E FUNDIT/ Sherr me armë në Bulqizë, 1 i plagosur
Pikëpyetjet e zgjedhjeve kosovare
Albeu.com
Mentor Nazarko - Zgjedhjet në Kosovë kanë hyrë në fazën e numërimit, një fazë delikate kjo për integritetin e votës, por që tani mund të nxirren disa përfundime, kryesisht në një këndshikim krahasues të praktikës së votës në dy degët shqiptare të kombit, Shqipëria dhe Kosova.

Së pari, kosovarët kanë ende një sjellje dashurie ndaj votës. Ende magjia e votës ekziston në shoqërinë kosovare, megjithë frytet e hidhur të demokracisë vendore, të rritur nën hijen e vëzhgimit ndërkombëtar. Në mbrëmjen e të shtunës, në kufirin që ndan kombin, në Vërmicë, kishte rënë heshtja. Policët e kufirit tregonin se gjithë studentët kosovarë të Shqipërisë rezidentët kosovarë kishin lënë Shqipërinë amë, që të shkonin e të votonin në vendbanimet e tyre. Për të njëjtën arsye, edhe drejt Shqipërisë nuk kishte thuajse asnjë lëvizje, për një kohë të gjatë, duke e lënë të shkretë të ashtuquajturën rrugë të kombit.

Së dyti, pjesëmarrja e kosovarëve në votime mbetet e lartë. Në një popullsi të përgjithshme (regjistrimi i fundit), prej 2 milionë banorësh, lista zgjedhore ka qenë tejet e fryrë me rreth 1.6 milionë zgjedhës, ndërkohë që lista reale (pa emigrantët në Perëndim që s’kanë ardhur për të votuar) duhet të ishte diku tek 1.1- 1.2 milionë votues. Kjo sipas një rregulli demografik, në bazë të të cilit numri i votuesve, pra i atyre me moshë nga 18 vjeç e sipër, nuk mund të jetë më shumë sesa dy të tretat. Nëse do të arsyetonim kështu, atëherë pjesëmarrja prej 47.8%, do të ishte realisht midis 65-70%, e banorëve realisht rezidentë në Kosovë. Një pjesëmarrje e tillë nuk është e keqe, në kushte të vështira të motit, siç ishin në Kosovë.

Së treti, pjesëmarrja e serbëve në qendër dhe në jug të vendit, ka shënuar rritje. Kjo është një fitore e Kosovës, e institucioneve të saj që kanë arritur me mënyra demokratike, apo jo të dhunshme, të integrojnë serbët. Për këtë shkak, në Parlamentin e Kosovës mund të ketë më shumë serbë sesa është numri i vendeve të garantuara për minoritetet. Ndërkohë, u vu re se shteti i ri i Kosovës nuk ishte aq aktiv në pjesën veriore.

Së katërti, sjellja e partive ndaj njëra-tjetrës vazhdon të mbetet në kufijtë e tolerancës nordike. Askush nuk sulmoi në mënyrë të personalizuar askënd; dhe debatet televizive ishin shumë më të qytetëruara se ato të Shqipërisë, megjithëse u shmangën debatet e nivelit të lartë. Politikanët kosovarë e kanë kuptuar se sulmet e personalizuara shkatërrojnë elektoralisht atë që sulmon dhe jo viktimën. Kjo është provuar shpesh në votimet e mëparshme, dhe vetë zoti Mustafa, kreu i LDK-së, ka qenë viktima përfituese e zgjedhjeve lokale dhe bartësi i këtij leksioni që i konsideron sulmet e personalizuara si të papërshtatshme. Sulmet që PDK-ja, kandidati i saj në Prishtinë, i drejtoi zotit Mustafa, shërbyen shumë për të rritur mbështetjen elektorale në kryeqytet. Ky leksion bëri që PDK-ja të mos i rezervonte asnjë sulm personal kreut të LDK-së, megjithëse në Shqipëri një gjë e tillë, ta zëmë prej zotit Berisha, do të ishte e paimagjinueshme. I vetmi moment i mosrespektimit të këtij rregulli në këto zgjedhje, me pasoja për vetë PDK-në, ka qenë sulmi ndaj Florim Krasniqit, biznesmenit shqiptaro-amerikan, që ishte kandidat në listën e Vetëvendosjes. Sulmet personale që ngjanin me ato të “Rilindjes Demokratike”, apo të vetë zotit Berisha ndaj rivalëve të vet, e forcuan Vetëvendosjen, shërbyen si start i mirë për hyrjen e saj në fushatë. Madje, në përgjithësi, qasja represive ndaj Vetëvendosjes - burgosja, proceset gjyqësore, përndjekja, shtypja e dhunshme e demonstratave, shërbyen për ta forcuar dhe përmirësuar imazhin e Vetëvendosjes dhe liderit të saj.

