Persekutorët ndërmjetës
Albeu.com
nga Mentor BeqaDialogu ndërfetar ka filluar të shihet nga elitat e kohës si një imperativ për të krijuar hapësira kulturore gjithëpërfshirëse, jopërjashtuese. Nga kjo tendencë e përbotshme nuk mund të përjashtohet vendi ynë, i cili ka një traditë të mirë në drejtim të dialogut e harmonisë ndërfetare.Sistemi komunist ka krijuar ç’ekuilibrime në këtë drejtim, duke shkaktuar një ndërprerje edhe të kësaj tradite. Kjo ndërprerje reflektohet edhe në shoqërinë e sotme postkomuniste në disa forma. Unë do të fokusohem në një prej tyre, që lidhet me personazhet që kanë marrë përsipër të hapin kanalet e këtij komunikimi.

Duke qenëse është e pamundur që këtë lloj dialogu ta nxjerrësh nga konteksti i traditës do të marrë një referencë nga një frat katolik. Bëhet fjalë për At Zef Pëllumbin, një klerik katolik që ka shty gjithë jetën nëpër vuejtjet e burgjeve komuniste. Po shkëpus një dëshmi nga “Rrno vetëm për me tregue”, që është një dëshmi nga pjesa e burgut të parë të këtij kleriku.

At Zefi ishte i dënuar me tre vjet në burgun e parë, e ndërsa ishte ende në pritje të vendimit, e kishin lënë në një qeli të vogël të vetmuar. Hetuesi duke kaluar e sheh se ishte vetëm dhe pa ushqimi dhe e pyet nëse kishte familjarë që t’i sillnin ndonjë gjë për të ngrënë. Ai i përgjigjet se familjen e kishte në Malësi dhe se s’kishte njeri që t’i binte nga pas. Hetuesi e merr dhe i thotë se do ta çonte në një qeli me një hoxhë. Bëhet fjalë për Xhabir Dibrën, një mysliman nga një familje fisnike shkodrane, por që nuk ishte teolog. Hetuesi e hedh në qelinë e re At Zef Pëllumbin duke u lënë një porosi me ironi: Ja ku jeni hoxhë e prift, mos u rrihni me njëri-tjetrin, se ju rrahim ne. At Zefi dhe Xhabiri bëhen miq për kokë, pasi qëndrojnë për shumë muaj të lidhur me njëri-tjetrin. Xhabir Dibra kujdesej për të, siç kujdesej për veten. Edhe pas burgut, ata mbajtën lidhjet dhe familja myslimane e mbante At Zefin, megjithëse një frat katolik, si djalin e saj.

Këto nuk janë rrëfenjëza iluzive nga laboratoret e komunikimit ndërfetar që organizojnë OJF-të në vendin tonë, por një ndjenjë reciproke që ekziston realisht mes besimtarëve e klerit të feve të ndryshme në vendin tonë. Natyrisht që ky vend ka nevojë për ndërtimin e kanaleve të komunikimit ndërreligjioz dhe kjo është një detyrë e klerit mysliman e atij kristian. Ata mund ta realizojnë më mirë se gjithkush tjetër këtë mision. Ata e përjetojnë, e ndjejnë e besojnë, se streha e përbashkët e të gjithë atyre që besojnë është Zoti. Është detyrë e besimtarëve të flasin për Zotin dhe dialogun ndërfetar. Rëndom në vendin tonë, monopolin e organizimit të konferencave religjioze, komunikimit ndërfetar, e kanë pikërisht ato që nuk besojnë: e për rrjedhojë nuk e ndjejnë dhe nuk e besojnë atë që bëjnë.

Janë pikërisht ai soji atyre që talleshin me At Zefin dhe Xhabirin, që sot nën të njejtën ideologji ateiste që trashëgojnë, mundohen të pajtojnë ato që janë të pajtuar. Ndërsa dikur bënin gjithçka që të fusnin ndasi ndër ta, për ta pasë më të lehtë luftën e tyre të paZot kundër të gjitha feve, sot janë të parët ndër tribune, që kinse japin kontribut për atë që e quajmë “tolerenca fetare”. Kjo tolerancë ekziston në mendjet dhe zemrat e të gjithë besimtarëve shqiptarë. Është detyrë e përfaqësuesve të tyre ta përcjellin e artikulojnë. Askush më mirë se ata nuk mund ta bëj.

A se keni vënë re, se sa herë që ndodh ndonjë incident me kultet fetare, apo ka ndonjë fjalë të pakontrolluar nga dikush që përfaqëson e s’përfaqëson gjë, ngrihen nëpër tribuna ata që pa pikën e turpin thonë “ne jemi ateistë, por këtë gjë e gjykojmë kështu e ashtu”. Këto marrina duhet të marrin fund një herë e mirë. Ndërmjetës të feve, nuk mund të jenë ata që s’besojnë për vete, e aq më keq që dikur kanë qenë persekutor të feve. Kostumi i tyre i ri, nuk u jep moralin për të na treguar rrugën e drejtë të harmonisë fetare. Komunitetet fetare e organizatat që merren me fenë, kanë kapacitetet e nevojshme për të realizuar dialogun fetarë, pa ndihmën e këtyre të tretëve, që në vendin tonë është bërë modë të jenë: ateistë.
Botuar ne Gazeten Start
Shtuar më 02/04/2007, ora 12:16
Tage: arkiv

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori