Pavarësia afër simbolet shtetërore askund
Albeu.com
nga Gani MehmetajA ka rrezik që Parlamenti i Kosovës me zvarritjen e tumirjes së simboleve shtetërore të Kosovës si flamuri, himni dhe stema, të imponohen zgjidhje të jashtme apo siç u tha në një televizion qendror në Kosovë, i afërt me një parti politike flamuri i Dardanisë dhe himni nuk duhet të pranohen, sepse duhet të pyeten serbët.Para disa ditësh në Galerinë e Arteve në Prishtinë u hap një ekspozitë e propozimeve për flamurin e ardhshëm të Kosovës. Nuk e pata të qartë pse u bë kjo ekspozitë dhe çfarë synonte, por ajo që më habiti ishte se asnjëri nga propozimet nuk më emocionoi dhe nuk më joshi. Përkundrazi, më lanë shumë indiferent, edhe pse i shikova me vëmendje. Më shumë të tjerë që bisedova ishin të mendimit se asnjëri nga flamujt e ekspozuar nuk i plotësonte kushtet për të qenë flamur i ardhshëm i Kosovës, madje disa ishin të dëshpëruar për mungesën e kreativitetit të artistëve tanë! Natyrisht, nga një ekspozitë nuk është pritur më shumë dhe asnjë shtet nuk e ka marrë flamurin në galeri të arteve që ta kemi në atë fat. Ishte iluzion i organizatorëve nëse kanë menduar se po e bëjnë namin dhe se po e zgjedhin simbolin e ardhshëm të Kosovës. Më shumë ishte kundërvënie një propozimi me të cilin kemi filluar të mishërohemi. Edhe më të pakapshme më duken deklarimet publike të disa politikanëve të cilët propozojnë të shpallet konkurs ndërkombëtar për flamurin, himnin dhe stemën shtetërore! Nëse në të kaluarën himnin kombëtar na e bënë të huajt, athua sërish duhet të insistojmë që simbolet shtetërore të na i kompozojnë prapë të tjerët, sepse nuk jemi të aftë t'i bëjmë vetë, apo sepse pajtohemi më lehtë nëse na i servirin të tjerët, ashtu sikurse që jemi pajtuar edhe për shumë gjëra të tjera deri me tash.

Rezistenca kundër një propozimi pa kundërpropozim

Anëtari i Kryesisë së Kuvendit të Kosovës, Sabri Hamiti, inicoi çështjen e simboleve në Kryesinë e Kuvendit të Kosovës, përkatësisht aktualizoi në nivel të institucionit propozimin e Presidentit të ndjerë Ibrahim Rugova. Fatkeqësisht, sipas medieve propozimi i tij u refuzua, por as tash nuk u tha se pati ndonjë propozim tjetër që t'i kundërvihej propozimit të Sabri Hamitit, përkatësisht partisë më të madhe të Kosovës që e qeveris vendin bashkë me AAK në.
Refuzimi i opozitës për të biseduar për simbolet shtetërore tash e sa vjet është i pakuptimtë, sidomos kur ata nuk japin asnjë propozim, përkatësisht kundërpropozim, në mënyrë që të fillojë debati dhe të shqyrtohen pastaj simbolet shtetërore në Kuvend. Për flamurin shtetëror dhe për himnin e ardhshëm është biseduar në nivele të ndryshme publike tash disa vjet. Por asnjëherë deri me tash nuk është shtruar në Kuvendin e Kosovës për të marr formën e prerë dhe zyrtare.
Pavarësisht rezistencës opozitare, pavarësisht mohimit të ndryshimit të flamurit, përkatësisht përzierja e qëllimshme e konceptit për flamurin kombëtar dhe atë shtetëror nga disa grupacione, pjesa më e madhe e opozitës e ka refuzuar një propozim konkret. Madje një grupacion politik i afërt me opozitën e dogji publikisht flamurin e Dardanisë para disa vjetësh, që ishte veprim kriminal i pandëshkuar! Asnjëri nga përfaqësuesit e opozitës as sot e kësaj dite nuk kanë ndonjë propozim, por vetëm kanë rezistencë, ndërkaq, të gjitha mediet elektronike e të shkruara që financohen dhe kontrollohen nga opozita thonë se për flamur e për himn duhet të kemi koncensus, por nuk i bien fare këtij krahu se cili duhet të jetë ai propozim dhe cili duhet të jetë flamuri i ardhshëm i Kosovës dhe himni. Me flamurin e Dardanisë dhe me himnin "Kur ka ra kushtrimi n'Kosovë" për të cilin Rugova thoshte se ia kujton Simfoninë e nëntë të Betovenit, Rugova dhe LDK ja i ka fituar dy palë zgjedhje. Këto simbole kanë bërë dhe po bëjnë jetë aktive publike në të gjitha manifestimet e LDK së. Shumica e popullatës në Kosovë tashmë janë mishëruar me këto simbole, ndërsa himnin e dinë përmendesh.