Së pesti, dukuria “Vetëvendosje” është afirmim i ndjenjës së përgjithshme të frustrimit nga qeverisja, e cila në Kosovë shfaqet në votimin thuajse masiv të alternativës së re, të asaj që shfaqet për herë të parë në zgjedhje. E njëjta dukuri u vu re dhe ndaj Aleancës Kosova e Re, të zotit Behgjet Pacolli, në zgjedhjet e 2007-s, madje dhe rezultati është thuajse i njëjtë mes tyre. Ambiguiteti i mesazhit të opozitarëve, ndërsa në Kosovë të gjithë partitë politike janë të hapura për të bërë marrëveshje paszgjedhore me të gjithë të tjerët, madje dhe vetë Vetëvendosja e ka zvogëluar forcën tërheqëse të opozitës. Votuesi ka preferuar të ankorohet dhe këtë herë tek alternativa e qëndrueshme, tek PDK-ja apo tek LDK-ja, më pak tek AAK-ja. Nga sherri PDK-Vetëvendosje, nga shfaqja e LDK-së së ndryshuar me në krye Isa Mustafën, nga stili agresiv i të bërit opozitë prej Vetëvendosjes, nuk arriti të fitojë vota dhe Koalicioni për Kosovë të Re, i krijuar në momentin e fundit, i cili kishte praktikisht ofertën më të mirë programore dhe njerëzore në raport me të tjerët. Por, ai nuk arriti të afirmojë veten si alternativë e re brenda një kohe të shkurtër, i gjendur përballë rivalëve të tillë, dhe gjithashtu dobësitë e veta organizative ndikuan negativisht në rezultatin e kësaj partie.

Së gjashti, rezultati i PDK-së tregon gjithashtu njëlloj instinkti vetëruajtjeje të popullit të Kosovës, që megjithë pakënaqësitë për qeverisjen, ka preferuar të votojë për alternativat e provuara dhe të qëndrueshme, siç kanë qenë PDK-ja dhe LDK-ja, dhe jo për opozitën në përgjithësi, sa kohë që partitë e ashtuquajtura të opozitës nuk krijuan njëlloj koalicioni, diçka që ndodh kudo në vendet normale. Mungesa e një mesazhi të unifikuar të opozitës, sulmet reciproke mes këtyre partive, veprimtaria diversive e vetë PDK-së ndaj këtyre partive veç e veç, kanë bërë që zgjedhësit të mos preferojnë masivisht opozitën. Partitë që kanë pasur pushtet, që kanë qeverisur komuna të tëra, ruajtën përgjithësisht elektoratin e tyre, duke konfirmuar aksiomën se një parti shqiptare nuk mund të rezistojë gjatë nëse është pa ndërprerje në opozitë. Militantë janë ata që kanë vende pune, që humbin vende pune dhe që motivohen kështu për të manipuluar, etj, etj.

Më në fund, këto zgjedhje mund t’i japin Kosovës një konfiguracion të paqëndrueshëm politik, por imponimi ndërkombëtar për bisedime me Serbinë do të çojë në një qeveri të re me çdo kusht. Problemet e manipulimit që u vunë re, të ngjashme me ato të Shqipërisë, të sjella prej andej me bartës fizikë apo me induksion, do të tentohen të korrigjohen, por pa çuar në përsëritje totale të zgjedhjeve.
Shtuar më 14/12/2010, ora 12:23
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori