Gjermania nis testimin e vaksinës ndaj COVID 19

Gjermania ka filluar testimin e një vaksine për koronavirusin. Instituti Paul Ehrlich tha se rregullatori i vaksinave në Gjermani e ka miratuar testimin në njeri të vaksinës potenciale kundër koronavirusit.

Testimi do të kryhet në fazën e parë me 200 njerëz të shëndetshëm vullnetarë, të moshës 18 deri në 55 vjeç. Në fazën e dytë, testimi do të përfshijë edhe njerëz me rrezik më të lartë nga sëmundja. Instituti Paul Ehrlich nuk tha se kur do të nisë testimi, por Biontech paralajmëroi përmes një deklarate se do nisë “së shpejti”.

Sipas paralajmërimeve të ministrit britanik të shëndetësisë Met Henkok, Britania e Madhe nesër starton me testimin e vaksinës për koronavirusin. Një ekip i Institutit Xhener nga Oksfordi do të fillojë me prodhimin e vaksinës para se të përfundoj testimi, që të sigurohet dozë prej 1 milionë vaksinave deri në shtator. Siç ka njoftuar ministri Henkok, zhvillimi i vaksinës “është shkencë e pasigurt”, por se të dy ekipet kanë arritur “përparim të shpejtë” dhe plotësisht do të mbështeten nga Qeveria. Për këtë, hulumtim do të ndahen 20 milionë sterlina.

Missuri, është shteti i parë federal në SHBA që do ta padisë Kinën për shkak të dëmeve nga korona virusi. Padia është dorëzuar pranë Gjykatës federale nga prokurori Erik Shmit i Partisë Republikane ndërsa në padi shkruan se janë shkaktuar humbje të mëdha në njerëz dhe krizë ekonomike.

Qeveria kineze e mashtroi botën dhe e çoi në huti lidhur me rrezikun e Korona virusit, i heshti informatorët dhe nuk morri masa të mjaftueshme për shpërndarjen e virusit, edhe pse kishte në dispozicion të dhëna se ai transmetohet nga njeriu në njeri – tha Erik Shmit.

Paraprakisht presidenti amerikan, Donald Tramp paralajmëroi qeverinë kineze për pasoja të mundshme, nëse ajo ka qenë e vetëdijshme për përgjegjësinë për pandeminë me Korona virusin, ndërsa 22 kongresistë amerikanë kërkuan nga presidenti Tramp, të fillojë proces kundër Kinës në gjykatën ndërkombëtare të Hagës.


Shtuar 22.04.2020 14:31