Çfarë simbolesh shtetërore presim?

Pavarësia e Kosovës tashmë po diskutohet në të gjitha nivelet ndërkombëtare, ndërsa pakoja e Ahtisarit është korniza e kësaj pavarësie që duhet të kalojë po ashtu edhe disa shkallë të tjera. Natyrisht në pakon e Ahtisarit kemi vërejtje serioze, mirëpo jo duke u nisur nga fryma revolucionare e "Vetëvendosjes". Në nivelin kombëtar shumica janë për pavarësinë e Kosovës, mirëpo shteti pa simbolet shtetërore nuk është shtet. Këtë do të duhej ta dinë edhe ata që e vonojnë apo e zvarrisin me ose pa qëllim debatin dhe tumirjen e simboleve shtetërore. Refuzimi i bisedimeve dhe refuzimi i shtruarjes së propozimit konkret është vështirë të kuptohet. Me refuzimin e tyre opozitarët sikur presin që nga sikleti i ballafaqimit më Flamurin e Dardanisë dhe me "Kushtrimin e Kosovës" t'i nxjerrë bashkësia ndërkombëtare. Propozimi i Hamitit në Kryesinë e Kuvendit ishte sinjal i mjaftueshëm për t'ua bërë me dije se parlamentarët po vonohen. Dhe kur ata vonohen atëherë mund t'ua japin të tjerët simbolet e gatshme ashtu sikurse në Bosnjë Hercegovinë. Mirëpo përderisa në Bosnjë Hercegovinë ishin tri kombe që nuk pajtoheshin, këtu jemi një komb me shumë parti që ende nuk jemi marrë vesh për flamurin, himnin dhe stemën. Grupet minoritare si përqindje janë të papërfillshëm sa të mund të përzihen në këtë mes. Madje ata deri me tash kanë shikuar seri se si ne i djegim flamujt tanë dhe se si nuk pajtohemi për simbole shtetërore, përderisa një pjesë e minoritarëve të përkëdhelur nga bashkësia ndërkombëtare edhe sot e kësaj dite janë kundër simboleve shtetërore dhe kundër shtetit të Kosovës.
Në pakon e Ahtisarit thuhet se për simbolet shtetërore duhet të pyeten edhe minoritarët. Dhe nëse aprovohet kjo gjë, atëherë do të jetë një shtet me simbole të vëllazërim bashkimit. Për këtë mundësi nuk reaguan as individët që shkruanin me tërbim kundër Flamurit të Dardanisë dhe himnit, nuk reaguan as partitë politike shqiptare në Kosovë që e refuzuan apriori të vetmin propozim vetëm e vetëm se ishte nga presidenti Rugova. Është për të ardhur keq kur krijohet përshtypja se individët dhe partitë politike të ne janë më të relaksuara tash kur po thuhet publikisht se simbolet shtetërore duhet të tumiren nga jashtë. Pra, athua janë më të pranueshme simbolet e imponuara nga jashtë apo ato të disenjuara apo të kompozuara në Kosovë. Një televizion qendror në Kosovë i afërt me një parti politike tha haptazi se flamuri i Dardanisë dhe himni nuk duhet të pranohen, sepse duhet të pyeten serbët. Dhe çuditërisht, ata që i kundërshtonin me zjarrmi këto simbole të propozuara nga Rugova, kur u përmenden dëshirat e serbëve, heshtën! QIK
Shtuar më 07/03/2007, ora 13:01
Tage: arkiv

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori