiptarëve. Këtij procesi diskriminues indirekt dhe pa qëllim, po i ndihmon edhe liberalizimi i vizave ndaj këtij shteti.

Megjithatë, të kthehemi tek protestat në Kumanovë, shkollarët e mesëm kërkuan librat, nga që ende nuk i kanë marrë dhe mësojnë në kushte katastrofike. Me dikasterin e arsimit po udhëheq një njeri i cili në mënyrë arrogante po imponon nacionalizmin maqedonas tek nxënësit shqiptarë.
Deri kur do të zgjas kjo dhunë politike, ideologjike dhe sociale, nuk e dimë. Por, shpresojmë pas netëve të gjata e të errëta, do të vijnë agimet e ngrohta dhe të bukura.
Shtuar më 17/02/2010, ora 01:52
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori